Bob Dylan publikon këngën “Profeti i rremë”, paralajmëron albumin e ri

Kantautori amerikan Bob Dylan duket se e ka shfrytëzuar mirë kohën e izolimit nga pandemia, për të sjellë gjëra të reja për publikun, shkruan KultPlus.

Në llogarinë e tij në Facebook, Dylan ka nxjerrë këngën më të re të titulluar “Profeti i rremë”, ku edhe bën të ditur se më 19 qershor do të dalë albumi i tij më i ri “Rough and Rowdy Ways”.

Kohë më parë, ai publikoi këngën “Murder Most Foul” që ishte befasi e këndshme për adhuruesit e tij. Kënga e gjatë 17-minutëshe rrëfente vrasjen e presidentit amerikan Xhon Kenedi.

Edhe kënga “Profeti i rremë” ka gjurmët e Dylanit të ri, përveç tekstit, spikat zëri i veçantë dhe zhanri rok.

Albumi “Rough and Rowdy Ways” do të dalë në treg më 19 qershor.

Kujtojmë që ditë më parë edhe rok bendi legjendar “Rolling Stones” publikuan këngën më të re. /bm /KultPlus.com

Ish-aktorja McGowan publikon album kundër izolimit dhe vetmisë

Rose McGowan, ka publikuar një album, të cilin e dizajnoi për të shëruar veten nga vetmia dhe izolimi.

Ish-aktorja McGowan, akuzuesja e përdhunuesit Harvey Weinstein, ka thënë se albumi është realizuar për të ndihmuar të gjithë ata që kanë frikë dhe janë në vetmi.

“Nuk dua të shfrytëzoj rastin për të përfituar nga koronavirusi. Mendova se ky ishte momenti më i mirë për të ndihmuar të tjerët”, ka thënë ish-aktorja e Hollywooodit, transmeton KOHA.

Albumi “Planet 9” është i zhanrit elektronik dhe ka mesazhe për shpresë në lidhje me zhvillimet personale pas pësimit të traumës.

McGowan ishte në qendër të rënies së famës së producentit Weinstein. Ajo i ndihmoi gazetarit Ronan Farrow në nisjen e lëvizjes “Me too”.

Përveç muzikës, ajo ka shkruar edhe librin “Brave”. Në këtë libër flet për përvojat e saj në Hollwood. /KultPlus.com

“Scorpions” synojnë ta lansojnë albumin e ri në vjeshtë të vitit 2020

Kitaristi i “Scorpions”, Matthias Jabs ka deklaruar se bendi po punon në atë që do të jetë albumi i tyre i 19-të, me shpresë që ta lansojnë atë në vjeshtë të vitit 2020.

Kjo do të jetë hera e parë që ish-bateristi i “Motorhead”, Mikkey Dee do të kontribuojë në një studio album të “Scorpions”, shkruan KOHA Ditore. Publikimi i tij do ta pasojë një rezidencë në Las Vegas të cilin bendi e ka planifikuar për korrik.

“I kemi shkruar disa materiale para se të shkonim në turne këtë verë” tha Jabs për “The Metal Bar” (përmes Blabbermouth). “Pra, kemi këngë – rreth 10 sosh, mendoj – por do të na duhet t’i shkruajmë edhe disa pasi të këtë mbaruar ky turne, dhe pastaj të përgatitemi për provat dhe regjistrimet menjëherë pas koncerteve tona në Zelandën e Re dhe disa në Azi.”

Ai vuri në dukje se do të punojnë me producentin Greg Fidelman, rezymeja e të cilit e përfshin grupet Metallica dhe Slipknot. “Plani është të regjistrojmë deri në fillim të korrikut, ku e kemi një rezidencë në Las Vegas për një muaj të tërë,” shtoi ai. “Dhe atëherë, gjatë asaj kohe, ose mund t’i bëjmë punimet përfundimtare ose mikset. Dhe pastaj albumi duhet të dalë në vjeshtë të vitit 2020. Dhe, sigurisht, do të vazhdojmë përsëri në turne.”

Jabs tha se procesi i shkrimit të këngëve të Scorpions ka ndryshuar ndër vite. “Në kohërat e vjetra, unë e merrja kitarën dhe dilja me disa riffa të shkëlqyer dhe emocionohesha për këtë,” shpjegoi ai. “Sot, pothuajse çdo riff është interpretuar tashmë nga unë dhe të tjerët.. Kështu që qasja është paksa më ndryshe – ka të bëjë më shumë me këngën, melodinë, madje edhe me tekstet, ndonjëherë, ato mund të jenë frymëzimi. /KultPlus.com

Ripublikohet albumi i rrallë i Prince

Albumi i rrallë i Prince, “The Versace Experience” do të ketë publikim të plotë, tre vjet pas vdekjes së këngëtarit.

Projekti u publikua për herë të parë në kaseta të limituara dhe iu shpërnda njerëzve që morën pjesë në shfaqjen e Versace në Paris Fashion Week në korrik të vitit 1995. Në atë moment, albumi ishte menduar si një rishqyrtim i albumit atëherë të ri të Prince, “Gold”, dhe përfshiu remikse ekskluzive të “Eye Hate U”, “Gold” dhe “P Control”, si dhe muzikë të rrallë nga bendi i tij “The New Power Generation”.

Tani, adhuruesit do të mund ta blejnë kopjen e tyre, së bashku me dy albume të tjera që po ripublikohen – Emancipation dhe Chaos And Disorder, i cili ishte albumi i fundit i muzikës së re që Prince e publikoi si pjesë e kontratës së tij me Warner Bros në vitin 1996, shkruan KOHA Ditore.

Para vdekjes së tij, Prince kishte refuzuar ta ripublikonte albumin sepse ai shënoi fundin e marrëdhënies së tij kontestuese me kompaninë në fjalë.

Ndërkohë, albumi i trefishtë Emancipation u publikua në nëntor të vitit 1996, vetëm katër muaj pas Chaos And Disorder. Të dy albumet janë publikuar në vinyl për herë të parë.

Të tre albumet do të jenë në dispozicion të fansave nga 20 shtatori. / KultPlus.com

“Western Stars” e shkëput Springsteen prej tradicionales

Albumi i nëntëmbëdhjetë i Bruce Springsteen është cilësuar si shkëputje dramatike prej traditës. 

Aq dramatike madje saqë në intervistat që i paraprinë publikimit, autori i “Western Stars’” u ndje i shtrënguar që t’i sigurojë fansat me termet “shërbimet normale do të vazhdojnë sa më parë që është e mundur”, duke aluduar se do t’u kthehet xhirimeve dhe turneve me bendin “E Street Band” më vonë gjatë këtij viti. 

Zotimi qartazi e vë në pah shqetësimin se “Western Stars” i tmerroi fansat e Bosit për faktin se sa larg cilido prej stileve standarde muzikore të tij e ka shpënë ky album heroin e tyre.

Në të nuk ka gjurmë të stilit dallues të “E Street Bandit” dhe as të tipareve veçuese të solo-albumeve të mëhershme të tij: krejt këto janë zëvendësuar nga orkestrime të këndshme, vargje të bollshme e tipare të muzikës franceze, vokale të buta femërore, tinguj të vakët kitare dhe efekte të shumta vibrimesh. 

Nuk bazohet aq fort në muzikën country. E gjithë kjo përbën shkëputje të qartë, ndonëse ekziston një ndjesi që megjithatë i përputhet qasjes së përhershme të Springsteenit. 

Zëri i tij tingëllon sërish nostalgjik. “E Street Band” dhe kënga “The Ghost of Tom Joad” kanë bazë në muzikën që lulëzoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur Springsteen ishte rreth 12 vjeç.Koha.net/ KultPlus.com

Radio zvicerane promovon solo albumin e Elina Dunit (FOTO)

Këngëtarja dhe kompozitorja e njohur shqiptare, Elina Duni, po rikthehet fuqishëm me një album të ri muzikor.

Albumi i saj i ri solo titullohet ”Partir” ndërsa Radio Kombëtare Zvicerane, ka përgatitur një event të veçantë transmetimi për promovimin e këngëtares me rastin e lansimit të këngëve të saj më të reja.

Për gjithë transmetimin e projektit më të ri të muzikantes shqiptare është përkujdesur gazetari i njohur zviceran Arnaud Robertin për të cilin vet Elina Duni ka shprehur mirënjohje.

Brenda ”Partir”, ka këngë në gjuhën shqipe, melodi të cilat janë dhe duke u transmetuar në radio kombëtare të Zvicrës, njofton Klan Kosova.

“Partir” mund ta keni në duart tuaja nga 13 prilli në Zvicër ndërsa në pjesën tjetër të Europës dhe SHBA-së, mund ta gjeni atë nga 27 prilli./ KultPlus.com

Visar Kuçi sjellë “Modern Waves”, një album i inspiruar nga arkitektura brutaliste e hapësirës ish-Jugosllave

Të martën më 26 dhjetor Visar Kuçi, publikon albumin e radhës të punuar me jazz trion e tij (Enes Bajramliqi, Enver Muhamedi), shkruan KultPlus.

“Modern Waves”, titullohet albumi, që vjen nga Kuçi, një prej artistëve më të spikatur që ka skena kosovare.

“Nji multi-instrumentist, kompozitor e orkestrues, njohës i thellë i zhanreve muzikore prej klasikës, nëpër rock, metal, pop & r’n’b, deri te jazz-i modern, Visari e ka nji staminë të rrallë artistike dhe punon aq shumë sa duket se janë 2 apo 3 Visara në qytet”, thuhet në eventin e publikuar në rrjetin social Facebook.

Visar Kuçi sjellë një punë serioze dhe të thelluar me “Modern Waves”, ku ngreh frymëzimin prek arkitekturës brutaliste të hapësirës ish-Jugosllave.

Bendi: Visar Kuçi – guitar, Enver Muhamedi – double bass dhe Enes Bajramliqi – drums, pas koncertit do të ketë Jam Session me Nesim Maxhunin dhe Ilir Bajrin të cilët bashkkangjiten në skenë.

Promovimi mbahet më 26 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Dit’ e Nat’./ KultPlus.com

“Reputation” i Taylor Swift mban pozitën e parë edhe pas tri javëve në Billboard

Taylor Swift e cila së fundmi ka publikuar albumin e saj të ri, “Reputation” po e mban vendin e parë në tabelën e Billboard për plot tri javë, përcjellë KultPlus.

Deri tani albumi i saj “Reputation” është shitur në 1.6 milion kopje. Këngëtarja Swift, këtë të premte ka lansuar albumin e saj edhe në të tjera platforma ku janë të përfshirë Spotify, Apple Music dhe Amazon.

Kjo mund t’i japë “Reputation” një sukses tjetër në tabelën e javës së ardhshme, ndërsa do të sfidohet nga albumi i ri i U2, “Songs of Experience”./ KultPlus.com

Taylor Swift shpjegon zhdukjen e saj në një poemë personale

Albumi i ri i Taylor Swift “Reputation”, e riktheu fuqishëm këngëtaren në skenë. Duke qenë se ajo ishte larguar për një kohë të gjatë nga publiku dhe ka qenë pasive në rrjetet sociale , ajo rikthehet me një shpjegim përmes poemës “Why She Disappeared”, shkruan KultPlus.

Poema e titulluar “Why she disappeared” tregon arsyet pse ajo u zhduk dhe shpjegon se ajo ndihej e dëshpëruar nga miqtë të cilët i qëndrojnë pranë vetëm në ditë të mira. Brenda letrës përfshihen edhe akuza të tilla si “Mirësia jote është false” dhe “Dhembshuria jote është manipuluese”.

Poema vazhdon të shpjegojë se gjatë largimit të saj nga skena, ajo ëndërronte për “hakmarrjen” dhe për një dashuri që “ishte me të vërtetë diçka” dhe jo vetëm ide e diçkaje. Poema përfundon me dy rreshta që shumë të fuqishëm që lidhen me rikthimin e saj: “Dhe në vdekjen e reputacionit të saj / Ajo u ndie vërtetë e gjallë”./ KultPlus.com

Gillespie, sjellin tetë këngë në albumin e ri ‘Diku, dikur…’

‘Diku, dikur…’ është albumi i tretë i Gillespie i cili përbëhet nga gjithsej 8 këngë, ku do të promovohen këtë të shtunë në Fushën e Basketbollit në lagjen Ulpiana, shkruan KultPlus.

Njoftimin për albumin e ri, Gillespie e kanë bërë nëpërmjet rrjetit social përmes së cilit kanë ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen një performance të gjallë.

“Të dashtun. Jemi afër publikimit të albumit tonë më të fundit. Më 16 shtator, kemi me performu në beton – inspirimin tonë më të madh, edhe afër komunitetit. Po ju ftojmë krejtve me na u bashku në nji performancë të gjallë, në Fushën e Basketit, Rr. Anton Pashku në lagjën Ulpiana, ku kemi me i performu kangt e albumit të ri, por edhe të dy albumeve të kalume”, kan njoftuar Gillespie.

Ky album është incizuar në Stucio C. Muzika, aranzhmani dhe tekstet janë të gjitha prodhim i Gillespie ndërsa producent i albumit është Dritëro Nikqi. Masterimi i albumit është bërë nga Michael Haves.

“Albumi, në formën që po del, vjen si produkt i ni bashkëpunimi me nji numër artistash edhe njerëz të vullnetit të mirë të qytetit tonë të lezeqëm. Muhamed Flugaj edhe Engjëll Sokoli, janë dy prej tyne, që nuk kan pritu me na ndëgju edhe me punu në kopërtinë, libërth edhe fotografi të albumit”, thuhet tutje në njoftim.

Pra më 16 shtator me fillim nga ora 19:00, Gillespie do të sjellin albumin ‘Diku, dikur…’ në lagjen Ulpiana në Prishtinë./ KultPlus.com

Paul McCartney, me këngë për Donald Trump në albumin e ri (FOTO)

Duket se këngëtari dhe kompozitori i njohur britanez, Paul McCartney, ka për të thënë diçka për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në albumin e tij të ri, shkruan KultPlus.

Këtë e bëri të ditur vetë këngëtari, McCartney gjatë një vizite që u kishte bërë studentëve të artit në Institutin e Artit në Liverpool, ka shkruar Billboard, përcjellë KultPlus.

‘Nganjëherë situata në botë bëhet kaq e çmendur, saqë duhet t’i japësh një adresë’, ka thënë përpara studentëve, këngëtari 75 vjeçar, McCartney.

Të bëjë një këngë e cila do të kritikonte, Donald Trup, nuk është edhe krejt e papritur, pasi McCartney, ka përkrahur Hillary Clinton në vitin 2016, dhe së fundmi në një intervistë të realizuar me gazetën australiane, ‘Daily Telegraph’ McCartney ka kritikuar presidentin e SHBA-ve.

‘Unë nuk e përkrahi Donald Trupin. Ai është paragjykues, dhe paragjykimet e tij, me raste janë edhe në mes të njerëzve’, ka thënë këngëtari, Paul McCartney, i cili tani mendimin dhe kritikat e tij për Trump, do t’i sjellë përmes këngës.
Lista e muzikantëve që kanë kënduar apo janë shprehur kundër Trump përfshin Fiona, Death Cab, Roger Waters, Joan Baez, Carole King, Loudon Wainewright III, Billy Bragg dhe Lady Gaga, e cila të mërkurën, lëshoi një deklaratë të ashpër në Twitter, pasi Trump njoftoi ndalimin ushtarëve transgjinorë në ushtrinë amerikane. /KultPlus.com