Asdreni – poeti, rilindasi, shkrimtari dhe autori i poezisë e cila më vonë u bë himni kombëtar i Shqipërisë

Më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës lindi Aleksandër Stavre Drenova, i mirënjohur si ASDRENI, poeti shqiptar, rilindasi, përkthyesi, shkrimtari dhe autori i poezisë e cila më vonë u bë himni kombëtar i Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Asdreni është autor i Himnit të flamurit, që është edhe Himni Kombëtar, zyrtar për të gjithë shqiptarët.

Aleksandër Stavre lindi më 11 prill 1872 në Drenovë në një familje të varfër fshatare. I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me shtrëngime. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës.

Ngjarjet që pasuan shembjen e shtetit të lirë kombëtar shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 («Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme. si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratikoborgjez të Qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt Kambana e Krujës nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.

Veprat letrare të ASDRENIT janë:

“Rreze dielli”, “Himni i Flamurit”, “Ëndrra e lotë”, “Zëri i kryengritësve”, “Krerëve tradhëtorë”, “Shpërblimi”, “Shqipëria më 1914, “Burri i dheut”, “Himni i festës”, “Fisnikët e Shqipërisë”, “Republika shqiptare”, “Trashëgimi”, “Kambana e Krujës”, “Poezi të Zgjedhura”.

Vdiq më 11 dhjetor 1947. /KultPlus.com

U mbajt koncerti multidimensional “Na flet Asdreni”, Qosja: Shpresoj që shqiptarët gjithmonë të ngrihen në këmbë për Himnin Kombëtar

Era Berisha

Me rastin e 150 vjetorit të lindjes së tij, jeta dhe veprimtaria e pasur e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), mbrëmë u rrëfye dhe u përkujtua mahnitshëm nëpërmjet pjesëmarrjes së Korit kameral “Dardanica” nën dirigjimin e Edon Ramadanit, formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, këngëtarëve si: Zhulieta Sheremeni dhe Artan Bakija, recituesve si: Zamira Kita, Ligoraq Riza dhe Kristian Koroveshi, intervistave të personaliteteve si: Rexhep Qosja dhe Vasil S.Tole, si dhe imazheve që vinë si kujtime nga vetë jeta e Asdrenit, me ç’rast të tëra erdhën të realizuara nga artistë të shquar nga Shqipëria dhe Kosova, shkruan KultPlus.

Teatri Kombëtar i Kosovës priti mbrëmë një numër të madh të pranishmëve të cilët dalëngadalë mbushën sallën plot për të parë nga afër e dëgjuar me kujdes një mori aktivitetesh të planifikuara për natën e mbrëmshme. Ndërsa, kur qetësia absolute gjeti kohën e saj dhe para se aktiviteti i parë të shkelte skenën, për një fjalë rasti doli kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Fillimisht ishte kryeministri Kurti ai i cili tha se në Kosovë përgjatë stinës së pranverës pothuajse çdo ditë këndohet Himni Kombëtar në kuadër të përkujtimit të dëshmorëve së luftës epokale për çlirimin e Kosovës.

“Ju falënderoj për nismën tuaj për të nderuar kujtimin e atdhetarit të madh, Asdreni, i cili na ka dhuruar Himnin e Flamurit tonë. Si sot, vargjet e Himnit i këndojmë sa herë që ngrihet e valëvitet flamuri në përmbledhje solemne përkujtimore e nëpër tubime festive. Këtu në Kosovë sidomos e këndojmë thuajse çdo ditë gjatë stinës së pranverës kur kujtojmë dëshmorët e luftës epokale për çlirimin e Kosovës në vitet 1998-1999. I ka kënduar Adem Jashari me pjesëtarë të familjes së tij në çastet e përballjes finale me armikun, i kanë shqiptuar dëshmorët dhe heronjtë e kombit, prandaj ato janë të pashqitura nga kujtesa jonë kombëtare e do të mbeten të tilla për sa kohë që do të rrojë kombi e atdheu ynë”, thotë Kurti.

Sipas tij, patjetër që Shqipëria do të rrojë, sepse siç e thotë Himni dhe ashtu se siç këndohet: “Për të, për të, luftojmë ne.”

“Asdrenit do t’i mjaftonte vetëm poezia ‘Himni i Flamurit’ për t’u radhitur në plejadën e shkrimtarëve të shquar. Një poezi që sublimoi idetë e luftës tonë të drejtë për liri e pavarësi, si më parë kur ato ishin parashtruara me manifestimin e Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Vargjet e Himnit na flasin për dëshirën e qëllimin e shqiptarëve, për betimin e tyre për shpëtimin e atdheut, na flasin për guximin që duhet tregohet në përballje me luftën e rrezikun por edhe për çdo çast teksa përpiqemi t’i kapërcejmë vështirësitë gjatë rrugës sonë për zhvillim dhe përparim kolektiv”, thotë tutje ai.

Për të, sigurisht që poezia ‘Himni i Flamurit’ është poezia më e njohur e Asdrenit, por Asdreni do ta kishte vendin e tij në plejadën e shkrimtarëve shqiptarë edhe nëse nuk do të ishte autor i Himnit.

“Vepra e tij e parë poetike erdhi në letrat shqiptare kur sapo ishte shuar poeti ynë kombëtarë, prandaj për nga tematika dhe stili, Asdreni u mirëprit si ‘Naimi’ i ri. Me veprat e tij të shkruara përgjatë katër dekadave ai e pasuroi dhe modernizoi letërsinë shqipe krahas poetëve tanë më të shquar si: Fishta, Migjeni, Poradeci etj. Fjalët e Asdrenit janë motivi i këtij spektakli i cili do të shfaqet sonte për të nderuar poetin. Për pjesën më të madhe të jetës së tij, Asdreni jetoi larg atdheut dhe mallin që i buronte nga shpirti e shndërroi në fjalë. Pas pak Asdreni do të na flas sërish përmes talentit të artistëve tanë”, përfundon Kurti.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në anën tjetër tha se kjo që po bëhet sonte për Asdrenin, ka të bëjë pikërisht me amanetin e tij që shqiptarët kudo të jenë të përbashkuar.

“Jemi mbledhur sot për të nderuar dhe respektuar një nga njerëzit më të ditur të kombit, pra atdhetarin, poetin, shkrimtarin, politikanin dhe publicistin e shquar, Asdreni. Kujtojmë sot në 150 vjetorin e lindjes së tij, ‘babain’ e Himnit tonë Kombëtar. Në një moshë fare të re, Asdreni shprehi talentin e tij në letërsi duke ndjekur shembullin e Naimit, Çajupit dhe të gjithë prozatorëve dhe letrarëve të kohës. Shumë shpejt vepra e tij letrare e patriotike u lexua me ëndje në gjithë shqiptarinë. Asdreni bashkëpunoi me gjithë spektrin politik të kohës pavarësisht dallimeve që ekzistonin. Ai i këndoi luftës së Vlorës, Epopesë së Pavarësisë, Kongresit të Lushnjës e të gjitha ngjarjeve të rëndësishme të kohës. Ndonëse është ndarë nga jeta 75 vjet më parë, emri dhe vepra e tij nuk largohet, përveç se afrohet dhe mbetet aktuale dhe shumë e respektuar ndër brezat e shqiptarëve kudo që ndodhen”, thotë Minxhozi.

Sipas tij, me këtë rast ai ndjehet i nderuar të përshëndes bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, në veçanti Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku i cili ka përkrahur këtë aktivitet pa rezerva.

“Kjo që bëjmë sot për Asdrenin ka të bëjë edhe me amanetin e tij që shqiptarët kudo të jenë të përbashkuar. Falë kësaj fryme bashkëpunimi dhe bashkimi ndërmjet simboleve tona, vjen edhe ky koncert i kësaj mbrëmjeje i mbështetur nga drejtuesit kryesorë të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe personalisht nga mjeshtri i muzikës, profesor Josif Minga i cili ka derdhur gjithë talentin e tij për të na dhënë këtë shfaqje që simbolizon Asdrenin tonë të madh”, përfundon Minxhozi.

Me një program të pasur kulturor si dhe imazhe që shfaqeshin përgjatë gjithë kësaj mbrëmjeje e cila përqafoi të pranishmit me përplot kujtime të mbushura me Asdrenin, aktivitetet në këtë mbrëmje të veçantë nisën me intervistën e realizuar me akademikun e njohur shqiptar, Rexhep Qosja, intervistë kjo e cila u shfaq nëpërmjet një videoje dhe të cilën publiku e dëgjonte me një vëmendje të shtuar.

Nga ekrani i shpërfaqur në skenë, të pranishmit dëgjuan rrëfimin e tij mbi jetën e Asdrenit, shpërnguljes së tij në moshë shumë të re, mallit të tij për atdheun, pjesëmarrjeve të tij në data të rëndësishme përgjatë gjithë jetës, talentit unik që posedonte e deri tek vdekja e tij në mjerim.

“Asdreni i takon brezit të tretë të krijuesve dhe veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare. Ai është shpërngulur prej vendlindjes së tij në moshën trembëdhjetë vjeçare dhe ka shkuar në Bukuresht ku ishin shpërngulur dhe vëllezërit e tij më të vjetër. Bukureshti ishte kolonia më e madhe me numrin më të madh të shqiptarëve në botë, ku zhvillohej një veprimtari e madhe patriotike për krijimin patriotik të shqiptarit dhe për krijimin e shtetit të Shqipërisë. Asdreni ka marrë pjesë në shumë veprimtari patriotike atje dhe pos tjerash ka marrë pjesë edhe në mbledhjen historike të vitit 1912 kur është vendos që në Vlorë të shpallet Pavarësia e Shqipërisë”, thotë Qosja.

Sipas tij, Asdreni ka mbajt proces verbalin e mbledhjes historike për Pavarësinë e Shqipërisë dhe njëkohësisht me kërkesën e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, ka bërë Himnin Kombëtar, për të cilën ai shpreson se shqiptarët gjithmonë do të ngrihen në këmbë.

“Në vitin 1914 ka kaluar në Shqipëri me qëllimin për të ndihmuar stabilizimin e pushtetit austriak mirëpo Asdreni u kthye në Rumani me një dëshpërim shumë të madh. Kjo ishte vizita e dytë e tij në atdhe, kurse e treta ka ndodh në vitin 193 8 me shënimin e njëzetepesë vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ku ai mori pjesë në shumë manifestime dhe në fund u kthye në Bukuresht. Ai ishte i zgjedhur tre herë Sekretari i Kolonisë së Shqiptarëve të Bukureshtit, ka marrë pjesë në botimin e një vargu revistash e gazetash, ka marrë pjesë në krijimin e një vargu shoqatash pos të tjerash edhe në një shoqatë të të rinjve në Austri. Ai ka punuar një kohë si mësues i fëmijëve shqiptare për t’ia mësuar atyre shqipen si dhe shumë të tjera”, shpalos Qosja.

Ai tutje tregon se Asdreni ka qenë i emëruar dhe Sekretar i parë i Konsullatës Shqiptare në Bukuresht por feudalët e kanë shkarkuar shpejt. Gjithashtu, Asdreni ka gëzuar një kohë edhe një pension prej disa bashkatdhetarëve të Rumanisë dhe ka vdekur pa familje, në mjerim dhe është varrosur në Bukuresht. Më vonë, eshtrat e tij kah ditët e 80-ta, janë sjell në Shqipëri.

“Asdreni për shkak të jetës së tij, veprimtarisë së pandalshme patriotike, ka shkruar gjithsej 3 përmbledhje vjershash: ‘Rreze dielli, ‘Ëndrra e lotë’ dhe ‘Psallme murgu’. Ai ka lënë 25 vjersha të botuara në gazeta dhe revista, 50 vjersha të pabotuara askund, 29 artikuj dhe proza të botuara në revista dhe gazeta të kohës në Bukuresht si dhe 4 përkthime. 2/3 e poezive të tij janë atdhetare. Vepra “Ëndrra e lotë” është e kushtuar ndaj Edith Durham dhe përmes titujve të vjershave ai ka shprehur të gjitha dëshirat e tij ndaj atdheut. Ai ka organizuar përmbledhjet e tij në mënyrë të jashtëzakonshme”, tregon ai.

Në pjesën e fundit të intervistës akademiku Qosja po ashtu thotë se vepra e Asdrenit ka sjell disa vlera të veçanta në letërsinë dhe poezinë shqipe në përgjithësi.  

“Poezinë e parnasizmit evropian, poezinë e simbolizmit evropian dhe poezinë e ekspresionizmit evropian, e ka modernizuar poezinë shqipe. Për këtë arsye Asdreni quhet njëkohësisht poeti i parë modern shqiptar dhe përmbledhja e tij ‘Psallme murgu’ sipas meje hyn ndër përmbledhjet më të mira poetike në letërsinë shqipe. Asdreni si poeti i është kushtuar idealit që e kanë formuar rilindësit e parë të mëdhenj si: De Rada dhe Veqilharxhi, i cili ka bërë programin e parë kombëtar për shqiptarët. Ata me veprimtarinë e tyre kanë arritur të krijojnë letërsinë shqipe, kanë bërë politikën dhe diplomacinë shqiptare (Abdyl Frashëri), kanë mbledhur krijimtarinë shpirtërore të popullit dhe e kanë botuar e ia kanë prezantuar Evropës për të parë se çfarë kanë shqiptarët dhe e kanë pasuruar gjuhën pasuruar prej fjalëve të huaj”, thotë Qosja.

“Asdreni i ka dhënë prije moderne të re poezisë shqipe. Ky është Asdreni, figurë e madhe e patriotizmit shqiptar, Rilindjes Kombëtare Shqiptare, letërsisë artistike shqiptare dhe e orientimeve të reja historiko-letrare të historisë shqipe.”

Kjo mbrëmje u përcoll tutje edhe me trion e recituesve si: Zamira Kita, Ligoraq Riza dhe Kristian Koroveshi, të cilët me zërin e tyre të gërshetuar depërtuan tek publiku me një emocion të pakrahasueshëm për të sjell kështu disa poezi të zgjedhura nga veprat e Asdrenit. Herë në solo e herë në trio, vargjet e Asdrenit prekën çdo cep të sallës dhe çdo cep të zemrave të pranishme.

Më pas veprat e njohura si: “Lutje”, “Mendjeshkurtët”, “Qyqja” dhe “Pasqyra” u interpretuan aq bukur nga Kori kameral “Dardanica” nën dirigjimin e Edon Ramadanit, saqë nga njëzëri jehues i tyre, këto katër vepra u dëgjuan me ëndje dhe mallëngjim të tejskajshëm. Ndërkaq, në një frymë krejtësisht tjetër erdhën veprat si: “Dua” dhe “Kthime” nga këngëtarët Zhulieta Sheremeni dhe Artan Bakija, të cilët së bashku me shoqërimin e formacionit akustik orkestral të përbërë nga: Meriton Ferizi në fizarmonikë, Drilon Cacaj dhe Endrit Xërxa në kitarë si dhe dirigjentit të formacionit, violinisti Visar Kuçi, ngjallën atmosferën në një nivel tejet të lartë ku fjalët e Asdrenit me muzikën e kompozitorit Josif Minga ndërlidheshin në një trajektore të jashtëzakonshme e cila ëmbëlsisht po shpalosej për publikun.

Po ashtu, dokumentimet e miqve, kolegëve, atdhetarëve në Koloninë Shqiptare të Bukureshtit dhe në të gjitha viset shqiptare nga jugu e deri në veri, shpërfaqeshin prapa skenës nëpërmjet videove dhe melodisë në një zë shumë të vogël, teksa kjo muzikë zhdukej herë pas here për t’ia lëshuar vendin aktiviteteve të radhës, ndërkaq fotografitë pasonin vazhdimisht.

Kori kameral “Dardanica” nën drejtimin e Edon Ramadanit përsëri doli në skenë për të rrëmbyer edhe njëherë vëmendjen e të pranishmëve por kësaj here me veprën tjetër të titulluar “Paska çelur pranvera” e cila më pastaj lehtazi ia lëshoj vendin edhe violinistit Visar Kuçi që të performojë me një hijeshi të pashoq, solon e tij “Valle orkestrale”.

Emocioni në sallën e Teatrit Kombëtar u rrit akoma më shumë edhe pas recitimit të “Ora e zemrës”, “Lulja e vetme” dhe “Kosovës” nga treshja e mëparshme që u rikthye në skenë për të ngjallë ndjenja të tjera dhe akoma më të fuqishme në publik. Ndërsa, ajka e mbrëmjes ishte interpretimi emocionues dhe gjallërues i “Ti me sytë e zi” me muzikën e Thoma Nasit dhe Musa Piperkut, “Këndomë djalë” me muzikën e Josif Mingas dhe “Të pij” që erdhën nga këndimi i dyshes si: Artan Bakija dhe Zhulieta Sheremeni. Në anën tjetër, ishte publiku ai i cili së bashku me këto këngë krijuan një harmoni melodish që erdhën nëpërmjet ritmit të duartrokitjeve të tyre në një vijë me tekstin i cili këndohej butësisht në publik.

Përgjatë aktiviteteve të shumta që shënuan këtë mbrëmje ishte dhe shfaqja e disa imazheve të dokumentarit “Kryekënga e Kombit” që rrëfen historinë e plotë të Himnit Kombëtar shqiptar që nga lindja e deri më sot. “Kryekënga e Kombit,” është një prodhim i vitit 2012 që vjen me regji dhe skenar të Petrit Rukës, ndërsa Piro Milkani shërbeu si producent.

Gjithashtu, intervistë tjetër e realizuar për këtë natë dhe e shfaqur nëpërmjet një videoje, ishte edhe ajo me kompozitorin, etnomuzikologun dhe akademikun, Vasil S. Tole i cili ndër të tjera thotë se kontributi i Asdrenit në krijimin e një nga simboleve tona është ngulitur në mendjen tonë përgjithmonë.

“Që nga viti 1908 kur kjo këngë u krijua, ajo erdhi natyrshëm fillimisht në Korçë dhe kjo ka qenë ai momenti ku filloi jetën e vet. Të gjithë e dinim që këtë këngë e kishte krijuar Asdreni dhe i thoshim ‘Kënga e Asdrenit’ dhe ashtu u bë pjesë e gjithë atyre këngëve patriotike shqiptare. Befas në vitin 1912 nga një mori këngësh patriotike ajo arriti të dilte në ballë të këtyre këngëve për tu bërë simboli muzikor i shqiptarëve sepse shqiptarët e pranuan atë si Himni i tyre Kombëtar. Zakonisht kur shpallet Himni Kombëtar ai bëhet me konkurs, vendime parlamentare, shpeshherë edhe me referendum por jo, Himni ynë u aprovua sepse populli e deshi të tillë”, thotë Tole.

Sipas tij, sot e kësaj dite kur thuhet ‘Himni ynë Kombëtar’ në fakt në ndërgjegjen tonë thuhet ‘Himni i Asdrenit’ sepse aq fort është ngulitur kontributi i Asdrenit në krijimin e një prej simboleve tona i cili në vetvete është një këngë i një tjetër simboli kombëtar siç është flamuri.

Kështu krejt në fund kur sekondat e parë melodike të “Himni i Flamurit” prekën atmosferën, në këmbë u ngritën të gjithë të pranishmit për të kënduar njëzëri së bashku me Korin kameral ‘Dardanica’, versionin e harmonizuar të veprës që vjen për herë të parë nga kompozitori Josif Minga.

Koncerti artistik “Na Flet Asdreni” u organizua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Kosovës dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Kujtojmë se nesër i gjithë ky koncert do të fillojë nga ora 20:00 edhe në Teatrin “A.Z. Çajupi” në Korçë. / KultPlus.com

Nesër përkujtohet Asdreni me një koncert artistik në 150 vjetorin e lindjes së tij

Koncerti artistik “Na Flet Asdreni” do të nesër më 11 prill në Teatrin Kombëtar të Kosovës me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetit, publicistit dhe veprimtarit shqiptar, Asdreni, shkruan KultPlus.

Nën drejtimin artistik të kompozitorit Josif Minga, artistë të shquar nga Kosova dhe Shqipëria do të performojnë në këtë koncert të veçantë.

Me pjesëmarrjen e: Korit Kameral “Dardanica” nën drejtimin e Edon Ramadanit, formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, Zhulieta Sheremeni, Artan Bakija, Zamira Kita, Ligoraq Riza, Kristian Koroveshi, Grupit Polifonik të Burrave Drenovë, si dhe intervistave të personaliteteve dhe imazheve të shumta dokumentare do të kujtohet dhe rrëfehet jeta e veprimtaria e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

I gjithë ky koncert do të fillojë nga ora 20:00, derisa dy ditë më vonë do të mbahet edhe në Korçë. /KultPlus.com

Sot më 11 dhjetor 1947, vdiq Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni)

Më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës lindi Aleksandër Stavre Drenova, i mirënjohur si ASDRENI, poeti shqiptar, rilindasi, përkthyesi, shkrimtari dhe autori i poezisë e cila më vonë u bë himni kombëtar i Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Asdreni është autor i Himnit të flamurit, që është edhe Himni Kombëtar, zyrtar për të gjithë shqiptarët.

Aleksandër Stavre lindi më 11 prill 1872 në Drenovë në një familje të varfër fshatare. I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me shtrëngime. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës.

Ngjarjet që pasuan shembjen e shtetit të lirë kombëtar shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 («Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme. si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratikoborgjez të Qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt Kambana e Krujës nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.

Veprat letrare të ASDRENIT janë:

“Rreze dielli”, “Himni i Flamurit”, “Ëndrra e lotë”, “Zëri i kryengritësve”, “Krerëve tradhëtorë”, “Shpërblimi”, “Shqipëria më 1914, “Burri i dheut”, “Himni i festës”, “Fisnikët e Shqipërisë”, “Republika shqiptare”, “Trashëgimi”, “Kambana e Krujës”, “Poezi të Zgjedhura”. /KultPlus.com