Olaf Scholz ka udhëtuar drejt Kosovës dhe Serbisë, ku më pas do të vizitojë edhe Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Konfliktet janë të shumëfishta, pritshmëritë e kancelarit federal gjerman janë të larta, ndoshta shumë të mëdha.
Gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine, shkruan se fakti që Scholz e nis udhëtimin në Prishtinë dhe vetëm më pas udhëton për në Beograd, është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock bëri të njëjtën gjë: fillimisht Prishtina, pastaj Beogradi.
Sa i përket liberalizimit të vizave, në Kosovë ka shpresë se pas zgjedhjeve parlamentare në Francë më në fund do të ketë një përparim dhe kosovarët do të lejohen të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së nga viti 2023. Vendi ka vite që plotëson kërkesat teknike, por është i bllokuar për arsye politike. Për Kosovën dhe qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, heqja e vizave do të ishte një sukses i madh, thuhet tutje nga gazeta në fjalë.
“Megjithatë, planet e tjera kosovare kanë pak shanse për sukses. Kjo vlen për aspiratat e Kosovës për t’u përfshirë në programin parahyrës në NATO “Partneriteti për Paqe” dhe aq më tepër për spekulimet për paraqitjen e një aplikacioni për anëtarësim në BE të Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë, sipas shembullit të Ukrainës”, përfundon shkrimi i Frankfurter Allgemeine. /KultPlus.com
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka arritur në Kosovë, derisa është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan KultPlus.
Së bashku me Kurtin, edhe Ministrat e Qeverisë dolën për të marë pjesë në pritjen e kancelarit të Gjermanisë.
Kjo është vizita e parë e Olaf Scholz në Kosovë, si kancelar i Gjermanisë, mirëpo një takim mes Kurtit dhe Scholz kishte ndodhur edhe para një muajve.
Tema e dialogut pritet të jetë njëra ndër pikat kryesore që do të diskutohet mes tyre. /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shtruar darkë për ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Gjatë darkës diskutuan për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve të cilat, siç tha kryeministri, po zhvillohen gjithnjë e më shumë. Kjo është dëshmi edhe e njohjes së vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe të demokracisë, shtoi ai.
Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti rikujtoi që 22 vende të Bashkimit Evropian dhe 26 vende të NATO-s, tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri rikonfirmoi përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe theksoi nevojën për mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Ministri i jashtëm grek, Dendias, tha se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane dhe se Greqia është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes ndaj rajonit. Ai shtoi se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
Theks të veçantë gjatë bisedës pati agresioni dhe invazioni rus në Ukrainë dhe ndikimi që mund të ketë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. /KultPlus.com
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Oksford Union:
Të nderuar anëtarë të Oxford Union,
Të dashur anëtarë dhe mysafirë të komunitetit të nderuar akademik të Oxfordit, Zonja dhe zotërinj,
Është e vështirë të hysh në këtë dhomë debati dhe të mos e ndjesh peshën e historisë. Përgjatë viteve, Oxford Union është shfaqur si një ndër sheshet më të rëndësishme në botë. Duke marrë parasysh historinë e vjetër me shekuj dhe prestigjin e tij, kështu duhet të jetë. Në botën tonë të sferave të fragmentuara publike dhe eko dhomave virtuale, forumet globale publike si ky janë më të rëndësishëm se kurrë. Duke e mbrojtur dhe duke u përkujdesur për këtë institucion, ju po na bëni shërbim të gjithë neve. Prandaj, faleminderit që po mbani të gjallë traditën tuaj të respektuar, dhe faleminderit që më ftuat të jem sot këtu me ju. Jam shumë i nderuar me ftesën tuaj.
Jam ftuar t’ju flas këtu si politikan i së majtës demokratike dhe si kryeministër i Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në Evropë. Secili nga këto identitete, kur merret në konsideratë ndaras, sjellë shumë sfida të veta. Të jesh sot lider i majtë kudo në botë, qoftë edhe në vendet e mirë etabluara dhe të pasura është mjaftueshëm e vështirë. Për më tepër, të jesh Kryeministër kosovar, pa marrë parasysh bindjet etike politike të dikujt, nuk është as punë e lehtë. Dikush mund ta imagjinojë se çfarë ndodhë kur kombinohen këto dy identitete, siç ndodhin rëndom në personalitetin tim: vështirësitë shtohen mjaft shpejtë. Këtu dua të përqendrohem në dy sfida kyçe me të cilat përballet një agjendë socialdemokrate transformuese në një vend si Kosova – e para, ambient i armiqësuar gjeopolitik dhe e dyta, kapacitete të brishta shtetërore. Do t’i them disa fjalë mbi natyrën e këtyre dy sfidave dhe të diskutoj shkurt sesi partia jonë politike (Lëvizja Vetëvendosje) është marrë me to në të kaluarën, dhe se si qeveria ime po përpiqet t’i adresojë sot ato. Mund të jenë disa mësime më të përgjithshme për të majtën demokratike në përgjithësi, posaçërisht në këto kohë të trazuara të përhapjes së gjerë të prapakthimit demokratik dhe që nga 24 shkurti i këtij viti, rikthimi i luftës në kontinentin tonë.
Ballkani është i njohur figurativisht si fuqi baruti e Evropës. Një thënie e njohur që shpesh i atribuohet një prej kryeministrave më emblematikë, Sir Winston Churchill, thotë që Ballkani prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë. Padyshim, një koment i tillë nuk është pa dozën e rëndë të supremacisë kulturore eurocentrike. Siç dihet mirë, Ballkani tradicionalisht ka shërbyer si Orient i brendshëm i Evropës – një gadishull në periferinë juglindore të kontinentit, i banuar nga popuj gjysmë barbarë, me tradita të çuditshme dhe të prapambetura, të prirë për konflikte të paarsyeshme etnike. Për më tepër, paraqitja e Ballkanit si fuqi baruti e Evropës, tenton të lë në hije një fakt tjetër kyç, që kjo lloj fuqie rrallëherë ishte vetëm për fajin tonë. Fuqitë e mëdha të Evropës rrallëherë kanë qenë soditës të pafajshëm në çështjet e Ballkanit.
Sido që të jetë, thelbi i së vërtetës që përmban thënia e Churchillit është se gjeopolitika priret të jetë brutale në pjesën tonë të botës. Për pjesën më të madhe të historisë së tij, Ballkani ka qenë në udhëkryqin e vijave të betejës gjeopolitike, një lloj kufiri ku perandoritë perëndimore dhe lindore janë përplasur ashpër me njëra-tjetrën. Në historinë moderne, një brutalitet i tillë është ndjerë veçanërisht në kurrizin e shqiptarëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve të Kosovës në veçanti. Për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë, fati që e priste një aktivist shqiptar të Kosovës që kërkonte të drejta civile dhe politike për popullin e tij ishte ose vrasja ose burgimi i përjetshëm. Megjithëse shqiptarët përbënin vetëm rreth 13 për qind të popullsisë së Jugosllavisë, ata përfaqësonin 80 për qind të të burgosurve politikë të saj – Adem Demaçi, një nga të burgosurit politikë më të famshëm në Evropë dhe më gjerë, kaloi 28 vjet në burg. Këto fakte do të duhej t’i bënin të mendojnë dy herë shumë anëtarë të shquar të së majtës ndërkombëtare, të cilët edhe sot e kësaj dite e shohin Jugosllavinë komuniste si një parajsë idilike socialiste, ose siç e shprehin disa prej tyre në një letër drejtuar Titos në 1974, “një anëtar i respektuar i familjes së kombeve progresive/përparimtare dhe paqedashëse.”
Një mjedis gjeopolitik armiqësor priret të shkaktojë një dëm të rëndë në imagjinatën politike progresive. Zërat e majtë (progresivë) serb që bëjnë thirrje për njohjen e së drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar kanë qenë tradicionalisht si zëra që nuk dëgjohen. Socialdemokrati i fillimit të shekullit të njëzetë, Dimitrije Tucović, dënoi politikat imperialiste të Serbisë ndaj popullit shqiptar dhe i bëri thirrje Beogradit që të njohë të drejtën e tyre për vetëvendosje. Edhe pse mjaft margjinalë në politikën serbe, zërat social-demokratë si ai i Tucović-it, apo ato liberale progresive si ai i Milan Piroćanac-it të arsimuar nga perëndimi (shek. 19), kanë qenë vërtet shumë të çmuar. Fatkeqësisht, sot ata praktikisht nuk kanë trashëgimtarë politikë në skenën politike të Serbisë. Megjithatë, derisa politikanë të tillë të bëhen më të shumtë dhe me ndikim në jetën politike serbe, është e vështirë të shihet se si mund të ketë një paqe të drejtë dhe afatgjatë midis dy vendeve tona. Presidenti aktual i Serbisë refuzon të pranojë se masakra e Reçakut (15 janar 1999) ka ndodhur ndonjëherë, e lëre më të kërkojë falje për të. Për më tepër, ai nuk po pranon as të nënshkruajë një pakt mossulmimi midis dy vendeve tona, diçka që ia propozova një vit më parë si hap të parë drejt ndërtimit të mirëbesimit.
Ndërsa një ndryshim progresiv në politikën serbe është diçka që vetëm populli serb mund ta sjellë, ka mënyra se si mund ta ndihmojmë atë nga jashtë. Si kryeministër i Kosovës, unë mund ta ndihmoj një ndryshim të tillë duke dëshmuar se republika jonë mund të lulëzojë pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë. Kjo është arsyeja pse qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të.
Në anën tjetër, vendet perëndimore duhet të bëjnë gjithashtu pjesën e tyre për të ndihmuar forcat social- dhe liberal-demokratike në politikën dhe shoqërinë civile serbe. Në këtë aspekt, më duket se në dekadat e fundit strategjia perëndimore ka qenë disi e gabuar. Megjithëse mbështetja perëndimore që ndihmoi në rrëzimin e Millosheviçit në tetor të vitit 2000, me të drejtë përshëndetet si një histori suksesi, nga këndvështrimi i strategjisë afatgjatë perëndimore, ajo ka qenë më shumë një mallkim sesa një bekim. Kjo për shkak se ka inkurajuar aleatët perëndimorë të forcave progresive serbe që të përqendrojnë ndihmën e tyre në nisma afatshkurtra dhe të bazuara në projekte. Unë besoj se kjo perspektivë afatshkurtër duhet të braktiset në favor të një qasjeje më të qëndrueshme dhe afatgjatë të përqendruar te vlerat dhe jo te projektet.
Kur themeluam “Lëvizjen VETËVENDOSJE!” në qershor të vitit 2005, Kosova ishte ende një territor gjoja i padefinuar i drejtuar në pjesën më të madhe nga një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse , i ashtuquajturi Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (i njohur ndryshe si UNMIK). Them “në pjesën më të madhe” për një arsye të fortë : pjesa më veriore e territorit drejtohej ilegalisht nga strukturat paralele të Serbisë. Pas përfundimit të luftës, ato struktura kishin mbajtur kontrollin e tyre në skajin verior të vendit falë spastrimit brutal etnik të shqiptarëve dhe disa joserbëve të tjerë nga qyteti i Mitrovicës dhe rrethinat e tij. Në këtë kontekst, bashkësia ndërkombëtare po i thoshte popullit të Kosovës se për të fituar të drejtën e tyre për një zgjidhje përfundimtare të statusit të tyre politik, ata fillimisht duhej të përmbushin disa standarde. Ashtu si zotërinjtë kolonialë të dikurshëm, ata na thoshin se nuk ishim ende të pjekur për liri. Kjo qasje ndërkombëtare u shpreh formularisht si “standarde para statusit”. Përveç kësaj, ata do të na thoshin se statusi final politik i vendit tonë duhej të negociohej me Serbinë, një shtet me histori të dëshmuar të krimeve të tmerrshme kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe një shtet kundër të cilit së fundmi kishim bërë një luftë të drejtë çlirimtare.
Në këto rrethana mbizotëruese, themelimi i një lëvizjeje në bazë social-demokratike dhe anti-koloniale ishte, për të folur me Eqbal Ahmadin, “si mbjellja e farave gjatë një stuhie”; siç ka thënë ai, “herë pas here, ato japin rendiment; shpeshherë nuk japin.” Artikulimi i një kritike social-demokratike dhe antikoloniale të status quo-së kosovare të asaj kohe na vuri përballë tre aktorëve dhe interesave të fuqishëm njëherësh: para së gjithash, një imperializëm serb të papenduar me qendër në Beograd e që ende ushqen synime gjenocidale kundër nesh; së dyti, një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse që drejtonte Kosovën në një mënyrë neo-koloniale; dhe së treti, një klasë politike miope (dhe shpeshherë) të korruptuar kosovare në Prishtinë, qëllimi kryesor i së cilës ishte mbijetesa e saj politike përmes marrëveshjeve të dëmshme me këto dy qendra de facto të pushtetit. Pozicioni i Serbisë në negociatat për statusin final të Kosovës ishte i përmbledhur në formulën “diçka më shumë se autonomi por më pak se pavarësi”. Nga ana tjetër, formula e elitës politike kosovare për statusin final ishte “definitivisht më shumë se autonomi dhe asgjë më pak se pavarësi”. Përballë këtyre dy formulave kundërshtuese, zgjidhje kompromisi e bashkësisë ndërkombëtare po shkonte në drejtimin e “pavarësisë së mbikëqyrur me autonomi shumë të reduktuar”. Të tre formulave ne iu kundërvyem me frazën tonë, që ishte, “jo negociata, vetëvendosje!” Me fjalë të tjera, ne kërkuam që populli i Kosovës të vendosë për fatin e vet politik përmes mekanizmit demokratik të referendumit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, të tre palët negociuese ishin të bashkuara në refuzimin e kësaj zgjidhjeje. Perspektiva politike e hapur nga ndërhyrja jonë kritike zbuloi mosmarrëveshjet e tyre për atë që ishin: të vogla në rastin më të mirë, të rreme në rastin më të keq.
Ndërhyrja jonë kritike në realitetin politik kosovar të asaj kohe mund të konsiderohet si populiste. Në të vërtetë, kjo etiketë na u vu shpesh në mënyrë pezhorative nga kundërshtarët politikë dhe komentuesit e medias. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se edhe tipari ynë populist ishte një tipar demokratik dhe gjithëpërfshirës, jo ekskluziv i bazuar në gjak dhe tokë. Që në fillim e kemi bërë të qartë se lufta jonë nuk ka qenë e drejtuar kundër serbëve të Kosovës apo ndaj ndonjë pakice tjetër për këtë çështje. Përkundrazi, ne kemi theksuar shpesh se Kosova është e të gjithë atyre që e konsiderojnë si vendlindjen e tyre, pavarësisht nga përkatësia etnike. Në dokumentet dhe shkrimet tona, ne mbrojtëm të drejtën e kthimit të serbëve të Kosovës – të gjithë atyre që nuk kishin kryer krime lufte ose që nuk kishin shërbyer dhe përfituar nga regjimi i Serbisë. Për më tepër, ne gjithmonë do të nënvizonim të përbashkëtat që ndajnë shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës. Për shembull, ne do të theksonim se si bashkëqytetarë ata përballen me probleme sociale shumë të ngjashme: varfëria, papunësia, mungesa e qasjes në kujdes shëndetësor dhe arsim cilësor e kështu me radhë. Probleme të tilla të përbashkëta sociale janë shumë më të rëndësishme se identitetet e tyre të ndryshme etnike. Serbët e Kosovës që duan të jetojnë në paqe dhe prosperitet me bashkëqytetarët shqiptarë e kanë vlerësuar gjithmonë këtë te lëvizja jonë politike. Ata e kuptuan herët se nacionalizmi i perceptuar i lëvizjes sonë ishte i drejtuar kundër projektit kolonialist të Serbisë, jo kundër serbëve të Kosovës. Prandaj sot më trajtojnë si kryeministër të tyre. Marr rregullisht letra dhe peticione prej tyre dhe ata takohen me mua për të diskutuar nevojat dhe interesat e tyre si anëtarë të shoqërisë sonë. Vlen të nënvizohet se ata e bëjnë këtë pavarësisht kërcënimeve shumë serioze që marrin nga Beogradi.
Mendoj se këtu ka një mësim më të gjerë për progresistët. Sot populizmi është kthyer në një term abuzimi, por duhet të kujtojmë se një lloj populizmi është i qenësishëm në vetë idenë e demokracisë. Parimi më themelor i demokracisë përfaqësuese moderne, domethënë, “një person, një votë”, ka karakter populist. Deklarata e famshme e Abraham Lincoln “Qeveria e popullit, nga populli, për popullin” është gjithashtu populiste. Në të njëjtin kuptim, fraza që të mbetet në mendje e lëvizjes sonë “jo negociata, vetëvendosje!” mund të shihej edhe si populiste. Por ky është lloji i populizmit që ne demokratët nuk duhet ta braktisim kurrë. Përndryshe, ne rrezikojmë të tjetërsojmë njerëzit dhe autoritarët e krahut të djathtë janë shumë të lumtur të ndërhyjnë si zëdhënësit e tyre. Me fjalë të tjera, në vend që të shkojmë në ekstrem, duhet të insistojmë në një dallim kritik midis populizmit progresiv, gjithëpërfshirës, nga njëra anë, dhe populizmit ekskluziv, të gjakut dhe tokës, nga ana tjetër. Populizmi ynë gjithëpërfshirës duhet të afirmojë të drejtën e popullit për vetëqeverisje duke hedhur poshtë konceptin e popullit si një totalitet organik i bashkuar nga lidhjet e gjakut. Tërësisë organike të populistëve të djathtë, ne duhet t’i kundërvëmë analizën klasore. Vetëm analiza klasore mund të ekspozojë karakterin iluzor të të gjitha pretendimeve ndaj totalitetit organik. Për më tepër, vetëm analiza klasore mund të zbulojë se sa të përbashkëta kanë, le të themi, një nënë beqare e papunë serbe në komunën veriore të Mitrovicës dhe një nënë beqare shqiptare e papunë në komunën jugore të Mitrovicës apo kudo tjetër në Kosovë.
Kam kandiduar për këtë detyrë me dy premtime kryesore: punësim dhe drejtësi. Që nga marrja e pushtetit/detyrës mbi një vit më parë, këto dy fusha politike kanë qenë në qendër të vëmendjes sime si Kryeministër. Përveçse duhet të shkojë kundër thelbit të dogmës neoliberale, në kontekstin kosovar një agjendë reformash social-demokratike përballet me disa sfida shumë specifike. Ato kanë të bëjnë kryesisht me burimet e kufizuara të një ekonomie në zhvillim dhe kapacitetet e kufizuara të një shteti të ri. Ne jemi një nga vendet më të varfra në Evropë. Vitet e aparteidit, luftës dhe keqmenaxhimit të burimeve tona ekonomike të pasluftës kanë lënë gjurmët e tyre të pagabueshme në ekonominë e vendit. Si rezultat, një program ambicioz social-demokratik i zhvillimit ekonomik i bazuar në paradigmën e shtetit zhvillimor duhet të fillojë me burime mjaft të pakta. Përveç kësaj, burokracia jonë shtetërore është e re dhe për këtë arsye pa përvojë. Falë praktikave të dobëta të rekrutimit të qeverive të mëparshme, ka goxha shumë paaftësi edhe në burokracinë tone gjithashtu. Sidoqoftë, ka mënyra për t’i zgjidhur këto probleme. Qeveria ime ka ndjekur disa strategji të ndryshme për t’i trajtuar ato. Këtu dua të përmend shkurtimisht vetëm njërën prej tyre, përkatësisht përfshirjen e komunitetit tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë.
Kosova ka një mërgatë të madhe dhe domethënëse në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara. Pa ndihmën e tyre, as rezistenca jonë paqësore dhe as lufta jonë e armatosur kundër regjimit të Millosheviqit nuk do të ishte e mundur. Që nga fundi i luftës, remitancat e tyre bujare kanë ndihmuar në lehtësimin e varfërisë. Duke vepruar kështu, ata na kanë ndihmuar të blejmë paqen e çmuar sociale. Megjithatë, remitancat janë një mjet mbijetese, jo një mjet zhvillimi ekonomik. Ajo që qeveria ime po përpiqet të bëjë është të mobilizojë komunitetin tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë. Kjo do të thotë të përdorim burimet e tyre njerëzore si dhe kapitalin financiar. Ekspertiza e tyre mund të na ndihmojë të reformojmë burokracinë tonë, sistemet tona arsimore dhe të kujdesit shëndetësor dhe ekonominë tonë. Në vend që burimet e tyre financiare të shërbejnë thjesht si ndihmë humanitare, ne po përpiqemi të krijojmë mundësi për investimin e tyre në ndërmarrje fitimprurëse që do të krijonin vende pune për të rinjtë tanë. Ky partneritet për zhvillimin ekonomik po fillon dalëngadalë të formësohet. Për shembull, qeveria jonë tashmë ka filluar të shfrytëzojë ekspertizën e profesionistëve tanë të mërgatës për qëllime të hartimit të ligjeve dhe politikave themelore që na duhen për të filluar zbatimin e programit tonë ekonomik. Përveç kësaj, qeveria jonë tani është duke emetuar bono për diasporën tonë.
Bono të tilla na ndihmojnë të mbledhim fonde shtesë, duke ofruar gjithashtu një mundësi të sigurt investimi për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit. Sipas mendimit tim, ky ndryshim paradigmatik në marrëdhëniet midis vendit të origjinës dhe mërgatës – domethënë, nga ndihma humanitare në partneritet për zhvillim – është një ndryshim i madh për vendet në zhvillim që përballen me rrethana të ngjashme.
Edhe pse është shumë herët për të gjykuar efektet neto afatgjata të reformave të brendshme të qeverisë sime, treguesit e hershëm flasin mjaftueshëm në favorin tonë. Pavarësisht ndikimeve negative të pandemisë globale COVID-19, vitin e kaluar ekonomia jonë gëzoi një rritje dyshifrore prej 10.53% të PBB-së. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve në qeverinë tonë. Një besim i tillë përkthehet në konsum më të madh, investime më të mëdha dhe të ardhura më të mëdha tatimore. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur një rritje prej 22 për qind të investimeve të huaja direkte, ndërsa eksportet janë rritur 83 për qind. Pa bërë asnjë ndryshim në politikën fiskale, të ardhurat tona tatimore u rritën 34 për qind. Krahas performancës ekonomike, ka pasur edhe ndryshime pozitive në renditjen e vendit tonë në indekset me reputacion ndërkombëtar që ndjekin sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe transparencën. Për shembull, vitin e kaluar Projekti Botëror i Drejtësisë na renditi të parët në Ballkan në Indeksin e tij të Sundimit të Ligjit. Ne kemi përmirësuar renditjen tonë me 17 vende si në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit (të lëshuar nga Reporterët pa Kufij) dhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Me fjalë të tjera, progresi ynë ekonomik po ecën paralelisht me një proces të thellimit demokratik, edhe pse historia na mëson se nuk ka asnjë lidhje të nevojshme midis të dyjave. Për më tepër, sot të gjithë jemi dëshmitarë sesi problemet ekonomike po çojnë në prapakthimin e demokracisë edhe në pjesë të Perëndimit të zhvilluar. Në këto rrethana, përvoja e fundit e Kosovës ofron një shembull pozitiv për të kundërtën dhe një fije shprese shumë të nevojshme.
Jetojmë në kohë të rrezikshme. Në vitin 2020, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë përditësoi orën e tij të fundit të botës nga dy minuta në mesnatë në 100 sekonda në mesnatë – mesnata nënkupton një fatkeqësi përfundimtare për njerëzimin. Kjo është më afër mesnatës që ka qenë ndonjëherë që nga debutimi i saj në 1947. Në arsyetimin e tyre për përditësimin, grupi i shkencëtarëve dhe ekspertëve të njohur përmend mosbesimin në rritje dhe mungesën e bashkëpunimit në politikën ndërkombëtare si një faktor kyç që rrit rrezikun nga kërcënime ekzistenciale të tilla si ndryshimet klimatike dhe lufta bërthamore. Prapakthimi demokratik që po dëshmohet në mbarë botën po kontribuon shumë në një gjendje kaq të dhimbshme të politikës ndërkombëtare. Në këto rrethana kritike, mbrojtja e demokracisë merr një kuptim shumë më domethënës. Duke luftuar për ta mbrojtur atë, ne mbrojmë më shumë se një formë qeverisjeje: ne mbrojmë perspektivat për mbijetesë të denjë njerëzore. Prandaj, dëshpërimi nuk është diçka që mund ta përballojmë në këtë pikë. Udhëheqësit autoritarë të krahut të djathtë po bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin përtej kufijve ndërkombëtarë. Ne demokratët duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Baza morale është në anën tonë. Para se të bëhet tepër vonë, le të sigurohemi që ta kthejmë atë në një terren të lartë politik.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe mezi pres diskutimin tonë./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në forumin “GLOBSEC 2022” në Bratisllavë të Sllovakisë, ku është takuar me deputeten ukrainase Solomiia Bobrovska.
Në këtë forum, Ukraina fitoi çmimin “GLOBSEC 2022”, e që në emër të shtetit ukrainas atë e mori pikërisht deputetja Bobrovska.
I pari i qeverisë tha se me Bobrovskan patën shansin të bisedojnë, për të cilën shtoi se ajo tha se do të ishte më mirë nëse do të ishte në vijën e parë të frontit, duke ndihmuar ukrainasit ta çlirojnë vendin e tyre nga fashizmi rus.
“Putini e ka llogaritur gabim trimërinë e ukrainasve, rezistencën e tyre të ashpër dhe sakrificën për vendin e tyre, i cili ka mbledhur demokracitë botërore që jo vetëm të empatizojnë luftën e tyre, por edhe t’i bashkohen në mbrojtjen e vendit të tyre dhe vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë”, ka shkruar Kurti.
Pjesëmarrës në këtë forum qe edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq si dhe udhëheqës të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. /KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishin në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Bashkë me shumë fëmijë pjesëmarrës panë ekspozitën me piktura të realizuara nga tri nxënëse të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë.
Nxënëset Afërdita Visoka, Anja Rexhepi dhe Alea Hasani, kanë prezantuar 40 piktura në ekspozitën që do të jetë e hapur deri më 3 qershor. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria pret angazhim më të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës.
Ai ka thënë se Kodi i Procedurës Penale i Kosovës mundëson gjykimin në mungesë.
Në një postim në Facebook ai ka shkruar se para tri vjetësh, kërkesa e pashtershme për drejtësi për viktimat, ka sjellë deri te miratimi i një norme të këtillë juridike që mundëson mbarëvajtje të procesit gjyqësor pa praninë e të akuzuarit.
“Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës. Për këtë, brenda vitit të parë kemi shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve special dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Po ashtu, po punojmë në krijimin e Institutit që do dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës, e po punojmë zellshëm në hartimin e strategjisë për drejtësinë tranzicionale”, ka shkruar ai.
Kurti ka shkruar se krimet e luftës nuk parashkruhen, por ditët e vitet ikin shpejtë. Me këto, ka shtuar ai, ikin edhe ata të cilëve shteti u ka borxh vënien e drejtësisë për familjarë të vrarë e për dhimbjen e papërballueshme e cila po mbetet pa përgjigje.
Ai ka thënë se kriminelët e luftës duhet dënuar dhe për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme përgjegjësia më e lartë institucionale, në radhë të parë e Prokurorisë Speciale e pastaj e tërë sistemit.
“Pesha e përgjegjësisë e organeve të drejtësisë tejkalon atë profesionale dhe imponon veprim efikas. Këtë e kemi borxh”, ka thënë ai./ KultPlus.com
Lëvizja Vetëvendosje, ka mbajtur mbledhjen e 47-të të Këshillit të Përgjithshëm, me ç’rast ka marrë pjesë edhekryeministri Albin Kurti.
Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të Këshillit, Kurti ka shtuar se tash imazhi i Kosovës ka një përmbajtje më të re si në kuptimin politik ashtu edhe ekonomik.
“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi ynë në KiE është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparoj më shumë në fushën e drejtësisë. Jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s, e do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, ka thënë Kurti.
Kurti thotë se Kosova ka shënuar progres të shumtë nëpër fusha të ndryshme, duke përmendur edhe rritjen ekonomike.
“Kemi shënuar rritje ekonomike, kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë, kemi luftuar krimin e korrupsionin, kemi avancuar aleancat dhe kemi forcuar raportet me shtet mike. Kosova është bërë fanar i demokracisë në rajon”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, Kosova veçse ka aplikuar për t’u bashkuar në Këshillin e Evropës, pas përjashtimit të Rusisë. /KultPlus.com
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vdekur, shkruan KultPlus.
Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili është shprehur thellësisht i pikëlluar për këtë lajm.
Postimi i tij i plotë:
“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.
Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.
Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo.
I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij.
Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, shkruan Kurti. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë shtetërore të gradimit të znj. Irfete Spahiu me gradën gjeneralmajore në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë e veçantë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, bazuar në kompetencat saj kushtetuese e ligjore, gradoi gjeneral brigade Irfete Spahiu me gradën gjeneralmajore në FSK. Njëherësh, me dekret të Presidentes Osmani, Spahiu u emërua edhe Inspektore gjenerale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni të organizuar në Presidencë morën pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe stafi i lartë ushtarak i Forcës së Sigurisë së Kosovës. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti është duke marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, shkruan KultPlus.
Në një postim në “Twitter”, Kurti ka njoftuar se i ka bërë thirrje Greqisë që të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Në Forumin Ekonomik Botëror, iu drejtova Shtëpisë Greke dhe ftova Greqinë të bashkohet me vendet e tjera të BE-së për të njohur pavarësinë tonë. Takimet tona, kulturore dhe diplomatike, bëhen më të shpeshta ndërsa shkëmbimi dhe bilanci ynë tregtar rritet”, shkruan Kurti.
Kurti pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar për në Zvicrës në një vizitë tjetër zyrtare. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas sulmit që ndodhi në një shkollë në Uvalde në Teksas të Amerikës, ku humbën jetën 19 nxënës dhe 2 të rritur, përcjell KultPlus.
Kurti përmes një reagimi në rrjetin social Twitter ka thënë se është i tronditur nga ky rast.
“I tronditur nga brutaliteti i të shtënave në shkollë në Uvalde, Teksas, që mori jetën e fëmijëve dhe të rriturve të pafajshëm. Në këto kohë të vështira, zemrat dhe mendjet tona janë me familjet e viktimave dhe popullin amerikan. Ngushëllimet më të sinqerta nga populli i Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, e gjithashtu edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. /KultPlus.com
Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.
Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi Abazoviqin për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha.
Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët.
U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve.
U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti. / KultPlus.com
Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar si folës në World Affairs Forum.
Stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike në Republikën e Kosovës u theksuan nga kryeministri në fjalën e tij. Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.
Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e ShBA-ve për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s, tha kryeministri Kurti, ndërsa theksoi edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind.
Ai potencoi indikatorët pozitivë ekonomikë, rritjen ekonomike impresive dyshifrore, si dhe punën drejt themelimit të Gjykatës Komerciale në Kosovë.
Duke folur për potencialin që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit, Kryeministri Kurti tha se në Silicon Valley takoi shumë ndërmarrës, të cilëve u shpjegoi që Kosova është vend i përshtatshëm për investime.
Kryeministri ftoi biznesmenët amerikanë po ashtu edhe ata shqiptaro-amerikanë që të investojnë në Kosovë, për ndërmarrje fitimprurëse për ta dhe zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik për Republikën e Kosovës.
Duke biseduar për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike, kryeministri potencoi kapacitetet për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës. Kryeministri veçoi parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW dhe 27 turbina, si dhe projektin “Solar4Kosovo” me kapacitet prej 70 MW, që njëherësh do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metra katrorë. Ai përmendi edhe negociatat me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, me shumën 236 milionë dollarë, dhe që parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar ekspeditën e tij jashtë Kosovës, duke vizituar shtetin e Zvicrës.
Postimi i plotë:
“Të sigurohemi që fëmijët e diasporës sonë të mësojnë shqip nuk është vetëm një prioritet kryesor i qeverisë sime, por një detyrë patriotike. Diaspora jonë mund të jetë larg atdheut, por integriteti i tyre personal dhe profesional janë çelësi i suksesit të Kosovës, siç thashë gjatë vizitës time në shkollën shqipe Alba Life”, ka shkruar ai në “Twitter”. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të vizitës së tij tre-ditore në Washington DC dhe takimeve që ka zhvilluar me zyrtarë atje përmes një postimi në “Facebook”, përcjell KultPlus.
Kurti ka thënë se qëllimi ynë kryesor gjatë gjithë këtyre takimeve ishte për të avokuar sa më fuqishëm për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian, rritja e investimeve amerikane dhe vëmendja më e shtuar për sigurinë e Kosovës, ishin disa prej temave kyçe që diskutuam në Washington, D.C”, ka shkruar ai.
Kreu i ekzekutivit tha se kanë potencuar se për sigurinë e Kosovës ka nevojë për një demilitarizim të një brezi rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë, kthimin e kampit ushtarak “Bondsteel” në bazë të përhershme të ushtrisë amerikane, si dhe rritjen e mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Zyrtarët e lartë të ShBA-së i njoftuam për progresin demokratik e socioekonomik pas një viti në drejtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për punën e angazhimin tonë në fuqizimin e sundimit të ligjit, sidomos përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
“Nga të gjithë zyrtarët morëm mbështetje shprehimisht për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe pranuam falënderime për ndihmën që u kemi dhënë refugjatëve afganë, për rreshtimin përkrah ShBA-së dhe botës demokratike me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë pas invazionit ilegale të Ukrainës dhe për gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5,000 refugjatë prej atij konflikti”.
“Po ashtu, zyrtarët amerikanë na përgëzuan për qëllimin gjatë vizitës sime në ShBA për të prezantuar mundësitë për investime dhe për të nxitur investitorë potencialë në Kosovë, një faktor ky i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”. /KultPlus.com
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresisti Gregory Meeks, ka thënë në takimin që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, se Serbia duhet t’i pranojë krimet që ka kryer dhe ta njohë Republikën e Kosovës, shkruan KultPlus.
Kurti, i cili është në vizitë zyrtare në SHBA, ka zhvilluar takime të ndryshme me kongresistë.
“Gjatë takimit u diskutua për pasojat për sigurinë e kontinentit të Evropës pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe për rrezikun që ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor paraqet për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
“Kongresisti Meeks tha se Serbia duhet t’i pranojë krimet në Kosovë dhe ta njohë Republikën e Kosovës. Ai tha se marrëdhëniet me Kosovën janë shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.
Po ashtu, bëhet e ditur se Kurti e ka falënderuar kongresistin Meeks për qëndrimet dhe mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës dhe e ka ftuar që ta vizitojë Kosovën. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, gjatë diskutimit që po e bën në Këshillin e Atlantikut, ka thënë se është një gjë shumë e mirë që Rusia u suspendua nga Këshilli i Evropës, por sipas tij nuk do të kishte shembull më të mirë sesa ajo të zëvendësohej me Kosovën, përcjell KultPlus.
“Nëse ju intereson paqja, nuk do të kishte shembull më të mirë se të dëboni Federatën Ruse dhe ta përfshini Republikën e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.
Tutje Kurti tha se Këshilli i Evropës është një organizatë shumë e rëndësishme dhe Kosova duhet të jetë pjesë e saj,/ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe po takohet me zyrtarë të ndryshëm, shkruan KultPlus.
Takimi i tij i fundit, me këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, është përfshirë edhe në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.
Postimi i plotë:
“Këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan është takuar dje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Z. Sullivan falënderoi kryeministrin për gatishmërinë e Kosovës për të pritur të evakuuarit afganë. Ata shkëmbyen mendime mbi agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë ofrimin e ndihmës humanitare nga Kosova për popullin e Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ata diskutuan gjithashtu stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, me z. Sullivan duke shprehur mbështetjen e SHBA-së për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura. Z. Sullivan mirëpriti planet e Kosovës për të kaluar nga varësia e saj nga thëngjilli i linjitit në energji më të pastër dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti është dekoruar me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas, gjatë vizitës zyrtare në ShBA.
Kurti pranoi medaljen nga senatori Zach Nunn me këtë motivacion:
Me kërkesë të senatori nga Qarku Polk, Zach Nunn, Senati njeh dhe dekoron Kryeministrin Albin Kurti, me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas. Kjo dekoratë, e projektuar nga senatori Zach Nunn, është një kryq maltez për qëndrueshmërinë e karakterit, e zbukuruar me stemën e shtetit të Iowas dhe e shënjuar me pikën referuese të Iowas, Kapitolin, që simbolizon përkushtimin ndaj shërbimit.
Albin Kurti në moshën 22 vjeçare udhëhoqi rezistencën kundër regjimit të Millosheviqit dhe kontribuoi në arritjen e lirisë së popullit të Kosovës.
Kur filloi lufta në Kosovë, Kurti u angazhua për integritetin territorial me NATO-n, për t’iu rezistuar sulmeve të Serbisë, si dhe ndihmoi shpëtimin e shumë familjeve shqiptare brenda Kosovës.
Në shkurt 2020, Albin Kurti u zgjodh Kryeministër i Kosovës dhe vazhdoi partneritetin e palëkundur me udhëheqësit e biznesit, të industrisë dhe të bujqësisë në Iowa.
Angazhimi i tij aktiv ndërmjet qyteteve simotra të Kosovës dhe të Iowas, partneritetit të sigurisë me Gardën Kombëtare të Iowas dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe përkushtimi i tij ndaj përpjekjeve të Iowas në përkrahje të Afganistanit dhe të Ukrainës, shënojnë angazhimin e tij meritor për drejtësi dhe paqe ndërkombëtare.
Ne u jemi mirënjohës për shërbimin dhe përkushtimin Tuaj ndërkombëtar për Iowan./KultPlus.com
Për njëmbëdhjetë vjet Iowa luajti rol kyç në ngritjen profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në të bërit e Kosovës kontribuese të sigurisë në botë, duke e përfshirë FSK-në në misionet e ruajtjes së paqes.
Në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell, në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kërkoi që mbështetja për ngritjen profesionale të FSK-së të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për shërbimin e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Iowas në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe për kontributin e deritashëm për Forcën e Sigurisë.
Ai theksoi angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë për ngritjen profesionale të FSK-së. Synimi ynë është të kemi Forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese në mbrojtje të vendit dhe të jetë e ndërveprueshme me partnerët dhe aleatët në ruajtjen e paqes në botë, tha kryeministri Kurti.
Ai nënvizoi nevojën për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive, rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e pajisjeve të reja dhe të avancuara për FSK-në.
Lidhur me situatën e sigurisë në Evropë, pas agresionit dhe invazionit të Rusisë në Ukrainë, kryeministri tha se Kosova është e përkushtuar për stabilitet dhe siguri në rajon dhe nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.
Në takim ishin të pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, koloneli Ejup Maqedonci, dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Iowa, Artan Duraku. /KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar sot masakrat e kryera gjatë luftës së fundit në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan. Ai tha se krime të tmerrshme u kryen në këto fshatra 23 vjet më parë, duke lënë të vrarë 44 persona në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan.
Krahas vrasjeve, nga këto fshatra janë dëbuar me dhunë qindra civilë dhe janë plaçkitur e djegur një pjesë e madhe e shtëpive.
“Për të gjithë ata që e kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë në këtë zonë, ju kujtohet që gjatë majit 1999 në të gjitha këto fshatra, plaçkiteshin, ndaheshin burrat nga gratë, kryhej pushkatimi dhe digjeshin shtëpitë me kufoma brenda. Krime të njëpasnjëshme. Secili më i rëndë se tjetri”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri tha se zakonisht për raste të tilla mungojnë gjykimet, mungojnë vendimet e mungojnë aktakuzat.
“Por në rastin e masakrave në fjalë, për disa prej vrasjeve u iniciua gjykimi në Beograd, si rezultat i kallëzimit penal të bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Aktakuza ishte ngritur në vitin 2010, ndërsa në shkurt të vitit 2014 me Aktgjykim të shkallës së parë tre persona u dënuan me nga 20 vjet burgim, një me 15 vjet, një me 12 vjet, një me 10 vjet, një me 5 vjet, dy me nga 2 vjet burgim, ndërsa ndaj dy personave u tërhoqën akuzat. Por, në shkurt të vitit 2015 Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Apelit në Beograd anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe ktheu lëndën në rigjykim”.
Kurti vazhdoi duke thënë se prej 2015-ës disa të akuzuar kanë vdekur, e disa janë larguar nga aktakuza për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore.
“Megjithatë qysh prej vitit 2015, gjykimi është akoma duke vazhduar. Prej vitit 2015, s’ka asnjë rezultat konkret. Përkundër faktit që janë dëgjuar 116 dëshmitarë në këtë rast, akoma sot, në vitin 2022, nuk ka asnjë të dënuar me Aktgjykim përfundimtar”.
Ai tha se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, derisa shtoi se viktimat meritojnë të pushojnë në paqe, e familjet të jenë të qetë duke e ditur që kriminelët kanë marrë dënimin e merituar./ KultPlus.com
I pari i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në SHBA ka zhvilluar një takim me guvernatoren e Iowas, Kim Rejnolds.
Sipas njoftimit për media nga ekzekutivi kosovar, të dy diskutuan “për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, për rritjen e investimeve, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, shfrytëzimin e potencialit natyror si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve”.
“Në veçanti u vlerësua partneriteti në mes të Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe qëllimi afatgjatë për zhvillimin e ngritjen e mëtejme të saj dhe përafrimin e kushteve për anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftimin për media të qeverisë.
Po sipas të njëjtit njoftim Kurti theksoi se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe se do te vazhdojë të jetë kontribuese për sigurinë në rajon dhe botë, në mbrojtje të paqes dhe vlerave demokratike, përkrah aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë takim, thuhet se morën pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, koloneli Ejup Maqedonci, dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Iowa, Artan Duraku./ KultPlus.com