Analistin austriak e shqetëson ideja e Kurtit për bashkim me Shqipërinë

Ajo që duhet të jetë shqetësuese pas zgjedhjeve të Kosovës është programi politik i Albin Kurtit për ribashkim me Shqipërinë, paralajmëron analisti austriak Paul Lendvai.

Lendvai, në një koment të botuar në të përditshmen në Vjenë ‘Der Standard’, tha se arsyeja e shqetësimit për stabilitetin e Kosovës, përfshirë rajonin, nuk është veprimtaria politike e Albin Kurtit në “planin e brendshëm”, por kursin e tij të vazhdueshëm nacionalist për bashkimin me Shqipërinë.

Me gjithë larminë etnike dhe gjuhësore të shqiptarëve që jetojnë në katër vende të Ballkanit, si dhe rreth 1.5 milion në diasporë, ëndrra e Shqipërisë së Madhe mbetet një faktor politik dhe emocional shpesh i pa vënë re, thotë ai.

Për më tepër, deklaratat e rastit të kryeministrit shqiptar Edi Rama nuk duhet të anashkalohen, vëren Lendvai.

Ai gjithashtu thekson se një konflikt i ngrirë mund të shkaktojë konflikte në çdo kohë/TCH / KultPlus.com

Kurti për “Der Standard”: Do të kërkoj kompensim të luftës nga Serbia

Kandidati për postin e kryeministrit nga Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë intervistë për gazetën vjeneze “Standard” para mbajtjes së zgjedhjeve të djeshme në Kosovë, ku ka folur për atë se çfarë hapash do të ndërmarrë në rast se del fitues.

Ai ka folur edhe në lidhje me taksën ku ka deklaruar se do ta largojë, por dhe se do të kërkojë reciprocitet me Serbinë dhe kompensim të luftës.

Kurti po ashtu ka deklaruar se nëse do të bëhet kryeministër, që në javën e parë do të fillojë dialog me serbët në Kosovë.

“Ne do ta zëvendësojmë taksën me parimin e reciprocitetit. Për shembull, Beogradi duhet t’i pranojë targat tona dhe dokumentet, në të cilët shkruan Republika e Kosovës. Duam ta sqarojmë fatin e të zhdukurve, pavarësisht kombësisë, të gjinden edhe serbët edhe romët. Duhet të formohen ekipet e përbashkëta të hetuesve kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të analizonin varrezat masive”, ka deklaruar Kutri.

Ai po ashtu shtoi se Serbia i detyrohet Kosovës edhe për kompensim të luftës, një fond pensioni dhe 1.200 artefakte.

I pyetur se pse Prishtina duhet të nënshkruajë një marrëveshje me Beogradin, Kurti u përgjigj se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme dhe se pa njohje të ndërsjellë nuk ka anëtarësim në BE.

Duke folur për veten, ai theksoi se është shqiptar nga nacionaliteti dhe që Shqipëria e Kosova janë dy shtete, por një kombësi. “Domethënë si dy Gjermani, por jo si Gjermania dhe Austria”, u shpreh ai.

I pyetur se a është ende favorizues i bashkimit të Shqipërisë së Madhe, ai tha se mendon që do të duhej që qytetarët të votojnë për të, nëse do të kishte referendum.

“Megjithatë, referendumi nuk lejohet, kështu që unë do ta respektoj kushtetutën derisa një ditë të jemi në gjendje që ta ndryshojmë atë në mënyrë paqësore dhe demokratike. E kjo nuk pritet të ndodhë shpejt”, përfundoi Kurti. / KultPlus.com

Kurti: Shteti nuk qe në gjendje t’i ndihmonte Bekim Lumit, por ai nuk u thye

Vdekja në moshë të re e regjisorit të talentuar dhe profesorit të Universitetit të Prishtinës, Bekim Lumit, i lë të gjithë dashamirësit e teatrit të pikëlluar. Kështu ka shkruar Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Bekim Lumi megjithatë jetoi mjaftueshëm sa për të vënë në skenë, të përshtatura me stilin e vet tejet origjinal, dramat e Ionésco-s, Chekhov-it, Shakespeare-it, Koltés-it, Mrožek-ut etj. por edhe dramatizime të frymëzuara nga tekste të Lorca-s, Fishtës etj”, shkruan tutje ai në Facebook.

“Imagjinativ me tekstin, rigoroz me rolet, punëtor me aktorët, kreativ për lojën e tyre. Bekim Lumi nuk pranonte më pak se përsosurinë e përfytyruar dhe nuk ndalej as shkurtimisht te suksesi i arritur. Në fund të jetës së vet, tashmë i sëmurë prej një sëmundjeje të rëndë, shteti i Kosovës nuk qe në gjendje t’i ndihmonte, ashtu siç nuk i ndihmon dot qindra qytetarëve të tjerë, për të paguar kurimin e shtrenjtë”, ka shkruar Kurti.

Por, shkruan tutje Kurti, ai nuk u thye, dhe në formë testamenti artistik, politik e qytetar, vuri në skenë veprën e njohur të Bertolt Brecht-it, “Arturo Ui”: historia e ardhjes në pushtet të një diktatori, me ndihmën e mafisë, përmes dhunës, por sidomos përmes servilizmit të burokratëve e përmes apatisë dhe frikës së njerëzve të zakonshëm.

“Në këto momente dëshirojmë të ngushëllojmë familjarët, kolegët, studentët dhe dashamirët e artit e të jetës së Bekim Lumit. Një mendje e shkëlqyer nuk është më mes nesh”, ka përfunduar Kurti.

Bekim Lumi ka vdekur sot pas një lufte më shumë se dy vjeçare me një sëmundje e rëndë.

Këngëtarja Donika Gashi rreshtohet në këtë parti politike

Gjeneratat e ndryshme në Kosovë e kujtojnë këngëtaren Donika Gashi, e cila pati realizuar në vitet 90-të disa këngë e një pjesë e tyre edhe hite të kohës.

Por sot, Donika Gashi e cila tashmë njihet edhe si poete, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i VV’së, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

“Sot na u bashkua në Lëvizjen tonë, Donika Gashi, poete dhe qytetare prishtinase. Anëtarësimi i Donikës është vlerë dhe vlerësim për VETËVENDOSJE!-n. Na presin shumë punë bashkë, sidomos për rininë dhe artin e kulturën në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Gashi ka thënë që është bërë anëtare e VV’së për të dhënë më të mirën e mundshme.

“Është nder t’i shërbesh popullit shqiptar, thotë Albin Kurti, andaj me këtë besim dhe bindje i bashkohem sot Lëvizjes VETËVENDOSJE! Për të dhënë më të mirën e mundshme nga vetja në rrugëtimin tonë të përbashkët”. /KultPlus.com

Albin Kurti viziton Panairin e Librit: Të jep shpresë kur sheh se sa shumë qytetarë vërshojnë në panair

Në Pallatin e Rinisë po vazhdon të mbahet Panairi i 20-të i librit, duke mbledhur shumë vizitorë rreth vetes. Në mesin e tyre sot ishte edhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Ai ka treguar se vizita e tij tashmë është e përvitshme dhe se është shpresdhenës fakti se sa shumë qytetarë të të gjitha moshave, vërshojnë në panair për të zgjedhur mes qindra titujsh, nga shtëpi të shumta botuese.

“Jo çdo libër ka vlerë, ama libri i mirë është skulptori më i talentuar i mendjes së njeriut, pas mësuesit kuptohet, sepse duhet një mësues për të të mësuar se nga t’ia fillosh. Më të rinjtë ndonjëherë mund të pyesin se pse duhet të lexojmë, pse të thellohemi në dije, kur shumë nga njerëzit që falë medias e rrjeteve sociale shiten si “të suksesshëm”, nuk janë të ditur, por thjesht të pasur. Vërtet, industria e spektaklit pasuron shpesh njerëz për shkak të atributeve e talenteve fizike, e industria e medias shpesh i bën jehonë provokimit që rrjedh prej arrogancës e injorancës. Megjithatë, rruga e vetme për përparimin e qenies dhe të shoqërisë njerëzore, është dija. E kjo rrugë e përpjetë që duhet të ngjisë mendja, është e shtruar me libra”, shkruhet në postimin e Kurtit./ KultPlus.com

Albin Kurti: I përkujtojmë sot Asdrenin dhe Agim Ramadanin

Politikani Albin Kurti, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje ka përkujtuar në Facebookun e tij dy figura të shquara, në përvjetore të ndryshme.

Ai ka kujtuar Asdrenin në datëlindjen e tij dhe Agim Ramadanin i cili me 11 prill 1999 ra dëshmor në Betejë e Koshares.

Ky është statusi i plotë i Kurtit:

Në 11 prill 1872 ka lindur Asdreni, poeti e pedagogu, veprimtari e Rilindësi ynë, fjalëve të të cilit u rrimë në këmbë kur këndohet Himni Kombëtar. Në vjershën e tij “Lulëkuqja” ai e poetizon një imazh të cilin edhe sot e kemi para syve tanë, brutal posi atëherë. Imazhi i atdheut të pambrojtur, të parritur, imazhi i një kombi për të cilin s’përkujdeset askush, imazhi i një populli të pastrehë, të mjerë, imazhi i një kulture të pakultivuar, pa stoli. Si lulëkuqja e mbirë anash rrugës. Megjithatë, kjo është lulëkuqja jonë, e cila kur valon ndez shumë zemra. E njëra nga zemrat e mëdha që i ka ndezur kjo lulëkuqja jonë në historinë e saj, është zemra e heroit, Agim Ramadanit, komandantit të Brigadës 138 të UÇK-së, i cili në 11 prill 1999 ra dëshmor në Betejën e Koshares, në luftën tonë për çlirim.

I përkujtojmë sot të dy, si dy nga kulmet e panteonit tonë kombëtar.

Albin Kurti e kujton Martin Luther King Jr në 50 vjetorin e vrasjes

Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes dhe pjesë e Kuvendit të Kosovës, sot e ka kujtuar 50 vjetorin e vrasjes së aktivistit Martin Luther King Jr.

Kurti me një status në Facebook ka treguar pak për Luther King Jr, por edhe ka treguar se ai nuk ishte vetëm aktivist, por edhe universalist, por universalen e ndihmonte të realizohej duke çliruar më së pari popullin dhe kombin e vet.

Ky është statusi i Kurtit për këtë përvjetor.

Pesëdhjetë vjet më parë në Memfis të Tenesisë u vra veprimtari i shquar i çlirimit dhe i barazisë, Martin Luther King Jr.

Shumë fjalë nderimi janë thënë e do të thuhen për M.L. King Jr., e unë nuk dëshiroj të zgjatem. Veçse dëshiroj të theksoj dy elemente.

Dr. King shpesh përmendet si udhëheqës i lëvizjes për të drejta të barabarta civile, në një kohë kur afro-amerikanët jetonin të diskriminuar edhe ligjërisht. Mirëpo, të drejtat formale afro-amerikanët i mbërritën në vitet 1964-65. Çfarë bëri Martin Luther King Jr. atëherë, a u ndal? A u mjaftua ai me abrogimin e ligjeve diskriminuese dhe me arritjen e të drejtave formale për popullin e tij? Jo.

Martin Luther King Jr. në atë kohë planifikoi hapin e dytë të lëvizjes së tij, atë të rrugës drejt barazisë shoqërore e ekonomike. Pra, ai nuk mbeti thjesht një aktivist i të drejtave njerëzore, në kuptimin e dikujt të depolitizuar apo apolitik. Jo, ai ishte thellësisht politik. Nuk ishte moralizues, ishte organizator. Një ditë para se të vdiste, ai ishte pjesëmarrës në grevat dhe protestat e punëtorëve të pastrimit në Memfis, që ishin kryesisht afro-amerikanë. Por ai nisi të organizohej gjithnjë e më shumë edhe bashkë me punëtorët e të papunët e bardhë. Nuk u kufizua në një çështje të ngushtë përfaqësimi të një komuniteti, por u angazhua gjerësisht në shoqëri.

Pra, edhe pse sot njerëzit lexojnë pak, është mirë të dihet se MLK nuk ka qenë figurë politike njëdimensionale.

Ai ka qenë aktivist i të drejtave civile, por edhe veprimtar politik radikal.

Ai ka qenë pacifist dhe ithtar i mosushtrimit të dhunës ndaj asnjë njeriu, mirëpo ai nuk i është bindur urdhrave të policisë për t’i ndalur marshimet paqësore që më pas kanë eskaluar në përplasje.

Ai ka qenë universalist, por universalen e ndihmonte të realizohej duke çliruar më së pari popullin dhe kombin e vet.

Ai ka qenë për të drejta formale e barazi ligjore, por kur e arriti këtë e vazhdoi betejën edhe për barazi përmbajtësore, shoqërore e ekonomike.

Ai ka qenë udhëheqës i afroamerikanëve, punoi e luftoi konkretisht për ta, por nuk kërkoi izolimin e tyre, përkundrazi punoi për ndërtimin e një lëvizjeje të shtresave të varfra, pavarësisht racës.

Ai ishte klerik i krishterë, që u frymëzua prej një besimtari hindu, siç ishte Gandhi, dhe bashkëpunoi me një mysliman, siç ishte Malcolm X. Dhe në lëvizjen e tij politike bashkëpunoi me njerëz të të gjitha feve e me ateistë. Ai nuk toleronte, ai bashkëpunonte. Bashkëpunimi ishte shumë më i mirë se toleranca.

E respektojmë kujtimin dhe traditën e Martin Luther King Jr., dhe e përkujtojmë me këtë citat të tijin: “Paqja nuk është thjesht mungesa e dhunës. Paqja është prania e drejtësisë”.

Me aktivitete do të shënohet 20 vjetori i Lëvizjes Studentore në Kosovë

Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Lëvizjes Studentore në Kosovë, në Prishtinë vjen në fillim të tetorit një organizim që do të rikthejë kujtimet dhe idealet e asaj kohe.

Me datë 1 tetor duke filluar nga ora 20:00, në Kinemanë ABC në kryeqytet vjen shfaqja e filmit dokumentar kushtuar protestës së 1 Tetorit 1997 dhe Lëvizjes Studentore. Në ora 17:00 po të njëjtën ditë shënohet Akademia Solemne.

2 Tetor 2017

Ora 10:00 – Konferenca Shkencore “Lëvizja Studentore në Kosovë dhe Protesta e 1 Tetorit 1997”

Salla e Konferencave Nr. 14- Fakulteti Filozofik
Rr. Eqrem Çabej Nr. 21 – Prishtinë

3 Tetor 2017

Ora 18:00 – Ekspozita “ 1 Tetori përmes fotografive të kohës”

Muzeu Kombëtar i Republikës së Kosovës
Rr. Ibrahim Lutfiu – Prishtinë

Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi ishin në mesin e emrave që organizuan lëvizjen e vitit 1997 në Kosovë. Lëvizja Studentore ‘97 ishte një lëvizje joviolente studentore në Universitetin e Prishtinës, e cila filloi më 1 tetor 1997 dhe, duke aplikuar metodat aktive të një rezistence civile, theu status quon dhe të gjitha tabutë e deriatëhershme. / KultPlus.com

“Kurrizi” streha e shoqërisë elitare në vitet e 90-ta

Sarandë Selimi

Incizime të viteve të 90-ta, koncerte, evente për të rinj, mbledhi vetëm për një kafe… Kafiteri të njohura të atyre viteve, kafiteri të shqiptarëve e të serbeve. Fytyra të njohura publike të cilët kishin lindur e ishin rritur në atë pjesë. Shumë të rinj që asokohe vetë në atë pjesë të qyteti e gjenin veten. Vetëm në atë pjesë ndiheshin se i takonin ‘botës’ në njëfarë forme. Është ‘Kurrizi’ një pjesë e Prishtinës e cila bartë mbi supe shumë histori të të rinjve shqiptarë në atë periudhë, kur regjimi i Millosheviçit, i kishte përjashtuar shqiptarët tërësisht nga jeta institucionale, shkruan KultPlus.

“Në teatër e në kinema nuk kishim ‘guxim’ të shkonim sepse këto institucione udhëhiqeshin nga serbët dhe shumë thjesht e ndjenim vetën të huaj. Kurrizi ishte ajo pjesë që ndiheshim rehat”, thotë në dokumentarë politikani Albin Kurti, i cili në dokumentarin ‘Kurrizi’ që u dha të enjten mbrëma premierë në kryeqytet, dukej krejt ndryshe nga pamja që ka sot. Me flokë të gjatë e kaçurrelë Kurti, në atë kohë ishte student ku pikërisht në vitin 1997 ai u emërua nënkryetar i Unionit Studentor të universitetit të Prishtinës, ku në atë periudhë ishte organizator kryesor i demonstratave të studentëve, të cilat ishin pjesë e këtij dokumentari por me shumë sekuenca të shkurtra.

Nita Luci, Shkumbin Istrefi, Ilir Bajri, Leart Zeqa, dy nga vajzat e grupit muzikor ‘Terror’…ishin pjesë e këtij dokumentari i cili është mbështetur nga CHwB Kosova.
‘Kurrizi’ mblodhi sonte një audiencë goxha të madhe të cilët në fund e duartrokitën fort regjisoren e re Orgesa Arifi.

“Fillimisht dua të iu tregoj që nuk kemi mundur ta përmbledhim krejt Kurrizin sepse të gjithë e dimë që është një dekadë me shumë gjëra. Çka kemi mundur të bëjmë është t’i zgjedhim disa arkiva dhe disa njerëz që më së miri do të munden gjeneratat e reja ta kuptojnë dhe ju ta nxirrni në pah memorien që e keni pas në atë kohë. Dua të ia dedikoj edhe njerëzve që kanë ndejtë në atë kohë, sepse ata më kanë inspiruar mua faktikisht dhe t’i falënderoj që ma kanë besuar këtë ide. I ftoj njerëzit të merren me Kurriz sepse është një pjesë goxha e madhe e identitetit tonë, dhe ne nuk kemi besuar që njerëz që shohim aq shumë në televizion kanë ardhur nga Kurrizi”, u shpreh para të pranishmëve Orgesa Arifi, e cila poashtu tha se mendon që Kurrizi ka qenë një vend që i ka bashkuar shumë njerëzit kështu që, ajo bënë thirrje që mos ta harrojnë këtë pjesë të kryeqytetit kosovar.

Ndërkohë në këtë premierë i pranishëm ishte edhe drejtori i CHwB Kosova Sali Shoshi. Shoshi, tha se ky dokumentar në pamje të parë duket një punë e lehtë por sipas Shoshit, për ta ka qenë një punë goxha e vështirë.

“Ka qenë punë e vështirë për një arsye të thjeshtë, sepse jemi marrë me një fushë problematike dhe është një pjesë që shumë prej jush keni qenë dëshmitar të Kurrizit në vitet e 90-ta dhe nuk ka qenë e lehtë që na ta përjetojmë këtë periudhë, duke pas përsyshë që ka shumë njerëz që e mbajnë mend në mënyra të ndryshme. Përndryshe CHwB, që 15 vite merret me trashëgimi, merret me monumente më të hershme ku e kemi një lloj lirie që të merremi me mesjetë, me kohën osmane dhe atë romake, por jo shumë me këtë periudhën e vonshme të viteve të 90-ta dhe kujtesën kolektive”, tha Shoshi.

Ai ndër të tjera theksoi se të gjithë janë dëshmitarë që në vitet e 90-ta ka qenë një kthesë goxha e vrullshme për Kosovën. “Ishte ai momenti kur shqiptarët u ndanë dhe u izoluan dhe Kurrizi ishte një lloj ‘gheto’ por edhe një vend i ‘lirë’ në ato rrethana”, përfundoi Shoshi.

‘Kurrizi’ ishte një geto hapësirë për shumë të rinj dhe për shumë personalitete që sot janë figura publike te Kosovës. Ky dokumentar ka për qëllim të mbledhë tregimet për ‘Kurrizin’ si një pjesë e rëndësishme për memorien kolektive te viteve të 90-ta në Kosovë./ KultPlus.com