Themelohet Kori i Grave “Muza” në Gjilan, Albina Jakupi: Jetësoni ëndrrën tuaj, asnjëherë nuk është vonë

Mësuesja e muzikës Albina Jakupi ka sfiduar vetën edhe më një iniciativë të re për komunitetin e Gjilanit, përkatësisht gratë, e cila tashmë ka sjell formatin e korit të grave “Muza”, që tashmë edhe ka nisë me grupin e parë të grave, shkruan KultPlus.

Në njoftimin zyrtar të këtij kori thuhet se në këtë kor do të promovohen këngët e mirëfillta popullore dhe qytetare.

Albina Jakupi ka thënë për KultPlus se iniciativa për themelimin e këtij kori ka ardhë si rezultat duke u bazuar në përvojën e saj të gjatë si mësuese e muzikës, dhe kjo përvojë ka bërë që të njohë shumë nëna të nxënësve të saj, të cilat i kanë treguar për ëndrrat e tyre të parealizuara, të qenit pjesë e skenës, pjesë e muzikës.

“Gjatë përvojës time si mësuese e muzikës kam pas rastin të njohë shumë shumë nëna të cilat më kanë treguar se dëshirë e hershme e tyre ishte këndimi, por rrethanat e atëhershme, por edhe mospërkrahja nga familjet e tyre, këto ëndrra u kanë ngelë në sirtarë”, ka thënë Jakupi, e cila ka shtuar se pikërisht këto dëshira të fjetura e kanë shtyrë që të themelojë këtë kor dhe të krijojë një vend të përbashkët për gratë që duan muzikën.

“Njoh gra të moshuara, të pensionuara që e kalojnë kohën të mbyllura në shtëpi nga që iu mungon një hapësirë, vend argëtues për to. Duke ditur ndikimin pozitiv që ka muzika – kënga,  e gjithashtu edhe skena, unë kam menduar të formoj korin e Grave “Muza””, ka thënë Jakupi për KultPlus e cila në të njëjtën kohë ka ftuar të gjitha gratë që duan të jenë pjesë e këtij kori të lajmërohen për regjistrim, pasi që regjistrimi për të qenë pjesë e këtij kori është gjithnjë i hapur.

Jakupi ka njoftuar se të gjithë ata që duan të lajmërohen pë korin “Muza”, mund të lajmërohen në https://www.facebook.com/profile.php?id=100092232620352./ KultPlus.com