Kurti: Para Krishtlindjeve do të aplikojmë për anëtarësim në BE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, me temën “Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor TANI!”.

Kurti ka theksuar para të pranishmëve se mezi presin ratifikimin e tri marrëveshjeve të arritura ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit.

Ai tha se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në BE.

“Po flasim për perspektivë evropiane, integrim evropian por ne kemi nevojë për anëtarësim. Perspektiva evropiane nuk është më e mjaftueshme…”, tha Kurti, duke thënë se duhet të ketë afate kohore në procesin integrues.

Fatkeqësisht, “nevojitet një luftë në Ukrainë”, sipas kryeministrit të Kosovës, “që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e procesit integrues”.

“Tani është koha për të përshpejtuar procesin e zgjerimit…”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE këtë muaj, para Krishtlindjeve. /KultPlus.com

21 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i regjimit serb

Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001, pas presionit ndërkombëtar për lirimin e të burgosurve politikë nga regjimi serb.

Kurti ishte arrestuar më 27 prill 1999 në Prishtinë dhe deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej datës 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit dhe prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000 në burgun e Nishit.

Procesi gjyqësore ndaj Albin Kurtit ka filluar më 9 mars 2000 ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”, sipas nenit 116.
Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit, prej nga kishte dhënë një intervistë më 22 prill 2000.

Prej nëntorit 2000 deri 3 dhjetor 2001 ka qenë në burgun e Quprisë ndërkaq, prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit. /KultPlus.com

Kurti: Më e rëndësishme kish me qenë të bëhesha kryeprokuror

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çdo ditë që vazhdon të ushtrojë funksionin e kryeministrit, duket se do të kishte qenë më e rëndësishme të bëhej kryeprokuror.

Shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur këtë gjë gjatë prezantimit para qytetarëve të buxhetit për vitin e ardhshëm.

Deklarata e Kutit është postuar nga Lëvizja Vetëvendosje përmes një video në faqen e saj zyrtare në Facebook.

“Secilën ditë që po vazhdoj si kryeministër shpeshherë, edhe duke e dëgju ministrin Hekuran, po më duket që hala më e rëndësishme kish me qenë me u pa bo kryeprokuror”.

“Po unë kryeprokuror s’muj me u bë, a kryeministër m’keni bë ju, a kryeprokuror s’muj me u bo. Se për të ecë mbarë po nuk funksionoi edhe prokuroria edhe gjyqësia qysh duhet, do të vonohemi shumë”, ka pohuar ai.

“Këta me na nalë s’mujnë. Po, me na vonu po, ama gjithnjë e më pak. E unë jam optimist që edhe në këtë pengesë ia dalim bashkë, sikurse në të tjerat”, ka thënë Kurti. /KultPlus.com

Për të parë videon klikoni KËTU

Kryeministri Kurti: Serbia nuk kalon, urime Zvicrës

Zvicra e ka zhvilluar sonte ndeshjen ndaj Serbisë, e vlefshme për Kampionatin Botëror, dhe kësisoj arriti që të kualifikohet në mesin e 16 kombëtareve më të mira në botë, shkruan KultPlus.

Me një epërsi 3:2, Zvicra ka fituar në ndeshjen me Serbinë.

Me këtë rast ka reaguar kryeministri Albin Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës!”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë së Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës. / KultPlus.com

Vrasja e 35-vjeçares, Kurti: I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas mbledhjes së sotme të tyre, lidhur me rastin që ndodhi dje në oborrin e Gjinekologjisë të gruas shtatzënë, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka deklaruar se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.

Postimi i plotë:

“Zinxhiri që duhet (dorë)hequr

Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar.

I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com

Reagon edhe njëherë kryeministri Kurti: Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellur familjarizimin me dhunuesit në shoqëri

Rasti i mbrëmshëm i vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së ka tronditur vendin. Kryeministri Albin Kurti ka reaguar edhe njëherë për rastin e 35 vjeçarës, duke konsideruar që dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh.

KultPlus ju sjell statusin e plotë të kryeministrit:

Marrëveshja xhentëllmene me dhunuesit familjarë

Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.

Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj.

Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private.

Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan.

Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti reagon: E papranueshme dhe e padurueshme

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një grua shtatzënë të vrarë nga burri i saj në oborrin e QKUK-së, shkruan KultPlus.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

Postimi i plotë:

Dy engjëj në qiellin e pistë

Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme. / KultPlus.com

Kurti: Të punojmë së bashku, këtu kalaja ku vëmë të gjithë nga një gurë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin, të ndajnë ide me njëri-tjetrin, të pranojnë perspektivat e ndryshme, e kritikat ndaj njëri-tjetrit, pasi, theksoi ai, hapësira publike, politika, kultura dhe ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku vënë të gjithë nga një gurë.

Në fjalën e tij, në seancën e përbashkët të dy Kuvendeve që po mbahet në Tiranë, me rastin e 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Kurti uroi shqiptarët anekënd botës, duke e cilësuar këtë si festë e shenjtë për identitetin kombëtar.

“Deklarata e Pavarësisë evidenton Islmail Qemalin si prijës mes të barabartëve, pra si prijës republikan. Sipas shumë studiuesve mendohet se deklarata është shkruar nga ministri i parë i arsimit, Luigj Gurakuqi. Por 7 vite më pas, teksa në rendin e ditës ishte Traktati i Londrës dhe copëritmi i mëtejshëm i trojeve shqiptare, vetëm pak ditë para festës së Flamurit, Gurakuqi kërkonte bashkim kundër çdo copëtimi e shkruante: festa e 28 nëntorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm ditë gëzimi, por edhe pendimi në të cilën duhet të bëjmë shqyrtimin e vetdijës sonë. Në këtë ditë duhet të vënë të gjithë dorën në zemër e të pyesin vetës nëse kemi bërë gjithmonë detyrën që kishim për atdheun. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë armiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllazërisht dorën njëri-tjetrit dhe të betohemi mbi besën e gjyshërve tanë se sot e më pas do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë“, tha kryeministri Kurti.

Kurti theksoi se ndarjet krahinore ishin edhe dje e edhe sot pengeseë.

“Gurakuqi vet nuk mjaftohej me Shkodrën e gegnin. Ai ishte pjesëmarrës edhe në toskëri e Kosovë, ashtu siç nuk mjaftohej Çerçizi me Gjirokastrën, Hasani me Prishtinën, Parashqevi e Sevasti Qiriazi me Manastirin , Mehmet Pasha me Tetovën, apo Bajram e Isa Begu me Kosovën. Ndarjet krahinore ishin pengesë atëherë e janë edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në jetën publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura dhe ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku vëmë të gjithë nga një gurë”, tha ai.

Kurti vuri theksin në rëndësinë e të qenurit më shpesh bashkë.

“Duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në festa, jo vetëm politikanët, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, të pranojmë perspektivat e ndryshme e kritikat ndaj njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku”, u shpreh Kurti.

Kryeministri i Kosovës, po ashtu theksoi se thellimi i ndarjes nuk i shërben kombit.

“Teksa në Evropën Lindore po vinte demokracia e muri i Berlinit ra, e Gjermania festonte lirinë, duke u bashkuar, një shkencëtar e politolog kosovar Ukshin Hoti thoshte se: politikanët shqiptarë duke thelluar ndarjen mes tyre përtej kufijve të demokracisë, po ju japin arsye atyre që dëshirojnë ti shohin të ndarë si popull. Në veprën e tij madhore “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, ai kërkon nga politikanët shqiptarë që të kenë si prioritet kryesor pozitën ndërkombëtare të Kosvës së Shqipërisë dhe jo atë vetjake. Jam i sigurtë që shumica këtu bini darkord brenda vetes me mesazhet e Luigjit dhe Ukshinit”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti ndau dhe disa nga arritjet që janë bërë sa i takon bashkëpunimit dypalësh.

”Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Ajo sot është vend i NATO-s, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB –së ka nisur negociatat për anëtarësim në BE dhe ka bërë hapa të dukshëm në shumë fusha. Urojmë që sukseset e Shqipërisë, bashkëkombasve tanë t’u shtohen çdo dit të Flamurit. Jam i sigurtë që po njëlloj gëzon dhe Shqipëria për Kosovën dhe sukseset e saj. Kemi tashmë Abetaren e përbashkët dhe po punohet për Fjalorin e Përbashkët Enciklopedik. Teksa ministritë e Arsimit bashkëpunojnë çdo ditë për avancim në këtë fushë kyçe për zhvillimin tonë kombtar. Kemi unifikuar tregjet e punës dhe po punojmë për unifikimin e sistemit doganor e tatimor. Kemi financuar së bashku fizibilitetitin e hekurudhës Durrës-Prishtinë“, u shpreh ai.

Për Kurtin problem më i mprehtë i dy vendeve, në këto momente, është largimi i të rinjve, ndërsa premtoi se nuk do të reshte përpjekjet për përmirësimin e shtetbërjes dhe kthimin e besimit në institucione.

“Situata nuk është kurrë rozë dhe nëse ndalim përpjekjen e pushojmë se punuari, rrezikojmë. Pra rreziku është mosverpimit, jo veprimi, Vendet tona ballafaqohen me probleme, më i mprehti është largimi i rinisë. Dua t’u dërgoj një mesazh atyre që morën rrugën e dhimbshme të kurbetit. Kjo ditë është edhe e juaja. Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi e kulture. E di që skemi bërë ende mjaftueshëm që tu kthejmë besimin në institucione, që ju të mendoni rritjen e fëmijëve tuaj në atdheun tuaj, si opsionin më të mirë. Premtoj se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund edhe me ndihmën tuaj”, tha ai. /KultPlus.com

Kurti: Në dhjetor aplikojmë për anëtarësim në BE

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të këtij viti.

Ai kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetarin e Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens.

“Kosova do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në BE në dhjetor”, ka njoftuar gazetari përmes një postimi në Twitter.

Martens shkruan se kryeministri Kurti në këtë intervistë ka treguar se ka bërë kompromis për çështjen e targave pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, se situata në veri të Republikës së Kosovës “mund të përkeqësohej rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

Gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung njoftoi se po ashtu në intervistë u trajtuan shumë çështje të tjera si udhëtimi pa viza për kosovarët në BE që nga viti 2024, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës etj.

“Së shpejti. Jo në një kinema pranë jush, por në Frankfurter Allgemeine Zeitung”, paralajmëroi ai. /KultPlus.com

Kurti: Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor

Sot në kazermën “Adem Jashari” janë betuar 311 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku edhe morën titullin Ushtar i Kosovës, shkruan KultPlus.

Për këtë reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ushtria është detyrë e projekt madhor i tyre.

Postimi i plotë:

“Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor

Në kazermën “Adem Jashari” sot u betuan 311 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe morën statusin Ushtar i Kosovës.

Ndërsa dje, me shumicë votash Kuvendi miratoi tri projektligje që fuqizojnë bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së: plotësim-ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.

Ushtria jonë po forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin. U jemi mirënjohës partnerëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Kurti: Presidenti Macron konfirmoi mbështetjen e tij për paqen dhe sigurinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimit që ai pati me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, shkruan KultPlus.

Kurti njoftoi se në takim u diskutua për dialogun për marrëveshje Kosovë – Serbi, zhvillimet e fundit dhe thellimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

I pari i ekzekutivit tha se gjatë takimit që ai pati me Osmanin bashkë me Macronin, u potencua se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.

“Falënderoj Presidentin Emmanuel Macron për propozimin franko-gjerman si bazë e mirë për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai gjithashtu tha se bashkë me Osmanin falënderuan Macronin për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut ku sipas tij, u ritheksua përkushtimi i plotë i Kosovës në këtë proces.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe Presidenti Macron konfirmoi mbështetjen e tij për paqen dhe sigurinë”, shkroi Kurti. /KultPlus.com

Krerët e shtetit në përkrahje të grave të prekura nga kanceri i gjirit

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po marrin pjesë në manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”, që po organizohet nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” në Prishtinë.

Ky manifestim po organizohet për herë të 16-të, por këtë herë nën pantronatin e presidentes Osmani, e ku të pranishme janë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zv.kryeministrja Emilia Rexhepi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama./ KultPlus.com

U vu gurëthemeli për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë vënë sot gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti përmendi investimet në ndërtimin e çerdheve në gjithë Kosovën dhe tha se Qeveria e Kosovës e ka arsimin prioritet, e veçanërisht zhvillimin në fëmijërinë e hershme, kur dihet rëndësia që ka ky nivel i edukimit në zhvillimin e mëtutjeshëm të secilit fëmijë.

Ministrja Nagavci, ndërkaq, theksoi se do të vazhdohet me ndërtimin e çerdheve të reja dhe përmendi faktin që Qeveria ka ndarë dhe e ka rritur buxhetin për ndërtimin e çerdheve dhe shkollave edhe për vitin 2023.

Pasi që tha se po punojmë shumë për të përmirësuar rezultatet në arsim, ministrja Nagavci theksoi synimin për gjithëpërfshirje në edukimin e hershëm. Ajo tha se ky nivel i edukimit është parakusht për zhvillimin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj çerdheje si shumë të rëndësishme për kryeqytetin.

Objekti i çerdhes, vlera e të cilit është 743 mijë euro, do të jetë me sipërfaqe 1300 metër katror dhe i destinuar për 120 femijë. Çerdhja është projektuar në dy kate dhe përmbanë 5 dhoma për qëndrim të fëmijëve, 3 dhoma të gjumit për femijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike./ KultPlus.com

Kurti: Gratë kanë mbajtur megafon, bukë e laps në dorë me të vetmen kërkesë, paqe për të gjithë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë Forumit Ndërkombëtar Gratë, Paqja dhe Siguria, ka thënë se populli i Kosovës i beson grave po aq sa burrave.

Ai tha se kur bëhet fjalët për çështjet e sigurisë, qytetarët e institucionet kanë caktuar si komandante Supreme, presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Kurtit, gratë i përgjigjen thirrjeve të çdoditshme për paqe dhe siguri, sikur të jetë përpjekja e tyre jetësore, pasi sipas tij, gratë janë më të interesuara për politikat e paqes dhe sigurisë sepse edhe kërcënohen më së shumti nga mungesa e këtyre elementeve.

“Nuk ka pasur ndonjë fazë që gratë s’janë angazhuar me thirrje e përpjekje për liri e paqe. Angazhimi i grave dhe vajzave në Kosovë s’ka munguar asnjëherë në shtet-ndërtim por nuk mungon as në funksionimin e shtetit tonë të përditshëm”.

“Kanë mbajtur megafon, bukë e laps në dorë me të vetmen kërkesë, paqe por paqe për të gjithë. Për veten por edhe për fëmijët e tyre, për shtetin dhe të ardhmen”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv..

Tutje, i pari i qeverisë tha se numri i grave dha vajzave që shërbejnë në FSK e në Policinë e Kosovës është substancial por edhe duhet të rritet tutje.

“Nuk ka garanci më të madhe për paqen dhe sigurinë, përveç se të realizohet nga gratë dhe burrat së bashku por edhe s’ka alternativë tjetër. Është garancia më e madhe, më e drejtë dhe më e fuqishme e mundshme. Më shumë gra në FSK nënkupton promovim dhe realizim më të mirë të të drejtave të njeriut por edhe të pakicave”.

“Interesimi në rritje për këto fusha të sigurisë është indikacion shumë i mirë i së ardhmes për vendin, pasi gratë dhe vajzat në Kosovë kanë sakrifikuar shumë, kanë qenë edhe viktima por edhe luftëtare”, është shprehur Kurti. / KultPlus.com

Kurti: Bashkërisht të krijojmë një të ardhme me mundësi më të mëdha për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në festivalin “Suhareka na bashkon”, që ju kushtohet personave me aftësi të kufizuara.

Kurti u shpreh se garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut është një çështje thelbësore në vetvete, por edhe shtytëse për shoqëri më të drejtë, e më të suksesshme.

Ai tha se këtë vit Qeveria e tij ka punuar mjaftë shumë që këtyre personave t’u ofrohen kushtet e duhura.

“Andaj, si institucione edhe qendrore edhe komunale le t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit që të jemi bashkë, sepse Suhareka na bashkon, ndërkaq solidariteti na barazon”, tha Kurti.

Ndër të tjera kreu i Qeverisë foli edhe për përkrahjen institucionale për qytetarët , duke veçuar mbështetjen për programet trajnuese për sportistët, me 100 mijë euro mbështetje vjetore për Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe 40 mijë Euro për Federatën e Sportit për të Verbër, zbatimin e Masës 1.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, e po ashtu për komunitetin e personave të verbër përmendi punën për krijimin e Sintezës Vokale në Gjuhën Shqipe. /KultPlus.com

Kurti dhe Osmani pranojnë sot Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do të pranojë Raportin e Progresit për Kosovën të këtij viti nga Komisioni Evropian.

Osmani raporti do t’i dorëzohet nga Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog në Presidencë në ora 16:30.

Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, këtë të mërkurë do të pranojë Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për këtë vit.

Raportin do ta pranojë nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në objektin e Qeverisë.

Ditë më parë Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve të Bashkimit Evropian dokumentin ku konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Po në këtë dokument thuhet se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

Liderët e shtetit janë shprehur optimist lidhur me këtë çështje, ndonëse nuk japin datë se kur qytetarët e vendit mund të lëvizin lirshëm.

Me një vendim pozitiv me datën 13 tetor 2022, në takimin e Grupit Punues për Viza të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në rrugën formale të miratimit, i cili mund të zgjasë disa muaj. /KultPlus.com

Kurti e thotë çartazi: Nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s

Kosova po merr pjesë në seminarin e 102-të Rose-Roth në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për shtetin më të ri në Evropë.

“Liberalizimi varet nga gjithsecili vend i BE-së që ti jap fund skepticizmit sepse nuk ka bazë objektive për këtë kundërshtim më. Shpresoj që përfundimisht do ta marrim liberalizimin e vizave. Ne nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s dhe nuk jemi duke kërkuar alternativë tjetër sepse nuk kemi”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Kosova është vendi më pro-evropian, pro NATO-s dhe më demokratik në Ballkanin e 6-të Perëndimor.

“BE-ja ka treguar se është në favor liberalizimit të vizave për Kosovën, por në vijimësi përsëritet skepticizmi i disa prej vendeve anëtare të BE-së. Ne kemi plotësuar 95 kritere, kemi përmirësuar imazhin e Kosovën në shkallë shumë të madhe, jemi ngritur për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transaprency International, policia ka kryer mbi 700 operacione ndaj krimeve ekonomike, korrupsionit ka arrestuar mbi 2 mijë persona diku 300 prej tyre zyrtar publik ose shtetëror”, u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivitetit theksoi më tej se mirëpret që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen sa më shpejt në BE.

“Konsolidimi i brendshëm dhe zgjerimi i BE-së, duhet të zhvillohet krahë për krahë. Mirëpres integrimin e 6 së Ballkanit Perëndimor, kushdo që të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur. BE-ja duhet të jetë e kultivuar nga brenda por jo në krye në vetëm, ne kemi nevojë për ndihmë dhe do të vazhdojmë ti kultivojmë vlerat evropiane”, tha Kurti.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e mbrojtjes do të vazhdojnë përgatitjet së bashku me partnerët e NATO-s që Kosova në të ardhmen të bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike.

“NATO është i vetmi aleat politik dhe ushtarak që synon të ruajë të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe vlerat e avancuar demokratike të cilat si qendër gravitacioni kanë jetën dhe zhvillimin e qenies njerëzore. Në këtë mjedis bashkëkohor, të sigurisë dhe demokratike dhe shoqëria njerëzore është duke u sfiduar nga rilindja e ideve të vjetra po jo të harruara fashiste e hegjomoniste”, tha Kurti. /KultPlus.com

Kurti ia bën një ofertë të veçantë, mjekëve që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se mjekët që vendosin të punojnë vetëm më sektorin publik do të kenë shtesë të veçantë të pagës.

“Profesionistët shëndetësor do të kenë trajtimin e dinjitetshëm në raport me shkollimin. Përveç pagës dhe shtesave standarde, profesionistet shëndetësor që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik ta kenë edhe shtesën e veçantë…Urgjenca për Ligjin e Pagave ka qenë dhe mbetet në planifikimin sa më të afërt të shtetit”, ka thënë Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri u ka bërë thirrje mjekëve që kontributin e tyre të vazhdojnë ta japin në sektorin publik.

Ai tutje deklaroi se janë të fryera deklaratat për ikjen e mjekëve nga sektori publik por edhe jashtë shtetit. Megjithatë nuk e mohoi vaktin se mjekët po ikin./ Express / KultPlus.com

Kurti viziton veprat e Manifestës bashkë me bashkëshorten dhe vajzën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij kanë vizituar veprat e artistëve vendor e ndërkombëtarë që janë të ekspozuara në kuadër të Manifestës, përcjell KultPlus.

Këto vepra do të jenë të hapura për vizitorët edhe 25 ditë deri në përfundmin e Biennales së Manifestës.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Edhe 25 ditë të Manifesta-s në 25 vende në Prishtinë. Bashkë me Lean dhe Ritën vizituam veprat e artistëve vendorë e ndërkombëtarë që janë pjesë e Biennales nomade të artit, Manifesta.

Të gjitha vizitat janë pa pagesë dhe këto hapësira janë:

– Rruga 2 Korriku,

– Sheshi “Adem Jashari”,

– Tulltorja,

– Çelësa Punues,

– Qendra për Praktikën Narrative (ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani”)

– Muzeu Etnologjik,

– Fondacioni 17,

– Shtëpia e Mallrave “Gërmia”,

– Grand Hotel Prishtina,

– Korridori i Gjelbër,

– Shtëpi-shkolla “Hertica”,

– Lumi “Ibër”,

– Kino ARMATA,

– Kino Rinia,

– Muzeu i Kosovës,

– Galeria Kombëtare e Kosovës,

– Observatori i Prishtinës,

– Pallati i Rinisë dhe i Sporteve,

– Monumenti “Varrezat e Dëshmorëve”,

– Rilindja,

– Banesa,

– Hamami i Madh,

– Galeria e Fakultetit të Arteve, Universiteti i Prishtinës,

– Fakulteti i Filozofisë, Universiteti i Prishtinës dhe

– Sheshi “Zahir Pajaziti”./ KultPlus.com

Kurti në 25-vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit 1997: Një lëvizje studentore që përshpejtoi përpjekjen drejt çlirimit të vendit

Sot shënohet 25-vjetori i protestës studetore të 1 tetorit të vitit 1997.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar këtë protestë në të cilën ka qenë edhe vetë pjesëmarrës duke shprehur se kjo lëvizje përshpejtoi përpjekjen për çlirimin e vendit, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, ai përkujtoi edhe profesorin Ejup Statovci, i cili u priu studentëve për ndryshme demokratike e kombëtare.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Në 25 vjetorin e protestës studentore paqësore të 1 tetorit 1997, me filmin dokumentar mbrëmë dhe me homazhe sot, kujtuam Profesor Ejup Statovcin, ish rektor i Universitetit të Prishtinës, akademik i qëndresës, i cili na priu për ndryshime demokratike e kombëtare.

Studentët nuk ishin vetëm, sepse e kishin një figurë të jashtëzakonshme si Profesori Ejup. Ai i cili dekadat e jetës së tij, ia dedikoi Universitetit, Kosovës, popullit dhe mbarë kombit shqiptar.

Më 1 tetor studentët shqiptar rikthyen dinjitetin. Nga heshtja e ndër padrejtësi, u ngritën me madhështinë e vullnetit për të jetuar të lirë. Një lëvizje studentore që përshpejtoi përpjekjen drejt çlirimit të vendit.

Ne, marshuam paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi.

I kujtojmë e nderojmë përherë profesorët e studentët e protestës së 1 tetorit, atyre që patën guxim, që sfiduan okupimin serb dhe e bënë rezistencën aktive./ KultPlus.com

Një vit e gjysmë “Kurti II”, i pari i ekzekutivit numëron arritjet e tij

Sot bëhen një vit e gjysmë që kur ka filluar të qeverisë vendin, Albin Kurti, si kryeministër i Kosovës, shkruan KultPlus.

Kurti, ka numëruar të arriturat e tij përmes një statusi në “Facebook”, kur janë bërë një vit e gjysmë qeverisje e tij, shkruan KultPlus.

Fillimisht, i pari i ekzekutivit ka përmendur krizat globale shëndetësore dhe energjetike, si probleme që ndikuan në qeversijen “Kurti II”, ndërkaq, sipas tij, në çerekun e parë të këtij viti, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 4.9 për qind.

Shefi i Qeverisë gjithashtu, përmendi edhe pjesën e të hyrave të doganës, rritje të të hyrave në ATK, rritje të eksportit, investimi në buxhet të mbrojtjes, lartësimi i Kosovës në sundimin e ligjit, ardhja e vettingut dhe shumë gjëra të tjera.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur qytetarë,

Sot u bënë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë.

Përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike.

Në 2021 kishim pakon e ringjalljes ekonomike me mbi 300 milionë euro, kurse sivjet duke shtuar edhe pakon e përballjes me inflacion mbështetja po i kalon edhe 350 milionë euro të tjera. Shtesat për lehonat e fëmijët, pensionistët e personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët e studentët, mësimdhënësit e stafin shëndetësor, për kursyesit e energjisë dhe 13 kuzhina popullore etj.

Të hyrat e Doganës dhe ATK-së janë rritur për 30.8% dhe 28%, respektivisht, dmth. të dyja gati trefish më shumë se rritja e Bruto Produktit Vendor.

Të hyrat e ATK-së për periudhën janar-gusht 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021, janë 22.2% më të larta.

Eksportet u rritën për 83.6% vitin e kaluar kurse këtë vit kemi rritje për 29% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Kemi nënshkruar marrëveshjen me MCC-në në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë.

Kemi luftuar ekonominë joformale, punën e padeklaruar dhe kontrabandën. Dogana ka zbuluar 1,778 veprime të kundërligjshme në 2021 (64% më lartë se në 2020), dhe vetëm për 8 muajt e parë të këtij viti e ka arritur kuotën mesatare për muaj të vitit 2021. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej mbi 12 milionë euro. Ndërsa, Inspektorati i Tregut ka rritur për mbi 50% numrin e inspektimeve (më shumë se 6 mijë gjithsej).

Kemi rritur mundësitë e barabarta për zhvillim duke e bërë arsimin publik falas, duke shtuar buxhetin për arsim prej 12%, duke dhënë mbështetje financiare për studentë e nxënës si dhe duke rritur përfshirjen në Edukimin në Fëmijëri të Hershme. Duke lansuar sistemin dual të edukimit kemi hyrë në një etapë të re ku diploma siguron një vend pune pasi më në fund do të lidhim shkollat profesionale me tregun e punës.

Kemi investuar në mbrojtje duke dyfishuar buxhetin. Kemi luftuar krimin dhe kontrabandën në gjithë territorin e vendit.

Me Vettingun për drejtësi, Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjet anti-korrupsion kemi filluar reformat e kërkuara nga qytetarët që synojnë të bëjnë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e kriminalitetit dhe në dhënien e drejtësisë.

E bizneset dhe investitorët do të zgjidhin më shpejtë kontestet përmes Gjykatës Komerciale duke eliminuar pritjet dhe humbjet.

Kemi themeluar Institutin për dokumentimin e Krimeve për të ruajtur kujtesën tonë kolektive dhe për t’i treguar gjeneratave të reja dhe botës krimet e kryera gjatë luftë në Kosovë.

Kemi lartësuar Kosovën në botë duke u renditur të parët në rajon për sundimin e ligjit, duke u përmirësuar për 17 vende në indeksin kundër korrupsionit dhe për avancimin e lirës së medias dhe kemi nxjerrë Kosovën nga izolimi duke aplikuar në Këshillin e Evropës, duke adresuar të gjitha pengesat për liberalizimin e vizave dhe duke përgatitur aplikacionet për anëtarësim në BE dhe në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe.

Të dashur qytetarë, këto janë vetëm disa nga arritjet në rrugëtimin tonë të përbashkët që kemi filluar nga 23 marsi i vitit të kaluar kur e morëm detyrën.

Me punë dhe dije, dinjitet dhe guxim, jemi angazhuar për të arritur rezultatet që na duhen të gjithëve.

Pritjet tuaja janë të mëdha, sepse ndryshimi që na duhet është i madh. Por ashtu siç dëshmuam me 14 shkurt të vitit të kaluar, ndryshimi është i mundur vetëm kur secili jep kontributin që i takon sepse Kosova është shteti e vendi ynë i përbashkët.

Për progresin që kërkojmë e për Kosovën që ëndërrojmë duhet të punojmë të gjithë pa dallim e me qëllimet më fisnike.

Të ardhmen e mirë e kemi përpara nesh. /KultPlus.com

Kurti: Rinia jonë është potenciali i madh kombëtar për transformimin digjital

Është mbajtur për herë të parë në Kosovë Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor, një ndër ngjarjet më të mëdha në sektorin e TIK-ut, shkruan KultPlus.

Kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në ”Facebook”, ka thënë se eventi është organizuar nga Ministria Ekonomisë, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC).

Postimi i plotë:

Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor

Ngjarja më e madhe rajonale në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), që ka filluar në kuadër të Procesit të Berlini, u zhvillua për herë të parë në vendin tonë.

Prishtina ishte nikoqire e Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor, edicioni i pestë, i organizuar nga Ministria Ekonomisë, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC).

Në këtë samit dy ditor, me 9 panele e 16 ngjarje anësore, morën pjesë rreth 500 pjesëmarrës, më shumë se 200 biznese, mbi 30 organizata joqeveritare, e më shumë se 60 folës, përfshirë anëtarë të Parlamentit Evropian, përfaqësues të qeverive, përfaqësues të Bankës Botërore, akademisë, përfaqësues të bizneseve nga Ballkani Perëndimor, BE dhe më gjerë.

Shkathtësitë digjitale, infrastruktura digjitale, siguria kibernetike e ekonomia digjitale, janë theksuar gjatë samitit si prioritete nga shtetet e rajonit në fushën e digjitalizimit.

Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për nevojat e industrisë së TIK-ut është mundësia kryesore për çlirimin e potencialit të rritjes së sektorit të TIK-ut në Kosovë. Në bashkëpunim me BE-në dhe Bankën Botërore janë duke u trajnuar mbi 3.500 të rinj në fusha të ndryshme të TIK. Këtë vit kemi ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të Teknologjisë së Informacionit dhe Kompjuterikes dhe 1356 bursa universitare për vajza në fushën e STEM.

Rinia jonë e aftë në teknologji dhe shpirti sipërmarrës i të rinjve tonë, është potenciali i madh kombëtar për transformimin digjital. Me këtë synojmë avancimin e administratës publike, sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes.

Javën e kaluar në Qeveri e aprovuam Ligjin për Siguri Kibernetike, që themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike, si institucion kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës, Kjo agjenci do të kontribuoj në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike. Këtë javë bëmë lansimin e Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor që ka implikim direkt në sigurinë kibernetike të vendit tonë.

Në kuadër të zhvillimit të e-Qeverisjes, disa nga shërbimet e digjitalizuara që janë lansuar në portalin eKosova përfshijnë: pagesat elektronike për shërbime qeveritare, certifikatat online të gjendjes civile, vazhdimin e regjistrimit të veturës për qytetarë dhe biznese, shërbimet online për aplikim për shtesa për fëmijë e lehona, si dhe një sërë shërbimesh të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Sot portali eKosova ka mbi 690 mijë shfrytëzues të regjistruar. Deri më tani janë realizuar mbi 630 mijë përdorime të shërbimit të faturës së tatimit në pronë, mbi 425 mijë përdorime të shërbimeve për gjobat në trafik, dhe mbi 133 mijë përdorime të shërbimeve për automjete.

Jemi duke bërë hapat e parë drejt hapjes së dyerve për pilotimin dhe zbatimin e rrjeteve 5G.

Po hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët. Mbesim të përkushtuar të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit. /KultPlus.com

24 vjet nga vdekja e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Kurti: Lavdi për veprën e tyre patriotike që e jetuan bashkë

Sot janë shënuar 24 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, të cilët u përballën disa orë rresht me njësite të tëra serbe në Gradinë, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin duke i cilësuar si figura kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurti tha ata janë bërë pjesë e historisë moderne të Kosovës, asaj historie që ata e kanë bërë dje.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Në maj të vitit 1998 në malet e Drenicës dhe me uniformë të UÇK-së, kur ishte pyetur nga një ekip televiziv i BBC-së: “A do të vdisnit për Kosovën?”, Fehmi Lladrovci ishte përgjigjur: “Gjithqysh edhe me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta!”. E thënë me buzëqeshje në fytyrë dhe duke shtërnguar automatikun me duar, kjo përgjigje e Fehmi Lladrovcit është kthyer në një nga deklaratat më të njohura e dhënë nga një ushtar i UÇK-së. 

Që nga vitet ’80-të e tutje, emri i Fehmi Lladrovcit haset kudo ku kishte veprimtari politike dhe ushtarake për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Por ashtu siç emri i Azem Galicës rëndom përmendet bashkë me emrin e gruas së tij Shotës, edhe emri i Fehmi Lladrovcit është bërë i pashqitshëm nga emri i gruas së tij Xhevë Krasniqit. E lindur më 1955 në Drenoc të Malishevës, Xheva kishte shumëçka nga Shota, përderisa ishte e bija e Hanife Bujupit dhe Abdyl Krasniqit, mësuesit dhe të burgosurit politik që i kishte nxjerrë eshtrat e Azem Galicës nga shpella ku i kishin fshehur. Kurse Fehmiu, që kishte lindur më 1956 në Gllanaselë të Drenasit, si i biri i Muhamet dhe Shefkie Lladrovcit, kishte patur për mësues patriotin Fazli Grajqevci. 

Fehmiu dhe Xheva u njohën më 1981 dhe pas pak kohe u fejuan. Por më 1985, Fehmiu u dënua me 10 vjet burgim. Pas pesë vite e gjysmë burgim të rëndë, ai përfitoi nga një amnesti dhe u lirua. Fehmiu kishte studiuar për makineri në Zagreb kurse Xheva për gjuhë e letërsi si dhe për drejtësi në Prishtinë. Ende të sapomartuar, më 1991, ata shkuan në Kroaci ku si pjesë e rezistencës së kroatëve në luftë kundër Serbisë, fituan një përvojë të çmuar që do t’u shërbente në luftën e Kosovës. 

Anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-së), Fehmiu dhe Xheva iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga fillimi. Ashtu siç Fehmiu u angazhua në mobilzimin e diasporës shqiptare, Xheva kontribuoi për mobilizimin e vajzave dhe grave në luftën e Kosovës. 

Sikur sot, 24 vite më parë, më 22 shtator 1998, bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, ata u përballën disa orë rresht me njësite të tëra serbe në Gradinë. E ngjizur nga dashuria dhe e mbushur me ideale kombëtare e veprimtari politike, lidhja e Fehmiut dhe Xhevës u përmbyll njëkohshëm më 22 shtator 1998, kur të dy bashkë ranë dëshmorë duke luftuar përballë trupave serbe. Atë ditë, bashkë me ta ranë dëshmorë edhe Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka. 

Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, janë ndër figurat kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si të tillë, bashkarisht, ata janë bërë pjesë e historisë moderne të Kosovës, asaj historie që ata e kanë bërë dje, kurse neve na takon ta kujtojmë e shkruajmë sot. 

Lavdi Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit për veprën e tyre patriotike që e jetuan bashkë, lavdi Fatime Hetemit e Shefqet Zekës dhe të gjithë dëshmorëve që ranë në rrugën e gjatë për çlirimin e Kosovës!/ KultPlus.com

Konjufca për “Luaneshat e Kodrës”: Ëndrrat dhe ambiciet e luaneshave meritojnë përkrahjen e gjithanshme

Mbrëmë në ambientet e Kino Armatës është shfaqur filmi i suksesshëm nga Kosova “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit, shkruan KultPlus.

Për ta parë nga afër këtë film ishin edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ky i fundit reagoi në rrjete sociale, duke thënë se kinematografia e Kosovës po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

“Mbrëmë kisha kënaqësinë që së bashku me Kryeministrin z.Albin Kurti dhe Shefin e stafit z.Ilir Kërçeli të kaloj ca çaste të këndshme artistike me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisores së mirënjohur Luana Bajrami.

Kinematografia jonë po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.

“Luaneshat e Kodrës” ishte filmi i parë kosovar i cili u shfaq në Festivalin e Kanës. Në edicionin e vitit 2021 ai ishte pjesë e programit Directors.

Ëndrrat dhe ambiciet e luaneshave meritojnë përkrahjen e gjithanshme, e cila shpresoj që nuk do t’iu mungojë”, thuhet në postimin e Konjufcës. /KultPlus.com