Agjencia Kombëtare e Diasporës ka realizuar një album fotografik në nderim të shkrimtarit të madh të kombit, Ismail Kadare, me rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes së tij.
“Kadare dhe Gjirokastra” është një udhëtim nëpërmjet imazheve fotografike në qytetin e lindjes së autorit, në Gjirokastrën e tij të dashur, ku shihet të ecë në rrugicat me kalldrëm, të takojë njerëz që i njeh e jo, të vizitojë vënde që e frymëzuan të krijojë disa nga kryeveprat e tij.
“Realizimi i këtij albumi ishte si një detyrim, që ndjenim se kishim ndaj shkrimtarit të madh shqiptar. Njeriut që bëri Shqipërinë të njohur në mbarë botën, që prej 30 vitesh tsahmë është pjesë e Diasporës, por mbi të gjitha ky është një detyrim që kishim ndaj njeriut që gjuhën letrare kombëtare e ka cilësuar si kryeshenjën e identitetit shqiptar, që e ka mbështetur dhe promovuar identitetin dhe kulturën shqiptare, cka është edhe misioni i Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, tha Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës Sonila Hysi.
Ky album është realizuar nga fotografi Roland Tasho, i cili ka ruajtur fotografi të publikuara gjatë vizitës së Kadaresë në Gjirokastër në vitin 2000 kur u kthye për herë të parë pas migrimit dhe menjëherë shkoi në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastër. Është hera e parë që Ismail Kadaresë i realizohet një biografi e ndërthurur me fotografi.
“Jam njohur dhe e kam fotografuar herët shkrimtarin Kadare. Falë një burse që fitova nga Bashkia e Parisit në vitin 1997 jam takuar dhe fotografuar me shkrimtarin në Paris. Kështu që kur kthehet për herë të parë në vitin 2000, Kadare bashkë me Elenën shkojnë në Gjirokastër. Njëkohësisht shkoj dhe unë bashkë me botuesin e tij Bujar Hudhri. Mezi e prisja këtë rast dhe frymëzuar nga romanet e tij kur i lexoja në rini, doja me patjetër ta fotografoja nëpër sokake duke takuar njerëz në rrugë dhe sidomos doja ta fotografoja në sokakun e famshëm të të marrëve. Gjithë kohën ai ishte i shoqëruar dhe mezi e ndaja herë-herë nga njerëzit që e shoqëronin. Kështu mu dha rasti ta fotografoja te sokaku i të marrëve dhe njëkohësisht më tregonte për këtë rrugicë me emër të çuditshëm”, tregon për Diaspora Shqiptare fotografi Roland Tasho.
Studiuesi Shaban Sinani në parathënien e albumit duke theksuar lidhjen e ngushtë mes shkrimtarit dhe qytetit shkruan: “Ismail Kadaresë i ra detyra e vështirë, tejet e vështirë, që t’u bënte të njohur të gjithëve, vendit dhe botës, se Gjirokastra e tij, Gjirokastra letrare, ishte një polis, një qytet i vërtetë, një qytet i ndritshëm, pavarësisht se me shtëpi-fortesa e me gjirize, me mëhalla të ndërtuara mbi baza farefisnie; një qytet me varosh e qafë pazari, një qytet ku të gjithë thonë për njëri-tjetrin kemi të bëjmë. Duhej të shndërronte në qytet një vend ku të gjithë i drejtoheshin njëritjetrit me nofka dhe zbunime, madje pa emër fare, thjesht në emër të farefisnisë: çupa e Zekatëve, djali i Angonatëve, një nuse në Dunavat, i lojturi i Çiçove etj”.
Për realizmin e fotografive në qytetin e gurtë fotografi Roland Tasho tregon se gjatë vizitës së Kadaresë në vitin 2000 ka realizuar shumë foto, por në këtë album ka zgjedhur vetëm foto nga vizita e tij në Gjirokastër, për të krijuar një udhëtim të shkrimtarin në vendlindjen e tij.
“Realizova mjaft fotografi dhe që në vitin 2000 i ruajta dhe nuk i kisha botuar në asnjë gazetë, apo revistë fotot, megjithëse kisha kërkesa të shumta. Për të fotografuar Kadarenë në Gjirokastër u përgatita dhe u furnizova me filma bardh e zi. (nuk kishte foto me digjital në vitet 2000). Në albumin e sapo përfunduar zgjodha foto nga Gjirokastra që t’i përshtateshin tregimeve të tij për qytetin. Qëndroja gjatë në Gjirokastër dhe çohesha herët në mëngjes, sepse më interesonte shumë të kishte mjegull, shi dhe shfrytëzoja kohën gri pa diell. Një udhëtim tjetër Kadareja ka bërë dhe me rastin e përurimit të restaurimit të shtëpisë së tij në vitin 2016. Me këtë rast të organizuar nga “Akademia e Shkencave” erdhën dhe përkthyesit kryesorë nga e gjithë bota. Dhe kjo vizitë e tij është pasqyruar në libër.”
Roland Tasho shprehet se ky projekt është mjaft i veçantë për të: “Për mua botimi i këtij libri është një ngjarje e veçantë dhe nga më kryesoret në jetën time 39-vjeçare si fotograf. Libri më i rëndësishëm nga 14 librat e botuar nga unë.”
Albumi “Kadare dhe Gjirokastra” së shpejti do të jetë i pranishëm në institucionet kulturore.
Duke u ndalur te realizmi i këtij albumi drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës tha se: “Ne si agjenci përpiqemi të punojmë çdo ditë në forcimin e bashkëpunimit me diasporën shqiptare dhe qëllimi final është ruajtja dhe promovimi i vlerave shqiptare, ruajtja e kulturës, gjuhës traditës. Ndaj ishte dëshira jonë që në këtë përvjetor t’i dhuronim një album “Kadare dhe Gjirokastra” jo vetëm shkrimtarit, por edhe Shtëpisë Muze Kadare këtu në Tiranë, Shtëpisë Muze në Gjirokastër dhe institucioneve të tjera, duke u përpjekur të japim kontributin tonë që publiku ta njohë këtë gjeni të letërsisë sonë edhe nëpërmjet artistëve të tjerë dhe institucioneve që krenohen me veprën e jashtëzakonshme të Ismail Kadaresë. Virtyti më i rëndësishëm njerëzor është mirënjohja dhe ky album është dhurata jonë në shenjë mirënjohje ndaj një ambasadori të veçantë të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, siç është Kadare”.
Albumi u realizua me mbështetjen e ministrit të Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko. /diasporashqiptare/ KultPlus.com