Rolling Stones dhe Beatles janë padyshim dy nga grupet rock më të suksesshme të të gjitha kohërave, dhe janë të shumtë kritikët muzikorë që mendojnë se sukseset e dy grupeve britanike, jo vetëm kanë ndryshuar rrjedhën e muzikës moderne, por ndoshta edhe vetë shoqërinë perëndimore.
Nga vitet ’60, fansat e dy grupeve ikonike janë ndarë në mënyrë të qartë për sa i përket muzikës, dhe takimet zyrtare midis artistëve, kanë qenë të pakta.
Por jashtë logjikës tregtare, marrëdhënia mes tyre ka qenë tejet e mirë, madje vetë suksesi i parë i Rolling Stones filloi në vitin 1964 falë këngës “I wanna be your man”, i grupit nga Liverpuli.
Dekada më vonë, ende Paul McCartney tallet me këtë fakt, duke cilësuar grupin si “band koverash”.
Por në fakt, Beatles dhe Stones së bashku kanë shitur më shumë se 800 milionë disqe. Por “gjyshërit” e Rock-ut kanë ende uri.
E përjavshmja amerikane Variety lëshoi ditët e kaluara një lajm të bujshëm, teksa pohoi se Rolling Stones ka ftuar anëtarët e mbetur të Beatles t’iu bashkohen në një album të vetëm.
Sipas medias, disa prej këngëve janë gati, të regjistruara me masa sigurie në një studio të Los Angeles, ku Mc Cartney ka bashkëpunuar me basin, duke përfshirë në projektin historik dhe Ringo Starr.
Albumi i fundit i Paulit magjik ka qenë Mc Cartney III në vitin 2020, ndërkohë që Rolling Stones nuk kanë publikuar asgjë që nga viti 2005, ku realizuan albumin A Bigger Bang, i cili pati reagime të vakëta.
Fansat presin tashmë rezultatin e albumit historik, dhe ndërkohë për shaka tentojnë të sugjerojnë emrin e grupit në ”Rolling Beatles”. / KultPlus.com