Sërish unë, në letrën e njëzetetretë të ciklit drunor duke shkruar veten për të kushedi të satën herë, madje edhe atëherë kur shkruaj për ty jam po unë, në veten e dytë. Ti më lexon në qoshen tënde të jetës për një çast, qoftë vetëm për një çast, pa u ndjerë vetëm. Ec zgjuar me të gjitha shqisat, i atypëratyshëm nëpër çdo shkronjë, pa të kaluar asgjë, pa u ndalur në asnjë, si nëpër tespih lutjesh. Është mëtimi më i bukur për të mbushur boshllëkun e të arrish atje ku dot nuk shkon, në mua, në ty, në tjetrin. Ç’të duhet poezia, thanë ata që më ndaluan pragun, si t’ua shpjegoja të kuptonin se, kisha gjetur krahëhapur kanatat e fjalës gjer në apogjeun e shpirtit, ku të takova ty, apo të krijova vetë, nuk e di. Më beso, fati është një shaka kozmike për të humburit e fillit në labirinthin e kohës që matet me tonën prani. Sërish unë, vij rrokafundit me një nënshkrim të kuqërremtë nëntori mbi gjethen e mbrame që përtoket, kur ndalem e shikoj si të kanë sjellë sot tek unë duart e mia./KultPlus.com
Albina dhe Familja Kelmendi do të ngjiten sonte në skenën e Eurovizionit për të perfomruar për së dyti herë këngën e tyre „Duje“, pasi që siguruan finalen.
Shqipëria në natën e dytë gjysmë finale ishte e para që u kualifikua në finale.
Performanca e Albines dhe Familjes Kelmendi në bazë të klikimeve në Youtube është një ndër më të shikuarat. Aktualisht ka arritur 1 milion klikime, derisa shifra milionshe kanë kapur edhe Izraeli, Kroacia, Norvegjia, Suedia, Italia, Çekia.
Albina dhe familje e saj sonte do të përformojnë të dhjetit në radhë./21Media/KultPlus.com
Këngëtarja nga Kosova, Albina Kelmendi, e cila denjësisht po përfaqëson Shqipërinë në Eurovision, të enjten mbrëma u ngjit në skenën e Liverpulit.
Ajo së bashku me Familjen Kelmendi elektrizuan sallën e “M&S Bank Arena” dhe kështu siguruan të parët votat e audiencës për ta çuar vendin që përfaqësojnë në finalen e madhe të kësaj gare evropiane.
Me të nisur kënga “Duje”, e gjithë skena e këndimit u shndërrua në kuq e zi – ngjyra këto që përkonin me flamurin kombëtar.
Për paraqitjen më të rëndësishme në karrierën e saj deri më tani, Albina ishte përkujdesur që të vishej me një kostum të zi e të dekoruar me copëza metali që në tërësi dukej si ato veshjet tradicionale të nuseve shqiptare, por njëkohësisht ngjasonte edhe me heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Madje në një çast kur kënga u bë edhe më ritmike, Albina & Familja Kelmendi i nxorën pecetat dhe filluan të vallëzojnë (pjesërisht) valle kombëtare – kështu duke e vulosur identitetin e tyre.
Pas kualifikimit, ajo ka bërë një prononcim për media, ku ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë si vëlla dhe motër që kanë një nënë Shqipërinë e Madhe.
“Ne jemi të një gjaku, të të njëjtit nacionalitet. Kosova dhe Shqipëria janë si vëlla dhe motër dhe ne kemi një nënë që është Shqipëria e Madhe”, tha Albina.
Shtetet tjera që arritën të kualifikohen në natën e dytë gjysmëfinale janë edhe Qiproja, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia.
Ndërkaq, në natën e parë gjysmëfinale, për finalen e së shtunës u kualifikuan Kroacia, Moldavia, Zvicra, Finlanda, Çekia, Izraeli, Portugalia, Suedia, Serbia dhe Norvegjia.
Tani këto 20 shtete, plus gjashtë të tjera, në mesin e tyre fituesi i vitit të kaluar që është Ukraina, por edhe “pesëshja e madhe”, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia, do të garojnë të shtunën mbrëma për finalen e madhe të Eurovision 2023, me ç’rast juria dhe publiku do të vendosin për fituesin.
Kujtojmë se nga viti 2004, kur Shqipëria u paraqit për herë të parë në këtë garë, asnjëherë nuk arriti ta fitojë atë. Pozita më e lartë e arritur është vendi i 5-të në vitin 2012 me këngëtaren Rona Nishliu.
Tani Albina & Familja Kelmendi shpresojnë se do ta shkruajnë historinë duke u renditur më së larti në Eurovision.
Kush është Albina Kelmendi?
E lindur në Pejë më 27 janar të vitit 1998, qysh në moshë të re ajo nisi të merrej me muzikë dhe shkrim të teksteve.
Kelmendi mori famë në moshën 16-vjeçare në finalen e “The Voice of Albania”, kur të katër gjyqtarët pëlqyen paraqitjen e saj.
Në qershor të vitit 2022, ajo publikoi albumin e saj debutues, “Nana”, i cili u vlerësua pozitivisht.
Ndërsa më 23 dhjetor 2022, Albina & Familja Kelmendi u shpallën fitues nga votat e publikut me këngën “Duje” në edicionin e 61-të të “Festivalit të Këngës” në RTSH. Me këtë fitore u vendos se ata do ta përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision 2023.
E quajtur Albina & Familja Kelmendi, asaj i bashkohen në grup nëna Albana, babai i saj Bujari, vëllai i saj Albini dhe motrat Vesa dhe Sidorela.
Ky është teksti i këngës përfaqësuese të Shqipërisë në Eurosong:
Diçka mrena Frymën ma nal’ S’di çka bohet, bohet Po du me e nal’ (Ç’ka o ka bohet?!) Krejt tu i pas’ E krejt tu i pas’ S’po muj me u k’naq
Jan’ tu u nda Vec për nji fjal’ Jan’ tu u nda Dashnin’ kan’ vra Jan’ tu u nda E kan’ harru Se kan’ nji shpi Sofër me f’mij’
Duje! Si dikur ti duje At’ dashni ti ruje! Si jeten ti duje! Mos e gjuj me gure! Si dikur ti duje At’ dashni ti ruje Sa jeten ti duje!
Jan’ tu u nda Vec për nji fjal’ Jan’ tu u nda Dashnin’ kan’ vra Jan’ tu u nda E kan’ harru Se kan’ nji shpi Sofër me f’mij’
Duje! Si dikur ti duje At’ dashni ti ruje! Si jeten ti duje! Mos e gjuj me gure! Si dikur ti duje At’ dashni ti ruje Sa jeten ti duje! (Duje , duje) Jan’ tu u nda (Duje, duje) Vec për nji fjal’ Jan’ tu u nda Dashnin’ kan’ vra ( Duje, duje) Jan’ tu u nda (Duje, duje) E kan’ harru Se kan’ nji shpi Sofër me f’mij’ (Duje, duje)/Klan Kosova/KultPlus.com