Baldwini kërkon të kufizohet përdorimi i armëve të zjarrit në sete të xhirimeve

Alec Baldwin ka folur për herë të parë para gazetarëve pas ngjarjes tragjike në setin e xhirimeve për filmin “Rust”, ku aksidentalisht pas gjuajtjes me armë la të vdekur kinematografen, Halyna Hutchins.

Aktori Baldwin ka thënë për mediat se Hutchins ishte mikja e tij më e mirë. Ai po ashtu ka kërkuar që të kufizohet në të ardhmen përdorimi i armëve të zjarrit në produksionet filmike, në mënyrë që të mbrohet siguria e njerëzve.

“Ajo ishte mikja ime më e mirë. Ditën që arrita në Santa Fe dhe filluam xhirimet, ajo, unë dhe Joel darkuam së bashku. Ne ishim një ekip shumë, shumë i mirë”, ka deklaruar Baldwin.

Baldwin u ka thënë gazetarëve se policia e ka udhëzuar që të mos i diskutojë detaje e hetimit.

Ndërkohë, prokurorët e rastit nuk e kanë përjashtuar mundësinë e ngritjes së kallëzimeve penale për rastin.

Hutchins, 42-vjeçare është qëlluar për vdekje gjatë xhirimit të filmit western “Rust” në shtetin New Mexico të SHBA-së. Ngjarja tragjike ka ndodhur një javë më parë, kur Baldwin qëlloi në mënyrë të pavetëdijshme me një armë të mbushur me plumb të vërtetë.

Regjisori i filmit, Joel Souza kishte mbetur i plagosur në krah, pasi ndodhej shumë pranë Hutchinsit. / KultPlus.com

Tragjedi në sheshxhirim: Aktori i famshëm qëllon me armë 2 pjesëtarë të stafit

Aktori i njohur, Alec Baldwin u bë pjesë e një tragjedie teksa xhironte për filmin e tij të ri, “Rust”. Baldwin, aksidentalisht qëlloi me armën që supozohej të përdorej për skenën, duke lënë të vdekur drejtoreshën e fotografisë dhe duke plagosur regjisorin e filmit. 

Sipas autoriteteve të Santa Fe, Baldwin i cili luan dhe është njëkohësisht producent i filmit, ka shkrepur armën duke shkaktuar një incident që përfundoi fatal. 

Autoritetet konfirmojnë se drejtoresha 42-vjeçare e fotografisë Halyna Hutchins, ashtu edhe regjisrori  Joel Souza, 48, janë qëlluar nga aktori Alec Baldwin.

“Hutchins, u dërgua menjëherë me helikopter në spitalin e Meksikës, ku ndërroi jetë pak pas arritjes, e ndërsa regjisori mori ndihmën e parë nga ambulanca dhe aktualisht është nën kujdesin e tyre. Hetimet qëndrojnë të hapura.”- tregojnë autoritetet për The Guardian.

Nga të dhënat e para, thuhet se aktori ka shkuar me vullnet të plotë të flasë me hetuesit dhe është parë i tronditur pas ngjarjes së ndodhur.

Supozohej që arma të përdorej kur të ishte bosh, por hetuesit janë ende duke kërkuar për detajet që do t’i çojnë tek shkaku i aksidentit.

Xhirimet e filmit “Rust” pritej të vazhdonin deri në fillim të nëntorit. Filmi flet për historinë e një djali 13-vjeçar që pas vdekjes së prindërve duhet të kujdeset për veten dhe vëllain. Adoleshenti arratiset bashkë me gjyshin e tij (të larguar prej vitesh) pasi u dënua për vrasjen aksidentale të një fermeri vendas./ KultPlus.com