Premiera e veprës GEA 2552 e kompozitorit Aleksandër Peçi, më 1 mars në TKOB

Të mërkurën e 1 marsit, në Teatrin e Operas dhe Baletit do të shfaqet premiera botërore e koncertit GEA 2551, Koncert nr. 5 për piano dhe orkestër, vepër e kompozitorit të mirënjohur Aleksandër Peçi.

Koncerti No.5 i Aleksandër Peçit do të interpretohet nga pianisti francez Pascal Gallet dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e dirigjentit Harlen Nikolli.

Të njëjtën natë, spektatorët do të mund të ndjekin edhe Koncertin nr. 1 për Violinë të Niccolò Paganini-t, nën interpretimin e solistes Laura Llozi dhe dirigjuar nga e mirënjohura Elda Laro.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar të jap premierë në Tiranë koncertin nr. 5 të Aleksandër Peçit. Kjo punë është e jashtëzakonshme, jashtëzakonisht kërkuese”, ka deklaruar përpara koncertit pianisti francez Pascal Gallet.

Peçi me këtë kompozim, udhëton në kohë, disa shekuj, në të ardhmen tonë, duke eksploruar muzikën dhe vetveten.

Koha e parë, e koncertit ka një formë me tetë variacione e një intermexo. Koha e dytë është një rondo me dy episode, kadencë e finale. Koha e dytë, sipas kompozitorit, është një apoteozë gëzimi e feste, me një energji brilante.

Drejtor artistik i koncertit do të jetë Arben Skënderi. / atsh / KultPlus.com

Aleksandër Peçi, 6 vepra muzikore dedikuar Skënderbeut

Me rastin e 555-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kompozitori i mirënjohur Aleksandër Peçi, ka publikuar në faqen e tij online 6 vepra muzikore, dedikuar heroit tonë kombëtar.

Simfonia nr.5 me 10 kohë, muzika e filmit dokumentar “Skënderbeu”  të regjisorit Vladimir Prifti, Vajtimi i Donikës, 2 vepra për piano, Sonata nr 3 për piano “Skënderbeu”.

“Disa prej këtyre veprave janë të reja për publikun”, shkruan Aleksandër Peçi dhe njëra prej tyre është “Vaji i Donikës”.

Ndërkohë ditën e djeshme Radio Qendrore e Bukureshtit ka transmetuar një emision special kushtuar heroit tonë kombëtar dhe mes të tjerash ka transmetuar edhe Simfoninë n5 Skënderbeu të Aleksandër Peçit./ atsh / KultPlus.com

Veprat e Aleksandër Peçit në 60-vjetorin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së

Në kuadër të 60-vjetorit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, janë duke u përgatitur një sërë eventesh “live” dhe të regjistruara, të cilat do i paraqiten së shpejti publikut.

Televizioni Shqiptar në HD2, do të risjellë një koncert të Orkestrës Simfonike RTSH, me vepra të kompozitorit të mirënjohur Aleksandër Peçi dhe pjesë nga Ludvig V. Beethoven, me solist, violinistin virtuoz Elvin Hoxha Ganyev dhe dirigjent Murhan Cen Orhan. Koncerti do të transmetohet në (prime time) ora 21:00 dhe vetë kompozitori Peçi falenderon solistët dhe Orkestrën për 8 vitet punë së bashku dhe 10 veprat e tij të punuara me këta artistë.

Ndërkohë, Orkestra Simfonike RTSH po përgatitet për datën 26 shtator, për koncertin që do të mbahet në TKOBAP. Ky koncert do të shënojë hapjen e sezonit  e njëkohësisht të 60- vjetorit të ngritjes së kësaj orkestre, me një kontribut të paçmuar në vënien në skenën shqiptare të kryeveprave të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Ky sezon dhe koncert gjithashtu shënon debutimin e drejtorit të ri artistik të orkestrës, dirigjentit të mirënjohur francez Aurelien Azan Zielinski.

Programi i koncertit të datës 26 premton muzikë me veprat më të njohura të repertorit vendas e të huaj;  Georges Bizet, Gaetano Donizetti, Tonin Harapi, Endri Sina, Kujtim Laro, Ferdinand Deda e Dmitri Shostakoviç, dhe me dirigjentët Eno Koço, Oleg Arapi e Aurelien Azan Zielinski, si dhe solistët Kostandin Tashko, Merita Rexha Tërshana e Remi Joussemet./ atsh/ KultPlus.com

“Tirana në muzikën e Aleksandër Peçit”, promovohen dy CD-të e kompozitorit

Në kuadër të 100 vjetorit të Tiranës kompozitori Aleksandër Peçi ka publikuar dy CD me punët e tij më të fundit, inspirimi për të cilat është kryeqyteti.

“Tirana në muzikën e Aleksander Peçi” është ky projekti që do të gjallërojë muzikën e Aleksandër Peçit. Dy volume që do të risjellin xhevahiret e Tiranës që gjithmonë ka tërhequr kërshërinë time”, shkruan kompozitori. Një kërshëri e nxitur nga atmosfera festive, gjallëria e ritmeve, ndjeshmëria dhe origjinaliteti.

“Për atë virtuozitet instrumental të jashtëzakonshëm, për atë ornamentike të mrekullueshme te pipzat e Tironës, për zylet e famshme që kur themi zylet nënkuptojmë adrenalinë, kur themi adrenalinë, nënkuptojmë zylet etj”, shprehet për muzikën tradicionale të Tiranës, kompozitori.

Aleksandër Peçi ka lindur në Tiranë më 11 korrik 1951. Kreu studimet për kompozicion në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1974 më pas filloi punë si kompozitor në Estradën e Shtetit (1977–1979), nga 1979-1986 ai ishte drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngët dhe Valleve Popullore. Që nga viti 1986 ai është kompozitor me kohë të plotë. Gjithashtu Peçi është Pedagog dhe që nga viti 1992 jep mësim në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.

Peçi ka kompozuar në të gjitha format e gjinitë e muzikës: këngë, muzikë dhome, simfonike, skenike (si baleti “Kecat dhe ujku”, opera “Oirat”), muzikë filmash e deri tek muzika elektroakustike.

Aleksandër Peçit në vitin 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”. Peçi ka krijuar muzikë për filma të njohur si: “Dasma e Sakos”, “Kur xhirohej një film”, Në shtëpinë tonë”, “Monumenti”, “Gjeneral gramafoni”, Në çdo stinë”, “Fillim i vështirë”, “Tokë e përgjakur”. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com