Ambasadat e shteteve të Quint-it në Kosovë, kanë kujtuar masakrën e Reçakut të ndodhur 21 vjet më parë.
Përmes një komunikate për media të lëshuar nga ambasada amerikane në emër të asaj të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, thuhet se “njëzet e një vjet më parë, masakra që ndodhi në Reçak përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t’i japin fund një katastrofë humanitare”.
“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më parë, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Më tej, në komunikatë thuhet se qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre.
“Qytetarët e të gjitha etnive dhe besimeve ndjehen si në shtëpi dhe të lirë për të jetuar, punuar dhe besuar në paqe me fqinjët e tyre. Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend ‘i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë’. Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, ka përfunduar komunikata e shteteve të Quint-it./KultPlus.com