Ura e Ujësjellësit të Sopotit, ndërtuar nga Ali Pasha

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër publikoi në rrjetet sociale pamje nga “Ura e Ujësjellësit të Sopotit” mbi përroin Bufano ose siç njihet ndryshe “Ura e Ali Pashës” e cila është Monument Kulture, Kategoria I.

Ura është e ndërtuar me një hark rrethor me trashësi qemeri 45 cm, hapësirë drite e harku 3.6 m dhe lartësi nga kyçi në tokë 2.3 m.

Themelet e urës janë me gur me llaç gëlqere dhe harku është i realizuar me gur. Përroi gjatë stinës së verës nuk ka ujë.

Ujësjellësi i gurtë i Kalasë së Gjirokastrës, përbën një ndër ndërtimet më të veçanta për kohën e vet.

Ai ishte i gjatë 12 km dhe nëpërmjet një arkitekture të veçantë me ura dhe harqe sillte ujë nga mali i Sopoti për të furnizuar kështjellën e Gjirokastrës.

Ajo ç’ka mbetur edhe sot vazhdon të tërheqë vizitorë të ndryshëm. / atsh / KultPlus.com

Përmbyllet java kulturore kushtuar Ali Pashës në Tepelenë

Është përmbyllur java kulturore “Ali pashë Tepelena” në qytetin që i dha mbiemrin e famshëm. Një veprimtari e iniciuar si edicion i 5-të, i bashkëpunimit të bashkisë së Tepelenës me Akademinë e Shkencave, Muzeun Historik Kombëtar dhe Arkivin Qendror të Shtetit, në nderim të figurës historike të Ali Pashës.

Një simpozium i veçantë i organizuar me këtë rast, në mjediset jashtë kështjellës së Ali Pashës, u çel nga kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi. “Jehona e lavdisë së Ali Pashës ushton ende bedenave të 40 kështjellave, rrugëve, urave dhe ujësjellësve që ai ndërtoi. Duke vlerësuar e nderuar figurën e Ali Pashës, ne shkojmë në gjurmët e rilindasve, ashtu sikurse e konceptonte Faik Konica”, u shpreh Peçi.

Për rivlerësimin me fakte të reja të sjella nga arkivat turke, greke, veneciane, britanike, etj., hodhën dritë në këtë simpozium studiuesit e njohur, Dorian Koçi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Irakli Koçollari profesor, Ardit Bido drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit, etj.

Sipas prof. Irakli Koçollarit, kompleksiteti i figurës së Ali pashë Tepelenës nuk është nxjerrë ende në dritë të plotë. “Ndër meritat e veçanta të këtij hegjemoni, është se ai ishte pionieri i parë i nacionalizmit shqiptar”, tha ai, duke iu referuara gjetjeve arkivore të tre viteve të fundit.

“Ndërgjegja kombëtare e shqiptarëve nuk ka lindur e fundit në Ballkan. Ali Pasha është i pari në Ballkan që ka nënshkruar marrëveshjen zyrtare me shtetin e Rusisë të asaj kohe, me Carin e Rusisë për shkëputje. Kemi gjetur në arkivat britanike se Aliu i kërkoi qeverisë britanike ta mbështesë në shkëputjen nga Turqia. Të krijojë shtetin e tij të pavarur. Kabineti britanik nëpërmjet Lordit Nelson i ka dhënë njoftimin se “Kabineti qeveritar ka vendosur ta mbështesë idenë për krijimin e shtetit tuaj të pavarur duke gjetur një situatë të përshtatshme në Europë”. Pra, ideja e shkëputjes dhe lëvizjet konkrete të tij kanë qenë ne fundit të shekullit XVIII”, tha gjatë fjalës së tij Koçollari.

Ai përmendi gjithashtu edhe disa kontribute të veçanta të Ali Pashës në zhvillimit urban dhe infrastrukturën në Tepelenë dhe Pashallëkun e Janinës.

Sipas tij, biblioteka e parë e hapur në Ballkanin Qendror dhe Jugor, ishte ajo që u hap nga  Ali pashë Tepelena. “Ajo bibliotekë është restauruar tani dhe është brenda Kalasë së Janinës. Në momentin që u hap, kishte 3800 libra. Për atë kohë, ishin shumë. Gjithashtu, Ali Pasha, hapi për herë të parë shtëpinë e oficerëve, e cila ruhet edhe sot në Janinë, ndërsa ndërtoi godinën dhe sallën e madhe të kavalerisë, ku ushtarakët mësonin kalërimin”, u shpreh studiuesi.

“Është njeriu që ndërtoi një strukturë të rëndësishme të infrastrukturës urbane rrugore të kohës. Petro Korçari ishte kryearkitekti i tij për fortifikime, kala, saraje të ndryshme, ura etj. Kalaja e Tepelenës, kalaja e Gjirokastrës, më 1813 u zgjerua nga e para nga Ali Pasha. Ajo e Porto Palermos u ndërtua nga e para, etj.”, theksoi studiuesi.

Koçollari gjithashtu foli edhe për jehonën e Ali Pashës në Evropë, ku figura e tij zinte vend të rëndësishëm në artikujt e gazetave disa vendeve europiane.

Figura e tij është përmendur nga autorë të mirënjohur në botë si Gëte, Flober, Aleksandër Dyma, nga letërsia bashkëkohore moderne (si Kadare) etj., u theksua ndër të tjera në simpoziumin shkencor në Tepelenë kushtuar Ali pashë Tepelenës./atsh/ KultPlus.com

“Ju nuk do të jeni më ata shqiptarë që keni qenë deri më tani, kaq të frikshëm dhe të respektuar”

Fjalimi i Ali Pashës mbajtur para shqiptarëve, para se të fillonte kryengritjen kundër perandorisë osmane.

Duke mbledhur personazhet kryesorë të Shqipërisë, duke mos përjashtuar as ata që ai besonte se nuk ishin miqësorë me të, Aliu i thirri ata që të qëndronin pranë tij për hir të tyre si për të tijat.

Ai i paralajmëroi ata se shkatërrimi i tij do të ishte pararendësi i tyre.

“Ju”, – tha ai,  – nuk do të jeni më ata shqiptarë që keni qenë deri më tani, kaq të frikshëm dhe të respektuar”.

Ju do të jeni të mposhtur dhe të përulur nga aziatikët frikacakë.

Ju rrëfej se shumëve prej jush u kam dhënë shkak për ankesë. Unë e di që disa prej jush, janë ofenduar me të drejtë nga dëmtimet që unë i kam bërë juve ose marrëdhënieve tuaja.

Por, nderi i Shqipërisë dhe interesi i vendit tonë, kanë rëndësi më të madhe sesa armiqësitë mes nesh. Dhe kur të gjithë janë në rrezik, kujtimi i gabimeve të së kaluarës është një ndjenjë e padenjë, për një mendje bujare.

Tani ju shikoj të gjithëve si fëmijët e mi, njësoj si Muktari (Myftari dhe Veliu).

Thesaret e mia, janë të hapura për ju.

Unë vetëm kërkoj nga ju, që t’i bëni nder emrit që ju mbani(Shqiptar) / KultPlus.com

Letra që sqaron momentet e fundit të Ali Pashës: fjalët që tha dhe gjuajta me pistoletë

Nga Aurenc Bebja 

“Le Constitutionnel” ka botuar, të hënën e 25 marsit 1822, në ballinë, një shkrim në lidhje me sqarimin e momenteve të fundit të Ali Pashës nëpërmjet letrave të dëshmitarëve okularë të Janinës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Ali Pasha ra më 5 shkurt, pas një mbrojtjeje me kokëfortësi prej më shumë se tetëmbëdhjetë muajve. Këtu po ju sjellim një përmbledhje të saktë të shkaqeve që i paraprinë katastrofës së tij, dhe ngjarjeve që e shoqëruan atë. Pas disa rrëfimeve kontradiktore të përhapura këtu në lidhje me këto ngjarjet e fundit, ne kemi marrë disa letra të dëshmitarëve okularë nga Janina, të cilat përputhen plotësisht mbi detajet e dhëna.

Rreth fundit të vjeshtës së kaluar, Thahir-Abbas (Tahir Abazi), një shqiptar mysliman dhe ish-oficer i Ali Pashës, ishte revoltuar me disa nga vëllezërit e tij të tjerë kundër Portës dhe u bashkua me suljotët në favor të zotit të tij. Agjentët e qeverisë lakmitare, dhe e cila, për fat të keq të Greqisë, është vendosur prej disa kohësh në rrethinat e saj, u shqetësuan mjaft për këtë ndryshim të shpejtë dhe të papritur.

Kur më vonë udhëheqësit shqiptarë të popujve myslimanë të Epirit dërguan disa deputetë në kongresin e Argos-it për të bashkuar përfundimisht fatin dhe interesat e tyre me ato të grekëve, këta agjentë u alarmuan aq shumë nga kjo rezolutë sa nuk mund të qëndronin, më gjatë, spektatorë, dhe pa u vonuar, bashkuan përpjekjet e politikës së tyre me armaturat myslimane. Ata arritën kështu të bindnin shqiptarët se projekti i grekëve ishte që të shkatërronin sa më shpejt që të mundnin Ali Pashën, të cilit ata kurrë nuk do t’i falnin bezdisjet e së kaluarës, dhe më pas të shfarosnin popujt shqiptarë, gjendja shpirtërore e të cilëve gjithmonë do t’u shkaktonte atyre hije.

Chouschrid Pasha (Hurshid ose Hurshit), më vete, këshillohej nga njëra anë nga këta agjentë, dhe duke parë nga ana tjetër pamundësinë e nënshtrimit të Ali Pashës me armë, përdori si mjet tradhtinë. Ai bëri disa lëshime ndaj Thahir-Abbas-it (Tahir Abazit) dhe kolegut të tij Hagos-Mouhourdar (Hagos Muhurdar), duke u premtuar atyre në emër të sulltanit se do t’i emëronte, të parin pasha të Janinës dhe të dytin pasha të Delvinës, duke emëruar kështu Omer Vrionin, pasha i këtij qyteti të fundit, në pashallikun e Beratit. Që ata t’i besonin, ai dërgoi nga Kostandinopoja një letër dënimi për Ismaïl-Pachobey-n (Ismail Pasho beun), pashain e Janinës, dhe Hysen Pashën, pashain e Beratit, të cilëve, të strehuar me sa duket në Selanik, u prenë kokat në Mezovon (Metsovo), një qytet dhjetë vende larg Janinës.

Kjo masë pati efektin e saj; Thahir-Abbas-i (Tahir Abazi) vuri re vënien në ekzekutim të premtimeve të serasqerit Chouschrid (Hurshid); dhe, pasi shkëmbeu disa pengje me të, ai arriti në Janinë. Duke qenë ndërmjetës midis turqve dhe ish-zotit (pronarit) të tij për të propozuar një marrëveshje, ai u prit me besim në fortesën e këtij të fundit, dhe pati disa takime me të. Ndërsa Ali Pasha i shtynte propozimet turke, ai përfitoi nga vizitat e tij në kala, dhe mori kontrollin e garnizonit që më parë kishte qenë nën urdhërat e tij, dhe tek i cili kishte ende një vetëbesim të madh; garnizoni kaloi në anë të tij dhe dorëzoi vendin.

Kështjella ra kështu në duart e turqve, Ali Pasha u tërhoq me rreth njëqind e dyzet burra në Esocastron (fortesë e brendshme), ku ai deklaroi se në fund të fundit do të hidhte në erë fortesën me të gjitha thesaret e saj. Turqit, të informuar për vendimin e tij, pas disa bisedimesh, i dërguan një konventë (kontratë) të mbuluar me firmat (nënshkrimet) e të gjithë pashallarëve, bejlerëve dhe oficerëve që gjendeshin në Janinë, dhe në të cilën, ata i betuan atij, mbi profetin, mbi kokën e Sulltanit dhe mbi besimin e tyre si myslimanë sunitë (ortodoksë), një tërheqje të ndershme, gëzimin e pasurisë së tij, dhe të gjithë sigurinë dhe mbrojtjen e Portës së Lartë.

Ali Pasha, duke parë këto nënshkrime të shumta, e la veten të tundohej për një moment. U ra dakord që vendi i tërheqjes së tij të ishte kalaja e Gjirokastrës. Kështu, pasi la oficerin e tij më besnik në krye të garnizonit të tij të vogël në fortesë, u nis, më 1 shkurt, bashkë me gjashtë bashkëpunëtorët e tij, për në kalanë e Ile du Lac (Ishullit të Liqenit), e cila ishte ende nën urdhërat e tij.

Atje, ai u ftua nga serasqeri të dorëzonte fortesën para se të nisej për në destinacionin e tij. Ndërsa ish-satrapi hezitonte ende, atij iu dërgua një konventë e dytë, e mbushur me një numër më të madh nënshkrimesh, dhe në të cilën i premtonin të njëjtin besim. Atëherë, ai nxorri nga xhepi një palë tespihe dhe i dërgoi në kalanë e tij. Pas kësaj shenje që kishin rënë dakord, oficeri shqiptar dorëzoi vendin, por kur turqit hynë i prenë kokën.

Në të njëjtën kohë, Hasan Pasha, i shoqëruar nga shpatëmbajtësi i Chouschrid Pashës (Hurshid Pashës), shkoi me 60 burra në ishull dhe i paraqiti Ali Pashës letrën e sulltanit. Kur ky i fundit vuri re se në vend të letrës së faljes që i ishte premtuar, i kishin sjellë atij vetëm një letër dënimi me vdekje, ai kapi një pistoletë : “Dhe ju që shkelni betimet tuaja në mënyrë tradhëtare, tha ai, kujtoni se Aliu është një grua ?” dhe duke folur kështu, ai qëlloi mbi Hasan Pashën dhe e plagosi. Me një të shtënë të dytë, ai vrau një oficer të pashait. Gjashtë oficerët e tij ndoqën shembullin e tij; ata vranë dymbëdhjetë turq, plagosën disa dhe humbën jetën ndërsa po luftonin. Koka e Ali Pashës u transportua më pas, e shfaqur në portën e kalasë së madhe, gjatë gjithë ditës së 6 shkurtit, dhe të nesërmen u dërgua në Kostandinopojë. I tillë ishte fundi i satrapit shqiptar, i cili u ther, por nuk u mund.

Letrat e fundit nga Janina na tregojnë se Chouschrid Pasha (Hurshid Pasha) u largua nga ky qytet më 13 shkurt me trupat e tij, duke u nisur për në Mezovon (Metsovo); ndoshta për të pushtuar paradat e Pindit, dhe për të favorizuar kalimin e thesareve të Ali Pashait. Ai ia dorëzoi Omer Vrionit komandën e Epirit, i cili është në krye të shqiptarëve.

Të njëjtat letra tregojnë se Chouschrid Pashën (Hurshid Pashën) e kanë larguar nga posti i tij i serasqerit, dhe duhet të shkojë në Kostandinopojë për të dhënë llogari për paratë e Ali Pashës. Nuk do të ishte e pamundur që ai të përjetojë fatin e paraardhësit të tij Pasho Beut, të cilit iu pre koka disa ditë para Ali Pashës, armikut të tij të betuar.

Disa njerëz vlerësojnë thesaret e Aliut të një shume prej 250 milionësh; disa të tjerë nuk mendojnë se arrijnë 100 milionëshin; por disa persona, që pretendojnë se janë më të arsimuar (ditur), sigurojnë që thesaret e tij të mëdha janë gruposur dhe fshehur, dhe se satrapi i mjerueshëm mbante vetëm një pjesë të vogël pranë tij. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-constitutionnel-1822-letrat-e-deshmitareve-okulare-nga-janina-na-sqarojne-momentet-e-fundit-te-ali-pashes-fjalet-qe-tha-gjuajtja-me-pistolete/

Si Ali Pasha vrau dashnoren e djalit bashkë me 17 prostituta

Historia që vijon, është më kontradiktorja nga “bëmat” e Ali Pashë Tepelenës.

I rrethuar gjithnjë prej femrash që stoliste e bënte me to ç’të donte, mori befas një vendim të tmerrshëm për t’i mbytur në liqen disa nga dashnoret e të birit, të cilat ligji i kohës “i ndëshkonte”. Ai vetë, po e po… bashkë me Lordin Bajron.

Prandaj, kjo është një nga ngjarjet që shumica e europianëve shënuan në mbresat e tyre në Pashallëkun e Ali Pashës, që ishte historia e Frosinës dhe djalit të Aliut, Mukhtarit.

Sipas tregimeve, dhe ciceronit që shoqëroi grupin e shqiptarëve në varrin ku prehet trupi pa kokë i Ali Pashës, mësohet se Mukhtari ishte qejfli i madh.

Duke u nisur nga ky fakt, një greke e quajtur Frosinë, që ishte gruaja e një tregtari grek, ishte njëra nga shumë femrat që shkonte me Mukhtarin.

Duke pasur dëshirën e saj që ta vidhte Mukhtarin sa më shumë të mundte, Frosina iu lut atij, i cili e dashuronte si i çmendur, që t’i jepte unazën e floririt që mbante në dorë.Kur Ibrahim pasha vrau në Shkodër 5 oficerë francezë(1812)

I verbuar nga pasionet, ai kujtoi se Frosina ia kërkonte unazën në shenjë dashurie, por Frosina shkoi menjëherë te një argjendar për ta shitur mallin e marrë.

Argjendari që e pa unazën e kuptoi menjëherë vlerën e saj, shkoi në pallatin e Pashait për ta shitur mallin e çmuar te gruaja e Mukhtarit, Pashoja.

Sigurisht që kjo e fundit e njohu unazën e të shoqit, u bë si e marrë dhe e pyeti argjendarin se ku e kishte gjetur unazën. .

Argjendari i tregoi se ia kishte dhënë grekja Frosinë. Pashoja, si grua e ndershme dhe me dinjitet, që tashmë ishte në kulmet e xhelozisë, shkoi menjëherë tek i ati i Mukhtarit, Aliu dhe i tregoi historinë.

Në këtë kohë, Mukhtari thirret nga Stambolli për të shtypur Pashain e Adrianopojës në Turqi.

Aliu që u informua nga nusja e të birit, Pashoja, për herezitë e të shoqit me putanat greke, kreu një hetim dhe i gjeti të gjitha prostitutat me të cilat i biri shkonte, i mori, i lidhi dhe i mbyti në liqenin e Janinës, për shkak të pabesive bashkëshortore dhe prostitucionit që kryenin, çka, sipas Aliut, dhe ligjeve të kohës ishte krim i madh.

Thonë se ishin plot 17 vajza të reja e bukuroshe që s’mëkatuan asfare, përveçse iu bindën urdhëresave dhe urisë seksuale si të të atit, ashtu edhe të të birit.

Megjithatë, u bënë “kokat e turkut”, oshtima e ulërimës së të cilave u dëgjua gjatë në vë veshët e ishullit.

Portretet e Ali Pashës, në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Francës

Portretet në vijim janë realizuar gjatë shekullit të XIX-të. Ato i dedikohen Ali Pashë Tepelenës (1744-1822).

Disa prej veprave të sundimtarit shqiptar, që në shoqëritë perëndimore njihej më shumë si Ali Pashë Janina, mbajnë emrat e personaliteteve të njohura të artit francez, si: Horace Vernet (1789-1863), Louis Dupré (1789-1837) dhe Jules Boilly (1796-1874).

Medalje e panjohur e porositur nga Ali Pasha

Ky është një medalion i periudhës osmane në shtëpinë e ankandit Kunker, Gjermani. Ajo mendohet se është porositur në 1807 nga Ali Pasha Tepelena ( 1741-1822), sundimtari shqiptar Shqipërisë dhe Greqisë, i cili ishte de facto i pavarur nga Porta e Lartë .

Në kundërshtim me traditën islame, ajo tregon portretin e një gruaje me kostum oriental ose grek. Ajo quhet Mbretëresha [Vasiliki] Hanim. Hollësi të mëtejshme për këtë medalje jashtëzakonisht të rrallë janë të panjohura.

Gjithësesi duket se ka një gabim pasi në vitin 1807, Vasiliqia ishte vetëm 9 vjeç dhe ajo hyri në pallatin e Ali Pashë Tepelenës në vitin 1812. Për këtë arsye, ajo mund të jetë pasqyrimi i një femre tjetër nga oborri i i Ali Pashë Tepelenës.

Imazhi perëndimor i medalionit dëshmon ndikimin e marrëdhënive të ngushta diplomatike që kish filluar Ali Pasha Tepelena me Fuqitë e Mëdha në rajon. Në fillim Franca 1798-1800 dhe pastaj Rusia 1800-1807 zotëronin Ishujt Jonianë, fqinjë të Pashallëkut të Janinës. Ndërkohë që agjentë britanikë si William Martin Leake ishin të pranishëm në rajon.

Në dhjetor 1806, Porta e Lartë i hapi luftë Rusisë dhe Ali Pashë Tepelena nxitoi të përfitonte duke arrestuar konsujt rusë në territoret e veta dhe me artilerinë, që kishte marrë nga francezët u përpoq të sulmonte ishullin e Shën Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë dhe armatolitë e Thesalisë. Ali Pasha u pajtua me feudalët çamë, kurse i biri i tij Myftari e mbyti në gjak kryengritjen e armatolive në Thesali.

Kur Fransua Pouqueville i emëruar konsull i përgjithshëm i Francës, mbrriti në Janinë në 1806, i solli Ali Pashë Tepelenës dhe premtimin e Napoelonit se do t’i jepte nën administrim ishullin e Korfuzit nëse do të angazhohej në luftë kundër rusëve. Tashmë Ali Pasha Tepelena zotëronte gjithë bregdetin e Çamërisë dhe po shikonte që të merrte në zotërim dhe Korfuzin dhe Ishujt Jonianë.

Paqja e Tilsitit në vitin 1807 midis Francës dhe Rusisë bëri të mundur largimin e rusëve nga ishujt jonianë, zotërimin e tyre sërish prej Francës dhe largimin e rrezikut rus për të minuar pushtetin e Ali Pashë Tepelenës në Epir dhe More, shkruan Gazeta Shqip./ KultPlus.com