Albina Kelmendi, fituese e festivalit “Kosovarja këndon” (FOTO)

Albina Kelmendi me këngën “Midis ballit ma ke një pikë” ka arritur të rrëmbej mbrëmë çmimin e parë të edicionit të 45 –të, të Festivalit “Kosovarja këndon”, përcjellë KultPlus.

Këngëtarja Kelmendi ka fituar edhe çmimin e Klubit të Gazetarëve “Haki Braha” , çmim ky i titulluar “Skender Idrizi”, i cili tradicionalisht dhurohet në qytetin e Ferizajit dhe për synim ka promovimin e këngëtareve të reja të muzikës popullore.

Në një konkurrencë prej 11 solisteve, juria profesionale në përbërje, Gerti Duga profesor dhe kompozitor nga Tirana, Lindita Isufi dirigjente dhe profesoreshe, si dhe Fahri Beqiri kompozitor, vendin e dytë ju nda Loreta Zeqirit me këngën “Kënga shpirtin ma rrëmben”, ndërsa vendin e tretë e fitoi Majlinda Cikaqi me këngën “Te çeshmja e kishës”. Kurse Çmimi Special “Nexhmije Pagarusha” e fitoi Arta Elezi me këngën “Poçari”.

Festivali “Kosovarja këndon” u mbajt për të 45-ën herë me radhë. Në këtë festival me një program të pasur kulturo-artistik u paraqit edhe Ansamblin shtetëror nga Shqipëria me udhëheqësin artistik Gerti Druga./ KultPlus.com