Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dha mesazhe për kabinetin e tij dhe qytetarët edhe përmes figurave të mëdha të vendit.
Ai zgjodhi tri gra shqiptare për t’i cituar: Shotë Galicën, Tringë Smajlin dhe Nënë Terezën.
“Nuk dëshiroj ta zgjas shumë sot, sepse na pret një ditë e gjatë, plot ceremoni e festa, patjetër edhe fjalime. Dëshiroj ta përmbyll këtë fjalë timen me tre citime nga tre personalitete të historisë sonë:
Shotë Galica thoshte “Një jetë pa dije është si një luftë pa armë”. Detyra juaj është që Kosovën të mos e lini pa njërën e as pa tjetrën.
Tringë Smajli thoshte “Mos ia drejtoni armët njëri-tjetrit, por vetëm armikut të përbashkët”. Mbajeni parasysh këtë përditë, që të mos e ngatërrojmë debatin tonë të brendshëm e demokratik, me polarizimet e përçarjet armiqësore me njëri-tjetrin.
E së fundmi, mos e harroni që Nëna Terezë thoshte “Paqja fillon me një buzëqeshje”. Le të jemi ne ata që buzëqeshim, e që mbajmë të hapur derën e bashkëbisedimit. Kosova është projekt i paqes, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Në këtë kohë kur lufta e preku kontinentin tonë, Kosova e cila sot feston pesëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë, e ka treguar se pa asnjë interes vetjak, i mbështet vendet që dëshirojnë paqe e liri përkundër pushtuesve. Kjo gjithashtu duhet të na bëjë krenarë të gjithëve e secilit.
Edhe një herë të nderuar kolegë: Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës! I falënderohemi të gjithë atyre që kanë kontribuar për çlirimin e vendit e për shpalljen e pavarësisë”, tha Kurti në Qeveri. / KultPlus.com
Në 33-vjetorin e rënies së dëshmores së lirisë Elfete Humolli, Kryeministri Albin Kurti, së bashku me Nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, bënë homazhe te kompleksi memorial në Lupç të Poshtëm.
Nga zyra e kryeministrit njoftojnë se Kurti pastaj vizitoi familjen Humolli, ku u prit nga nëna Sevdije, nëna e dy dëshmorëve, Elfetes dhe Mentorit, i cili ra dëshmor më 21 mars 1999 gjatë luftimeve në Koshare.
Risollën në kujtesë 1 shkurtin e vitit 1990, kur 33 vjet më parë, duke demonstruar për lirinë e Kosovës në fshatin Lupç i Poshtëm, Elfete Humolli, dy javë para ditëlindjes së 17-të, ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga policia serbe. Atë ditë, ajo bashkë me mijëra demonstrues shqiptarë nga fshatrat e kësaj ane të Llapit po thërrisnin për demokraci, e përballë pushtetit të Serbisë po demonstronin për të drejta politike, për liri dhe kundër shtypjes nga regjimi serb.
Në demonstratën e 1 shkurtit 1990, policia serbe shtiu me breshëri në drejtim të demonstruesve duke goditur katër prej tyre: Elfete Humolli vdiq nga plagët në vend, kurse Eset Kaçiu, Ismet Krasniqi dhe Avni Retkoceri mbetën të plagosur.
Në kumtesën për media, bëhet e ditur se familjarët rrëfyen se atë ditë, Elfetja ishte agjërueshëm dhe para frymës së fundit kishte pyetur për vëllanë e saj 13 vjeçar Mentorin, nëse kishte shpëtuar.
Në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga Serbia pushtuese, të ardhur nga dy rrugë të ndryshme, liria si destinacion i bashkoi motër dhe vëlla: Elfeten demonstruese për çlirim dhe Mentorin luftëtar të UÇK-së, që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, tha kryeministri Kurti. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore, përcjell KultPlus.
Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:
“27 janar 1945. U gdhi. Mbi dysheme, grumbulli i turpshëm i gjymtyrëve të thara, sendi Somogi. […] Rusët erdhën, ndërsa Sharli dhe unë po e çonim Somogun pak më larg. Ishte shumë i lehtë. E përmbysëm barelën mbi dëborën ngjyrë gri. Sharli hoqi kapelën. Mua më erdhi keq që s’kisha kapelë. Nga të njëmbëdhjetë vetët në Infektionsabteilung, Somogi qe i vetmi që vdiq gjatë dhjetë ditëve. Serteleti, Kanjolati, Tovarovski, Lakmakeri dhe Dorgeri, vdiqën disa javë më vonë, në infermierinë e përkohshme ruse të Aushvicit.”
Kështu e kujton Primo Levi kimisti italian me origjinë hebreje, ditën e 27 janarit 1945, në veprën e tij mbi Holokaustin “Nëse ky është një njeri”, teksa përshkruan vdekjen e shokëve të tij, kur ushtria ruse hyri në kampin e përqendrimit Aushvic në Poloni, aty ku Levi kishte qenë i burgosur mbi 11 muaj, që nga shkurti i vitit 1944. Në Aushvic I, Aushvic II-Birkenau dhe Aushvic III-Monowitz, nazistët kishin vrarë mbi 1.1 milionë njerëz, prej të cilëve 960 mijë hebrenj. Kjo datë, 27 janar, që përkon me ditën e sotme, do të shpallej më pas nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit. Sot, në këtë ditë, ne i kujtojmë gjithë ata njerëz që u vranë me plumba dhe gaz si dhe u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.
Holokausti dhe krimet e kësaj lufte, i dhanë forcë dhe njohje ndërkombëtare konceptit “gjenocid”, të konceptualizuar më 1944 nga juristi polak Raphael Lemkin, për të emërtuar aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor. Në vitet aq të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë përndiqeshin gjithandej dhe vriteshin si dhe kur pak dyer ishin të hapura për ta, disa qindra hebrenj të ikur nga vende të ndryshme të Europës, u morën nën mbrojtje nga shqiptarët dhe u strehuan duke u shpëtuar. Duke qenë edhe vetë viktima të gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia mbi ta, shqiptarët kanë kultivuar një empati të veçantë për këto lloj krimesh që nga koha e Holokaustit. Dhe kjo empati rezultoi të ishte e ndërsjellë, kur më 12 prill 1999, një i mbijetuar tjetër hebre i Aushvicit dhe Buhenvaldit, nobelisti i paqes Eli Wiesel, e përqasi Kosovën me Holokaustin në diskutimin e tij “Rreziqet e indiferencës: mësimet e një shekulli të dhunshëm”, në kuadër të “Mbrëmjes së Mijëvjeçairt”, organizuar në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton. Pasi kishte vizituar kampet e refugjatëve të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova prej forcave serbe, duke këshilluar që të mos bëheshin krahasime pasi çdo vuajtje është unike, Wiesel tha se “kjo situatë kërkon veprim dhe jo krahasim”, duke mbështetur ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Koha u dha të drejtë të dyve: si Wieselit edhe Clintonit!
Duke nxjerrë mësime edhe nga Holokausti, ShBA-ja dhe vendet e NATO-s që bombarduan Jugosllavinë më 1999, ndaluan thellimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. Atë kohë edhe Izraeli priti dhe strehoi disa dhjetëra refugjatë shqiptarë nga Kosova. 20 vite më pas, Izraeli njohu shtetin e Republikës së Kosovës. Duke i përkujtuar gjithëherë, populli dhe institucionet e Kosovës nuk do t’i harrojnë asnjëherë viktimat e Holokaustit, të asaj kohe kur duke strehuar dhe shpëtuar hebrenjt e ikur, shqiptarët dhanë provën e tyre tashmë të njohur botërisht, si njerëz fisnikë mes kombesh. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujuar sulmin e dytë të forcave serbe mbi Jasharajt.
Sulmi i dytë mbi ta kishte ndodhur më 12 janar të vitit 1998.
Adem Jashari dhe familja e tij ishin vazhdimisht duke rezistuar ndaj forcave okupuese serbe të cilët i përndjeknin.
Ata kishin rezistuar për çlirimin e Kosovës, gjë që ndodhi rezultat edhe i sakrificës së tyre.
Postimi i plotë i Kurtit:
25 vjet nga sulmi i dytë i forcave të Serbisë mbi Jasharajt
22 janar 1998, ditë e enjte, ora 05:25 minuta! Në Prekaz të Poshtëm të Drenicës, tri predha hidhen në drejtim të shtëpive të familjes së Shaban Jasharit: një mbi ahër, një në derë dhe një në oborr. Janë të shtëna prej distancës nga njësitet speciale të policisë së Serbisë, që ishin stacionuar prej kohësh në fabrikën e municionit të gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të Shabanit. Duke sulmuar herët në mëngjes, ata kishin menduar t’i zënë në befasi apo të fjetur anëtarët e familjes Jashari, që sapo kishin ngrënë vaktin e syfyrit, që atë ditë të muajit të agjërimit të Ramazanit, lihej në ora 05:17.
Ky ishte sulmi i dytë i policisë serbe mbi Jasharët e Prekazit, pas sulmit të parë të kryer 6 vite më herët më 30 dhjetor 1991. Qëllimi ishte të kapeshin a të vriteshin veçanërisht Ademi dhe Hamza, por pa u kursyer familjarët e tjerë, gra dhe fëmijë, e aq më pak shtëpitë dhe pasuria. Atë natë, Ademi nuk ishte aty, kishte shkuar mysafir te daja i tij Osman Geci në Llaushë. Nga tre djemtë e Shabanit, aty ishte Hamza, kurse vetë Shabani e kishte në odë për mysafir të nipin Bajram Gashin. Siç ka rrëfyer ai, natën që i parapriu sulmit, Hamza i kishte thënë: “Unë e di mirë që ne jemi në thumb dhe kurdoherë që të kenë mundësi ata do t’na sulmojnë me tërë fuqinë, për t’na shkatërruar dhe për t’na zhdukur nga faqja e dheut. Por, ne kemi vendosur që tu kundërvihemi dhe të bëjmë rezistencë deri në vdekje, me të gjithë anëtarët e familjes dhe kurrsesi të gjallë mos t’u bijmë në dorë dhe aspak nuk ua kemi frikën atyre.”
E nesërmja i provoi për të vërteta fjalët e Hamzës: pritjet për sulm dolën të kishin qenë reale, kurse vendosmëria për rezistencë u sprovua nga luftimet që Hamza i bëri në përballje të drejtpërdrejtë duke shtirë dhe hedhur bomba dore mbi policët. Teksa predhat dhe plumbat po godisnin gjithandej nëpër shtëpitë e tij, nga oda, Shaban Jashari bashkë me tre nipat e tij fare të rinj në moshë, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), iu përgjigjën me armë automatike trupave policore speciale të Serbisë, që tentuan të hyjnë edhe brenda shtëpive.
Pas rreth gjysmë ore luftimesh, ky aksion i rrufeshëm mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, përfundoi me tërheqjen e policisë serbe rreth orës 06:05, bashkë me disa policë të plagosur dhe shumë predha e municione të lëna pas. Atë mëngjes, nga të shtënat e policisë u plagosën Selvete Hamëz Jashari (20) në shpinë dhe Iliriana Rifat Jashari (25) në dorë.
Ndërkaq, kur po tërhiqeshin për t’u kthyer në fabrikën e municionit, policia shtiu mbi një kalimtar të rastit duke e vrarë. Ai ishte Hysen Nezir Mangjolli nga Mikushnica, që po shkonte në punë në fabrikën e materialit ndërtimor në Skënderaj. Rreth 20 000 njerëz morën pjesë në varrimin e tij pas dy ditësh, më 24 janar 1998 në fshatin Mikushnicë. Ky martir i lirisë, la pas gruan dhe tetë fëmijë. Atë kohë sikur edhe më pas, autoritetet e Serbisë e mohuan plotësisht kryerjen e këtij aksioni nga ana e tyre dhe krimet e pasojat që lanë pas. Por media vendore dhe shumë të tjera ndërkombëtare, bën reportazhe dhe morën intervista nga Prekazi, duke e dëshmuar historinë e sulmit të policisë së Serbisë, më 22 janar 1998, mbi familjen Jashari.
Në kronologjinë historike të Prekazit dhe Kosovës, ky ishte sulmi i dytë i Serbisë mbi shtëpinë e kundër familjes së Shaban Jasharit dhe djemve të tij Hamzës e Ademit. Një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ata u rrethuan siç u rrethua edhe gjithë Prekazi, në sprovën e madhe përballë shumë qindra policëve të Serbisë, ku Jasharët e Prekazit rezistuan duke e kthyer kahjen e historisë në atë rrugë që e solli lirinë e Kosovës.
Përkulje me nderime të thella për qëndresën e Jasharëve të Prekazit, duke kujtuar sulmin e dytë të policisë serbe mbi ta, më 22 janar 1998, në këtë përvjetor të 25-të të tij. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sapo kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 17-vjetorin e vdekjes së tij.
Kurti tha se bashkë me Osmanin vendosën lule të freskëta tek varri i ish-presidentit Rugova, për të cilin tha se kujtohet për shumë gjëra.
“21 janari është ditë e ftohtë dhe një ditë në të cilën teksa e kujtojmë ish-presidentin Ibrahim Rugova, kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, sjelljen paqësore, çështjen humaniste dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovë”, tha Kurti, njofton Klankosova./ KultPlus.com
Me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot u organizua ceremonia e vendosjes së kurorave.
Në homazhe mori pjesë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti.
Të pranishëm ishin edhe liderë institucionalë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, ndër ta edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Ish-presidenti Ibahim Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot mësuesin dhe patriotin Shaban Shala në 60-vjetorin e vdekjes, përcjell KultPlus.
Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurtit:
“Unë për ty kam me punuemun, Se ti vendi jemi je; Unë gjithmonë kam me t’kujtuemunë Ty çdo çast o i jemi atdhe.”
Këto vargje janë shkruar nga Shaban Shala, më 26 shtator 1956 në fshatin Letanc të Podujevës, ku ai kishte lindur më 16 shkurt 1933. E shkruar në një gegnishte të folmës së krahinës së Llapit, titulli i kësaj poezie, “I betumi për Atdhe”, mund të lexohet edhe si një titull vetëprofetik i autorit për fatin e tij, por edhe si emërtues i figurës së tij postmortum. Sepse Shaban Shala vërtetë ishte “I betumi për Atdhe”!
Në moshë fare të re, Shaban Shala iu bashkua Organizatës Revolucionare Nacional-Demokratike për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Pasi kishte kryer Shkollën Normale në Prishtinë, Shaban Shala punoi si mësues në fshatrat Lupç i Epërm, Popovë, Murgull, Pollatë, Dabishec dhe Tugjec. I vetëdijshëm që për shkak të veprimtarisë së tij politike rrezikonte të arrestohej, më 1952, duke dashur të kalonte kufirin e Jugosllavisë për të dalur në Austri, Shaban Shala u arrestua në rrethin e Mariborit në Slloveni, bashkë me Shaban Zhijeqin, Ibrahim Demollin dhe Nuhi Gashin. Ai u dënua me një vit burgim në burgun e Prishtinës, në një proces gjyqësor bashkë me Xhafer Mehmetin, Fetah Batatinën, Nuhi Gashin, Jusuf Ismailin, Ibrahim Demollin, Sabit Kapitin, Shaban Zhijeqin dhe Hamit Zhitinë. Siç kanë rrëfyer të burgosurit e tjerë, gardianët e torturonin Shabanin duke e mbyllur në sënduk, duke e mbajtur të lidhur 24 orë të shtrirë mbi një dërrasë me gozhda, duke i futur gjilpëra mes thonjëve, duke i lëshuar hekur të skuqur në zjarr mbi shuplakë të dorës dhe duke i futur minj të mëdhenj në qeli. Pas lirimit nga burgu, për t’u kuruar nga pasojat e torturave në burg, Shaban Shalës iu desh të shtrihej në spitalin e Nishit dhe Beogradit.
Më 28 shkurt 1956, Shaban Shala u burgos për herë të dytë, tani në burgun e Gjilanit, pasi u arrestua bashkë me Ali Pecin nga Mitrovica dhe Emrush Lluçkun nga Përlepnica e Gjilanit. Pa ndonjë provë reale për akuzë, Shaban Shala u lirua nga gjykata e Gjilanit katër muaj më vonë, më 16 qershor 1956. Më 28 nëntor 1960 dhe 1961, bashkë me shokët e organizatës dhe me gruan e tij Sadijen, Shabani qepi flamuj me shqiponjë dykrerëshe mbi beze të kuqe dhe i vendosi në publik, ndonëse atë kohë ishte i ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar.
Më 27 shtator 1962, Shaban Shala u arrestua përsëri dhe u burgos për herë të tretë, kësaj here në burgun e Prishtinës. Ai u dënua me 2 vite burgim, por gjatë katër muajve pasues, Shaban Shala u torturua jashtëzakonisht shumë, sa që më 20 janar 1963, duke mos pranuar të fliste përkundër mundimeve dhe malltretimeve, ai vdiq nga torturat. Natën e 20 janarit 1963, një e burgosur politike në një qeli tjetër të burgut të Prishtinës, Hyrije Hana nga Gjakova, kujton se si kur gardianët e morën dhunshëm Shaban Shalën duke e lidhur dhe zvarritur, ai thërriste me zë të lartë: “Rroftë Shqipëria, poshtë tradhtarët e kombit, poshtë klika e Titos”.
Sot bëhen 60 vite nga vrasja e Shaban Shalës nga autoritetet serbe më 20 janar 1963. Ky mësues patriot dhe ky aktivist i burgosur politik, ishte viktimë e politikave diktatoriale dhe shoviniste të zbatuara nga UDB-ja dhe zyrtarët e Serbisë, që ushtronin dhunë mbi shqiptarët në Kosovë. Në popull, Shaban Shala do të njihej si Shabani i flamurit, mësuesi i flijuar për gjuhën shqipe, simbolet kombëtare dhe për liri.
Lavdi Shaban Shalës, mësuesit që jetën e tij e jetoi aq intensivisht, mes aktivitetesh patriotike dhe burgosjesh politike, duke e shtruar rrugën e gjatë të çlirimit të Kosovës./ KultPlus.com
Zvicra është shtëpia e klasës sonë punëtore, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën Blick.
Kurti foli edhe për futbollistët shqiptarë të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, pasi u pyet për festën e tyre kundër Serbisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Kupën e Botës, përcjell Gazeta Express.
“Zvicra është edhe shtëpia e disa futbollistëve të shkëlqyer me rrënjë kosovare. Këto bënë sërish polemika në Kupën e Botës, kur Granit Xhaka veshi një fanellë me mbishkrimin Jashari, emri i komandantit të parë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas fitores ndaj Serbisë. A jeni në rregull me deklarata të tilla politike në fushën e futbollit?”, e pyeti Kurtin gazetarja Lea Hartmann.
“Varet. Mendoj se deklaratat kundër racizmit janë të drejta dhe të rëndësishme. Dhe nëse dikush nderon identitetin e tij, kjo është në rregull edhe për mua”, u përgjigj kryeministri i Kosovë.
“Keni një mesazh për Xhakën, Shaqirin dhe të tjerët?”, e pyeti gazetarja më tej.
“Faleminderit që frymëzuat kaq shumë talentë të rinj për të luajtur futboll. Edhe në Kosovë”, ishte përgjigjja e Kurtit./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në akademinë përkujtimore me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Kurti u shpreh se ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë për përsëritjen e tij.
“Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet”, u shpreh ai.
Ai tha se janë lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut.
“Duke u thirrur në dëshmitë e kohës në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut”, tha ai./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi familjet e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në 39-vjetorin e rënies së tyre, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti, ka njoftuar se ka vizituar familjes e Malës dhe Berishës, për ta nderuar dhe kujtuar veprimtarinë e Rexhepit dhe Nuhiut mes familjarëve të tyre.
Postimi i plotë:
“Rashë në sy që nga bankat e shkollës fillore si liridashës, sepse e doja popullin tim, historinë e tij të lavdishme, sepse e doja Kosovën time dhe e simpatizoja me gjithë shpirt Shqipërinë. Dhe, mjaftoi kjo që të më fusnin në burg.” – Kështu ka shkruar në ditarin e burgut Rexhep Malaj, aktivisti politik që me angazhimin e tij u bë edhe vetë pjesë si emër i përveçëm mes shokësh në historisë moderne të Kosovës.
Kanë kaluar 39 vite që nga vrasja e Rexhep Malajt, i cili në natën mes 11 dhe 12 janarit 1984, rezistoi bashkë me Nuhi Berishën, duke luftuar me policët e Serbisë që i kishin rrethuar në një bazë ilegale në Prishtinë, në lagjen që pas asaj nate do të quhej Kodra e Trimave.
Sot isha për vizitë në familjen e Rexhep Malajt dhe në familjen e Nuhi Berishës, për ta nderuar dhe kujtuar veprimtarinë e Rexhepit dhe Nuhiut mes familjarëve të tyre, në këtë përvjetor të 39-të të rënies së tyre dëshmorë, më 12 janar 1984.
I lindur më 1951 në Hogosht të Kamenicës, Rexhep Malaj e nisi aktivitetin e tij politik qysh si gjimnazist, duke marrë pjesë në demonstratat e vitit 1968, për të vazhduar me angazhime dhe veprimtari ilegale, derisa u burgos me grupin e Adem Demaçit më 1974 dhe u dënua me 9 vite burgim. Pasi e vuajti dënimin e përcjellur me tortura në disa burgje nëpër ish Jugosllavi, me t’u liruar më 23 maj 1983, Rexhep Malaj e vazhdoi aktivitetin e tij ilegal politik. Mes shokësh, bashkë me të ishte edhe Nuhi Berisha nga Svirca e Kamenicës, që ndonëse dhjetë vite më i ri se Rexhepi, si student i ishte bashkuar Komitetit të Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar. Nata e 11 janarit e vitit 1984, Rexhepin dhe Nuhiun i gjeti bashkë në një bazë ilegale në Prishtinë, si dy shokë aktivistë që pasi i rezistuan aksionit të policisë së Serbisë, mëngjesi i 12 janarit i çeli të përjetësuar si dëshmorë.
Lavdi jetës plot aktivizëm politik të veprimtarëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, të rënë dëshmorë në përpjekjen e gjatë të shqiptarëve për çlirim nga regjimi shtypës dhe i dhunshëm i Serbisë, që e mbajti Kosovën të pushtuar nën Jugosllavi, deri më 1999!”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në ndërtesën e Qeverisë, Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili sot po qëndron në Kosovë në kuadër vizitës së tij në rajon.
Përgjatë takimit, kryeministri Kurti e njoftoi z.Chollet me punën dhe arritjet e qeverisë në vitin që sapo lamë pas. Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.
U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.
Në takim z. Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill.
Kurse Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ushtruesja e Detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. /KultPlus.com
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka ndarë të arriturat e Qeverisë për vitin 2022 në fushën e trashëgimisë kulturore, kulturë dhe sport, shkruan KultPlus.
Sipas Kurtit, viti që shkoi ishte vit i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, promovimit të artit dhe integritetit të sportit. E këtë deklaratë të tijën, ai e mbron duke pozicionuar të gjithë të arriturat në këto fusha.
Postimi i plotë i Kurtit:
2022: Qeveria për Trashëgimi kulturore, kulturë dhe sport
Viti që shkoi ishte vit i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, promovimit të artit dhe integritetit të sportit sepse:
Dyfishuam mbështetjen për skemën e granteve për komunitetin e artit dhe trashëgimisë kulturore;
Ngritëm në 65 numrin e monumenteve të shpëtuara falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve;
Përmes akteve nënligjore të trashëgimisë kulturore vendosëm standarde të licencimit të operatorëve, përcaktimit të perimetrit të aseteve, gërmimeve arkeologjike, projekteve të konservimit;
Nisëm procesin e licencimit të federatave të sportit – dhjetë federata u licencuan deri në fund të vitit 2022;
Mbështetëm organizimin e disa ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë;
Ndamë bursa studimi për profile deficitare në art, sport dhe trashëgimi kulturore;
Bashkorganizuam me sukses Bienalen nomade “Manifesta 14”, gjatë 100 ditëve të së cilës u regjistruan 800 mijë vizita në 25 lokacione ku u ekspozuan vepra artistike të 103 artistëve nga 30 shtete;
Themeluam institucionin e Operës së Kosovës, duke përmbushur një premtim programor dhe një kërkesë shumëvjeçare të komunitetit artistik;
Opera e Kosovës vuri në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqja më e madhe operistike e luajtur ndonjëherë në Kosovë;
Pasuruam koleksionin shtetëror të artit duke blerë mbi 100 vepra të artit nga artistët vendorë;
Lansuam programin 5-vjeçar me vlerë 12 milionë euro “Kosova Shtet i Xhudos” me synim të promovimit dhe shtrirjes së sportit të xhudos në gjithë vendin;
Miratuam Projektligjet për Kinematografinë, të Drejtat e Autorit, Anti-Dopingun, si dhe koncept dokumentet për kulturën, rininë dhe për sportin;
Dyfishuam buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për vitin 2022;
Nënshkruam marrëveshje të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë, Francën, Izraelin, Hungarinë, Turqinë, Bavarinë (Gjermani);
Fuqizuam bashkëpunimin kulturor me Shqipërinë me fokus në produksione të përbashkëta artistike dhe projekte të trashëgimisë kulturore;
Ndamë afër 15 milionë euro përmes skemave të mbështetjes direkte në kulturë, rini dhe sport për 1492 përfitues;
Teatri Kombëtar i Kosovës u anëtarësua në Rrjetin Evropian të Teatrove;
Përfunduam 8 ndërtesa të infrastrukturës për sport, kulturë dhe rini, ndërkaq 17 tjera janë në ndërtim e sipër;
Komiteti Paralimpik i Kosovës u pranua në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar./ KultPlus.com
Ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian tashmë i kanë dhënë “PO-në” vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Teksti i kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë është miratuar, dhe pritja shumëvjeçare e kosovarëve për të udhëtuar pa viza pritet të marrë fund më së largu më një janar 2024.
E në këtë vendim, kryeministri Kurti ka thënë se ka ndikuar përmirësimi i imazhit të shtetit të Kosovës.
Kurti këtu ka përmendur ngritjen e Kosovës për 17 vende te Transparency International sa i takon luftimit të korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Kjo thotë Kurti se ka ndikuar që nga një janari i vitit 2024 të mos ketë regjim të vizave në zonën ‘Shengen’ për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
“Brenda vendit tonë kemi pasur suksese të pamohueshme, për 17 vende jemi ngritur te Transparency International sa i takon luftimit të korrupsionit, pastaj edhe sa i përket lirisë së medieve sipas Reporterëve pa Kufij dhe gjithashtu për herë të dytë jemi të parët në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit dhe të dytit në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit. Kemi lëvizur nga grupi C në grupin B sa i përket qeverisjes të fokusuar në digjitalizim, kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës me 12 maj, në Bashkimin Evropian me 15 dhjetor dhe po përgatitemi që të aplikojmë edhe për anëtarësim në NATO. Imazhi i Kosovës është përmirësuar dhe kjo ka ndikuar që nga një janari i vitit 2024 të mos ketë regjim të vizave në zonën ‘Shengen’ për qytetarët e Republikës së Kosovës”, Kryeministri Albin Kurti”, ka thënë Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Më 30 nëntor, Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Siç është bërë e ditur liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS, dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjeve, shkruan KultPlus.
Ai përmes një postimi në Facebook ka uruar besimtarët që ketë festë ta kalojnë në paqr e dashuri, me familjen dhe njerëzit më të dashur.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:
Të dashur bashkëqytetarë, uroj që festën e Krishtlindjes ta kaloni në paqe e dashuri, me familjen e njerëzit tuaj më të dashur.
Lindja e Krishtit përcjellë porosinë e lindjes së paqes, të shpresës e dashurisë. Në këtë festë, që njihet edhe si Nata e Buzmit, kjo porosi bëhet edhe më e fortë. Le t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit në këtë kremtë frymëzuese, e në çdo ditë tjetër. Ju uroj një Krishtlindje të bardhë e të bekuar.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë emëruar Kujtim Shalën si Inspektor të Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI) pas dorëheqjes së Burim Ramadanit nga kjo pozitë.
Osmani dhe Kurti kanë falënderuar Ramadanin për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale.
Kujtim Shala deri tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës. /KultPlus.com
Sot, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar komandatin Mujë Krasniqi i cili dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve më 14 dhjetor të vitit 1998, si dhe 40 dëshmorët e tjerë të UÇK-së, përcjell KultPlus.
“Gjithsej 41 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë në udhëtimin e tyre të përbashkët prej luftëtarësh për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore. Ndër ta edhe Mujë Krasniqi – Kapuçi, Komandant i Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës”, ka shkruar ai.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Për 24 vjetorin e rënies së Mujë Krasniqit dhe 40 dëshmorëve të tjerë të UÇK-së
Mëngjesin e ftohtë të 14 dhjetorit 1998, një grup ushtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa po kalonin kufirin mes Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë për të hyrë në Kosovë, hasën në një pritë të forcave serbe. Të ngarkuar me armë dhe municione siç ishin, ushtarët e UÇK-së u përballën me trupat serbe duke luftuar te Likenet e Hasit në Gorozhup të Pashtrikut.
Gjithsej 41 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë në udhëtimin e tyre të përbashkët prej luftëtarësh për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore. Ndër ta edhe Mujë Krasniqi – Kapuçi, Komandant i Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës. Atë ditë të hënë, në Pashtrik ranë dëshmorë:
Mujë Halil Krasniqi: (06.06.1967) – Klinë
Ali Halil Krasniqi: (13.05.1975) – Klinë
Bashkim Azem Krasniqi: (25.02.1977) – Klinë
Gani Hasan Zogaj: (19.05.1973) – Klinë
Ilir Hazir Asllani: (27.07.1969) – Skënderaj
Rifat Fazli Mëziu: (28.11.1968) – Skënderaj
Agim Halil Mëziu: (10.04.1974) – Skënderaj
Xhevat Shaban Thaçi: (23.08.1979) – Drenas
Muhamet Aziz Dervishi: (27.11.1967) – Drenas
Sylejman Zeçir Elshani: (11.05.1957) – Drenas
Faton Nazif Xhylani: (06.04.1981) – Drenas
Gani Halit Elshani: (19.05.1973) – Drenas
Luljeta Jahir Shala: (20.11.1977) – Drenas
Agron Mahmut Mehmeti: (07.11.1973) – Drenas
Mentor Ramadan Ibriqi: (09.01.1979) – Drenas
Kadri Haki Demaj: (21.01.1975) – Shtime
Fadil Bajrush Rashiti: (08.01.1975) – Shtime
Afrim Islam Musliu: (21.01.19710) – Shtime
Selim Shaip Selimi: (07.02.1978) – Shtime
Arben Rexhep Hyseni: (12.04.1980) – Shtime
Hafir Imri Bajrami: (15.04.1980) – Shtime
Xheladin Hamdi Xheladini: (02.04.1976) – Shtime
Ramadan Deli Elshani: (20.01.1976) – Shtime
Naser Shefki Kelmendi: (13.07.1976) – Shtime
Isa Xhemshir Olluri: (12.02.1979) – Lipjan
Enver Zymer Olluri: (31.01.1979) – Lipjan
Qamil Hysen Olluri: (15.11.1976) – Lipjan
Beqir Sefë Gashi: (03.01.1966) – Malishevë
Hazir Nezir Kryeziu; (06.09.1956) – Malishevë
Kadri Jahir Gashi: (26.03.1980) – Malishevë
Maliq Hamëz Karaqica: (13.08.1949) – Malishevë
Astrit Gafurr Bytyqi: (17.04.1980) – Ferizaj
Hysni Shaip Kajtazi: (24.04.1979) – Ferizaj
Bekim Qamil Bytyqi: (04.02.1978) – Rahovec
Isaj Muharrem Morina: (13.03.1958) – Rahovec
Mevlan Tefik Hoxha: (09.07.1974) – Prizren
Qenë Avdyl Qenaj: (25.08.1957) – Prizren
Besim Sylejman Qarri: (26.04.19780 – Suharekë
Hysen Kadri Bujupi: (28.10.1969) – Istog
Veli Beqir Ballazhi: (13.09.1978) – Hani i Elezit
Avni Bislim Kutllovci: (21.03.1977) – Vushtrri
I lindur më 1967, në fshatin Çabiq të Klinës, Mujë Krasniqi ishte shumë aktiv në grupet e armatosura që gjatë viteve ’90-të, realizuan dhjetëra aksione guerile kundër policisë serbe dhe pushtetit të Serbisë në Kosovë. Në dukje i shqueshëm edhe nga mjekrra dhe kapela e tij, Muja ishte në ballë që nga fillet e grupeve të para të armatosura, siç qe në ballë edhe në daljen e parë publike të UÇK-së, më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë.
Sot në përvjetorin e 24-të të rënies së këtyre 41 dëshmorëve të UÇK-së në Pashtrik, Mujë Krasniqin po e kujtojmë me këto 7 fotografi të shkrepura nga gazetari norvegjez Paul Refsdal, i cili e njohu Mujën në spitalet e UÇK-së në Drenicë, ku të dy u kuruan nga plagët. Vetë Refsdsal ishte plagosur në Pashtrik, aty ku pak muaj më pas do të binte Muja. Në këto fotografi historike të publikuara më 2016 nga historiani Durim Abdullahu dhe të bëra mes fshatit Caravik të Klinës dhe fshatit Murgë të Skënderajt, Mujë Krasniqi shihet i plagosur, teksa lëviz me paterica mes ushtarëve të tij, ndër ta edhe Beqir Gashi. Muja dhe Beqa ishin bashkë në këngë dhe në luftë, deri në ditën e 14 dhjetorit 1998, kur ranë dëshmorë për liri, duke u bërë frymëzim për luftë dhe këngë.
Lavdi Mujë Krasniqit, lavdi dëshmorëve të rënë bashkë me të dhe të gjithë dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për çlirimin e Kosovës! / KultPlus.com
Pas situatës së tensionuar që u krijua në pikëkalimet kufitare Jarinjë e Bërnjak, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili thotë se Kosova nuk dëshiron konflikt, por paqe dhe progres. Megjithatë, Kurti thotë se agresionit do t’i përgjigjen me të gjitha fuqitë që ka Kosova.
Kurti përmes një shkrimi në Facebook tha se nëse këto veprime nuk dënohen nga BE-ja dhe ShBA’të, atëherë kjo do ta inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Komunikata e plotë e kryeministrit Kurti:
Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së.
Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.
Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës).
Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.
Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.
Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë.. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë./ KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, me temën “Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor TANI!”.
Kurti ka theksuar para të pranishmëve se mezi presin ratifikimin e tri marrëveshjeve të arritura ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit.
Ai tha se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në BE.
“Po flasim për perspektivë evropiane, integrim evropian por ne kemi nevojë për anëtarësim. Perspektiva evropiane nuk është më e mjaftueshme…”, tha Kurti, duke thënë se duhet të ketë afate kohore në procesin integrues.
Fatkeqësisht, “nevojitet një luftë në Ukrainë”, sipas kryeministrit të Kosovës, “që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e procesit integrues”.
“Tani është koha për të përshpejtuar procesin e zgjerimit…”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE këtë muaj, para Krishtlindjeve. /KultPlus.com
Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001, pas presionit ndërkombëtar për lirimin e të burgosurve politikë nga regjimi serb.
Kurti ishte arrestuar më 27 prill 1999 në Prishtinë dhe deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej datës 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit dhe prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000 në burgun e Nishit.
Procesi gjyqësore ndaj Albin Kurtit ka filluar më 9 mars 2000 ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”, sipas nenit 116. Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit, prej nga kishte dhënë një intervistë më 22 prill 2000.
Prej nëntorit 2000 deri 3 dhjetor 2001 ka qenë në burgun e Quprisë ndërkaq, prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çdo ditë që vazhdon të ushtrojë funksionin e kryeministrit, duket se do të kishte qenë më e rëndësishme të bëhej kryeprokuror.
Shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur këtë gjë gjatë prezantimit para qytetarëve të buxhetit për vitin e ardhshëm.
Deklarata e Kutit është postuar nga Lëvizja Vetëvendosje përmes një video në faqen e saj zyrtare në Facebook.
“Secilën ditë që po vazhdoj si kryeministër shpeshherë, edhe duke e dëgju ministrin Hekuran, po më duket që hala më e rëndësishme kish me qenë me u pa bo kryeprokuror”.
“Po unë kryeprokuror s’muj me u bë, a kryeministër m’keni bë ju, a kryeprokuror s’muj me u bo. Se për të ecë mbarë po nuk funksionoi edhe prokuroria edhe gjyqësia qysh duhet, do të vonohemi shumë”, ka pohuar ai.
“Këta me na nalë s’mujnë. Po, me na vonu po, ama gjithnjë e më pak. E unë jam optimist që edhe në këtë pengesë ia dalim bashkë, sikurse në të tjerat”, ka thënë Kurti. /KultPlus.com
Zvicra e ka zhvilluar sonte ndeshjen ndaj Serbisë, e vlefshme për Kampionatin Botëror, dhe kësisoj arriti që të kualifikohet në mesin e 16 kombëtareve më të mira në botë, shkruan KultPlus.
Me një epërsi 3:2, Zvicra ka fituar në ndeshjen me Serbinë.
Me këtë rast ka reaguar kryeministri Albin Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës!”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë së Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas mbledhjes së sotme të tyre, lidhur me rastin që ndodhi dje në oborrin e Gjinekologjisë të gruas shtatzënë, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka deklaruar se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.
Postimi i plotë:
“Zinxhiri që duhet (dorë)hequr
Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar.
I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com
Rasti i mbrëmshëm i vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së ka tronditur vendin. Kryeministri Albin Kurti ka reaguar edhe njëherë për rastin e 35 vjeçarës, duke konsideruar që dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh.
KultPlus ju sjell statusin e plotë të kryeministrit:
Marrëveshja xhentëllmene me dhunuesit familjarë
Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.
Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj.
Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private.
Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan.
Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje. / KultPlus.com