Alfred Mirashi Milot, shqiptari që “pushton” sheshin 700-vjeçar të Napolit me skulpturën monumentale ‘Çelësi i së sotmes’

Starton një udhë krijimi, hapat e të cilës maten me rrahje zemre edhe pse vepra e dalë nga shpirti do të mbruhet ne metal e në trajtë, në formë dhe përjetim, në ide dhe sendërgjim estetik.

Po, nuk është trill mediatik, as lajm i krijuar nën një presion pasioni nacional, është e vërtetë, artisti me origjinë shqiptare do të vendosë më 30 mars 2023 në Piazza Mercato, në Napoli, skulpturën e tij monumentale “Çelësi i së sotmes” në kuadrin e projektit “Çelësat e unitetit”, në bashkëpunim me JeanWolfe nga Los Angeles.

Ky projekt ambicioz do të lançohet me bujë të madhe në një prezantim publik, duke mbërritur ngarkuar në një valë pozitiviteti, shprese, komunikimi dhe bashkëjetese. Sepse është arti i madh ai që aspiron për ëndrrën për të frymëzuar një dialog të hapur dhe për të mëkuar një shpirt që u flet ndjenjave dhe emocioneve çiltërsisht dhe sinqerisht.

Dhe kjo nuk është krejt një rastësi që pikërisht në Piazza Mercato, në Napoli, artisti me famë ndërkombëtare Miloti ka zgjedhur të vendosë “Çelësin e së sotmes”, një vepër që intrigon, një qasje komunikimi artistik që ngulmon t’i japë zë heshtjes së diktuar nga skepticizmi dhe mëdyshja, dhe të gjej një çelës për të hapur dyert e mbyllura dhe diktati i ndalimeve dhe për t’i mëkuar shpirtrave që i anden të bukurës, atë që është e jona, bota, jeta, dhe gjithëkjo shenjtëruar prej një vullneti të lartë dhe mëtuar përmes artit si një altar.

Një fuqi frymëzimi dhe dinamizmit, një retorikë dialogu dhe blatimi të hyjshëm i shpirtit krijues që ftohet të jetë si një sublimitet arti që imponon me ndijim dhe shpirtje, në një shesh të bukur dhe historik 700-vjeçar, i cili ka qenë gjithmonë epiqendra e ngjarjeve qytetare, duke luajtur një rol kyç në historinë magjepsëse të një prej kryeqendrave më të vjetra në botë, një metropol që i dha jetë shumë qytetërimeve dhe kulturave, duke lejuar zemërhapur e mendjekthjellët, t’u bëjë vend diversitetit të kulturave, besimeve, racave dhe ideve. Kjo histori vazhdon edhe sot me një prej artistëve më në zë, atë që blatoi shpirtin krijues vendit që ju bë atdhe, dashurisë së njerëzve që ju bë prehër.

Kjo skulpturë gjigante, quajtur “Çelësi i së sotmes”, ekspozuar për herë të parë në Napoli, falë kryebashkiakut Gaetano Manfredi (në foto me artistin që i prezanton maketin e çelësit), që do të jetë simboli i jetës, i rilindjes së një shoqërie të hapur ndaj gjithçkaje dhe të gjithëve, ndaj dialogut, ndaj krahasimit, e një bote, e cila ofrohet si mundësi dhe potencial për të gjithë.

Dëshira e Alfred Mirashi – Miloti është të japë një mesazh shprese në një moment kaq të vështirë dhe përçarës, me synimin për të rizgjuar mendimin kolektiv të një shoqërie, që së fundmi ka humbur rrugën.

Ai dëshiron që kjo të jetë një “klithmë” universale respekti reciprok mes njerëzve, në mënyrë që ata të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe të mos ketë më vende të mbyllura e të largëta. Pikërisht në këtë vend, fjalë për fjalë dhe metaforikisht, do të gjendet çelësi. Një strukturë monumentale dhe mbresëlënëse, prej çeliku korten, “Çelësi i të sotmes” do të jetë dhjetë metra i lartë dhe njëzet metra i gjerë. Prezantuar nga Shoqata Mille Volti në bashkëpunim me Bashkinë e Napolit dhe Kryetarin e Bashkisë, që ka delegacionin e kulturës, nën drejtimin ekzekutiv të Michael Kaiser/Jeanwolfe, me drejtimin artistik, Michele Stanzione dhe inxhinierin Michele Palumbo, përveç bashkëpunimi i Francesco Bianco, Lai Junjie dhe Albine Mirashi, Key of Today do të qëndrojë në Piazza Mercato në Napoli për 3 muaj – dhe qyteti do të mbahet mend gjithmonë si selia inauguruese e Key-t. Inaugurimi do të jetë një rast madhështor, me një ngjarje muzikore, një ngjarje vallëzimi dhe një ngjarje me vulën e pasaportës – një çmim që i jepet një artisti të ri vendas që krijoi një vulë identiteti krijues, të zgjedhur si fitues dhe më pas shkëlqim vezullues mbi madhështinë e një çelësi të shndërruar në referencë arti të madh, arti që do t’u flasë brezave dhe epokave me gjuhën e gjithmonshme të së bukurës dhe shpirtit.

Ky mesazh universal do të dërgohet më pas në qytete të tjera italiane dhe evropiane, ku çdo skenë do të shtojë një vulë unike. Çelësat e tjerë nga i njëjti projekt – The Water Key, do të vijojnë në një turne në Azi dhe Oqeani, dhe The Dream Key, në një turne emblematik në Amerikë, do të vijojë kështu një shfaqje spektakolare rreth planetit. Nëse Arkimedi kërkonte një levë dhe një pikëmbështetje që të lëvizte tokën, si një qasje për të hedhur idenë rreth formës sferike të saj, Miloti kërkon një çelës t’i dëshmojë njeriut dhe botës se ne meritojmë të jetojmë në një të sotme me dyer dhe zemra të hapura, si një ngulm për të besuar se thelbi i ekzistencës është i sintetizuar në përkufizimin se ne i përkasim njëri-tjetrit.

Ky mesazh lidhjeje dhe dialogu është ai që shqiptari i madh i pikturës dhe skulpturës, Alfred Mirashi – Miloti, shpreson ta çojë kudo si mesazhin e besimit, duke bërë kështu dishepullin e një kohe moderne, atë që kërkon të “martirizohet” për një qëllim të lartësuar në vepër.

Siç jeni vënë në dijeni, artisti i unikes së përfaqësimit, atë të çelësave, Miloti ka fituar konkursin ndërkombëtar të organizuar nga Ministria shqiptare e Kulturës, projekti “Arti në hapësirat publike”, dhe skulptura e tij “Çelësi Shqiptar” do të realizohet dhe do të vendoset. “Në përpjekjen e madhe që bëjmë çdo ditë për të realizuar ëndrrat tona, pa vetëdije gjejmë shumë pengesa, paragjykime dhe mekanizma në jetë, ku është shumë e vështirë të realizojmë dëshirat tona”, shpjegon Milot. “Çelësi si objekt nuk ka qëllimin e thjeshtë të ‘hapjes’, por të simbolizojë hapjen e gjithçkaje, pa vende të mbyllura, si një mjet për të gjetur ‘rrugën’ e duhur për çdo qenie njerëzore. Në këtë shoqëri ne bombardohen vazhdimisht nga imazhet virtuale: shfaqja e vetvetes është bërë angazhimi më i zakonshëm. Njeriu detyrohet të mos jetë në gjendje të komunikojë dhe, për rrjedhojë, edhe artistët po ‘kërkojnë’ një identitet të ri për t’i bërë njerëzit të reflektojnë mbi pasigurinë e madhe në të cilën ne jetojmë”.

Milot është një artist shqiptaro-italian që e përballon jetën në mënyrë të thjeshtë, po aq të thjeshtë sa mesazhi që dëshiron të dërgojë me skulpturën e tij konsiston në atë që ai e mëton me mish e me shpirt: “Eliminoni frikën individuale dhe kolektive që na rrethvjen kudo, pasiguritë dhe dyshimet”. “I imi është mbi të gjitha një mesazh pozitiv shprese, sepse ne të gjithë kemi të drejtë t’i bëjmë ëndrrat tona realitet dhe të gjithë meritojnë të njëjtat mundësi për ta bërë këtë.” Projekti i madh i Milotit “Keys of Unity” do të bëhet një simbol universal dhe i qëndrueshëm i dialogut dhe lidhja “The Keys” do të krijojë një bashkëjetesë diversiteti dhe përfshirjeje në brigjet e njerëzimit dhe do të ndihmojë në rizbulimin e vlerave të humbura, që ne të gjithë ndajmë. Një ideal i hirit të përditshëm dhe një përkthim i patosit për të ardhmen. Çelësat do të jenë një frymëzim dhe një kujtim për botën që të rimarrë dhe të lidhë të kaluarën e tyre me gëzimin e së tashmes, duke parë një të ardhme shpresëdhënëse me një bisedë të hapur dhe gjithnjë në zhvillim. Në fund të fundit, dialogu është çelësi dhe ne meritojmë këtë botë që promovon artistikisht Miloti, një të tashme që e shenjtëron shpirti krijues i një artisti që beson te vlerat e mëdha të humanizmit dhe forcën transformuese të artit.

Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Xhixha e MILOT, dy artistë shqiptarë fitues të çmimit prestigjioz “Ponte Vecchio” në Firencë

Do të jenë edhe dy artistë shqiptarë në listën e fituesve të edicionit të 13-të me rastin e dhënies së çmimit “Ponte Vecchio” në Firence. Njëzet do të jenë fituesit, mes artistësh, piktorësh, skulptorësh, shkrimtarësh kritikëve të artit dhe profesorësh akademikë. Dy artistët shqiptarë, Helidon Xhixha dhe Alfred Mirashi Milot, arrijnë ta fitojnë këtë çmim, në sajë të një pune të madhe vetëmohuese në fushën e arteve vizive.

Xhixha me skulpturat e tij gjigante në çelik reflektues, vepra të vendosura nëpër sheshe, kopshte, rrugë apo hapësira private në të gjithë botën. Skulptor tashmë i njohur në nivelet më të larta të artit  botëror, para një viti ekspozita e ton personale ne Museun e Uficit ne Firenze, nw qytetin e Venecies, è installazionet e tij nw shumw qytete tw botws, ai shquhet për karrierën e tij të mrekullueshme si artist. Ndërsa Milot, falë punës së tij të palodhur si skulptor, ai i ka provuar të gjitha zhanret dhe format e artit. Nga vizatimi, tek piktura mbi telajo, deri tek skulpturat e tij gjigande në hekur. Mega projekte të vendosura nëpër shumë sheshe te  Italisë. Mjafton të kujtojmë skulpturën prej 40 metrash me titull: “Çelësi i Montevergine” që po instalohet në rajonin e Kampanjas.”Çelesi i Cervinares” dhe po përgatitet me skulpturën monumentale “Key of Unity” qw do tw ekspozohet ne qytetin e Napolit dhe pastaj do ekspozohet nw shumw qytete tw Evropës, nw bashkwpunim me Mille Volti e Jean wolf di Los Angelos.

Çmime të merituara plotësisht, falë lodhjes, kërkimit dhe sukseseve të dy artistëve shqiptarë. Artistë të njohur me njëri-tjetrin që adoleshentë në Liceun Artistik “Jan Kukuzeli” në Durrës, plot tridhjetë e pesë vjet më parë.

Ceremonia e dhënies së çmimeve do të zhvillohet sot me datë 14 shtator në orën 17, tek Kopshtet e Villa Bardini në Firence. Ajo do të prezantohet nga gazetari fjorentin Fabrizio Borghini, dhe filmimet do të bëhen nga kanali 7.  

Artur Spanjolli

Firenze./ KultPlus.com

Alfred Mirashi Milot, skulptori shqiptari vjen triumfues në Napoli me “Key of Unity” në “Artis Suavitas 2022”

Artisti shqiptar, Alfred Mirashi Milot, vjen triumfues këtë fundqershor në Napoli me “Key of Unity”, çelësin e përdredhuar të unitetit. Ai beh guximshëm dhe besimplotë të hapi dyert e një bote që tenton të na mbajë kyçur në një të tashme, ku ne jemi pjesë e gjithçkaje në një botë ku e mundshmja e vogëlon rruzullin dhe ne na shpërblen me bujarinë krijuese si shprehje e një vullneti të lartë, përmes artit si shkas dhe shpirtit të artistit si kushtim.

Fundqershori i “Artis Suavitas Civitas”, aty ku shqiptari i madh i pikturës dhe skulpturës, Alfred Mirashi Milot ka dëshmuar përmes veprës lartësinë e një shpirti të paepur krijues, do të shndërrojë Napolin në kryeqendrën e ngjarjeve kulmore të Artit, Kulturës dhe Sipërmarrjes. Emra dhe personalitete, identitete mëtimesh estetike dhe potenciale kumtesh transformuese përmes pasionit, shpirtra të energjive potenciale të së bukurës, ëndërrtarë dhe sfidues, do të tregojnë me kryevepër se njerëzorja është një mision, dhe Napoli do të jetë altari i lartë, ku lutja e tyre do të “zbresë” Krijuesin në tre ditë kremtimesh të blatimit të shpirtërores.

Tre ditë kushtuar artit dhe kulturës me figura ndërkombëtare do t’i mëkojnë shpirtit krijues kushtimet e hyjshme në Napoli, nga 28 deri më 30 qershor. Palazzo Reale do të dehet në përkundjen magjishme të Artis Suavitas Civitas kermesse.

Skulptori dhe piktori, Alfred Mirashi Milot do të jetë artisti shqiptar, pjesëmarrës dhe triumfator në këtë shpërfaqje të sfidës, karshi emrave të tjerë të mëdhënj, ndër të cilët, Giovanni Allevi, Piero Angela, Pupi Avati, Oscar Farinetti, Stjepan Hauser, Liu Ruowang, Michelangelo Pistoletto, Massimiliano Gallo, Catena Fiorello.

Më 28, 29 dhe 30 qershor 2022, do të jenë një zhytje në përsosmërinë e ngjizjes së madhështores së Arteve, Kulturës dhe Sipërmarrjes. Tri ditë plot me takime, iniciativa dhe evente, me një qëllim madhor: nxitjen e dialogut midis brezave për çështje aktuale, në një nga vendet më ndjellëse të qytetit të Napolit, pikërisht në Pallatin Mbretëror.

E gjithë kjo dhe shumë më tepër është Artis Suavitas Civitas, projekti kulturor i ideuar dhe organizuar nga Shoqata Artis Suavitas Aps, e kryesuar nga Avv. Antonio Larizza, me patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rajonit të Kampanisë, Qytetit Metropolitan të Napolit, Bashkisë së Napolit, Universitetit të Napolit “Federico II”, RAI – Campania dhe Pallatit Mbretëror të Napolit.

Udhëzimet – ka thënë për mediat avokati Antonio Larizza, krijuesi dhe organizatori i Artis Suavitas Civitas – i politikës së promovimit dhe përmirësimit të trashëgimisë artistike, kulturore dhe peizazhit të miratuar nga Artis Suavitas Aps, të cilin kam nderin ta kryesoj, bazohen në nevojën për të kontribuar në rizbulimin të identitetit të territorit, duke rinisur thirrjet e tij më të mira. Prandaj, Artis Suavitas Civitas është konfiguruar si një “Lista e lojërave kulturore” e vërtetë, një përmbledhje e zhanreve të ndryshme artistike dhe spektatorëve, të cilët do të bashkohen për të jetuar dhe ndarë emocione të paharrueshme me personazhet ndërkombëtarë, në një skenar unik dhe të pasur.

Përveç Pupi Avatit (regjisor), Massimiliano Gallo (aktor) dhe Laura Delli Colli (gazetare) që do të shpërblehen me vlerësime dhe nderime më 28 dhe 29 qershor, në mbrëmjen finale të 30 qershorit, ata që do të marrin çmimin “Artis Suavitas 2022”: Piero Angela (gazetar dhe shkrimtar shkencor); Francesco Ivan Ciampa (dirigjent i Verona Arena); Diego De Silva (shkrimtar); Oscar Farinetti (sipërmarrës); Catena Fiorello (shkrimtare); Stjepan Hauser (muzikant); Alfred Mirashi Milot (piktor dhe skulptor); Michelangelo Pistoletto (piktor dhe skulptor) dhe Liu Ruowang (piktor dhe skulptor).

Italia, qytetërimi i një botë të magjepsur nga e bukura e shpirtit krijues dhe pasioneve shpërthyese të shprehjeve të magjishme, është përtej detit, por Napoli do të jetë këtë fundqershor në sytë dhe zërin tonë, në rrahet kuqezi të zemrës dhe krenarisë së identitetit shqiptar, përfaqësuar nga piktori dhe skulptori, Alfred Mirashi Milot, i cili më shumë se një emër i zëshëm në përfaqësimit shqiptar të vlerave, është një kresht e lartë e kaplimit tonë ëndërrtar. Ai i tregoi Italisë, do të dëshmojë në Napoli, botës mbarë i ka shpërfaqur, se cili është ai shpirt sfidues shqiptar, që si një sfinks ngrihet nga hiri vet për të rrokur fluturimin e hyjt të së bukurisë dhe triumfueses.

Artisti shqiptar, Alfred Mirashi Milot, përmes veprës fituese “Key of Unity” (Çelësi i Unitetit) prezantuar në bocet, (treguar në foto), që do të ndërtohet në Firence, i qaset “Artis Suavitas Civitas” me mesazhin e dialogut dhe unitetit, e harmonisë së diversitetit të kulturave, kurajës për sfiduar dhe shpirtit të madh krijues, për t’i blatuar tashmërisë të hyjshmen e njerëzores që na bashkon. Më shumë se një vepër arti, “Key of Unity”, ky përdredhim i çelësit që hap dyert që tentojnë të na ndajnë, është altari të cilit Milot i propozon së tashmes, nevojës së ngutshme për unitet, urëbashkimit ndërmjet gjithëndryshueshmërisë që na përfaqëson si identitete dhe njëbotshmërisë që na bashkon dhe së cilës i përkasim dhe e meritojmë, në njeriun si dimension krijues i shëmbëllimit të Krijuesit në ne, në çdoditshmërinë tonë përmes zërit të shpirtit dhe mëkimit të artit.

Jo vetëm kaq, vlen të mëkohet si një osto e shenjtë e besimit te mrekullia e krijimit, fakti se kompania nga Los Angelos “JeanWolfe” bashkë me kompaninë italiane “Mille Volti”, do të jenë mundësuesit financiar të realizimit të skulpturës monumentale “Key of Unity”, që do të ekspozohet në Napoli, Romë, Berlin, Brussel, Paris, dhe pastaj në San Francisco, SHBA. Vullnetet e lartësuara në qëllime do t’i japin botës përmes artit bekimin që sjell uniteti, përbashkimi, triumfi i dashurisë sublime.

Albert Vataj / KultPlus.com