Një ndër temat e shumë diskutuara në ditët e fundit është ajo e lejimit të shamisë nëpër shkolla, konkretisht për një udhëzim administrativ që i ndalon vajzat me shami që të shkollohen, shkruan KultPlus.
Pas shumë presioneve që qytetarët e Kosovës e kanë ushtruar në Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ky i fundit është përgjigjjur
I pari i ekzekutivit, ka thënë se pragu i lejimit të shamisë duhet të jetë mosha 16-vjeçare.
“Qëndrimi im është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve por duhet të jemi të lirë, mirëpo gjithashtu kam thënë që mosha 16- vjeçare duhet të jetë pragu, dhe moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur dhe që do të duhej të ndodhin”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media pas një vizite në Doganën e Kosovës.
Karta e identitetit në moshën 16 vjeçare njësoj sikurse shamia
“Meqë mund ta marrësh kartën e identitetit në moshën 16-vjecare, nëse sistemi e mundëson që të lidhësh kurorë në moshën 16-vjecare, meqë mosha mesatare është 35 vjeç e 2/3 e popullatës është nën 35 vjeç, mendoj që në të ardhmen nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjeç. Ne e shohim moshën 16-vjecare si moshë të pragut për shumë gjëra e po ashtu edhe për bartjen e shamisë”, ka përfunduar Kurti. /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bëri homazhe te lapidari në Vraniq të Gjakovës, në nderim të dëshmorëve të familjes Lleshi, me rastin e 24-vjetorit të rënies së tyre për atdhe.
Kryeministri Kurti tha se në luftën çlirimtare ranë katër dëshmorë të familjes Lleshi nga Vraniqi i Gjakovës. Marku e Kola më 7 gusht 1998 në betejën e Vraniqit dhe Prendi e Mema më 28 janar 1999 në betejën e Godenit.
“I përkujtuam me nderim e krenari në 24-vjetorin e tyre, të gjakut të tyre që u bë liria jonë. Lokja Hanë dhe Gega na prinin në homazhet e sotme te varri i tyre dhe lapidari tempull me katër shtylla”, u shpreh ai.
Derisa kujtoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se para një çerek shekulli UÇK-ja organizoi popullin në kryengritje kundër pushtuesit dhe okupatorit serb i cili kreu gjenocid në Kosovë.
Siç shtoi kryeministri më tej, agresioni e krimet e Serbisë dhe rezistenca e qëndresa jonë janë e vërteta historike e faktike.
“Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar”, tha në fund kryeministri Kurti. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Sunny Hill shkëlqen ndryshe me vajzën e artë të Kosovës, Dua Lipa, shkruan KultPlus.
Sipas Kurtit, festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit të Kosovës.
Postimi i plotë:
“U mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin. Kosova shkëlqen ndryshe me Sunny Hill dhe vajzën tonë të artë, Dua Lipa, të cilën sot e prita në Kryeministri. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij. Duan e falënderova për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë. Zëri, muzika e kënga e saj, na kanë bërë shumë më të njohur dhe mirënjohur anembanë. Kontributi që ajo jep për Kosovën është i pamatshëm.
Festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit tonë. Pas katër ditë performancë muzikore me emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, është momenti t’u themi faleminderit Duas dhe gjithë ekipit për punën dhe promovimin që i bënë Kosovës. Sunny Hill është edhe dobi për ekonominë lokale, ndërsa sivjet edhe mbështetje ndaj angazhimeve shtetërore për liberalizimin e merituar të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas një sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, shkruan KultPlus.
Kurti ka thënë se njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) në Zubin Potok, është qëlluar rreth 10 herë sot, derisa po bëheshin gati për një kontrollë rutinore me barkë në Liqenin e Ujmanit.
“Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës”, thuhet në postimin e tij mes tjerash.
“Fatmirësisht, shpëtuam pa viktima dhe tani po zhvillohet një hetim i plotë për këtë rast. Sot, në rrugë nuk ka barrikada”, ka shtuar Kurti.
Ndërkaq, siç ka potencuar ai, bandat kriminale vazhdojnë të barrikadohen kundër institucioneve të Kosovës të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se DokuFest, që ka nisur mbrëmë, është ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë.
Ai ka thënë se DokuFest edhepse ka tri dekada që ekziston nuk e ka humbur asnjëherë magjinë e vet.
“DokuMagjia! DokuFest është ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë. Më shumë se vetëm ngjarje, DokuFest është institucion i rëndësishëm i krijimtarisë dhe edukimit artistik. Ndonëse ka hyrë në dekadën e tretë të ekzistencës, festivali asnjëherë nuk e humbi magjinë e vet. Përkundrazi, edhe ky edicion që nisi mbrëmë, premton një javë plot shkëlqim mbi gurët e monumenteve të Prizrenit”.
“DokuFest është mënyra më efektive për t’ia rrëfyer botës krijimtarinë dhe potencialin tonë artistik, zellin e talentin rinor. Ai është edhe ekonomi për qytetin, edhe vullnetarizëm për rininë, edhe rrjetëzim për artistin, edhe kulturë për turistin”.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, thotë se ka qenë pjesëmarrës i vazhdueshëm në DokuFest, derisa thotë se tash si kryeministër e ka përgjegjësinë që festivalet e tilla të kenë mbështetje më të madhe.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë nisur këtë festival, derisa ka thënë se gjatë kohës sa zgjat festivali do të shkoj sërish në Prizren.
“Si adhurues i kinemasë dhe i qytetit të Prizrenit, natyrshëm kam qenë pjesëmarrës i rregullt i edicioneve të festivalit. Tash me përgjegjësi shtesë, në krye të Qeverisë që po e realizon reformën më të madhe kulturore ndonjëherë në vend, që DokuFest dhe pjesa tjetër e skenës së pavarur kulturore të gëzojnë mbështetje të rritur dhe partneritet strategjik për nevojat zhvillimore dhe diplomatike të shtetit tonë”.
“Edicioni XXI është mundësi e mirë dhe arsye e fuqishme për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për ata që patën guxim në fillim. Dhe pastaj edhe vizion, durim e përkushtim. Faleminderit Veton, Aliriza, Samir, Eroll B, Linda, Nita, Eroll Sh, Alba, Jeton, Orhan, Burim, Dafina, Ares dhe plot të tjerë deri te mijëra vullnetarë përgjatë viteve e dekadave. Filmat, mbrëmjet e muzikës, punëtoritë, ngjarjet e tjera, një program fantastik sivjet. Gjatë këtyre tetë ditëve, do të më shihni sërish në Prizren. Magjia rifilloi”./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar një pritje për bashkatdhetarët në ballkonin e objektit të Kryeministrisë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti iu uroi mirëseardhje mërgimtarëve, ndërsa tha se ideja e këtij organizimi ishte iniciativë e stafit të tij.
Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në politikë bërje dhe synon të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke ju krijuar mundësi përfshirje të drejtpërdrejtë. Kjo nismë u mundëson bashkatdhetarëve tanë që të mund të vijnë edhe në institucionet tona të bëjnë punë zyrtare e praktike deri në gjashtë muaj, që t’i kontribuojnë politikës sonë të jashtme dhe shërbimit sa më cilësor të jashtëm të Republikës së Kosovës. Kryeministri tha se kjo tregon që ne nuk i shohim bashkatdhetarët tanë vetëm thjeshtë si kapital financiar, por si kapital human.
“Duke konsideruar që secili bashkatdhetar i yni në mërgatë është diplomat, e kjo nuk është e rastësishme, sepse pikërisht një bashkatdhetare të shquar, një veprimtare të palodhshme, vajzën e heroit tonë Jusuf Gërvallës e kemi kryediplomate sot në Republikën e Kosovës. Andaj, nuk ka pasur emërtim dhe nismë më të mirë sesa ajo për Diplomaci Qytetare”, tha ai.
Asaj thënies së famshme nga pak pesimiste se bashkatdhetarët po ndjehen as atje as këtu, kryeministri tha se i përgjigjemi me të kundërtën që besojmë se është e vërteta, ju jeni edhe atje edhe këtu, jeni fizikisht pjesën më të madhe të vitit jashtë atdheut por gjithsesi gjithmonë brenda kombit.
“Nëse para shumë dekadave kemi qenë përgjithësisht punëtorë krahu në Evropën Perëndimore, në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Australinë e largët, tash shqiptarët kudo që jetojnë, punojnë, veprojnë, banojnë, janë inxhinierë, mjekë, janë artistë e sportistë, janë njerëz të kulturës e të dijes, të shkathtësive nga më të ndryshmet, burra e gra bashkë, të rinj e të moshuar. Në këtë mënyrë i kontribuojmë edhe imazhit të vendit tonë, por gjithashtu edhe ekonomisë, shoqërisë e kulturës së vendeve ku ata janë”, tha Kurti.
“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro. Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë. Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të riinvestuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar. Në rritjen tonë ju jeni faktor shumë i rëndësishëm dhe ne besojmë që mund të jeni faktor edhe më i rëndësishëm në rritjen e mëtutjeshme”, theksoi Kurti.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, thuhet se Kurti falënderoi bashkatdhetarët që nuk po e harrojnë asnjëherë Kosovën, vendlindjen e tyre, dhe pavarësisht se a jemi në luftë a në paqe, a jemi në një rritje të hovshme apo edhe në stagnacion e në prapambetje, gjithmonë janë kthyer në mënyrë që të çmallen me vendlindjen, por edhe ta ndihmojnë e përkrahin atdheun.
“Ne ju kemi shumë borxh, një borxh të cilin nuk pretendojmë t’ua lajmë sepse e dimë që është e pamundur, mirëpo me politika të mira dhe me bashkëpunim të dendur jemi të bindur që sadopak mund ta lajmë një pjesë të vogël të këtij borxhi, i cili është aq i madh sa që i pallogaritshëm”, tha Kryeministri Kurti./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë duke e dënuar “dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës”.
“I bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kryeqendrave perëndimore demokratike, Bashkimit Europian dhe NATO-s që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës të cilat janë qartazi të nxitura, përgatitura dhe financuara nga Beogradi”, tha Kurti në një konferencë për media.
Ai tha se “e kuptojmë brengën e faktorëve europianë dhe amerikanë për efektin negativ të fushatës së dezinformimit për dy vendimet tona”.
Kurti tregoi se mbrëmë ka kontaktuar me aleatët europianë dhe amerikanë, ndërsa e falënderoi ambsadorin amerikan Jeffrey Hovenier për rolin e tij për “zbutjen e gjendjes”.
“I falënderoj për komunikimin e hapur dhe rolin e tyre. Në veçanti e çmoj lart përkushtimin e ambasadorit amerikan, i cili i shqetësuar me situatën porsi ne të tjerët kontribuoi shumë mbrëmë për zbutjen e gjendjes, gjithnjë duke mbështetur shtetin dhe Qeverinë tonë, vendimet e qëndrimet tona”, tha Kurti./ Express / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyjë për 30 ditë implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë. Shtyrja erdhi si pasojë e kërkesës së SHBA-së.
Kjo është komunikata e plotë e qeverisë:
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.
Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin./ KultPlus.com
Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë, ku është diskutuar gjendja aktuale dhe bashkërendimi i aktiviteteve ndërinstitucionale lidhur me zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftime me Serbinë dhe fillimin e regjistrimit me targa RKS për automjetet me targa të lëshuara nga Serbia, raporton Gazeta Express.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë në vend dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet ndër-institucionale në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe të sundimit të ligjit në tërë Republikën e Kosovës”, njofton ZKM.
Nesër hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 29 qershor, për fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe për kalimin kufitar me fletë-deklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia, dhe shtyhet afati për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe, për automjetet që hyjnë në territorin e Kosovës.
“Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikë-kalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejt reale”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeministrit thotë se “vendimi i Qeverisë së Kosovës është në funksion të sigurisë, vendosjes së rendit publik dhe ligjshmërisë e sundimit të ligjit”.
“Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjik”, thuhet në njoftim.
Të shtunën, kryeministri Kurti iu drejtua të gjithë serbëve në Kosovë në gjuhën e tyre duke iu thënë se arsye për marrjen e këtyre vendimeve është mbrojtja e të drejtave të tyre./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sot mbajnë konferencë për media lidhur me vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Konferenca mbahet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, nga ora 12:30./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Washington DC, me diplomatin dhe ish-shefin e Misionit të Verifikimit në Kosovë, William Walker, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në ”Facebook”, Kurti thotë se Walker duket njësoj si para 25 vjetëve.
Postimi i plotë:
“Duket gati njësoj si para 25 vjetëve kur u takuam për herë të parë në Prishtinë. Thua se është ndalur koha e tij për këtë dëshmitar të kohës sonë. Ishte kënaqësi ta takoj ambasadorin William Walker në Washington DC, të evokojmë kujtimet, të diskutojmë për të tashmen, të ndajmë shpresat dhe shqetësimet për të ardhmen. Diplomatët e së vërtetës për krimet e kryera gjatë luftës janë miq të popujve dhe armiq të diktatorëve”, shkruan Kurti. /KultPlus.com
Pas marrëveshjes që Kosova e nënshkroi me SHBA-në në Washington, Kryeministri Albin Kurti sot ka reaguar përmes një postimi në Facebook ku edhe ka bërë publike këtë marrëveshje 236 milionë dollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), përcjellë KultPlus.
Këtë marrëveshje, Kurti e konsideron një bashkëpunim historik.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
Pas tetë vjetëve, isha në ShBA para tre muajve. Pikërisht më 27 prill, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Zonjës Sekretare, Madeleine Albright, në funeralin në Katedralen e Washington DC. Saktësisht tre muaj më vonë, më 27 korrik 2022, morëm pjesë në këtë ngjarje historike për Kosovën, zhvillimin e saj dhe lidhjen e saj me ShBA-të. Në njërën anë të marrëveshjes është pikërisht zonja tjetër Albright, Alice, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë. Nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright.
Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Programin Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarë, përveçse është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik mbi qëllime të përbashkëta në sektorin e energjisë, është kremtim i marrëdhënieve të thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë.
Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik.
Republika e Kosovës i është jashtëzakonisht mirënjohëse Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po qëndrojnë përkrah nesh në realizimin e investimeve të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta.
Në veçanti, falenderoj kryeshefen ekzekutive të MCC-së, znj. Alice Albright, ministren tonë të Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli dhe dy ekipet përkatëse që studiuan, shqyrtuan e negociuan për të arritur te rezultati i shkëlqyeshëm dje. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar këtë ditë si historike për Kosovën dhe SHBA-në nënshkrimin e marrëveshjes me vlerë 236.7 milionë dollarë të Kosovës me MCC-në. Ai, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, tha se kjo e bën Kosovën që të ecë drejt prodhimit të energjisë së pastër.
”Është ditë e madhe që Kosova të krijojë mundësi për prodhim energjie të pastër. Ky bashkëpunim i ngushtë e bën Kosovën të jetë një vend që ecë drejt prodhimit të energjisë së pastër. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen në moment të rëndësishëm për Kosovën. Në fund të këtij viti do të fillojmë me promovimin e energjisë solare. Jemi këtu në këtë ceremoni speciale duke falënderuar lidershipin e znj Albright dhe ministres Rizvanolli. Kjo marrëveshje do t’i prezantohet edhe Kuvendit për ratifikim. Fatkeqësisht nuk do të jemi prezent kur edhe opozita do ta mbështesë këtë marrëveshje. Nuk jemi të bashkuar vetëm në interes por edhe në vlera e kjo e bën lidhjen tonë edhe më të fortë“, ka theksuar Kurti.
“Është një ditë historike për Kosovën dhe ShBA-në, sinjalizon partneritetin për qëllime të përbashkëta. Strategjia jonë e energjisë shkruan rrugën tonë drejtë një të ardhme të dekarbonizuar. Ky program kompakti është esencial, jemi duke punuar intensivisht për të garantuar një furnizim me energji që është i përballuar për të gjithë”, u shpreh tutje Kurti.
Tutje kryeministri tregoi se marrëveshja do t’i prezantohet Parlamentit për ratifikim që nesër.
“Nuk do jemi për të ballafaquar për opozitën por edhe ata nuk do të jenë shumë të kënaqur që nuk do jemi atje”, shtoi Kurti./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova partner të sigurisë i ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai, para medieve në Uashington, pas përfundimit të takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ka theksuar se bashkë me presidenten Vjosa Osmani e kanë shfrytëzuar mundësinë për kërkimin e shtimit të investimeve amerikane në Kosovë.
“Takimi që patëm bashke me presidenten qe shume i përzemërt, fort i dobishëm për raportet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe ShBA-së. Me këtë rast ne treguam se si Kosova është një rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë”.
“Së pari është rrëfim suksesi i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe i ndërhyrjes NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Dhe së dyti është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik. Pra, në kontrast me disa fuqi të tjera nëpër botë të cilat dëshirojnë të tregojnë për zhvillim ekonomik se demokracia nuk është e nevojshme, shteti jo i madh i Kosovës është një shembull i madh se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë”.
“Njëkohësisht ne përfituam nga rasti, nga sekretari Blinken të kërkojmë shtimin e investimeve amerikane në Kosovë, por gjithashtu edhe ta rrisim shkëmbimin tregtar mes dy vendeve tona. Edhe në NATO ne e kemi bashkëpunimin shumë të ngushtë me ShBA-në për shkak se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin, synojmë që siguria e Kosovës ta ketë për partner edhe të padiskutueshëm por gjithnjë e më të fuqishëm, pikërisht ShBA-në”, ka thënë Kurti, njofton KlanKosova.tv/ KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot policin Enver Zymberi, i cili në vitin 2011 u vra nga struktura kriminale serbe në një aksion policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.
“Në kronologjinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, disa data janë të shënjuara edhe me emra të përveçëm, sikur 26 korriku i vitit 2011, kur gjatë një aksioni policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, pati rënë dëshmor pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi”, shkruan Kurti i cili tutje ka potencuar që asnjëherë deri sot nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerr para drejtësisë vrasësit.
“Ai u vra nga struktura kriminale serbe, që asnjëherë deri sot nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Ushtar i UÇK-së në luftë më 1999, Enver Zymberi ra dëshmor i veshur me uniformën e policisë, në kryerje të detyrës zyrtare dhe në bartje të misionit për shtrirjen e plotë të sovranitetit. Andaj, Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës, për çka shteti ynë asnjëherë nuk do ta harrojë, sepse Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të heq dorë nga sovraniteti i saj dhe as nga shteti ligjor dhe i së drejtës. Dikur, për dekada rresht, shqiptarët kanë rënë dëshmorë për një Republikë të Kosovës që e synonim por që nuk e kishim, kurse tani që e kemi Republikën e Kosovës, ajo ka edhe dëshmorët e përplotësimit dhe ruajtjes së saj, sikur Enver Zymberi”, shkruan Kurti.
Në nderim të veprës së Enver Zymberit dhe policëve të rënë në detyrë, në mbledhjen e 24-të të Qeverisë, ëhstë propozuar që 26 korriku të shënohet si Dita e Policëve të rënë në krye të detyrës.
“Çdo përvjetor i rënies së Enver Zymberit, rikthen britmat e kujtesës tonë institucionale, për t’i çuar para drejtësisë ata që e vranë dhe për t’i rimenduar mësimet e mësuara nga aksioni i filluar më 25 korrik 2011, aq të nevojshme në rrugën tonë për forcimin e rendit e ligjit dhe për ruajtjen e sovranitetit të plotë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Në nderim të veprës së Enver Zymberit dhe policëve të rënë në detyrë, në mbledhjen e 24-të të Qeverisë, propozuam që 26 korriku të shënohet si Dita e Policëve të rënë në krye të detyrës.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe lavdia e heroit të Republikës sonë, Enver Zymberi!” / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar për në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, priti në takim kryesuesin ekzekutiv të Atlantic Council, gjeneralin James Jones, themeluesin dhe kryesuesin e Fondacionit Malama Ka’u, Mel Yokoyama, si dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Fatmir Mediu.
Siç njofton Kryeminsitria, në takim u disukuta për zhvillimet politike, mundësitë për investime dhe çështjet e sigurisë në Kosovë e rajon.
Kurti e njoftoi gjeneralin Jones për progresin përgjatë një të tretës së mandatit qeverisës, duke vënë theksin te stabiliteti institucional, indikatorët pozitivë ekonomik dhe demokratik.
Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan, sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.
Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s, tha kryeministri Kurti, ndërsa potencoi rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind dhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe pjesëmarrjen në misione e stërvitje të përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane dhe me NATO-n.
Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social dhe tolerancës zero ndaj krimit e korrupsionit.
Gjenerali Jones ka qenë Komandant Suprem i Aleancës për Evropë dhe ish-këshilltar për siguri kombëtare të Presidentit të SHBA-së.
Ai ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe është iniciator i Iniciativës së tre deteve Baltik, Mesdhe dhe Deti i Zi, ku janë të përfshira të gjitha vendet e Evropës Qendrore për investime në infrastrukturë, energji dhe teknologji.
Në takim ishin edhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Selimi dhe këshilltari i kryeministrit Kurti, Lulëzon Jagxhiu. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ishte një ndër folësit në hapjen e një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore të mbajtur ndonjëherë në Kosovë, “Manifesta 14”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti tha se Manifesta po e merr rimishërimin e 14-të në qytetin e Prishtinës.
Postimi i plotë:
“Manifesta 14 Prishtina Sivjet, Manifesta po e merr rimishërimin e 14-të në qytetin e Prishtinës. Të dy palët jemi edhe të lumtur edhe me fat. Ky përqafim i Manifesta-s dhe Prishtinës është pothuajse një “amor fati”: një nomad evropian udhëtues ndalon për të takuar popullin e pandalshëm të Kosovës. Vepra arti nga 103 artistë nga 30 vende, për plot 100 ditë, në 25 vende në Prishtinë, do të mund të vizitohen nga të gjithë qytetarët e vendit tonë pa pagesë. Ky është edicioni më i madh ndonjëherë i kësaj bienale të artit. Jemi të lumtur që si qeveri kemi besuar në të që nga dita e parë dhe kemi qëndruar prapa duke e përkrahur financiarisht këtë ngjarje të madhe kulturore. Pas 14 vitesh pavarësi, le ta shijojmë së bashku Manifesta 14″, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me bashkëpunëtorë.
Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe për faktin që ka zgjedhur Kosovën për të përmbyllur mandatin e tij si president.
Ai e çmoi bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e Presidentit Meta për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, kryeministri vuri theksin te rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, te rëndësia e bashkëpunimit në fushën e energjisë, investimeve në bujqësi, e sidomos te rëndësia e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka kërkoi bashkëpunim të të dyja vendeve në këtë drejtim.
Kryeministri rikujtoi se vizita e Presidentit Meta koincidon me përvjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, ku u bë e qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Presidenti Meta e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon, që është vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare.
Ai i vlerësoi përpjekjet e mëdha të kryeministrit Kurti dhe të Qeverisë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe ofroi mbështetje edhe më të fuqishme e të vazhdueshme edhe në kapacitete të tjera që do të ketë pas largimit nga detyra.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Presidenti Meta tha se duhet përkrahur vetëm nismat gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë dhe lidership të qartë, sikurse Procesi i Berlinit.
Duke ritheksuar marrëdhëniet e mira bilaterale, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike. /KultPlus.com
Kosova ka hyrë në një periudhë shumë pozitive dhe konstruktive të historisë kulturore dhe artistike.
Ne sot jemi dëshmitarë të një manifestimi të paparë të shpirtit kulturor të popullit të Kosovës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim e (UNDP) dhe Fondacioni i “Manifesta 14 Prishtina” me rastin e hapjes së bienales “Manifesta 14 Prishtina”.
Kryeministri Kurti tha se këtë javë me Manifestën, do të jemi dëshmitarë të lidhjeve tona të jashtëzakonshme me Evropën nëpërmjet kulturës, teksa fillojmë një udhëtim kulturor epik prej 100 ditësh me bienalen nomade të Manifestës.
Për ta bërë të mundshme Manifestën, Qeveria e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, qeverisja lokale janë bërë bashkë me të gjithë akterët diplomatikë, përfshirë edhe bashkëpunimin mahnitës me Dukatin e Madh të Luksemburgut.
Kryeministri e falënderoi Dukatin e Madh të Luksemburgut për ndihmën rreth “Manifesta 14 Prishtina” dhe për kontributin e vazhdueshëm financiar për arsimin, shëndetësinë dhe demokratizimin e shoqërisë.
Ai i përgëzoi të gjithë të gjithë organizatorët e “Manifesta14 Prishtina” për punën e madhe dhe përkushtimin, si dhe uroi për një bienale të shkëlqyeshme dhe 100 ditë të frytshme të jetës artistike. /KultPlus.com
Në mbledhjen e 89-të të Qeverisë së Kosovës është biseduar shumë për artin dhe kulturën në vend, shkruan KultPlus.
Kurti ka njoftuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrjen për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, të cilës i janë përgjigjur 370 aplikues.
“Vlera e ndarë për këtë thirrje ka qenë 300 mijë euro. Veprat e blera do t’i takojnë Fondit Shtetëror të Artit dhe do të përdorën për diplomaci kulturore të shtetit tonë, duke i ekspozuar ato në pikat kryesore diplomatike të Republikës së Kosovës”.
“Artistët tanë janë punëtorë dhe talentë. Ata me punën e tyre kanë arritur që emri Kosovë të thirret disa herë në skenat e famshme kulturore. Qeveria është këtu për infrastrukturë. Ne do t’i krijojmë kushtet që talentet e reja dhe artistët aktualë të mos brengosen për asgjë tjetër përveçse inspirimit e thellimit në imagjinatën e tyre”, ka vazhduar ai.
Ndërkaq, Kurti fjalimin e kësaj mbledhje e ka filluar me bienalen e Manifestës, duke treguar se Kosova do të ketë përfitime të mëdha nga kjo ngjarje.
“Duke marrë shkas këtë ngjarje të rëndësishme kulturore më lejoni që shkurtimisht të ndaj me ju disa prej arritjeve tona kryesore të deritanishme në fushën e Kulturës:
Po bëhen hapa konkret në reformimin e kornizës ligjore. Për herë të parë është bërë një analizë e mirëfilltë nga një plejadë e akterëve institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, organizatave jo-qeveritare dhe komunitetit të gjerë kulturor dhe artistik me qëllim hartimin e koncept-dokumentit për Kulturë të cilin shumë shpejtë do ta sjellim për votim në mbledhje të Qeverisë.
Kemi themeluar institucionin e Operës së Kosovës. Kosova për herë të parë ka program vjetor të Operës për vitin 2022. Programi vjetor i Operës ka përfunduar me sukses paraqitjen me performanca dhe prezantime edukative mbi edukimin operistik për fëmijë “Edu Opera” në 10 shkollat publike të muzikës në Kosovë.
Është arritur dhe miratuar në Qeveri marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e ri të Bashkimit Evropian “Creative Europe” për periudhën 2021-2027. Ky program krijon hapësira të reja për komunitetin tonë artistik për avancim të veprimtarisë brenda dhe jashtë shtetit, dhe njëherit fuqizon pozitën e Republikës së Kosovës në hartën kulturore evropiane.
Me qëllim të avancimit të arteve pamore në Kosovë, në vazhdën e punës për themelimin e muzeut të artit bashkëkohor është formuar Këshilli Iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor, i cili ka filluar punën me qëllim të themelimit të institucionit të Muzeut, krijimit të sistemit organizativ, konceptit dhe programit, si dhe përgatitjen e koleksionit të Muzeut.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kemi hapur thirrjen për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë, të cilës i janë përgjigjur 370 aplikues. Vlera e ndarë për këtë thirrje ka qenë 300 mijë euro. Veprat e blera do t’i takojnë Fondit Shtetëror të Artit dhe do të përdorën për diplomaci kulturore të shtetit tonë, duke i ekspozuar ato në pikat kryesore diplomatike të Republikës së Kosovës”, thuhet në fjalimin e të parit të ekzekutivit. /KultPlus.com
Më 22 korrik bienalja nomade Manifesta do të fillojë aventurën e saj në Kosovë, shkruan KultPlus.
Kjo do të jetë një prej ngjarjeve më të mëdha që mbahet në Kosovë ndonjëherë, derisa për këtë ka folur edhe në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti.
Ai e ka nisur mbledhjen me njoftimin për maratonën 100-ditore që kjo bienale do të dhurojë në Prishtinë – duke i dhënë një rëndësi tejet të veçantë kryeqytetit.
“Nga e premtja vendi ynë do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve kulturore më të rëndësishme, bienales nomade Manifesta. Mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Manifesta sivjet ka një program 100 ditor që përfshin 25 lokacione, 55 intervenime artistike dhe 102 pjesëmarrës vendorë e ndërkombëtarë. Organizimi i kësaj ngjarje është dëshmi e aftësisë së shoqërisë tonë, dhe komunitetit artistik dhe institucioneve për të mirëpritur një numër të madh të artistëve dhe për ta shndërruar kryeqytetin në hapësirë të artit bashkëkohor. Përveç aspektit kulturor, padyshim që Manifesta do të jetë mundësi tejet e mirë e promovimit të vlerave të vendit tonë”, tha Albin Kurti. /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në zyrën e tij pianisten Melisa Ibrahimi dhe profesoren e saj, Alberta Troni, përcjell KultPlus.
Pianistja Ibrahimi dhe profesorja Troni kanë përfaqësuar Kosovën në shumë gara ndërkombëtare të pianistikës. Së fundmi, më 7 korrik, ato fituan vendin e tretë në garën ndërkombëtare për të rinj “Dinu Lipatti Roma 2022”, e organizuar me mbështetjen e Presidencës së Republikës së Italisë.
Kryeministri Kurti i uroi për sukseset e deritanishme. Ai i tha se sukseset e tilla na bëjnë të gjithëve krenarë, dhe në të njëjtën kohë na rikujtojnë talentin dhe potencialin e rinisë sonë, si edhe përgjegjësinë që institucionet shtetërore kanë në mbështetje të tyre.
Melisa Ibrahimi është fituese e 15 çmimeve të ndryshme në gara të pianistikës në Gjermani, Rusi, Britani të Madhe e Suedi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti është shprehur se Kosova feston arritjet e tyre historike dhe iu bashkohet në zotimet drejt reformave që do të transformojnë vendet.
“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Kosova feston arritjet tuaja historike dhe bashkohet me angazhimin tuaj drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin dhe Evropën tonë”, ka shkruar Kurti në Twitter. / KultPlus.com
Congratulations to Albania and North Macedonia for opening accession negotiations with the European Union. Kosova celebrates your historical achievement and joins in your commitment towards reforms that will transform your countries and strengthen our region and Europe.