Unë nuk jam më ai dashnori i mbushun me pasion Ai i riu, që e bën botën të mahnitet Mjerisht, pranvera e vera ime kanë ikur tashma Dhe s’kanë lanë asnjë gjurmë.
Kupid, ti perëndi i rinisë, dashnisë e vyrtytit! Unë kam qenë shërbëtori yt i bindun Oh, nëse kisha mujt me rilind prapë e me të shërby ty Kisha me të shpërby edhe me ma shumë pasion e zjarr!
Shumë prej frazave për ekzistencën nga Aleksander Pushkini, janë nxjerrë nga poezitë e tij dhe fjalët e shprehura nga personazhet në romanet e tij. Janë të gjitha shumë të bukura, të thella dhe të veçanta, shkruan KultPlus.
Babai i letërsisë moderne ruse ka pasur një ekzistencë të trazuar. Si për mënyrën e tij të veçantë të të parit të botës, ashtu edhe për frymën rebele që e ka dalluar gjithmonë. Për pjesën më të madhe të jetës së tij ai u interesua për politikën, më shumë për etikën e saj sesa për ethet e pushtetit.
“Njerëzit janë shumë të ngjashëm me nënën e tyre të parë Evën: për atë që u jepet nuk janë mirënjohës e të kënaqur. Gjarpri i bind ata të shkojnë me të, drejt pemës së jetës. Ata duan të kenë frutin e ndaluar, ose parajsa nuk do të jetë parajsë për ta”.
Ky poet i madh rus pësoi persekutime të ndryshme dhe jetoi shumë vjet në internim. Pothuajse gjatë gjithë jetës së tij ai nuk njohiu qetësi. Vdiq në moshën 37 vjeç në një duel absurd, por fjalitë e tij mbi ekzistencën ende mbahen mend pas shumë shekujsh. Ja disa prej tyre.
Fraza për ekzistencën dhe vuajtjen nga Alexander Pushkin
Prodhimi i parë letrar i këtij poeti pati një ndikim të konsiderueshëm në romantizëm. Në njërën prej frazave të Aleksandr Pushkinit thuhet: “Vala e zemrës, mashtrimi magjepsës, na bën të vuajmë shumë shpejt”. Kjo frazë pasqyron frymën dramatike që karakterizoi shkrimtarët romantikë të epokës së tij.
Një citim tjetër nga autori rus pasqyron ndjenjën melankolike dhe idealiste tipike të shekullit të tetëmbëdhjetë. “Më mirë të rrimë këtu dhe të presim, mbase stuhia do të qetësohet dhe qielli do të ndriçohet, më pas ne do të jemi në gjendje të gjejmë rrugën tonë përmes yjeve”.
I huaji është i panjohuri
Pushkini u internua sepse ishte pjesë e një grupi sekret politik që ishte kundër monarkisë dhe sepse ai kishte botuar disa vargje që autoritetet i konsideronin subversive. Më vonë, edhe për shkak se në një letër personale u vetëshpall ateist.
Për të gjitha këto arsye, shumë nga fjalitë e Pushkinit për ekzistencën janë të ndërthurura me ndjesinë e të ndjerit larg, të përkatësisë në një realitet që nuk e ndjen të vetin. Një herë ai tha: “Shija e bukës së të tjerëve është e hidhur, thotë Dante, dhe shkallët e një shtëpie të huaj janë të rënda”.
Çdo gjë ka kohën e vet
Një nga temat e përsëritura në citimet e Aleksandar Pushkinit është rinia. Ndoshta sepse e kuptoi që vitet e tij rinore po kalonin shpejt për shkak të gjithë peripecive të tij, ose mbase sepse ai pa në këtë fazë të jetës më të mirën që mund të ofronte shpirti njerëzor.
Në shumë prej veprave të tij ai u drejtohet të rinjve drejtpërdrejt. Një nga frazat më të njohura thotë: “Duke parashikuar zërin e natyrës, ne nuk bëjmë asgjë, por dëmtojmë lumturinë tonë, dhe rinia e zjarrtë fluturon duke rendur pas këtij zëri”.
Realiteti nuk është gjithmonë gjëja më e mirë
Edhe pse veprat e fundit të Pushkinit kishin një ton më realist, poeti kurrë nuk e braktisi idealizmin që e karakterizonte. Ai ishte i vetëdijshëm për këtë, siç mund ta shohim në këtë thënie: “Një iluzion na lartëson më shumë se një mori të vërtetash të ulëta”. Do të thotë që është më mirë të kemi një ëndërr të madhe që na bën të rritemi, se sa shumë realitete të vogla që na bëjnë të mbetemi të mbërthyer në mediokritet.
Në një fjali tjetër ai shpreh këndvështrimin e tij më fort: “Për mua, më e dashur se shumë të vërteta të vogla, është iluzioni që lartëson”. Këtu, ai shprehet qartë se preferon ëndrrën e iluzionit në vend të zakonshmërisë.
Mbi moralin
Tema e moralit është e pranishme në tërë veprën e Pushkinit. Në veçanti, ai kritikonte falsitetin e jetës së oborrit, zakonet e kohës së tij dhe padrejtësitë e thella që pësonte populli. Për këto arsye, ai u kushtoi shumë reflektime këtyre problemeve.
Një tjetër prej frazave të tij të shkëlqyera thotë: “Klishetë morale janë shumë të dobishme kur nuk gjejmë brenda vetes sonë, justifikimet e sjelljes sonë”. Me këto fjalë ai nënvizon zakonin e disa njerëzve të gjejnë justifikime për sjelljen e tyre bazuar në idetë e të tjerëve, që merren si të mirëqena.
Aleksandar Pushkin ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Si një mendimtar, një njeri që jetoi para kohës së vet, ai vdiq i zhytur në borxhe, por në mënyrë paradoksale, ishte Cari Nikolla ai që shleu të gjitha borxhet e tij./KultPlus.com
Po e përkujtojmë sot në 188-vjetorin e vdekjes, poetin Aleksandër Pushkin, shkruan KultPlus.
Aleksandër Sergejevic Pushkini lindi në Moskë më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare.
Më 1811 u regjistrua në një lice ku mësonin fëmijët e Aristokracisë Peterburgase. Ambienti ne lice la gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e djaloshit. Mjedisi aty ishte i pasur me idetë e anti-carizmit. Që në moshë të vogël ai shkroi vjershat e para lirike për gëzimet e jetës, për dashurinë, për miqësinë dhe për natyrën. U bë i njohur me odën “Liria”, poezitë “Cadajevit” dhe “Fshati”. Poezia e Pushkinit u ndalua nga censura cariste, por ajo u përhap dorë më dorë në qarqet përparimtare.
Popullaritetin e poetit anti-carist të gjithë sundimtarët e kishin halë në sy. Intrigat dhe shpifjet arritën kulmin kur poeti pa i mbushur akoma të 38-at. Kështu, një nga poetët më të mëdhenj të Rusisë u vra në duel për çështje nderi, më 10 shkurt 1837./ KultPlus.com
Përse moj hënë argjendore, ti larg nga retë pa pushim, përmbi kanatet e dritores, vërshon të mekurin shkëlqim?
Sa herë që më shfaqesh ti, në shpirt më zgjohen shqetësime, dhe brenga plot me dhembshuri, dëshirë plot me flakërime.
Oh, ikni, ikni o kujtime! o dashuri fatkeqe fli! O, le të mos më shfaqet më, të perdja e errët në dritore, nën dritën tënde argjendore, fytyr’ e dashur si gjithnjë, fytyr’ e ëmbël engjëllore e vashës që s’do ta shoh më.
O ëmbëlsi e dashurisë, plot ledhatime, plot me gaz, plot me shkëlqim të lumturisë, a mund të kthehesh rishmez pas?
I shpejtë porsi një vegim, me ndritë ti në fluturim; U zhdukën hijet krejt papritur, se erdh agimi menjëherë, dhe ti moj hën’e ndritur në qiell u mbyte atëherë! Agimi dritën pse shpërndau? Nga vash’ e shtrenjtë pse me ndau?/KultPlus.com
Aleksandër Sergejeviç Pushkin lindi më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare dhe vlerësohet gjerësisht, si themeluesi i letërsisë moderne ruse. Ky poet i shkëlqyer, elegant dhe romantik, u rrit në kulturën franceze dhe e njihte më së miri si veprën e Volterit, ashtu edhe atë të La Fontenit.
Poeti, dramaturgu dhe romancieri rus, vepra e të cilit, e ushqyer nga trashëgimia klasike evropiane, e hapur ndaj ndikimeve romantike, por shumë e lirë në zgjedhjen e temave dhe formave të saj, çliroi letërsinë ruse nga varësia e rregullave të huaja, Pushkini i ofroi letrat e fisnikërisë gjuhës ruse, duke hapur rrugën për një letërsi të madhe kombëtare me shtrirje universale.
Që prej shkollës së mesme, në Tsarskoie-Selo, Pushkini afirmoi talentin letrar. Në 1820, famën e kërkuar ia dha poema “Rusllana dhe Ludmilla”… po dhe një dëbim në Kaukaz për mendime liberale. U rikthye falë carit Nikolas I në 1826, ku rigjeti jetën shoqërore të Moskës dhe në veçanti botoi dramën kombëtare “Boris Godunovi”.
Natalia Gontaçarova, me të cilën u martua në 1831, duhej ta kishte bërë të lumtur. Por ajo që konsiderohej si një nga gratë më të bukura në Rusi, do të ishte përfundimisht, shkaku i vdekjes së tij: e mikluar nga të gjithë, përfshirë edhe nga Car Nikolas I, ajo përfundoi duke magjepsur një oficer të ri francez, Antes. Më 26 janar 1837, në Shën Petërburg, ai e sfidoi poetin në duel dhe e plagosi atë në ijë. I transportuar në shtëpi, Pushkini vdiq tri ditë më vonë, pa mbushur ende 38-vjeç.
Shumë fraza të shkëlqyera të Aleksandër Pushkinit janë marrë nga poezitë e tij ose çfarë thonë personazhet në romanet e tij. Të gjithë kanë një shenjë të veçantë: ato janë shumë të thella dhe shumë të bukura në të njëjtën kohë.
Thuajse shumicën e kohës ishte i angazhuar në çështje politike, më së shumti për arsye etike sesa për një pasion për pushtet në vetvete.
Aleksandër Pushkini shënoi një epokë, që fare mirë mund të quhet “para dhe pas tij”, në letërsinë ruse.
Ishte një shkrimtar vërtet i rafinuar. Si mendimtar, ai ishte një njeri përparimtar për kohën. Ai vdiq i mbushur me dyshime dhe paradoksalisht, ishte Car Nikolas I që pagoi për këto dyshime.
Mes poezive, risjellim vargjet e famshme:
Letër e Tatjanës, Onjeginit
Po marr guximin që t’ju shkruaj… Ç’do deshit më veç shpirtit tim? E di, se është e drejta juaj Të më dënoni me përçmim. Po ju që e shihni si po vuaj Me pak mëshirë, sado pak, Nuk do më mprapsni zemërake! Më parë desha të rri qetë Për turpin tim besomëni, Ju s’do të dinit kur se si, po të mund të shpresonja vetë Që, kur e kur me plot hare të kem t’ju shoh këtu tek ne Që t’ju dëgjoj si kuvendoni, T’ju them një fjalë dhe pastaj Në zemër veç një mall të mbaj, Veç gjer sa rish të më takoni… Po thonë se ju s’rrini dot Në fshat të heshtur ju mërziti E ne… ne rrojmë me të kotë Plot gas se vini e na aviti. Pse arthtë vetë ashtu në fshat, Na gjettë tek ky vend i qetë? T’ju njoh s’do kisha kurrë fat, S’do kisha turbullimn’ e shkretë. Dhe afsh’ i shpirtit tim në jetë Duke u qetuar (kushedi!). Një mikut mund t’i bëhesha mike Dhe shoqe e jetës e besnike Dhe zonjë e ndershme për shtëpi. Një tjetër… jo askujt në jetë Nuk do t’i falnja dashuri! E ka vendosur Qielli vetë, jam e jotja në përjetësi; Gjithë jeta ime me pat qenë Një peng se ty do të takoj Se Zoti jetën ma ka dhënë Që gjer në varr të adhuroj… Përhera të kam ëndërruar të ndjenja fellë thellë në gjit me atë vështrim që më trondit Në zemër shpesh ta kam dëgjuar ty zërin… jo s’ish ëndërrim! Dhe sapo hyre, të kuptova Më preke fort u përvëlova Thashë ësht’ ai thesari im! S’është e vërtetë? Po, të kam ndjerë Me flisnje kur me dhemshuri ndihmoja njerëzit e mjerë, Më sillte shpesh lutja qetësi, Edhe tashi, ndaj kësaj grime A nuk je ti o ëndrra ime, Që n’errësirë po ndriçon E vjen më prek me nur e hije? S’je ti që plot prej dashurije Shpres’ edhe gas me murmuron? Kush je ti? Engjëlli me shpresë, apo një lajkatar pa besë? Ma hiq tashi këtë dyshim Kjo mbase nj’ëndërr mund të jetë Për zemrën time një zhgënjim E ndryshe krejt fat’ i vërtetë… Po dhe kështu jet’ dhe fat veç ty që sot t’i kam besuar Më qan me lot shpirt i ngratë E mprojtje vij për të kërkuar. Mendo: jam vetë s’kam ku flas askush nuk mund të më kuptoje Mendja fillon të më lëshojë Në heshtje duhet të humbas. Të pres ti eja siç ma k’ënda Dhe shpresat ngjallm’ i përsëri, A ma prish ëndrrën që tashi Me të qortuara të rënda! Mbarova! S’mund ta rilexoj… Po vdes nga frik’ turpëruar Po nderit tuaj i besoj Me plot guxim duke shpresuar…/konica/ KultPlus.com
Digju prapë o llamp’ e zjarrtë, O mike e ditëve plot gëzim Vezullo o gotë e artë, O këngë e shenjtë e shpirtit tim Ku jeni ju o miq të shtrenjtë, O shokë të dashur të Kup(r)idit Na thërret prapë or’ e shenjtë, Sërish po shkrin dëbor’ e dimrit Në ditët e zymta të syrgjynit Shpirti plot plagë veç ndjen gaz, Në orët e shtrenjta të kujtimit Që ju o miq më latë pas Përpara meje ke qëndruar… Ja ti o streh’ e bujarisë, Ti muz’ e shpirtit të shqetësuar Ku prehet zjarri i dashurisë Atje ku kënga na bashkonte, Ku të gjithë ishim betuar Se shpirti ynë do jetonte, Plot afsh e zjarr i dashuruar, Se zemr’ e lodhur s’do pushonte, S’do prehej kurrë në kraharuar, Atje ku ishim krejt të lirë Dhe ngrinim gotat një nga një Këndonim këngë që pa pirë, Bërtisnim s’pyesnim për asgjë Atje dëgjoj sërish një këngë, Këngë poeti të pagjumë Prandaj të lutem që pa brengë, Mbushma gotën që dhe unë Me ju prapë të qesh i lirë, Të pi, të dehem kam dëshirë.
Po e përkujtojmë sot në 219 vjetorin e lindjes, poetin Aleksandër Pushkin, shkruan KultPlus.
Aleksandër Sergejevic Pushkini lindi në Moskë më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare.
Më 1811 u regjistrua në një lice ku mësonin fëmijët e Aristokracisë Peterburgase. Ambienti ne lice la gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e djaloshit. Mjedisi aty ishte i pasur me idetë e anti-carizmit. Që në moshë të vogël ai shkroi vjershat e para lirike për gëzimet e jetës, për dashurinë, për miqësinë dhe për natyrën. U bë i njohur me odën “Liria”, poezitë “Cadajevit” dhe “Fshati”. Poezia e Pushkinit u ndalua nga censura cariste, por ajo u përhap dorë më dorë në qarqet përparimtare.
Popullaritetin e poetit anti-carist të gjithë sundimtarët e kishin halë në sy. Intrigat dhe shpifjet arritën kulmin kur poeti pa i mbushur akoma të 38-at. Kështu, një nga poetët më të mëdhenj të Rusisë u vra në duel për çështje nderi, më 27 janar 1837./ KultPlus.com