Nga Alfred Peza
Fëmijët e brezit tim, ndryshe nga ato të pas ’90, çdo 1 shtator niseshin për në shkollë dhe si kolonën e tyre më të dashur zanore, kishin këngën: “Tring zilja”! Një këngë me ca vargje të thjeshta, gati naive, por që bashkë me muzikën dhe ritmin, e bënin atë të ishte ndoshta një nga këngët më të pëlqyera për nxënësi e arsimit fillor, sidomos.
Kanë rrjedhur shumë ujëra nga ajo kohë dhe shumë gjëra që atëherë, kanë ndryshuar si për nxënësit e ashtu edhe për këngët dhe simbolet e tyre. Shkollat nuk fillojnë më me 1 shtator. Arsimi fillor nuk është më 8, por 9-vjeçar. Shkolla e mesme nuk është më 4, por 3-vjeçar. Arsimi i lartë, nuk është më 4 por 3 plus 2-vjeçar…
Dikur i gjithë sistemi arsimor, nga parashkollorët e deri tek universitetet, e fillonin vitin e ri në ditën e parë të muajit të nëntë. Ndërkohë që tani ca e fillojnë më 17 shtator, ca më vonë, e arsimi i lartë në tetor. Pa llogaritur këtu më pas, edhe shkollat e doktoraturave, magjistraturës, e kështu me radhë.
Por kjo nuk do të thotë se 1 shtatori nuk është më një ditë e rëndësishme.
Përkundrazi. Sepse pavarësisht raportit të ri me sistemin arsimor shqiptar, 1 shtatori i kësaj epoke është një ditë që po i rritet rëndësia gjithnjë e më shumë. Sepse, 1 shtatori është bërë një kufi i ri, një stacion i ri qendror, një “pit stop” i ri, një “Yll Polar” i ri në kostelacionin e 365 ditëve të kalendarit tonë gregorian, që në Shqipëri përdoret që nga dhjetori i 1912.
1 shtatori është kufiri i mbarimit të pushimeve verore, sidomos për administratën publike, për shumicën e bizneseve private dhe emigrantët përgjithësisht.
1 shtatori është një lloj “1 janari” i ri në praktikën e jetës sonë të përditshme, po ta konsiderojmë 31 gushtin, si ditën e fundit të një viti pune që lamë pas.
1 shtatori është kufiri kohor, që mund të konsiderohet edhe praktikisht edhe psikologjikisht si:
Dita e parë e vitit të ri të punës.
Dita e parë e një sezoni të ri politik.
Dita e parë e një sezoni të ri qeverisës, qoftë në nivel qendror, apo edhe në atë lokal.
Dita e parë e një viti të ri Parlamentar.
Dita e parë e një viti të ri mediatik në përgjithësi, por veçanërisht televiziv.
Dita e parë e një sezoni të ri sportive.
Dita e parë “de facto” e një viti të ri fiskal.
1 shtatori, mund të konsiderohet edhe si dita e fundit e pushimeve për të gjithnjë nxënësit dhe studentët. E për rrjedhojë, edhe si starti i një fillimi të ri. Periudha kur kuptohet se bashkë me rikthimin e prindërve nga pushimet në punë, ka nisur edhe numërimi mbrapsht, për të filluar edhe ata pas disa ditësh, vitin e tyre të ri shkollor.
Ndaj, edhe nëse ka shumë nxënës të këtij brezi që ndoshta nuk e dinë këngën “Tring zilja”, janë prindërit e tyre që e kanë kuptuar, se 1 shtatori është dita e tyre e parë, e një fillimi të ri./KultPlus.com