Ed Sheeran ka publikuar trailer-in e albumit të ri “Subtract” dhe në foton e kopertinës, është vetë artisti nën ujë, duke nënkuptuar kështu “mendimet më të thella dhe më të errëta”. Ai foli për tumorin e bashkëshortes shtatzënë, vdekjen e mikut të ngushtë dhe gjyqin në të cilin u përfshi.
“Kam punuar me “Subtract” për një dekadë, duke u munduar të krijoj albumin akustik perfekt, duke shkruar dhe regjistruar qindra këngë me vizionin e qartë se si do të ishin. Pastaj, në fillim të 2022-shit, një seri ngjarjesh ndryshuan jetën, shëndetin tim mendor dhe si përfundim, mënyrën se si e shoh muzikën dhe artin”, u shpreh këngëtari.
“Të shkruaj këngë është terapia ime. Më ndihmon të qartësoj ndjenjat. I shkrova pa menduar këngët. E, për vetëm një javë, zëvendësova një dekadë punë me mendimet dhe ndjenjat më të thella. Brenda një muaji, gruaja ime shtatzënë mori vesh se kishte tumor dhe nuk mund të kurohej derisa të lindte”, tha ai, referuar bashkëshortes dhe nënës të fëmijëve të tij, Cherry Seaborn.
Më pas, u shpreh:
“Miku im i ngushtë, Jamal, i cili ishte si vëlla për mua, vdiq papritur dhe e gjeta veten në një gjyq, duke mbrojtur integritetin dhe karrierën time si tekstshkrues. U përfshiva nga një spirale frike, depresioni dhe ankthi”, shtoi artisti 32-vjeçar, duke përmendur kështu çështjen gjyqësore dhe akuzën për plagjiaturë për këngën “Shape of You”.
Sheeran theksoi se ky album simbolizon emocionet e tij dhe periudhën kur ndihej sikur po mbytej. Ai tregoi se ky krijim është një dritare e shpirtit të artistit dhe një pikëpamje e sinqertë dhe e vërtetë e jetës së tij.
Albumi do të publikohet më 05/05/2023 dhe mezi presim ta dëgjojmë. / KultPlus.com