Albion Rrahmani e kryen me sukses operimin e kyçit të këmbës

Futbollisti nga Kosova, Albion Rrahmani, pësoi frakturë në kyçin e këmbës së djathtë dhe i është nënshtruar me sukses operimit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi, Rrahmani njoftoi se operimi ka shkuar me sukses, derisa falënderoi Federatën e Futbollit të Kosovës dhe stafin mjekësor që treguan gatishmëri të lart veprimi në mënyrë profesionale.

Postimi i plotë:

“Të dashur miq, dje me sukses përfundova operimin nga lëndimi i pësuar në ndeshjen e fundit me kombetarën Federata e Futbollit e Kosovës – Football Federation of Kosova🇽🇰.
Dua të ju falenderoj të gjithë juve për mesazhet e shumta dhe përkrahjen që keni treguar për mua dhe familjen time në këto ditët e fundit, falenderoj jashtëzakonisht shume stafin mjeksor të kombetarës së Kosovës që të cilët nga momenti i lëndimit treguan gatishmëri të lart veprimi në mënyrë profesionale, poashtu dua ta falenderoj përzemërsisht ekipin tim @fcrapid1923oficial 🇱🇻të cilët nga momenti i parë ishin afër meje dhe më ofruan dhe janë duke më ofruar shërbimet më të mira të mundshme mjeksore dhe çdo gjë tjetër që kam nevoj.
Faza e rikuperimit për mua fillon nga tani dhe ju premtoj që do të rikthehem më i fort duke luftuar për gjëra të mëdha së bashku me përkrahjen e juaj.
Faleminderit.”, shkroi Rrahmani në rrjetin e tij social “Facebook”.

Rrahmani po kalon një stinor të jashtëzakonshëm në klubin “Rapid” në Ligën e Rumanisë, pas transferimit nga FC Ballkani. /KultPlus.com

Shkëlqimi i Rrahmanit në Evropë (VIDEO)

Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, po vazhdon shkëlqimin e tij në Ligën e Rumanisë me ekipin e Rapidit të Bukureshtit, shkruan KultPlus.

Së fundmi, Rrahmani ka realizuar edhe dy gola të tjerë në ndeshjen e tij ndaj Dinamos së Bukureshtit.

Pas debutimit që pati me dopietë, matadori kosovar arriti që të shënojë edhe një herë tjetër në një episodë të ngjashme.

🎥 VIDEO: GOOL 35’ https://shorturl.at/erAH0

🎥VIDEO: GOOL 82’ https://shorturl.at/jryB

Rrahmani ka luajtur fillimisht te Malisheva, pastaj te Ballkani me të cilin u shpallën edhe kampion, për t’u transferuar në fund në Rapid. /KultPlus.com

Zyrtarizohet transferi i Albion Rrahmanit në Bukuresht

Albion Rrahmani është lojtar i Rapidit të Bukureshtit.

Klubi ka njoftuar zyrtarizimin e tij  nëpërmjet rrjetit social Facebook.

‘’Lewandowski’’ i  Malisheves u transferua për 600 mijë euro nga skuadra e Fc Ballkanit.

Ai tha se ndihet shumë mirë dhe ndihet i emociunuar.

“ Uroj të dëshmoj vlerën time para tifozëve dhe klubit sa më shpejt që të jetë e mundur. Mezi pres të debutoj dhe të marr disa paraqitje”, tha ai në një prononcim pas zyrtarizimit.

22-vjeçari tregoi se pse e zgjodhi skuadrën nga Bukureshti.

“Zgjodha Rapid-in për shkak të projektit që kërkon të zbatohet këtu. Është një projekt shumë i mirë dhe ndjeva se është më e mira të jem këtu”, u shpreh ai.

Ish- sulmuesi i Ballkanit, nënshkroi kontratë trevjeçare me ekipin transmenton Klankosova.tv / KultPlus.com

Albion Rrahmani, nga ideja për të lënë futbollin deri te suksesi kolosal për t’u bërë kampion

Uranik Emini

Nuk mjaftojnë vetëm ëndrrat për të shkëlqyer në futboll. Sfidat nëpër të cilat kalon një futbollist janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga vështirësitë financiare, mungesa e ambientit për të ushtruar, vështirësit për të gjetur ekipin e duhur dhe probleme të tjera të ndryshme të cilat mund të shfaqen gjatë rrugës. I ri në moshë por me një karrierë tanimë të bujshme, Albion Rrahmani, vjen si një kampion në një intervistë për KultPlus, duke shpjeguar shumëçka nga e kaluara e tij dhe e ardhmja, të cilën e pret edhe më të suksesshme sesa ajo tani, shkruan KultPlus.

I njohur ndryshe edhe sikurse “Lewandoski”, një prej sulmuesve më të mirë në botë, Rrahmani ka kaluar në disa klube gjatë karrierës deri tani, mirëpo shkëlqimin e suksesin më të madh e shijoi me klubin nga Suhareka “FC Ballkani”.

Rrahmani arriti që të plotësojë ëndrrën e tij të fëmijërisë, duke u shpallur kampion i Superligës së Kosovës dhe gjithashtu arriti suksese kulminante në arenën ndërkombëtare, duke qenë njëri prej golashënuesve më të mirë në “Conference League”.

Rrahmani tregon se fëmijëria e tij ka qenë shumë e vështirë për shkak të kushteve të cilat kanë qenë në Kosovë.

“Së pari kam filluar të stërvitem me babin tim, pastaj jam regjistruar te klubi i futbollit “KF Llapi”, ku aty i kam kaluar të gjitha kategoritë deri te U-19. Unë si futbollist nuk e kam pas fare lehtë për arsye të ndryshme në të cilat i kam kaluar, me dëshirë, vullnet dhe pasion për futbollin, nuk jam ndalur asnjëherë deri këtu ku jam sot. Ëndrrat e mia të fëmijërisë kanë qenë dhe janë të mëdha për t’u bërë një futbollist i nivelit të lartë pasi qe idoli im është Cristiano Ronaldo”.

Ai tutje rrëfen se klubi KF Besiana ishte klubi të cilin e ka ndjekur që kur ishte një fëmijë i vogël dhe inspirimi i tij më i madh ishte pikërisht babai.

“Klubi që e kam ndjekur më herët ka qenë KF Besiana po ashtu edhe Llapi pasi që babi im ka qenë pjesë e këtyre dy klubeve për shumë vite dhe ka qenë dëshira ime që një ditë të bëhem si ai”, tregon Rrahmani.

Albion dhe Driton Rrahmani (babai i tij)

Shumë njerëz gjejnë inspirim prej gjërave të ndryshme, dikush duke ndjekur edhe idhujt që i kanë përcjellë gjatë gjithë jetës. Njësoj ishte edhe për Albionin, i cili është rritur duke shikuar portugezin Cristiano Ronaldo.

“Idoli im është Cristiano Ronaldo, e kam përcjell që nga fëmijëria gjatë gjithë kësaj periudhe dhe do të mbetet gjithmonë preference ime. Është modeli më i mirë për t’u ndjekur nga një futbollist”, thotë ai.

Kalimin nëpër disa faza si një futbollist i ri, Rrahmani e kishte bërë te qyteti nga ku edhe ai vjen, pikërisht te KF Llapi.

“Kur kam përfunduar U-19 te klubi i Llapit nga aty kam kaluar në Ligen e dytë te klubi i Minatorit të Magurës për një gjysmë sezone ku kam shënuar 18 gola. Në sezonin e dytë kam kaluar te klubi KF Bashkimi Koretin ku aty kemi zhvilluar vetëm dy ndeshje dhe kam shënuar katër gola, pastaj është ndërprerë kampionati për shkak të Covid-19. Në sezonin e re kam kaluar te klubi FC Malisheva ku kam qëndruar një vit dhe kemi arritur që të shpallemi kampion dhe të futemi në histori të klubit të Malishevës, ku në atë vit kam shënuar 18 gola, pastaj nga Malisheva kam kaluar te klubi FC Ballkani. E pikërisht atë vit jemi shpalluar kampion për herë të parë në histori të klubit dhe kemi marrë pjesë në garat evropiane”, rrëfehet tutje Rrahmani.

Sukses kolosal për të arritur qëllimet e mëdha

“Realizimin e qëllimeve të mia te FC Ballkani janë bërë realitet, e unë besoj që e kam ndihmuar klubin në objektivat që ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve. Jam shumë krenar që e kemi arritur këtë sukses për t’u kualifikuar për herë të parë në garat evropiane në histori të futbollit të Kosovës”, thotë tutje, Rrahmani, duke shpjeguar gjithashtu se për të arritur te ky sukses ka qenë një rrugë e vështirë dhe ka kërkuar punë e angazhim të madh.

Sulmuesi kryesor i skuadrës së Ballkanit, pati paraqitje magjepsëse në garat evropiane, duke arritur që të shënojë shtatë gola dhe të asistojë tre herë. E sipas tij, ky sukses nuk do të arrihej asnjëherë pa ndihmën e bashkë lojtareve, pa të cilët nuk do të ishte këtu ku është tani.

Moment “pendese” përpara shpërthimit

Lojtari i Superligës së Kosovës rrëfen se kishte menduar që një ditë ta linte futbollin, për shkak të një momenti negativ që iu ishte paraqitur gjatë kohës sa ishte “Junior” te KF Llapi.

“Po e kam një moment shumë negativ që e kam menduar ta lërë futbollin kur kam përfunduar Junioret e Llapit, por me insistimin dhe dëshirën e babit qe ka pasur çdo herë për futbollin, unë nuk jam ndalur asnjëherë që ta bëj krenar dhe ai të mburret me sukseset e mia”, thotë ai.

“Nder dhe krenari të veshësh fanellën e kombëtares, jemi një Kosovë e Shqipëri”

Rrahmani shton se është një dëshirë edhe më e veçantë që t’i mbrojë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës sepse këtu u lind dhe u rrit si një futbollist, por asnjëherë nuk do të refuzonte një ofertë nga Kombëtarja e Shqipërisë.

“Patjetër që është një dëshirë shumë e veçantë që t’i mbroj ngjyrat e Kombëtares së Kosovës sepse këtu kam lindur dhe jam rritur si futbollist dhe dëshira ime është për të luajtur për vendin tim, por edhe te Kombëtarja e Shqipërisë do isha krenar që ta pranoja ftesën sepse ne jemi një, është nder dhe krenari ta veshësh fanellën e këtyre dy kombëtareve, për të cilat krenohemi që i kemi”, shpjegon ai.

Edhe pse sporti i futbollit mbetet një prej sporteve më të popullarizuara në Kosovë, infrastruktura e këtij sporti në vendin tonë nuk është më e zhvilluara në botë dhe rrjedhimisht një prej qëllimeve kryesore që të rinjtë kanë, është largimi drejt një klubi evropian dhe pjesëmarrja në garat evropiane.

“Qëllimet e mia janë që të luaj për ndonjë klub të madh europian, por ende nuk ka oferta konkrete kështu që mbetet të shihet gjatë afatit kalimtar”.

“Mos u dorëzoni asnjëherë”,

është një prej mesazheve që Rrahmani tenton t’ua përcjellë lexuesve të KultPlus, pasi ai beson se një ditë do të shpërblehet puna gjithsesi, pa marrë parasysh vështirësitë që i kaloni gjatë rrugës.

Ndërsa, sa i përket mesazhit për vitin 2023 dhe qëllimeve të tija të ardhshme, Rrahmani thotë se synim kryesor i tij është përsëritja e suksesit të vitit të kaluar.

“Nëse nuk kaloj te ndonjë klub evropian qëllimet e mia janë që të shënoj gola sa më shumë, ta ndihmoj klubin drejt mbrojtjes së titullit kampion dhe pse jo ta përsërisim përsëri atë sukses që kemi pasur në Arenën Ndërkombëtare”, përfundon ai.

Disa njerëz janë të destinuar që të kenë sukses në jetën e tyre dhe të kalojnë nëpër shumë sfida për t’u kurorëzuar kampion në fundin e rrugëtimit të tyre. Njësoj bëri edhe Albion Rrahmani, i cili duke punuar, rritur dhe angazhuar vazhdimisht, jehoi emrin e tij në gjithë arenën ndërkombëtare, duke treguar se fjala dorëzim nuk ekziston një fjalorin e tij. /KultPlus.com

KultPlus në shtëpinë e çdo lexuesi, në ditët festive me intervista ekskluzive

KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.

Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2023.

Albion Rrahmani, Detina Zalli, Kushtrim Koliqi, Tom Kuka (Enkel Demi), Shukrije Ramadani, Albana Krasniqi, Ilaz Bylykbashi, Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Besa Llugiqi, Elez Nikçi, Adelina Paloja, Mrika Nikqi, vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.

Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.

Urime festat! /KultPlus.com