Ilir Muharremi: Në gjithë botën shtatoret iu ngritën edhe të gjallëve

Ilir Muharremi, kritik i artit

Në dorë mban një fashikull në të cilën shkruan “Qeveria e Republikës së Kosovës”. Është në lëvizje me hapin e djathtë të lehtë para. Setër të mbërthyer. Shikim të butë, një buzëqeshje e lehtë që e njohim të gjithë.

Fuqi shprehëse. “Shpresa e fundit”, shkruan në bazament. Dy metra i gjatë, pak më shumë se përmasat natyrale. I punuar me delikates dhe butësi, i studiuar në thellësi të karakterit. Gjesti i plasuar nga brendësia dhe klithma e shpirtit në bronz. I rrethuar me dritë dhe hije mbi drapëri, manifeston energji dhe forcë.

Shtatorja e kryeministrit Albin Kurti u jetësua nga skulptori Agron B. Blakçori. Ajo po merr frymë në Peran të Podujevës. Shtatoret ngritën mbi vlerën e estetikës rëndësisë së prezantimit publik, rikujtim të figurës që nuk është në mesin tonë, prezantim dinjitoz i asaj figure. Pasqyrim i kujtesës së kaluarës.

Në gjithë botën shtatoret ju ngritën edhe të gjallëve. Kurti u objektivizua u materializua mbi idenë e skulptorit që duket në ecje të zakonshme, kryelartë, hapat avash- avash, qëndrimin drejt, i fokusuar në një pikë, në zhvillimin e Kosovës.

Ky është ai gjesti i tij i njohur, qëndrimi të cilin secili e ka të kthjelltë në kujtesë. Mishërimi i figurës me anën estetike në shikim të parë ndjesor zgjon diçka si përshtypje dhe ngjashmëri nën rrezet e ngrohta të diellit që përplasen lehtë mbi draperin natyrale të kostumit.

Duket si skulpturë e lirë, natyraliste në frymën realiste. I buzëqeshur nën mllefin e së kaluarës përmes syve vërehet ajo ndjenjë ai mister sepse sytë e tij të skulpturuar nuk ikën nga realja e Kurtit. Ndjehet hija e tij në këtë kompozicion. Është i detajuar duke u nisur nga shuplakat e dorës, muskulatura nën kostum, detajet e fytyrës, saktësi harmonike me ato të Kurtit, pastaj flokët, të gjitha peshojnë mendueshëm në skulpturë.

Skulptura vet është art plastik, por nëse i rrekemi detajeve dhe vështrimit më të gjatë, atëherë kalon në art shpirtëror, estetik. Marrëdhënia ndërmjet dritës dhe hijes është se hija ndjek lindjen nga forma dhe çdo formë e skulpturës e punuar me delikates shpërfaq fuqinë nga drita e lehtë në shfaqjen e hijeve. Ca njolla të bronzës alterojnë në mënyrë ritmike nga koha e deri te këmbët duke ndjekur orientimet bazë të lakimeve të drapërisë të përsëritura në sipërfaqe gjë që krijon natyralizmin real të një kostumi dhe njeriu.

Marrëdhënia e kësaj skulpture midis hapësirës pra oborrit të shtëpisë së pronarit Sahabedin Uka, (iniciatori kryesor për këtë vepër) ndonëse nuk është thelbësore, por raporti i formës me arkitekturën ndikon në ç’veshjen estetike, në këtë rast skulptura ballafaqohet me hapësirën e lirë. Ndonëse edhe po të vendosej në një hapësirë e rrethuar me turmë njerëzish arkitekturë afër, skulpturës do t’i shkonte do të dukej dinamike me këto forma që mbart me vete. Shihet se vepra ka një rregullim të marrëdhënieve të pjesëve në një tërësi. Sipërfaqja e skulpturës herë nxjerrë një elegancë e herë një ekspresivitet pra teksturë. Kalohet nëpër sipërfaqe të vazhdueshme butësisht sidomos te pjesa e fytyrës, mollëzave, hundës, ballit dhe syve.

Është një harmoni proporcionale në sipërfaqe e formave duke i krijuar edhe skajet që vazhdimisht ballafaqohen me hijet. Ngjyra është natyrale e materialit (bronzës) Vlera e kësaj shtatore është 50 mijë euro.

A duhet t’i krijojmë statujat e personave sa janë gjallë? A duhet të presim të vdesin e pastaj t’i kopjojmë? A duhet të kritikohet personi që e ngriti shtatoren e Kurtit?

E para, statujat mishërojnë kontribuuesit e njohur te publiku. E dyta, pas kohës së tyre biologjike figura më shumë përjetësohet në vepër arti, sepse koha ka shumë rëndësi në art. E treta, shtatorja u vendos në oborr të pronarit me të drejtën e tij. Ëndrra e sinqertë nuk mund të ndalohet. Kjo dëshmon se nëse ndjen diçka ti do e arrish atë./ KultPlus.com

Kurti në vizitë ngushëlluese te familja Metaj: Ai mësoi si të mendojnë shumë breza studentësh

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte sot për vizitë ngushëlluese te familja e profesorit të ndjerë, Kadri Metaj. 

Ai shprehu konsideratën e tij të lartë për kontributin e profesorit universitar Kadri Metaj në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave.

Shënimi i kryeministrit Kurti, në librin e kujtimeve:

“Prof. Kadri Metaj mësoi si të mendojnë shumë breza studentësh të cilët sot i kontribuojnë Kosovës dhe shoqërisë.  

Me jetën e tij të intelektualit të angazhuar dhe profesorit të Filozofisë, në veprat e tij të shkruara që do të lexohen gjatë, e gjejmë në punët dhe rolin tonë si frymëzim që nuk shuhet.

Me mall dhe nderim”, shkroi Kurti.

Kryeministri Kurti kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të profesorit të ndjerë. Sot ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.

Prof. Kadri Metaj doktoroi në vitin 1987 në Universitetin e Prishtinës kurse në vitin 1979 u zgjodh asistent në degën filozofi-sociologji. Nga viti 1999 deri në pensionim ishte profesor i rregullt në Departamentin e Filozofisë, ku ligjëroi lëndët nga fushat e filozofisë.

Po ashtu ligjëroi edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Tetovës.

Disa nga veprat e tij janë: “Teoria estetike e Gjergj Llukaçit” botuar më 1990, “Filozofia politike” më 2003 derisa përktheu edhe disa vepra nga fusha e filozofisë dhe estetikës. /KultPlus.com

Ekspozita e Bebëzat e Mallit hedh dritë mbi “fëmijërinë e vjedhur”

Uranik Emini

Të “rrëmbesh” fëmijërinë e dikujt është një krim kundër vetë thelbit të njerëzimit, një tragjedi e pashpjegueshme që lë plagë jo vetëm në trupin e dikujt, por në shpirtin kolektiv të një kombi. Zhurmat, tragjeditë dhe krimet e tmerrshme të luftës së viteve 1998-99 kumbojnë ende nëpër tokat e Kosovës, derisa ekspozita “Bebëzat e Mallit” shfaqet si një kujtim prekës i fëmijërisë së vjedhur, jetëve të zhdukura me forcë dhe gjurmëve të pashlyeshme të mbetura në shpirtrat e familjarëve të kapluar në mërzi të përjetshme, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e fuqishme, që vjen nga kërkimet dhe fotografitë e Korab Krasniqit, shërben si një testament për qëndrueshmërinë dhe kujtesën kolektive të një populli që refuzon të heqë dorë nga e kaluara e tij.

E ndarë në 12 pjesë që shfaqin secila një të kaluar dhe dhimbje, vizitorët e pranishëm në objektin e Rilindjes, rrëmbehen në “dhimbjen” që mbushë tërë këtë vend.  Objektivi i Krasniqit shfaq jo vetëm fytyrat e këtyre fëmijëve por edhe historitë e patreguara që fshihen pas syve të tyre.

Në një tokë ku shumë janë ende të humbur e të pa gjetur, “Bebëzat e Mallit” vepron si një urë lidhëse mes të tashmes dhe të shkuarës, mes të gjallëve dhe të zhdukurve, duke dëshmuar se një fotografi e vetme ka fuqinë të ringjallë njëqind kujtime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e filloi fjalimin e tij në këtë ekspozitë me vargje të poetit të ndjerë Xhevdet Bajraj, për thellësinë e humbjes, mallit e mungesës.

“Në qorrsokakun e përgjakshëm
Ku e vranë foshnjën e sapolindur
Dhe babanë e saj
U desh të kalojnë 20 vjet
Për t’ia gjetur mbetjet mortore e për t’ia dhënë nënës së vet

Ajo sapo i mori eshtrat në dorë,
I afroi tek gjiri i saj.
Më paska pritur a?
Se nuk qenka rritur fare tha
E buzëqeshi
Mu para se të hapej toka
E ta përpinte.”

Ngjarje të këtilla, sipas Kurtit, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë.

“Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre”, njoftoi i pari i ekzekutivitetit.

“Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj, e kemi obligim për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë, që kurrë të mos i harrojmë”, theksoi Kryeministri.

Autori i ekspozitës, Korab Krasniqi, tha se 24 vjet pas luftës plagët për fëmijët e vrarë dhe të pagjetur mbesin ende të hapura gjersa fëmijët e mbijetuar vazhdojnë të jetojnë mes pasojave të luftës.

Ai tha se me këtë projekt është bërë përpjekje të dokumentohet kompleksiteti i përvojave të fëmijëve në luftë duke ua kthyer atyre të drejtën e fjalës, me qenë se për fëmijët flasin më shumë të rriturit.

“Përmes shkrirjes delikate kuratoriale, ekspozita ofron hapësirën ku dhimbja i delegohet publikës dhe përpiqet të nderojë kujtesën për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur në luftë, për të mësuar nga historitë e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndikimin shkatërrues të luftës tek anëtarët më të cenueshëm dhe të pafajshëm të shoqërisë tonë”, tha Krasniqi.

Ministrja Haxhiu, nga ana e saj, tha se tragjedia e vrasjes së fëmijëve gjatë luftës në Kosovë përveç plagë e shpirtit kombëtar është shenjë dalluese që regjimi i Serbisë ka bërë gjatë shekullit të kaluar, veçanërisht vitet e fundit.

Ajo tutje shtoi se për fëmijët e vrarë dhe të masakruar ende nuk është dënuar askush dhe Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera ndërsa kriminelët po vazhdojnë të strehohen në Serbi.

Për familjet e të zhdukurve këto fotografi janë një rrugë shpëtimi – një mënyrë për t’u mbajtur pas të shkuarës, për të kujtuar buzëqeshjet, të qeshurat dhe ëndrrat e fëmijëve që nuk patën kurrë mundësinë të rriteshin.

E mbijetuara e masakrës gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht deputete e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha për KultPlus se institucionalisht nuk është punuar mjaftueshëm sa i përket çështjes së të pagjeturve dhe fëmijëve të vrarë në luftë.

“Mendoj që si institucione jo, nuk është bërë mjaftueshëm. Për shkak që dokumentimi është proces i gjatë dhe duhet të jetë shumë i detajueshëm. Është bërë diçka, një pjesë, po jo mjaftueshëm dhe shpresoj tash që me themelimin e Institutit për Hetimin e Krimeve gjatë luftës në Kosovë që kjo do të intensifikohet dhe do ta kemi institucionalisht një databazë të të dhënave rreth tregimeve dhe përjetimeve, sidomos të shqiptarëve gjatë luftës”, thotë ajo.

Bogujevci, megjithatë, thotë se në aspektin e ekspozitimit dhe dokumentimit në formë të këtij lloji, sikurse ekspozita, është punuar dhe po punohet në vazhdimësi.

“Mendoj që gjithherë e kemi pasë një komunitet të pavarur të artistëve në vendin tonë. Dhe në vazhdimësi kemi punuar në këtë drejtim, qoftë edhe përmes filmit, domethanë janë punuar tregime të luftës, kemi ekspozita, e përjetime të tjera”, tha ajo për KultPlus.

Ajo tregon se edhe ata si familje kanë treguar historinë e tyre përmes artit.

“Ne si familje përmes artit kemi tregu historinë tonë. E kemi pasë ekspozitën këtu në Kosovë, në Tiranë e në Beograd, ku e tregon historinë tonë dhe në njëfarë mënyre kemi dashtë që përmes kësaj na me tregu edhe në historinë e familjarëve të tjerë dhe natyrisht domethënë që duhet të të vazhdojë tutje. E mira është që tani janë ndërmarrë disa hapa përbrenda institucioneve tona që të institucionalizohet domethanë edhe kjo pjesë”, shprehet ajo.

Në vazhdim, Bogujevci përmend edhe proceset që janë duke i bërë me Ministrinë e Kulturës, që përfshijnë në aspektin e trashëgimisë kulturore, duke marrë shembull zonjën Ferdonije Qerkezi e cila e ka shndërru shtëpinë e vet në një muze domethënë për ta ruajt pjesën e historisë së familjes së saj.

“Domethënë duhet t’i kemi hapësira të tilla, nëse institucionalizohen edhe mbeten pjesë muzeale, po natyrisht kemi nevojë edhe për krijime të reja në këtë drejtim, por s’domethënë që dy gjana nuk mund me me vazhdu paralelisht me ndodhë, ku siç e thashë i kemi pjesën e artistëve të pavarur në vendin tonë në mënyrë të jashtëzakonshëm, ku paralelisht funksionojnë me pjesën e institucionit dhe domethënë kjo e bën dokumentimin siç duhet”, përfundon ajo.

Ekspozita “Bebëzat e Mallit” zë fill në hulumtimin e jashtëzakonshëm emipirik, të botuar nga forumZFD si libër me titullin “Fëmijëri të Rrëmbyera”. Hulumtimi ndërtohet nga intervista dhe fotografi të dymbëdhjetë familjeve, dhjetë prej të cilave kanë humbur një apo më shumë fëmijë gjatë luftës së vitit 1999, ose menjëherë pas, në rrethana që ndërlidhen me luftën.

Dy nga rrëfimet janë të dy fëmijëve që e kanë humbur njërin prind në luftë, ndërsa nga dymbëdhjetë rrëfimet, dy prej tyre janë të familjeve të komunitetit serb dhe dy të atij rom. Disa nga këta individë akoma të pagjetur.

Një fjalë rasti mbajti edhe kuratorja e ekspozitës, Vesa Sahatçiu. Ajo tha se është e rëndësishme të krijohen hapësira të kujtesës kolektive që rrëfimet sikurse të ekspozitës “Bebëzat e mallit” të kenë zë.

“Janë këto rrëfime qe formësojnë të kaluar tonë dhe dukshmëria tyre garanton që  të mos ta harrojmë të kaluarën tonë”- tha ajo.

Kjo ekspozitë e fuqishme na tregon që të mos harrojmë se çdo fotografi përfaqëson një jetë që dikur ka qenë—një jetë e mbushur me ëndrra, shpresa dhe pafajësinë e pastër të fëmijërisë. /KultPlus.com

Kurti në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit: Duam gjyqtarë e prokurorë efikasë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, ka thënë se korrupsioni e ka përcjellur Kosovën për vite me radhe, duke shkaktuar keqqeverisje, mentalitet të shëmtuar përfitues dhe ide të shtrembëruar që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo mirëqenie kolektive.

Ai tha se pasojat i kanë ndier të gjithë për vite me radhë e që sipas tij rezultuan me varfëri të skajshme në dobi të pasurimit të individëve e grupeve të interesit.

“Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit”.

“Gjakderdhja financiare, skamja e shërbimeve institucionale, keqmenaxhimi i parasë publike e krimi brenda organeve shtetërore e të qeverisë kanë marrë fund. Me përkushtim, duke vendosur dinjitetin mbi çdo gjë, kemi nisur luftimin e korrupsionit nga brenda për ta shtrirë mbi çdo segment të shoqërisë tonë”, tha Kurti.

Ai përmendi aksionet dhe arrestimet e kryera gjatë mandatit të tij, duke  thënë se tash, Kosova është shteti më i zhvilluar në rajon për reformat e filluara në qëllim të zbatimit të sundimit të ligjit.

“Në fillim të qeverisjes jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International. Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4000 persona janë arestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetërorë. Kemi shkatërruar 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë”.

“Me nisjen e procesit të vetingut në sistemin gjyqësor e prokurorial kemi dëshmuar që duam dënim meritor për zyrtarët shtetërorë, qofshin ata gjyqtarë e prokurorë që nuk i shërbejnë qytetarit, e që kriminelët i dërgojnë të mbrohen nga liria kurse zyrtarët e pavarur profesional i mbajnë në paraburgim pa ngritur kurrë aktakuzë. Duam ngritje në detyrë për ata që i shërbejnë shtetit e profesionit kurse ndalim të atyre që përfitojnë në kurriz të qytetarit dhe biznesit”.

“Duam gjyqësor të pavarur, prokurorë efikas e gjyqtarë që veprojnë me urtësi e mençuri. Këtë do bëjmë me veting në sistemin gjyqësor, të mbështetur nga ligjet që kemi dërguar në Kuvend. Vetëm në një vit qeverisës kemi miratuar mbi 80 ligje, afat i paarritur ndonjëherë nga ndonjë qeveri paraprake”, tha Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë përmendi edhe ligjet që partitë opozitare i kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese, ku tha se këtë e kanë bërë me secilin ligj që imponon reformë të pashmangshme në sistem.

“Me punë të madhe e procese gjithëpërfshirëse kemi hartuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky Ligj do prek secilin që ka përfituar në kurriz tuajin e që ka pasuruar xhepat në dëm të Republikës. Ky Ligj do bëhet dhe do zbatohet ashtu si është menduar dhe punuar. Vonimi i reformës përmes ankesave banale, sikur ishte ajo për Ligjin për Investimet e Qëndrueshme, nuk ka sesi t’i imponohet vullnetit qytetar si realitet”.

“Në vazhdim të punës tonë kundër korrupsionit, në vijim do prezantojmë edhe Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit – vizionin e Qeverisë tonë për vendosje të rendit dhe ligjit, ngritjes së cilësisë të administratës publike, reformimit të shëndetësisë dhe vendosjes së llogaridhënies te menaxhimi i parasë publike”. /KultPlus.com

Kurti e Çeku udhëtojnë për në Gjermani

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në Berlin të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Atje kryeministri Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD).

Në kuadër të kongresit do të zhvillojë takime me politikanë dhe deputetë të ndryshëm të SPD-së gjermane.

Ndërkaq të dielën, do të takojë pjesëtarë të mërgatës në Gjermani. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit”

Mëngjesin e sotëm, në moshën 75 vjeçare, është ndarë nga jeta aktori i njohur, Mirush Kabashi.

Vdekja e tij ka pikëlluar të gjithë, duke përfshirë edhe krerët e vendeve, komunitetin artistik e gjithë popullin shqiptar.

Kryeministri i Kosvës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, është shprehur se brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe.

Tutje, Kurti është shprehur se Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Me pikëllim nisi kjo e martë, nga lajmi i mëngjesit të sotëm që në orët e hershme të këtij 5 dhjetori, ka vdekur Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar i teatrit dhe i kinemasë.

Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në sheshxhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori.

Për brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe. Pasi ta keni parë një herë Mirush Kabashin duke e interpretuar poezinë e Fan Nolit “Hymni i flamurit”, sa herë që t’i lexoni vargjet “O flamur gjak, o flamur shkabë…”, do t’iu rikthehet zëri i tij aq i fortë duke e recituar këtë poezi në shumë skena dhe evente.

Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit!

I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër por me origjinë nga Gjakova, ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit, iu falë gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik.

Ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin! / KultPlus.com

Kurti reagon për rastin e Ademajt: Vetëm dënime maksimale, kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv

Liridona Ademaj humbi jetën si rezultat i një tragjedie që ndodhi së fundmi, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për këtë rast, duke thënë se ajo u vra se ishte grua.

I pari i ekzekutivit, ka thënë se urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtorët e tjerë duhet të ndëshkohen me dënim maksimal, e kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv.

Postimi i plotë:

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua.

Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë.

Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.

Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.

Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.

Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.

Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.

E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, shkruan Kurti. /KultPlus.com

Takimi Ora – Kurti, diskutohen mundësitë e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare

Këngëtarja Rita Ora është takuar së fundmi edhe me Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, si dhe me drejtoren e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqirin, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, pritën në takim yllin botëror nga Kosova, Rita Ora, bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi, aktoren e producenten Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, si dhe Besnik Sahatçiun dhe Elena Ora.

Mundësia për bashkëpunime në fushën e filmit dhe muzikës ishin temat kryesore në këtë takim.

Postimi i plotë nga MKRS:

“Rita Ora dhe Taika Waititi në Kosovë 🇽🇰🌟

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, pritën në takim yllin botëror nga Kosova, Rita Ora, bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi, aktoren e producenten Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, si dhe Besnik Sahatçiun dhe Elena Ora.

E pranishme në këtë takim ishte edhe drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, si dhe anëtarë të kabineteve qeveritare.

Gjatë takimin folën për fushën e artit dhe kulturës në Kosovë. U diskutuan planet e Qeverisë për zhvilluar industrinë e filmit vendor si dhe marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit. U trajtuan edhe mundësitë e format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj”, thuhet në postim. /KultPlus.com

“Bashkëpunim në film e muzikë” ZKM jep detaje për bisedat e Kurtit me Rita Orën, Taika Waititin dhe aktoren Odessa Rae

Zyra e kryeministrit ka dhënë më shumë detaje për takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur të dielën me yllin botëror të muzikës , Rita Ora, bashkëshortin e saj Taika Waititin si dhe aktoren Odessa Rae.

Rita Ora e vizitoi vendlinjen në rastin e ditëlindjes së saj. Ajo vazhdimisht nëpër intervista në media ndërkombëtare ka përmendur Kosovën.

Siç ka njoftuar ZKM-ja në këtë takim është folur edhe për bashkëpunimet potenciale në fushën e muzikës dhe filmit, sidomos për mbështetje të artistëve kosovarë.

Më poshtë komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim artisten e mirënjohur nga Kosova, Rita Ora, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj regjisori Taika Waititi, si dhe aktorja e producentja Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, e po ashtu edhe nga babai i saj, Besnik Sahatçiu si dhe motra Elena Ora. I pranishëm në takim ishte dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. 

Një e diel e veçantë, ku Rita Ora feston dhe ditëlindjen e saj të 33-të. Gjatë këtij takimi miqësor, ata folën për fushën e artit e kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e qeverisë për zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës.

U trajtuan dhe mundësitë e format e  bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj.

Kryeministri Kurti e cilësoi këtë të diele të këtij takimi të paharrueshme. Duke e uruar dhe për ditëlindjen e saj, ai tha se Rita Ora na bën krenarë të gjithëve, me punën e kontributin e saj.

Nga ana e saj, Rita Ora tha se kjo ishte një mënyrë e jashtëzakonshme për të kaluar këtë ditë të veçantë për të, si dhe veçoi ardhjen e saj në Kosovë sot si dhe takimin me Kryeministrin duke i quajtur frymëzues.

Ajo theksoi dëshirën për t’u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit. /KultPlus.com

Kurti: Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është pritur në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Kryeministri Kurti ka shkruar se Rita Ora ka arritur majat më të larta të suksesit dhe njohjes në mbarë botën duke nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe.

“Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit”, ka shkruar Kurti, në takimin që e pati me Orën dhe bashkëshortin, regjisorin Taika Waititi. 

Ora, e cila ka ateruar mbrëmë në Kosovë, ka thënë se mënyra se si këtë vit ka festuar ditëlindjen e 33-të është e mrekullueshme.

Takimi me kryeministrin Kurti, sipas saj, e ka bërë shumë të ngazëllyer për të ardhmen.

Ka shtuar se kanë planifikuar projekte të mëdha për vitin e ardhshëm. /KultPlus.com

Kurti në Festën e Mbretit belg: Në përpjekjet tona për liri, Belgjika u shfaq aleate e palëkundur

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 157-vjetorit të Festës së Mbretit belg, me ftesë të Ambasadës së Belgjikës në Kosovë.

Kurti, para të pranishmëve tha se Belgjika mbanë një vend dhe rol të veçantë për popullin e Kosovës, duke qenë shtëpi e qindra e mijëra atdhetarëve, të cilët sipas tij, kanë punuar pandërprerë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“E në këtë përpjekje për liri, Belgjika u shfaq si një aleat i palëkundur. Ajo ishte njëra nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe mbështetja e saj vazhdon edhe sot e kësaj dite, teksa punojmë bashkë për përmbushjen e synimeve të vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, veçoi kryeministri”.

“15 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kryeministri tha se po dëshmojmë thellim të lidhjeve politike, kulturore, ekonomike, e sigurisë, teksa nënvizoi se Belgjika ka qenë mbështetës krucial i Kosovës në integrimin ekonomik, duke kontribuar në finalizimin, me sukses të procesit të liberalizimit të vizave dhe dhënë asistencë të vlefshme për procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës”, tha Kurti.

Krahas lidhje diplomatike, Kurti foli edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe partneritetin e bizneseve belge dhe kosovare, për të cilat sipas tij, po japin rezultate premtuese.

“Për fund, ne këtë ditë të shënuar për Mbretërinë e Belgjikës, ai i shprehu urimet e tij Mbretit Philippe, Mbretëreshës Mathilde, Princeshës Elisabeth, Princit Gabriel, Princit Emmanuel dhe Princesësh Eleonore”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Kurti udhëton në Vjenë, pritet ta pranojë çmimin “Partneri i Vitit 2023”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Vjenë.

Ai do të marr pjesë në edicionin jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti do të pranojë Çmimin Vjetor të Forumit Ekonomik “Partneri i Vitit 2023”, që do t’i ndahet Republikës së Kosovës për bashkëpunimin dhe kontributin 15-vjeçar në zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe do të jetë pjesëmarrës në panelin e diskutimit me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”, nesër prej orës 14:05. 

Po ashtu, Kurti nesër do të jetë mysafir i ftuar nga Karl-Renner-Institut për të diskutuar mbi temën “Kosova: Shteti i ri demokratik si peng i interesave gjeopolitike”.

Ndërkaq, të martën do të zhvillojë takime me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë, për t’i njoftuar më për së afërmi me mundësitë për investime që Kosova ofron në këtë fushë“, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Kurti gjatë këtyre ditëve ka qëndruar në Paris të Francës, ku mori pjesë në Forumin e Paqes. /KultPlus.com

Kurti gjatë takimeve në Paris flet për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e energjisë

Qëndrimin në Paris, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje e vijoi me takimin me Drejtorin Ekzekutiv të Qendrës Ndërkombëtare për Bashkëpunim Ekonomik dhe Social (C.I.C.E.S), Michael Deboudt, presidentin e Bordit, Jean Reveillon dhe anëtarin tjetër të Bordit, Bernard Miyet.

Sipas një komunikate të kryeministrisë, aty u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e energjisë, tregtisë, investimeve, akademisë përmes programeve të ndryshme të shkëmbimit, dhe artit.

Duke folur për raportet dhe partneritetin ndërmjet dy vendet, ndër të tjera në takim kryeministri veçoi bashkëpunimin e mirë që Kosova ka me Francën në fushën e filmit dhe rezultat e deritanishme.

Ai i falënderoi ata për mikpritjen, si dhe për punën e angazhimin e tyre në ndihmë dhe mbështetje të Kosovës. /KultPlus.com

SHBA-ja konfirmon mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se James O’Brien, ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, ka treguar edhe një herë tjetër mbështetjen amerikane për Kosovën, shkruan KultPlus.

“Kënaqësi për takimin me ndihmëssekretarin e shtetit të SHBA-së, O’Brien, i cili konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën. Diskutuam për përparimin e shpejtë ekonomik dhe demokratik të Kosovës – të njohur gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare – dhe unë përsërita përkushtimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO si objektivat tona kryesore strategjike”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kurti mori pjesë në takimin në Paris, ku tani po qëndron në kuadër të Forumit të Paqes. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me Komandantin e KFOR-it: Shtimi i trupave të koncentrohet në kufi me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë,  Kurti theksoi që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me Komandatin e KFOR-it.

“Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.

“Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.Kryeministri Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes.”, përfundon njoftimi./21Media/KultPlus.com

Kurti: Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomi dhe progresi demokratik ecin bashkë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomi dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah.

Sipas Kurtit, nuk ka raport kredibil ndërkombëtar që nuk e ka njohur përparimin e Kosovës në demokraci, të drejtat e njeriut, luftimin e korrupsionit, sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë.

“Fillimisht, Raporti i BE-së për Vendin i vitit 2022 ishte më i miri që ka pasur Kosova deri më tani. Aty nuk kishte asnjë fushë pa progres të shënuar dhe asnjë fushë me regres të evidentuar”.

“Transparency International në Indeksin e tyre të Perceptimit të Korrupsionit na ka renditur për 20 vende më lartë. Sivjet jemi në pozitën më lartë që kemi mbajtur ndonjëherë. Për 22 vende më lartë jemi renditur në Indeksin e Lirisë së Medieve, sipas Reporterëve pa Kufij. Në vitin e parë të qeverisjes kishim shënuar përmirësim rekord brenda një viti, duke u ngritur për 17 vende, kurse në vitin e dytë kemi arritur renditjen më e lartë ndonjëherë në këtë indeks. Pra, përmirësim i dyfishtë”.

“E për përmirësim në të drejtat politike dhe liritë civile, raporti i Freedom House i këtij viti, renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, të dytën në Evropë dhe të tretën në botë. Për nga përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, të dytët në botë na rendit edhe raporti i Projektit të Drejtësisë Botërore, i cili për të dytin vit me radhë të qeverisjes sonë, e nxjerr Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, kreu i qeverisë tha se Kosova është e para në Ballkanin Perëndimor për Demokraci Elektorale edhe sipas vlerësimit të Institutit V-Dem, teksa shtoi se edhe sipas raportit të vitit 2022 të FMN-së për sa i përket rritjes së grumbullimit të të hyrave, Kosova del e para.

“Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, Kosova krahas pakos mbështetëse më të madhe (si përqindje e BPV-së) në rajon për qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, ajo pritet të ketë rritjen më të madhe reale ekonomike në rajon për tre vitet e ardhshme”.

“Projeksione të njëjtë ka edhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, e cila thotë se vendi ynë pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor për këtë vit dhe vitin tjetër. E një raport tjetër i Bankës Botërore, ai mbi Indeksin e Maturitetit të Teknologjisë, e ka ngritur Kosovën nga grupi C në atë B për fokus në qeverisje digjitale”, shkroi Kurti.

Tutje, ai tha se qeveria e udhëhequr prej tij gëzon besimin e 56 për qind të qytetarëve, më të larin në mesin e të gjitha qeverive të Ballkanit Perëndimor, sipas matjeve të Balkan Barometer 2023. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Gjatë shtatë ditëve u përballëm me dhunë e kërcënime, e vlerësojmë mbështetjen e aleatëve në luftën kolektive për demokraci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar gjatë shtatë ditëve të fundit, vendi është përballur me dhunë, kërcënime dhe glorifikim të akteve të tilla, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti përmes një postimi në Twitter ka thënë se e vlerëson mbështetjen e e aleatëve të Kosovës në “luftën kolektive për demokraci”.

“Ka kaluar një javë nga sulmet tragjike terroriste të orkestruara nga Serbia. Gjatë 7 ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të dhunës, kërcënimeve dhe glorifikimit të akteve të tilla. Gjatë kësaj kohe, ne vlerësojmë thellësisht mbështetjen e aleatëve tanë në luftën tonë kolektive për demokraci”, ka thënë ai./KultPlus.com

Kurti: Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor, kush integrohet, jeton më mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kritikuar edhe njëherë politikat e Vuçiqit dhe Serbisë dhe rolin e tyre në destabilizimin e situatës në Veri, përcjell KultPlus.

Kurti në postimin e tij tha se Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë.

Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen.KultPlus.com

Kurti e priti në takim Krajën, folën për hartimin e enciklopedisë shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademikun Mehmet Kraja.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se në këtë takim është folur në lidhje me hartimin e enciklopedisë shqiptare.

“Në takim u theksua rëndësia e projektit madhor mbi enciklopedinë shqiptare, i nisur nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët të vitit të kaluar. Akademiku Kraja shprehu përkushtimin e tij dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për hartimin e Enciklopedisë shqiptare, teksa e njoftoi kryeministrin me punën dhe arritjet kryesore të Akademisë”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron delegacionin shqiptar për suksesin në Festivalin e Filmit në Venecia

Këto ditë në Venedik të Italisë është mbajtur Festivali i 80-të Ndërkombëtar i Filmit në Venecia.

Ndonëse festivali këtë vit ka qenë shumë më i zbehtë për shkak të bojkotit nga yjet e filmit për shkak të grevës në Hollywood, organizimi arriti që përsëri të shkaktonte mjaft bujë.

Pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë kanë qenë edhe dy prodhime filmike kosovare, përkatësisht filmat “A Short Trip” i regjisorit Erenik Beqiri dhe “Bota Jonë” e Luana Bajramit.

E në mbështetje të shqiptarëve pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në platformën X (ish-Twitter), një fotografi bashkë me kastin shqiptar në Venedik.

“Një vit i shkëlqyer për kinematografinë tonë në Festivalin e Filmit në Venecia! Urime Erenik Beqirit për fitoren e çmimit ‘filmi më i mirë Orizzonti’ me filmin ‘A Short Trip’ me Luana Bajramin dhe Tristan Halilajn dhe vetë Luanës për premierën e filmit të saj të dytë ‘Bota Jonë’ në Bienale”, ka shkruar Kurti.

E ftuar speciale për të marrë pjesë këtë vit në Festivalin e Filmit në Venecia ka qenë edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila ka performuar në gala-mbrëmjen e amFAR, e cila organizohet në ndihmë të mbledhjes së fondeve për kërkimet e HIV/AIDS. / KultPlus.com

Ndeshja Kosovë – Zvicër, Kurti: Ju faleminderit për emocionet

Sot, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë është zhvilluar ndeshja Kosovë – Zvicër e cila është përmbyllur me rezultat 2-2, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se ndërmjet Zvicrës së Xhakës, Shaqirit, Bislimit e Jasharit dhe Kosovës së Dardanëve, nuk mund të ketë humbës sepse ka festë, ka krenari.

“Ndërmjet Zvicrës së Xhakës, Shaqirit, Bislimit e Jasharit dhe Kosovës së Dardanëve, nuk mund të ketë humbës sepse ka festë, ka krenari. Besuam deri në fund, siç besojmë ende në kualifikim. Ju lumtë lojtarëve për rezultatin. Ju faleminderit për emocionet”, ka shkruar Kurti./KultPlus.com

Kryeministri Kurti në premierën e filmit “Bota jonë” në Venecia

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka marr pjesë në premierën botërore të filmit “Bota jonë”, me regji të Luana Bajramit, e cila në festivalin e Venecias po prezantohet në kategorinë “Orizzonti Extra”, shkruan KultPlus.

Për pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti kanë njoftuar edhe nga MKRS, njoftim që mund ta lexoni të plotë.

“Bota jonë” shfaqet krahas filmave të tjerë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë kinematografik në Festivalin e Venedikut⭐️🎞

“Bota jonë” filmi i regjisores 22 vjeçare, Luana Bajrami, u shfaq mbrëmë në Festivalin e Filmit në Venedik, dhe po garon në kategorinë “Orizzonti Extra”.

Filmin e ndoqën kryeministri Kurti, bashkë me regjisoren Bajrami, producentët Valbone Rahmani dhe Eric Toledano, aktorët e roleve kryesore, Elsa Mala, Albina Krasniqi, Don Shala, Aurora Ferati, Gani Rrahmani, Uratë Shabani dhe Tristan Halilaj, ambasadoren Lendita Haxhitasim, Blerta Zeqirin, drejtoren e QKK-së si dhe Rozafa Imamin, këshllitare politike në MKRS.

I gjithë ekipi u përshëndet dhe u përgëzua nga Roberto Ciccutto, Presidenti i Bienales së Venedikut gjatë koktejit të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Itali.

“Bota jonë” është produksioni i parë që përfiton nga marrëveshja e bashkëprodhimit kinematografik që Franca dhe Kosova nënshkruan në Festivalin e Filmit në Kanë 2022. Para tij, në Venedik janë shfaqur “House keeping for beginners”, me aktore Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, për të vazhduar me “A Short Trip” të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë edhe Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj./ KultPlus.com