Premiera botërore e dy veprave të kompozitorit të njohur Aleksandër Peçi solli përjetime të ndjera dhe performanca magjike me nivel të lartë në skenën e TKOB mbrëmjen e djeshme me orkestrën e RTSH-së, dirigjentin turk Murat Cem Orhan dhe violinistin Elvin Hoxha Ganiyev.
Muzika violinistike shqiptare dhe ajo botërore është më e pasur në gjuhë, brendi muzikore, konceptualitet, bashkëjetesë midis modernizmit e klasicizmit,energji sonore filozofi, dhe estetikë muzikore me veprat që solli mbrëmë premierë Aleksander Peçi: Diellore dhe koncerti për violinë e orkestër, “Love”.
Entuziazmi dhe duartrokitjet elektrizuese të publikut ishin finalja e një mbrëmjeje të paharruar.
Programin e hapi vepra për orkestër “Diellore” e cila përmes shpërthimeve sonore të tunxhit sjell një model të ri në një epokë të re të shekullit 21, koncept të ri në ngjyra arkitekture orkestrale e fusion plot shkëlqim kaleidoskopik, cilësi të individualitetit mjeshtëror të kompozitorit Peçi.
Koncerti për violinë e orkestër “Love” është një nga 8 koncertet që Peçi ka shkruar këto 2 vjet kohë pandemike. Katalogu i botimeve të autorit me 917 botime sjell një shifër rekord në Shqipëri e më gjerë, ku një vend dukshëm të pakrahasueshëm, e sjellin prurjet e autorit me 13 koncerte, 15 sonata, 5 simfoni, 6 rapsodi, 2 opera, 2 balete, 120 botime për piano, rreth 20 filma, 7 këngë hite tashmë dhe të tjera.
Me kohën e parë të koncertit për violin “Aria-Jaria”, kompozitori sjell një formë të re të paeksploruar më parë. Është një mendim i miratuar përgjithësisht në botën muzikore se jaret e Shkodrës janë si arie në muzikën tonë popullore qytetare. Janë ato që i ngacmuan autorit idenë që nga “Gjëma e Illyricum”, në vitin 2020, që të hyjë në territoret e kantusit shkodran.
Violina e Peçit, pas një eksperience tek vepra tjetër e tij “Duo in solo”, është shkruar në 2 pentagrame. Pikërisht, kjo marrëdhënie e sensibilitetit të jares me sensibilitetin e telit bosh që luan iso – ostinaton është një nga gjetjet e autorit, gjetje që duhet thënë se në këtë vepër janë të shumta.
Koha e dytë titullohet “Rendofone” ku autori sjell rendje të tingullit ku lëvizjet binare kryqëzohen me lëvizjen ternare dhe episodet alterohen me temën si në një rondo. Peçi është mjeshtër i orkestracionit, ngjyrave multikolorëshe, dialogjeve të shumta mes familjeve të instrumenteve që thyejnë e përthyejnë dritën, që ai pas një eksperience 50-vjeçare mjeshtërisht i krijon.
Koncerti ka një finale marramendëse ku kontrapunktizohen duke çliruar shume energji “Aria Jaria” e finales së kohës së parë, me “Rendofone” të kohës së dytë.
Kompozitori është autori më i ekzekutuar jashtë Shqipërisë në këto 30 vite, me çmime te shumta. Si themelues i “Pianodrom” me 106 produksione për 9 vjet dhe një nga themeluesit e shoqatës “New Music”, është promotor i zhvillimeve moderne në kompozicionin shqiptar. Si profesor ka nxjerrë nga emrat më të rëndësishëm në brezin e ri të kompozitorëve./atsh/ KultPlus.com