Kurti përcjell për në Algjeri sportistët kosovarë që marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në pritjen e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, para nisjes së ekipit përfaqësues të Kosovës në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, që do të mbahen në Algjeri.

Fillimisht, duke iu uruar sportistëve suksese në këto gara, Kryeministri Kurti tha se përkushtimi në punë i sportistëve është përulës, prandaj edhe rezultatet nuk janë të rastësishme.

“Ato janë produkt i punës tuaj të pandalshme”, u tha ai dhe i falënderoi të gjithë për përpjekjet që po bëjnë çdo ditë për të përfaqësuar dhe ranguar Kosovën më së larti.

Sporti garues, mbërthen në vete patriotizëm, dashuri dhe qëndrueshmëri ndaj vendit, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se përfaqësimi i shtetit në gara sportive ndërkombëtare përveç që reflekton sakrificën e tyre për fitore, mbi të gjitha reflekton dashurinë për Kosovën.

Kryeministri Kurti vlerësoi lart garimin e sportistëve kosovarë, të cilët për herë të dytë po marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare, e ku do të garojnë me sportistë të shteteve nga tri kontinentet, që preken nga Deti Mesdhe.

“Aq sa është krenari dhe e bukur, aq është edhe përgjegjësi. Këtë përgjegjësi të madhe, ju jeni ata që dini më së miri ta kanalizoni dhe shndërroni në forcë pozitive në mënyrë që të arrini kulminacionin e karrierave tuaja në sportet që ju prezantoni”, tha kryeministri./ Gazeta Express / KultPlus.com