Sot u shënua 112 vjetori i mbylljes së punimeve të Kongresit të Manastirit ku u mor vendimi për alfabetin e përbashkët 36-shkronjësh të gjuhës shqipe.
Kjo ngjarje pati ndikim të madh historik dhe i hapi udhë emancipimit të mëtutjeshëm të kombit shqiptar. Por, përpos ndikimit kombëtar e kulturor, ky kongres rinxorri në dritë angazhimin e grave shqiptarë në shërbim të kulturës dhe kombit.
Pa dyshim, kur flasim për Kongresin e Manastirit nuk kemi se si ta injorojmë rëndësinë e motrave Qiriazi, të cilat luajtën një rol të madh në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje historike.
Sevasti Qiriazi dhe Parashqevi Qiriazi kishin marrë pjesë edhe në ngjarje të mëhershme të rëndësishme. Ato ishin ndër udhëheqëset e klubit kulturor shqiptar “Bashkimi” të Manastirit që merrej me propagandimin e shkollimit në gjuhën shqipe. Po ashtu, ato kishin qenë kyçe në hapjen dhe organizimin e Shkollës së Vashave që u hap në Korçë më 1891.
Sevastia studioi në “Robert College” të Stambollit, asokohe një nga shkollat më elitare të botës dhe më pas ia përkushtoi jetën arsimimit të shqiptarëve dhe posaçërisht vajzave. Kontributin e saj në kulturë, arsim dhe gazetari ajo nuk e ndali as kur jetoi në emigracion – Rumani dhe ShBA.
Parashqevia po ashtu studioi në të famshim “Robert College” në Stamboll, gjersa më vonë shkroi një abetare për shkollat shqipe dhe botoi revistën “Yll i mëngjesit”. Edhe ajo, sikurse motra e saj, vazhdoi kontributin për arsimin shqip dhe vajzat shqiptare edhe gjatë kohës sa jetoi në Rumani e ShBA.
Sot, me rastin e Ditës së Alfabetit, kujtojmë veprën e madhe të këtyrë dy grave që kontribuan me tërë qenjen e tyre për shkollën shqipe dhe posaçërisht për shkollimin dhe emancipimin e vajzave shqiptare. /grazeta/ KultPlus.com