Kompozitori i njohur Aleksandër Peçi, gjatë një simpoziumi të organizuar disa ditë më parë nga shoqata “Labëria”, argumentoi tezën se polifonia nuk e ka prejardhjen nga muzika bizantine, duke marrë komente të shumta në favor të kësaj teze.
Origjina bizantine e polifonisë shqiptare, sipas Peçit, është një ndryshk mendor por që ka zënë rrënjë edhe në sajtin e UNESCO-s. Tema ka ngjallur reagime herë pas here në opinionin publik, por sidomos mes njerëzve të muzikës dhe akademikëve.
Në fjalën e tij në simpozium, Peçi solli fillimisht kontekstin historik të Perandorisë Bizantine, duke theksuar se nuk mund të vendoset origjina e polifonisë në këtë periudhë, pasi ajo i ka rrënjët shumë më të lashta sesa viti 395.
Duke kaluar në terma profesionalë muzikorë, Peçi u shpreh se shkallët bizantine nuk kanë lidhje fare me shkallën pentatonike, e cila është shtylla kurrizore e polifonisë.
Peçi vijoi duke vënë në dukje se struktura e shumëzërit polifonik me marrës, kthyes, hedhës nuk ka kurrëfarë lidhje me muzikën bizantine. “Dëgjoni qoftë këngët bizantine, qoftë këngët tona polifonike të kuptoni hendekun e madh strukturor, filozofik, estetik, gjeografik, kohor, gjenetiko-zanor, apo të përmbajtjes së teksteve që i ndan”, theksoi kompozitori i njohur.
Sipas tij, që të arrinte perfeksionin që ka sot kjo marrëdhënie e 4 zërave, do të duheshin disa mijëvjeçarë dhe ai ngre idenë se mund të jetë pellazgjia fillesa e polifonisë.
Peçi argumentoi se në gjithë botën, muzikat etnike kanë lindur shumë kohë përpara kristianizmit. Muzika dhe piktura bizantike, sipas tij, është zhvilluar në kisha ortodokse me kryesisht himne që shoqëronin tekste greke, në kisha, manastire, në rituale murgjërisht. “Kush mund të thojë se çfarë lidhje ka polifonia ‘Vajzë e valëve’, ‘Janinës ç’i panë sytë’, e mijëra e mijëra variante të këngëve tona polifonike me këtë kulturë bizantine?” – pyet Peçi.
Argument tjetër që sjell Peçi është pyetja përse nuk ndikoi muzika bizantine edhe grekët që të krijonin polifoninë e tyre. “Kultura bizantine, gjeografikisht i kishte grekët më afër se ne. Por polifoninë e ka Epiri”, theksoi ai.
Argument shumë i fortë, sipas Peçit, është edhe liria pagane e grupimeve polifonike të cilat kanë një shpërthim ku Zoti është thuajse inekzistent në to.
“Po ai elementi tremolo-vibrues i hedhësit i cili sipas meje është imitim i tremolo-vibrimit të valëve të detit që himarjoti e pilurjoti e të tjerë në Labëri e kanë për karshi detin, po ajo gjizandoja tipike e kthyesit (rrëshqitja e zërit) apo e prerësit e marrësit në polifoninë toske. S’kanë të bëjnë me muzikën bizantine”, tha ai.
Peçi u ndal edhe tek shpjegimi i tij për ison, e cila sipas tij, është një fushë magnetike ku tërhiqen tingujt. Këtë teori ai e ka shpjeguar edhe në konferenca që ka pasur në Pragë, Trieste.
Më pas, ai solli një argument të Zhani Cikos, i cili thotë se polifonia jonë zhvillohet me mikrointerval, pra më të vogla se 1 ton e gjysmë toni. E kjo ndarje e shkallës me mikrointervale është shumë më e lashtë se muzika bizantine.
Peçi e përfundoi argumentimin duke theksuar se identiteti i polifonisë sonë popullore është i patjetërsueshëm. Sipas tij, termi isopolifonia është në kundërshtim me përcaktimin që i ka bërë mjeshtri Ramadan Sokoli, i cili e përcaktoi si polifoni popullore. Peçi kërkoi zgjerimin e debatit për këtë temë për të ndryshuar edhe përcaktimin në sajtin e UNESCO-s./atsh/ KultPlus.com