Ali Aliu riboton librin “Don Kishoti shqiptar”

Instituti i Librit dhe Komunikimit, shtëpia botuese “Toena” dhe Akademia e Shkencave përurojnë veprën “Don Kishoti shqiptar” të akademikut Ali Aliu, vepra më e përkthyer dhe më e ribotuar e tij, që mban nëntitullin “Një histori letërsie ndryshe”.

Veprimtaria u organizua në 90-vjetorin e lindjes së autorit dhe vijon dy veprimtari akademike të mëparshme në këtë kuadër.

Përurimi u hap nga znj. Irena Toçi, drejtore e Institutit të Librit dhe Komunikimit.

Kryetari i Akademisë së Shkencave prof. Skënder Gjinushi përshëndeti veprimtarinë dhe uroi akad. Ali Aliun për ditën e lindjes dhe për veprën e tij me shtrirje në mbi 60 vjet.

Për veprën e sapo ribotuar (me ripunim nga autori), si dhe për personalitetin e tij, folën Shaban Sinani, Zija Çela, Majlinda Rama dhe Arian Leka.

Qendra e Librit dhe Komunikimit i dorëzoi akad. Ali Aliut diplomën e vlerësimit./tema/KultPlus.com

Prezantohet “Bibliografia e veprimtarisë shkencore të Ali Aliut”

Në ditën e dytë të panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor u paraqit “Bibliografia e veprimtarisë shkencore të Ali Aliut”, në 90-vjetorin e lindjes. Ali Aliu është anëtar i jashtëm i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë.

Veprimtarinë e drejtoi dr. Arian Leka, ndërkohë që akad. Shaban Sinani shtjelloi tiparet më të rëndësishme të veprimtarisë shkencore të Ali Aliut, shprehur përmes zërave bibliografikë.

Ndër argumetet më të spikatur të kësaj veprimtarie Sinani cilësoi rolin e Ali Aliut si “kapërcyes i kufijve”, studiuesin gjithmonë të gatshëm në gjurmim dhe vlerësim kritik të letërsisë shqipe, pavarësisht se ku ajo krijohet.

Rrugëtimi krijues i Ali Aliut shenjon rreth 1032 njësi bibliografike (deri në vitin 2022). Në këto të dhëna, që sjellin në vëmendje gjithë sa lidhet me emrin e Ali Aliut si autor monografish, udhëheqës universitar, ushtrues i kompetencave editorial, rezultojnë rreth 600 njësi, përshkrime bibliografike, të njohura kronologjikisht e tipologjikisht sipas standardit ndërkombëtar ISO 690.

Studiuesi Shaban Sinani theksoi gjithashtu se në sistemin letrar të propozuar nga Aliu Aliu zënë vend vetëm lloje prioritare (monografi, artikuj shkencorë), më të mëdhenjtë, paraqitja e të cilëve përjetohet si mision ndaj lexuesit dhe studimeve letrare.

Pa anashkaluar kontributin si autor i 65 studimeve monografike dhe përmbledhjeve me studime, pjesë e së cilës është edhe “Don Kishoti ndër shqiptarët” (vepra më e ribotuar dhe më e përkthyer e Ali Aliut) dhe përkthimeve të spikatura nga shqipja në gjuhë të fqinjëve i 25 veprave letrare, dr. Arian Leka u ndal edhe te përkushtimi i kryehershëm i Ali Aliut, si studiues dhe kritik i letërsisë, në gjurmimin e antologjikes në letërsinë shqiptare, me veprën përfaqësuese “Gjysmëshekulli i artë – antologji e poezisë shqipe” (Tetovë, 2000; Tiranë, 2002).

Gjatë gjithë jetës së tij të begatë krijuese, Ali Aliu e ka përmbushur misionin e përgatitjes së një antologjie jetësore, shpërndarë në libra të veçantë, të cilët, me kalimin e kohës, krijojnë një antologji të antologjive, ku kontributet Ali Aliut bashkohen rrethntitujve të tillë si “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj. /atsh/KultPlus.com

Ekspozitë në 90-vjetorin e lindjes së akademikut Ali Aliu

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, çeli ditën e martë, më 02.04.2024, një ekspozitë e cila sjell në vëmendje të publikut gjithë kontributin e tij si kritik dhe studiues i letërsisë.

Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu. Ai ndjek pa ndërprerje zhvillimet bashkëkohore në letërsinë shqipe, duke u kushtuar vëmendje të veçantë proceseve risuese dhe veprës së krijuesve më të shquar të saj. Është autor i librave me kritika, ese e studime: “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.

Ekspozitë dhe tryezë shkencore kushtuar prof. Ali Aliut, në 90-vjetorin e lindjes

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, hapi sot një ekspozitë e cila sjell në vëmendje të publikut gjithë kontributin e tij si kritik dhe studiues i letërsisë.

Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu.

Biblioteka Kombëtare kujton se, prof. Ali Aliu ndjek pa ndërprerje zhvillimet bashkëkohore në letërsinë shqipe, duke u kushtuar vëmendje të veçantë veprës së krijuesve më të shquar të saj. Ali Aliu është autor i librave me kritika, ese e studime: “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.

Ndërkohë Akademia e Shkencave e Shqipërisë e uroi anëtarin e saj të jashtëm Ali Aliu, gjatë një tryeze shkencore kushtuar jubileut të lindjes së tij, organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës.

Në këtë tryezë morën pjesë e referuan nga Tirana shkrimtari Zija Çela, dr. Arian Leka (përgjegjës i sektorit të enciklopedisë në QBEA), akad. Shaban Sinani. Pjesëmarrës në linjë ishte edhe akad. Matteo Mandalà, anëtar i jashtëm i ASHSH.

Akademik Ali Aliu lindi më 1 prill të vitit 1934 në Prespë. Ai është autor i 65 studimeve monografike dhe përmbledhjeve me studime. Ka mbi 130 artikuj shkencorë të botuar dhe mbi 100 recensione; përkthyes nga shqipja në gjuhë të fqinjëve i 25 veprave dhe redaktor shkencor e përgatitës botimesh për rreth 50 tituj. / atsh / KultPlus.com

Kur çështja kombëtare bashkonte Dritëro Agollin, Ibrahim Rugovën dhe Ali Aliun (FOTO)

Çështja kombëtare i kishte bërë që të uleshin në një tavolinë tre shkrimtarët nga dy vendet shqiptare, Dritëro Agolli nga Shqipëria, Ibrahim Rugova dhe Ali Aliu nga Kosova, shkruan KultPlus.

Vajza e shkrimtarit Agolli, Elena Agolli ka shpërndarë fotografinë e viteve të 90’ta, teksa ka thënë se bisedat gjallëroheshin me temën e bashkimit kombëtar.

“Shpesh rrinin bashkë në tryeza të përbashkëta ,të gjallëruara nga bisedat për çështjen kombëtare dhe bashkimin kombëtar. Herë – herë debatonin fort , disa të tjera herë miratonin mendimet e njëri – tjetrit”, ka shkruar Elena Agolli.

Në fotografi shihet edhe gruaja e shkrimtarit nga Menkulasi, Sadije Agolli. / KultPlus.com

.

Ali Aliu dhe Xhevat Lloshi fitues të çmimit “22 Nëntori”

Akademik Ali Aliu nga Maqedonia e Veriut dhe profesor Xhevat Lloshi janë fitues të çmimit “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut.

Evenimenti i ndarjes së çmimit u mbajt me respektimin e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ku të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, një delegacion qeveritar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi si dhe përfaqësues të partive politike, akademikë dhe studiues.

Çmimi “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip ndërsa nga Këshilli për ndarjen e çmimit theksojnë se çmimi ndahet për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Akademiku Ali Aliu në fjalën e rastit tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit dhe ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.

“Për të gjitha këto, një falënderim i madh këshillit që konsideroi se e meritojmë këtë nder, Xhevat Lloshi dhe unë, dhe për praninë tuaj që e konfirmoni këtë”, tha Aliu.

Profesori Xhevat Lloshi tha se ndonëse çmimi lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare, ai ka vend edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe e pasuron atë.

“Dëshiroj të vë në dukje që çdo fëmijë në Shqipëri e mëson që në fillim këtë ngjarje të madhe. Por, nga ana tjetër, kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Maqedonisë së Veriut. Unë mendoj që çmimi që jepet tani, tregon për një frymë të re në marrëdhëniet midis popujve”, tha Lloshi.

Për shqiptarët, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e saj më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare./atsh/ KultPlus.com