Çmim Nobel për Kurtin e Vuçiqin nëse ka marrëveshje, Lajçak: Do të kualifikoheshin, s’kam dilema

Nëse do të arrihej një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë fund armiqësive shumëvjeçare, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të mund të kualifikoheshin për Çmimin Nobel të Paqes.

Kështu ka thënë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në një intervistë për BBC-në në edicionin serbisht.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë dilemë për këtë gjë.

“Normalizimi i marrëdhënieve sigurisht që do t’i kualifikonte dy liderët për çmimin Nobel, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, ka thënë ai, kur është pyetur nga mediumi.

BBC shkruan se e njëjta gjë shpresohej edhe në vitin 2018, kur negocionin ish-presidenti Hashim Thaçi dhe Vuçiq në Bruksel.

Ishte përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ajo që kishte spekuluar se Thaçi e Vuçiq mund të merrnin Çminin Nobel për Paqe në rast të një marrëvëshjeje të suksesshëm.

Përpjekjet për marrëveshje përfundimtare vazhdojnë edhe tani, pas 4 viteve, mirëpo siç shkruan BBC, shumë gjëra kanë ndryshuar tashmë përveç rolit të Vuçiqit: bisedimet për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë janë hedhur poshtë, Hashim Thaçi mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale, Federica Mogherini është larg dialogut dhe administrata Trump në SHBA ka rënë nga pushteti. /Express/ KultPlus.com

“Mos liberalizimi i vizave, turp për BE-në”, Rama: Pajtimi Kosovë-Serbi do marrë kohë, por do ndodhë

Kryeministri Edi Rama ka folur për raportet Shqipëri-Serbi gjatë një interviste për gazetën gjermane ”Frankfurter Rundschau”. Rama ka thënë se ka marrëdhënie të mirë personale më Presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Gjatë intervistës kryeministri është shprehur se beson që pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë megjithëse theksoi se kjo do kohë.

Pyetje: Beogradi kohët e fundit është kthyer sërish drejt Rusisë. A ju shqetëson kjo?

Edi Rama: Historia bën diferencën. Kemi vuajtur shumë nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Kjo është arsyeja pse ne jemi pro amerikanë. Serbia ka një histori tjetër, por Beogradi nuk e mbështet në asnjë mënyrë luftën e Putinit. Por, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka një problem, pasi ekonomia e Serbisë është shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse.

Pyetje: A keni marrëdhënie të mira me të?

Edi Rama: Ne kemi një marrëdhënie të mirë personale edhe pse herë pas here nuk pajtohemi. Për shembull, ai thotë “e ashtuquajtura Kosovë”. Unë them “shteti i pavarur i Kosovës”. Ne tani i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në një mënyrë të civilizuar.

Pyetje: Miliona shqiptarë jetojnë në disa shtete, përfshirë Kosovën. Fakti që Serbia ende nuk e njeh Kosovën a ndikon në integrimin e Shqipërisë në BE?

Edi Rama: Ne jemi një komb, i njëjti gjak dhe flasim të njëjtën gjuhë. Por, ne jetojmë në dy shtete. Pajtimi mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë do të marrë kohë. Kush do ta kishte menduar se gjermanët dhe francezët do të ishin sërish partnerë të ngushtë kaq pak vite pas Luftës së Dytë Botërore? Vizioni dhe lidershipi politik nevojiten për të çuar përpara këtë proces. Por, ky proces do të ndodhë, jam i sigurt. Nuk ka kthim pas.

Rama e quajti një “turp për BE-në” faktin që qytetarët e Kosovës ende kanë nevojë për një vizë për të hyrë në Bashkimin Europian.

Pyetje: Qytetarët e Kosovës ende kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE. Çfarë lidhje ka kjo me integrimin më të mirë të Ballkanit Perëndimor?

Edi Rama: Ky është turp për BE-në! Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në kontinentin tonë që nuk lejohen të udhëtojnë të lirë. Ata kanë jetuar më parë në ish-Jugosllavi dhe Serbi dhe kanë qenë të lirë të udhëtojnë. Dhe tani? A janë të pavarur dhe të lirë nga diktatura apo çlirimtarët i mbajnë në një lloj burgu?/Gazeta Express/KultPlus.com

Djali i Vuçiqit si babadimër, vjen në Kosovë dhe shpërndan dhurata në Skënderaj, Vushtrri e Graçanicë

Danilo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje ka qenë në Kosovë. Gjatë vizitës së tij në komunitetet serbe, ai ka hyrë deri në Skënderaj e Vushtrri, duke u shpërndarë fëmijëve serbë dhurata për Vitin e Ri.

Djali i Vuçiqit u shpërndau pako të Vitit të Ri fëmijëve në fshatrat Suhogërl dhe Bajë në Komunën e Skenderajt. Ai vizitoi kopshtin e fëmijëve “Maja” dhe shkollën fillore lokale. Danilo Vuçiq shkoi edhe në fshatin Prolluzhë të Vushtrrisë, ku e vizitoi një kopsh të fëmijëve. Pamje nga vizita e tij u publikuan në faqen e këtij kopshti në Facebook.

Siç duket, gjatë kësaj vizite, fëmijët janë shtyrë të flasin me falenderim e përulje për babain e Danilo Vuçiqit, presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Në emër të vetvetes dhe të gjithë miqve të mi, unë do të doja ta falënderoja presidentin tonë Aleksandar Vuçiq. Ai na dërgoi pako të Vitit të Ri, ne ishim shumë të lumtur”, tha një nga fëmijët e kopshtit në fshatin Prolluzhë, ndërsa videoja u publikua në Facebook.

“Sot, Danilo Vuçiq vizitoi institucionin parashkollor “Car Kostantini dhe Perandoresha Jelena” në Prolluzhë, dhe me atë rast shpërndau pako të Vitit të Ri për fëmijët tanë, në emër të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ne dëshirojmë ta falënderojmë Presidentin që mendoi për fëmijët tanë edhe këtë vit, dhe shumë faleminderit për buzëqeshjen e çdo fëmije”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fkonstantin.decijivrtic%2Fposts%2F915074225563361&width=500&show_text=true&height=674&appId

Danilo Vuçiq gjithashtu vizitoi edhe familjen Markoviq në Graçanicë, ku u dha dhurata tre fëmijëve aty.

“I nderuar Z. President, është nder dhe kënaqësi e madhe ta presësh djalin tënd. Danilo është një djalë i mrekullueshëm, i cili me të vërtetë na foli për gjithçka. Për jetën e serbëve në Kosovë dhe Metohi. Ai erdhi në shtëpinë time pa njoftuar dhe u takua me djemtë e mi, bisedoi… Ai më përcolli përshëndetjet e ngrohta të babait të tij dhe Presidentit tonë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Faleminderit shumë”, tha nëna e këtyre fëmijëve, Aleksandra Markoviq-Mihajloviq në Facebook.

Në fund të nëntorit, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i ishte ndaluar hysja në Kosovë. Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, kishte thënë se nuk do të lejohej asnjë zyrtar shtetëror serb, duke përfshirë edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq të hyjë në Kosovë pa kërkuar falje për gjenocidin. Por muajin pasues, Qeveria i dha leje për vizitë në Kosovë, drejtorit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas një vërejtjeje që e mori nga Bashkimi Evropian për ndalesën që ia bëri Vuçiqit. /Express/ KultPlus.com