Kur Ali Podrimja vajtonte vdekjen e Anton Çettës

Vaji për të zonë

Anton Çettës

Mungon kodi
Shiriti i zi rreth Ylberit
Muri mungon në mes teje e Ujkut të Çalë

Për asgjë e kurrkushët
monedhë e shpuar Atdheu

Mungon liria jote
Udha e motshme e komitëve
Vrapi i atit të Gjergjelezalisë
Në hapësirën nevrike

Nëpër fjalë ngatërron Vdekja
se në pazar doli Atdheu

As për pesë para burrëria
Majë gishtërinjve
kush i pari ngritet 
të nëntëdhjetëenëntat i bën

Në mes gurëve të gjarpërinjëve
trupin Atdheut ia ha litari

a e qitën në dyzen, po pikën Kullës
Në besë e pren Mjeshtrin

Zogut magjik nga mugëtirat e dheut e fjalëve
ia mbledhim puplat
nën frëngji të përgjumura

Për të zonë
se ç’vajton kënga o i madhi Zot.

Ulpianë, shtator, 1997 / KultPlus.com

Unë, Biri Yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Një natë nga netët pa gjumë

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja.

Zgjohu Kosovë! Zgjohu nana ime e dashur,
balli dhe emni im i shkelur,
zgjohu,oj! A po e ndien vajin tim?

A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër, mu në shpirt,
si t`i kam hedhë duart rreth belit
me të përqafu unë, ashti yt?

Zgjohu,Kosovë!
Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë vatër kush po e le?

Ç’janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tënde,
këto varre e murana që po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?…

Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…

Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s’po më troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..

Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pëlcitur.
Bota në ty le të kallet!/KultPlus.com

Ti dhe uji

Poezi nga Ali Podrimja

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës)

Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet

Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë./KultPlus.com.

‘Vetëm ose Hamlet i sëmurë’

Nga Ali Podrimja

Pak po më jep, jeta ime,
e tepër po lyp nga Unë.
Të të jap s’mundem më
tepër,
se sa të të ngre në këmbë.
S’mundem më tepër se sa
të të jap emër,
se sa të të mësoj të ecësh
kah e vërtetë, kah njerëzit,
se sa kohën time për ta
falur,
durimin e gurit, zjarrin,
kaltrinë.
S’mundem më tepër të të
jap
e ti tepër po lyp nga Unë.
Ne mes të verbërve vetëm
jam,
në mes të hijeve,
perëndive.
Vetëm para vetvetes
e hapësisë e murit,
para dashurisë e urrejtjes
vetëm.
Po ti tepër po lyp nga Unë
e pak po më jep, jeta ime.
0 Hamlet, o Hamlet, po vijnë mjekët me mantele
të bardha,
me mantele të zeza po
vijnë, për të të shëruar,
kokë e pafjetur e botës. / KultPlus.com

‘Përtej dhimbjes’

Poezi nga Ali Podrimja

Ka rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd të

shitur. Kosovë.

Konaqet e tua deri në themel po rrënohen,

e përtej dhimbjes do britje shemben me ballin tim,

me krahët e zogut tim të vrarë me dashurinë e

njerëzve të mi të kallur etjeje.

Rreth trupit tënd si gjarpër mbështjellë jam,

vatrat e shkimbura për t’i përflakur,

duar e këmbë t’i lidh me lëmshin e përrallave të tua –

se s’të lëshoj gjallë me gjak, pa të larë pëllëmbë për

pëllëmbë, eshtra e jetë në ty pa i lënë

konak e më konak pa të ndezur flakë…

10 Kam rënë degë e thyer prej reje në trupin tënd të

shitur prej pushkës kobzezë, prej pushkës

së padukshme…

Cila do të jetë kënga ime e mbramë dhe fjala e fisit tim^

Plepi i shtëpisë sime u dogj, ku t’i preh sytë,

ku ta shuaj flakën e ujës për ty, Kosovë?./KultPlus.com

Kur Ali Podrimja vajtonte vdekjen e Anton Çettës

Vaji për të zonë

Anton Çettës

Mungon kodi
Shiriti i zi rreth Ylberit
Muri mungon në mes teje e Ujkut të Çalë

Për asgjë e kurrkushët
monedhë e shpuar Atdheu

Mungon liria jote
Udha e motshme e komitëve
Vrapi i atit të Gjergjelezalisë
Në hapësirën nevrike

Nëpër fjalë ngatërron Vdekja
se në pazar doli Atdheu

As për pesë para burrëria
Majë gishtërinjve
kush i pari ngritet 
të nëntëdhjetëenëntat i bën

Në mes gurëve të gjarpërinjëve
trupin Atdheut ia ha litari

a e qitën në dyzen, po pikën Kullës
Në besë e pren Mjeshtrin

Zogut magjik nga mugëtirat e dheut e fjalëve
ia mbledhim puplat
nën frëngji të përgjumura

Për të zonë
se ç’vajton kënga o i madhi Zot.

Ulpianë, shtator, 1997 / KultPlus.com

Kur Podrimja i shkruante Agollit: Ç’të bëj, ma grabisin Kosovën…

(marrë nga profili i Elona Agolli)

Letër e poetit dhe mikut Ali Podrimja , dërguar 26 shkurt 2003 …

I dashur Dritëro,

Ç’të bëj? Në veri ma grabisin Kosovën serbët ; në jug maqedonët, në Perëndim malazezët …Vendlindja e Azem Shkrelit nuk është më nën jurisprudencën e Kosovës , po të Malit të Zi , ndërsa varri i Fahredin Gungës gjendet nën jurisprudencën e Serbisë …

E, unë ku të prehem ?

Shqipëria , mund të më ofrojë azil? Kam rënë në hall me bajraktarët e Kombit. Nuk di ç’të bëj? …

Të qafon yt vëlla,

Ali Podrimja

26 shkurt 2003

Ulpianë/ KultPlus.com

79 vjet nga lindja e poetit të njohur, Ali Podrimja

Ali Podrimja u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.

Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitoi lirizmin dhe ndjenjën poetike, por pa mundur të dalë krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional shqiptar.

Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.

Ali Podrimja u denoncua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të që prej datës 18 korrik.

Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.

Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005. / KultPlus.com

‘A thua tërë jetën do të na vijë era sëmundje e murtajë, a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët’

Poezi nga Ali Podrimja

Lum Lumi

A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapësirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;

Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

Spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.

A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.

A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.

Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.

Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.

Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë

Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.

Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi. / KultPlus.com

Dy poetët e mëdhenj kosovarë në një fotografi (FOTO)

Azem Shkreli nga Peja dhe Ali Podrimja nga Gjakova janë përfaqësuesit më të mirë kosovarë sa i përket artit poetik, shkruan KultPlus.

Këta dy poetë shënuan kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe. Arti i tyre i veçantë poetik, tashmë ka depërtuar edhe në nivel ndërkombëtar, pasi që poezitë e tyre janë përkthyer edhe në shumë gjuhë të huaja.

KultPlus ju sjellë një fotografi të përbashkët të këtyre dy poetëve. / KultPlus.com

Pikëllimë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë nuk qaj
Shi bie kombi im
shkundet plepi i shtëpisë

Unë nuk këlthas
nën dritare voglushi im
coft ra korbi i Edgar Allan Pose

Unë nuk luaj vendit
Muret lëvizin sendet voglushi im
vjeshtë e keqe mori

Re e zezë shtëpinë tonë mbështoll.

(Sharr, 1981) / KultPlus.com

Dashuria

Poezi nga Ali Podrimja

Koha është të duhemi,
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e Bjeshkës,
do ta ndez llambën në Kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi. / KultPlus.com

Kur do të flasësh o Ali Podrimja

Një poezi e njohur e Ali Podrimjes, dhe ndër më të pëlqyerat edhe të vetë shkrimtarit, është “Kur do të flasësh o Ali Podrimja”. Poezia është shkruar në vitin 1990, një vit i cili ishte dëshmitar i ndryshimeve në sistemin jugosllav dhe fillimit të vuajtjes për shqiptarët në këtë sistem.

Në shuplakë fiket ylli
na shikon në sy dhe përbihesh
shpinën pa na kthyer asnjëherë o ali podrimja

Rri atje nën qiellin e ftohtë dhe hesht me vjet
beson ende
në njeri

E emri të falsifikohet
mbiemri nënshkrimi datëlindja
emir i nënës i babait i vendlindjes i të parit
përrallat fëmijërore vallet lodrat
heronjtë këngët vajet kremtet

Mbi gjuhën tënde të lashtë mbi fisin
shqirren
dhe derdhen përronj të zez

E ti hesht o ali podrimja
beson ende
në njeri

Në hone të errta në bodrume mesjetare
elaborate emërtime të çuditshme rrënime
mallkime
lehje ndjekje kyçje
gjueti e egër

Ndizen fiken qirinj erë temjani pikojnë fjaët
trupat rezervati
nën sjetull të fatit dheun marrin fëmijët
Gruaja end e shkreh pëlhurën
në Kullë letre
Mbi kokë zgjatet hija sorrat korbat qiellit
kaçurrelat e verdha kreh
me një grusht dhé në gji
nisesh larg larg

Në Evropën mondane je albanais
arbëresh në Itali në Greqi arvanitas
arnaut në Turqi hamdurlah
në Amerikë mish konservash
e asgjë tjetër
e asgjë tjetër

Kushedi sa gjuhë flet zoti yt
E ti hesht o ali podrimja
beson ende
në njeri
Por por
kur do të flasësh o burrë i dheut
apo më parë duhet të lindësh
Kulmin tënd ç’e mbulojnë myshqet

Ali Podrimja./ KultPlus.com

Podrimja i shkruante Agollit: Ta shpëtoj Lumin, të gjej ilaç për jetën e tij (DOKUMENT)

Elona Agolli, bija e shkrimtarit të njohur Dritëro Agollit, herë pas here po zbulon korrespondencën e babait të saj me të afërmit dhe miqtë e tij, shkruan KultPlus.

Së fundi, ajo ka zbuluar një letër që i ishte dërguar nga Ali Podrimja, në kohën sa e kishte të shtrirë djalin e tij Lumin, në një spital në Beograd.

Letra është e vitit 1979, dhe sipas Elenës, Ali Podrimja në atë kohë duhet të ketë qenë 37 vjeç.
Podrimja i drejtohej Dritëro Agollit me një lutje, se nëse mund ti gjej ndonjë mjek të mirë, për djalin e tij Lumin. Kurse letra ishte drejtuar Beograd-Tiranë.

Më poshtë po ju sjellim letrën e plotë të Ali Podrimës, që ia kishte nisur në vitin 1979, Dritëro Agollit.

I dashur Dritëro ,
Dëshiroja të jem me Juve, por qe ,më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë .
Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar . S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të.
I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi. Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij.
Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit.
Më fal , nuk po mundem më të shkruaj .
Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve.
Me dashuri vëllazërore
Ali Podrimja
30.10.79 , Beograd
P.S
30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time .
Aliu
Kohë më pas , do të shkruhej e mrekullueshmja poezi “Lum Lumi”:



Lum Lumi
A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi.
– poezi nga Ali Podrimja./ KultPlus.com

Ali Podrimja: Më ka shpëtuar Esad Mekuli

Intervistë e vitit 2009, realizuar nga Vera Pelaj

„Përballemi me krim kulturor.Të ardhmes duhet t’i bëjmë vend“

– Cila kohë është koha e fillimit të shkrimit?

Ali Podrimja: Kam filluar të shkruaj që në vitet e ’60-ta, në një kohë të rëndë edhe për popullin tim. Poezinë e parë e kam botuar në revistën letrare “Jeta e re” në vitin 1957, nr.4. Kryeredaktor i saj ishte bardi ynë, Esad Mekuli. Në një shkrim diskursiv e kam quajtur “Ëngjulli im mbrojtës”. Isha nxënës i gjimnazit të Gjakovës dhe i kisha sjellë mjaft probleme me poezitë; se artikulimin e konsideroja akt të dinjitetit. Nuk e firmos poezinë nëse nuk ngritet ndonjë problem qeniesor të ekzistencës sonë. Ndodh t’i kthehem tekstit prapë, sepse nuk më le të qetë. Prandaj dhe vargu: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, shkruar para 50 vjetëve, ishte bërë problem për regjimin e atëhershëm. Lëvizjet e përbindshëve rreth meje u ngjanin hijeve të Teatrit shekspirian. Fat jo vetëm për mua ishte se në krye të “Jetës së re” qëndronte poeti, i cili mbronte krijuesit. Publikisht e them se Esad Mekuli më ka shpëtuar.

– Me çfarë problemesh u ballafaquat shkaku i shkrimeve?

Ali Podrimja: Problemi kryesor ishte guximi krijues. Pas një poeme të botuar dhe ca poezive të tjera në faqet e “Jetes së re“, kishte zënë të flitet për rebelimin tim. Por çfarë krijuesi do isha po qe se në një kohë të vështirë të mos e thoja të vërtetën për fatin tonë. Më vonë në poezinë Bukuria ( 1960) kisha thënë: “Zgjata dorën ta këpus lulen mos fqiu im më tha”. Fjala ishte për bukurinë dhe mirësinë në jetë, mirëpo ndryshe e kishte interpretuar pushteti i atëhershëm. Pëshpëritej se kisha menduar për Shqipërinë. A ta pranoja këtë kur ndeshkimi do ishte i rëndë. Posaçërisht droja për Kryeredaktorin Esad Mekulin, i cili ishte ftuar disa herë në biseda me ata të Komitetit Krahinor dhe e kishin pyetur për poezitë e mia të botuara në “Jeten e re”. Ç’është kjo poemë dhe vargu: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, pastaj ai fqiu? Sa vjet i ka poeti, që i ka shkruar këto vargje…? Esadi iu ishte përgjegjur: është një i ri dhe nxënës i gjimnazit të Gjakovës. Ata të Komitetit kishin pasur mendim tjetër: ai nuk meriton të vazhdojë shkollimin më tutje, poezitë e tij janë artikulim armiqësor. Dhe një ditë takohem me “Ëngjëllin tim mbrojtës”. Pasi e dëgjoj, falje i kërkoj dhe i them: e gjithë ajo në poezitë e mia është realitet. E vërejta se u shqetësua për atë që ia thashë. Dikur m’u drejtua: E di ti se “Jeta e re” është e vetmja dritare që kemi, të cilën mund të na mbyllin? Më kishte shikuar gjatë dhe pastaj më ishte drejtuar: Unë gjithmonë nuk mund të të mbroj. Të lutem, ta shkruash një poezi për Titon, do të jetë ajo një mburojë për ty. Po si ta shkruaj, baca Esad, kur nuk e kam takuar asnjëherë dhe ç’them për të. Prapë më ishte drejtuar: hedhi ca vargje e unë do të kujdesem. Ndryshe unë e kuptoj letërsinë, i kisha thënë. Kam ide të tjera. Megjithatë, kishte fituar ai. Nuk kisha mundur t’ia shoh lotin në sy. I kisha shkruar ca vargje në një cep letre dhe plaku e kishte vënë në çantën e tij. Seç kishte ndodhur me ato vargje e pashë kur doli “Jeta e re”. E kisha flijuar dinjitetin tim shkaku i poemës për Kosovën dhe pse nuk dëshiroja të jem shkaktar i mbylljes së “Jetës së re”. Po ashtu nuk isha i pari që kisha shkruar poezi për Titon. Në të dy krahët e Shqipërisë kishin shkruar më parë. Dhe me rastin e një antologjie, ku kishin zgjedhur poetë nga të gjithë popujt e ish-bashkësisë, kishin vënë aty edhe poezitë e Esad Mekulit, Enver Gjerqekut, Rrahmon Dedajt, timen dhe ca të tjerëve që nuk më kujtohen. Mirëpo, prapë isha bërë problem unë. Poezinë time e kishin analizuar fjalë për fjalë dhe i kishte bezdisur vargu “Trimi im”. Paj ky tallet, kishte thënë një sekretar federativ: Ne ndryshe lexojmë. Unë e pranoj si timin. Pse nuk ke thënë: Tonin? Kisha ngulur këmbë se ai në poezinë time ishte vetëm imi. Do e shohim kishte thënë i nderuari. Me kaq ishte mbyllur debati rreth poezisë për të nderuarin. Më bëhej se vargun pezhorativ e kisha lidhur fortë për heshtje time. E kisha prekur kokën, a e kisha ende mbi supa të mi… Mediokritetët tani kapen rreth asaj poezie.

– Bën të keni probleme edhe tani, konkretisht me poezitë. Çfare janë “Zerot”, “Përmendorja e viçit” të shkruara në vitin 2000 mbasi në to mund ta gjejnë veten shumëkush nga hierarkia?

Ali Podrimja: Krijuesi nuk bën të pajtohet me të keqen, ai duhet të luajë rolin e korrektuesit, të avansojë ide e vlera dhe të mbrojë dinjitetin e popullit që i takon. Është turp të heshtët para të keqës. Unë këtë nuk mund ta pranoj, prandaj gati e tërë poezia ime është ironike, e cila vazhdon të çmohet edhe nga të huajt, të botohet e të ribotohet. Më kujtohet Fadil Hoxha, e shihja rrugëve të kryeqendrës sonë në një makinë të rëndomtë: Vinte edhe pa trupëroje, si qytetar i thjeshtë, vizitonte institucione nga shkolla fillore deri te Akademia. Kishte një kurajo qytetare dhe besonte në popullin e vet. E, tani na kanë kapluar “zerot”, po zerot mund të jenë kafshatë e shumë njerëzve të varfër. Ndodh një korrupcion afrikan. Nuk dihet se kush vjedh më shumë. E kjo është e turpshme. Ndodh kjo kur ne ende bredhim në një hapësirë ballkanike dhe kur nuk e kemi marrë ende veten në dorë. Duhet të pranojmë se jemi pasanikë varfënjakë, siç thotë një mik imi.

– Jeni autor i shumë librave poetike. Ç’do të thotë kjo për Ju?

Ali Podrimja: Në letrat shqipe ka shumë poetë të mirë, të cilët do të dëshironte t’i kishte çdo letërsi. Para disa ditësh miku im, Fatos Arapi, u nderua me “Kurorën e Artë”, që do i dorëzohet në Takimet e Strugës në muajin gusht. Kjo mirënjohje ka mundur t’i jepej për të gjallë edhe Lasgush Poradecit, por fqinjtë tanë disi frikësohen nga fjala jonë, nga libri ynë. Pse ndodh kjo, e dinë më mirë ata. Në vitin 1968 Esad Mekuli kishte përkthyer romanin “Gjeneralin e ushtërisë së vdekur” të Kadaresë. Pas botimit të parë, ky roman ishte ribotuar nga një botues i njohur i Beogradit dhe i kishte rënë në dorë Mirolsav Kërlezhës, i cili e kishte lexuar me një frymë. Një ditë ca krijues nga Maqedonia kishin trokitur në derën e tij, dëshironin ta lajmëronin se Kryesia e Shkimtarëve të Maqedonisë kishte vendosur ta nderojë me “Kurorën e Artë”. Po kolosi i letërsisë kroate, u kishtë thënë: do ishte mirë këtë çmim t’ia ndani Ismail Kadaresë nga i cili këto ditë kam lexuar romanin “Gjeneralin e ushtërisë së vdekur”, një roman i rrallë në hapësirën tonë. Ky shkruan dhe poezi. Në gjuhën ruse i është botuar një përmbledhje e poezive që ka pasur jehonë në hapësirën ruse… Pyetni dhe për libra të mi, të cilët shumica janë botuar edhe në gjuhë të huaja. Kjo nuk më nderon vetëm mua.

– Keni qenë redaktor disa vjet në shtëpinë botuese “Rilindja” ç’mund të na thonit?

Ali Podrimja: Nuk ekziston më “Rilindja”, njëra ndër shtëpitë botuese më të mëdha në Gadishullin Ilirik. Ajo ka mbajtur gjallë kujtesën tonë dhe na ka vetëdijesuar. Botimet e saj kërkoheshin nga gjithë anët dhe nga të huajt. Nuk është më as gazeta “Rilindja” tirazhi i të cilës arrinte der në dyqindmijë kopje, nuk është as “Jeta e re”, ku i botonim punimet tona dhe të cilën e konsideronim dritare kah bota; nuk ekzistojnë as disa gazeta e periodikë, ku publikonin punimet e tyre krijues e shkencëtarë nga lami të ndryshme; nuk ekziston as gazeta e studentëve “Bota e re”, ku i publikonin të rinjtë punimet e tyre. Fajtorë për këtë jemi ne, se në vendet kyçe të kulturës u vendosën servilë dhe mediokritetet. Një shoqëri normale këto botime do i mbante gjallë për hir të traditës. Por dolën ca e thanë se kjo botë fillon nga ne. Mjerim… Me trashëgëminë nuk luhet. Përkundrazi i jepet vend i rëndësishëm në kulturën e një populli.

-Vargu juaj “Kosova është gjaku im që nuk falet” UÇK-ja e kishte betim. Si e keni përjetuar?

Ali Podrimja: Për këtë dëgjova pas luftës. Me mikun e komandantin trim Fatmir Limajn “Zëri” kishte botuar intervistë të gjatë, ku fliste për trimëritë e UÇK-ës si dhe për kohën e tyre mes dy zjarreve. Mes të tjerash, kishte thënë se gjatë pushimit lexonim poezi nga Ismail Kadare dhe Ali Podrimja. Ndërsa në Tiranë në vitin 1998 ishte mbajtur një tubim madhështor në Sheshin e Skënderbeut në përkrahjen e çështjes së Kosovës. Sipas Dritëro Agollit kishte pasur afro dyqindmijë njerëz. E kishin ngritur zërin për lirinë e Kosovës dhe në pankartat ishte parë vargu i cituar më lartë. Këtë devolliti ma kishte thënë në Muzeun e Hikmetit në Stamboll (1998), ku mbahej mbrëmja e poezisë shqipe. Nuk kisha ditur ç’t’i them mikut: kjo është nder për mua. Ashtu dhe do të ndodhë.

– Keni marrë pjesë në shumë manifestime letrare në Evropë. Cili është roli juaj në këto manifestime?

Ali Podrimja: Në manifestime të tilla mund të kontribuohet mjaft për çështjen kombëtare, si dhe për vlerat tona shpirtërore. Ne kaherë u përcaktuam për Evropën. Arbëreshët na ishin pararoja e qytetërimit tonë të hershëm që në shek. XV. Fatkeqësisht neve shqiptarëve na mungon propaganda. Nuk dimë të plasojmë të vërtetën mbi të qenit tonë. Ndërsa fqinjtë nuk prajnë të trillojnë shumçka për ne, bile dhe gjëra absurde që nuk i kap logjika. Në vitin 1997 vargu: “Kush do ta vras ujkun” ishte bërë plakat dhe vënë në disa qytete të Evropës. Prof. im i ndjerë Fehmi Agani e kishte dëgjuar tek e recitonte një deputet në Parlamentin e Evropës në Strasburg. Unë nuk isha politikan as këngtar kafenesh, por një poet që i drejtohesha opinionit evropian për atë që ndodhte në Kosovë. Kam qenë i nderuar dhe në Takimet e Mediteranit që mbahen në Romë. Aty kishin qenë më parë poetët Fatos Arapi, Visar Zhiti, Agron Tufa…

Sebep për mua ishte botimi i librit tim në gjuhën italiane, Zatën, ky është libri i dytë. Më parë poeti italian Gjakomo Scotti kishtë përkthyer librin “Poesie për Lum” (Napoli, 1984). Italianët, po ashtu, më kishin botuar shpesh. Disi isha i pranishëm. Mirëpo, pjesëmarrje e fundit ishte diçka e veçantë: pos meje hapej dhe Ekspozita mbi Gjenocidin serb në Kosovë, të cilën me mjaft kujdes e kishte përgatitur Nusret Pllana. Kishte pasur shumë reagime, posaçërisht nga Ambasada Serbe: Si lejohet të hapet një ekspozitë e tillë dhe të ftohet poeti që njihet për mesazhet e tij nacionaliste. Por bën të heshtet gjenocidi që kishte ndodhur në Kosovë e Bosnje? E turpshme ishte të mbesësh indeferent ndaj asaj që ndodhte. Me UÇK-në ishte barikaduar populli, pra dhe krijuesit e të gjitha rrafsheve…

-Ç’mendoni për manifestimet letrare?

Ali Podrimja: Fatkeqësisht te ne çdo gjë është rrënuar. Manifestimeve tona u mungon përkrahja dhe organizimi. Nuk kemi mësuar asgjë nga të tjerët, se ajo që na afirmon para opinionit të jashtëm është dhe fjala. Por fjala te ne është ngulfat, nuk ka hapësirë dhe shikohet si e dyshimtë, shkaku i komplekseve. Mendoj duhet të lirohemi nga e keqja, përndryshe do të kemi pasoja…

– Mbani mend sa herë jeni shpërblyer për krijimtarinë Tuaj?

Ali Podrimja: Jam nderuar me disa çmime në Kosovë, por do e veçoja çmimin “Nikolas Linau (1999, Gjermani). Poezitë e Linaut i kishte përkthyer Lasgush Poradeci që në vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar. Regjimi i atëhershëm nuk i kishte botuar, se nuk kishin qenë “poezi muskuloze”. Para dy vitesh më nderoi dhe Shqipëria me “Pendën e Argjend” për librin “Pikë e zezë në blu” (Botim i “Onufrit”), ndërsa Manifestimi tani tradicional “Poeteka” ma dha, Çmimin “Liburna” etj…

– E keni përcjellë polemikën Qosja-Kadare?

Ali Podrimja: Të zihemi në një kohë kur ende shumëçka ka mbetur pa u bërë për çështjen kombëtare, kam përshtypjen se nuk e respektojmë veten, as ato pak vlera që i kemi.

-Ç’mendoni për të rinjtë?

Ali Podrimja: Të rinjtë janë e ardhmja jonë. Fatkeqësisht nuk kanë hapësirë. Ky është krim kulturor. Të ardhmës duhet t’i bëjmë vend…

Vera Pelaj – 2009./ KultPlus.com

Ali Podrimja u zhduk pas Festivalit të Poezisë në Francë dhe u gjet i vdekur

Ali Podrimja ishte nga Gjakova, dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare. Ali Podrimja u zhduk pas Festivalit të Poezisë në Francë, dhe më pas u gjet i vdekur.

Në vijim mund të lexoni gjashtë fakte mbi jetën e poetit tonë të njohur:

1. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz, gjë që e intrigoi përkrahësin e talenteve të reja,Esad Mekulin,të merrej me të dhe të ndihmonte formimin e tij si poet.

2. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.

3. Ali Podrimja ishte Anëtar i Qendrës Europiane të Artit (EUARCE) të Greqisë.

4. Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit. Ai vdiq në rrethana të pasqaruara.

5. Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

6. Ndër veprat më të njohura të tij janë : “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005. /KultPlus.com

Unë, Biri Yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Rrenë klluqe

Poezi nga Ali Podrimja

Qeshu njëherë Lumi
Mure të forta kemi të larta
As vdekja të përbirohet
Kullë prej guri më
Oso Kukë Shkodrani s’e pat
S’u marrim dorë Zjarrit as Ujit të Madh
Vezën e fatit majë oxhaku
Lejlek i bardhë e çokat
do çelë njëherë
Do e ruajnë qen Sharri
Sorra gjarpërinj minj
do i qesin fare
Midis kopshtit
do rritet ’i lis thik në qiell
një lumë nuk do shter kurrë Lumi
Nën vetull të Bukurës së Dheut
lulegjakun do e vadis
Do i biesh fyellit ti
Nuk do hamë bukë thatë
Nuk do na përgjaken këmbët Majës
As e ngulim kot gozhdën
Qumësht shpenish do pijmë
Do hamë mish kaprojsh

Më shumë se bukë më shumë se krip do ketë
Nga qoftëlargu ruana Zot
Sarcoma leukemia ç’janë
Zorra qorre testimi nervor
ndërrim kohe një teshme gaz
Do mbretërojë qetësi varri
Mjekë më shumë ka se njerëz
Njëmijë vjet qe besa do jetosh Lumi
Do shkoj verës në Ulqin
do e mbys peshkaqenin
Në stepe do të dal
do e gjuaj ariun polar
Damask Halep do i pushtoj prapë
Te ndonjë arnaut te ndonjë arab
do e kërkoj Llampën e Alajdinit
E lirojmë katallanin në dhomën tënde
Do jetë i urtë si çdo vdektar
Të mbron nga syri i keq
derisa unë çel pyllin rreth shtëpisë
arinj peshkaqen derisa gjuaj
Në Horën Arbëreshe shkel pastaj
Me Don Vito Korleonen
do zbresim në fund të deteve

Arin e mbretërive ta nxjerrim
Të mos ketë të varfër në botë
urie-padrejtësie kush të mos vdesë
Në Palermo do i mbyllim
Katakombet e Kampuçit
Nuk mund e shoh një fëmijë si rri aq qetë
mes gjithë atyre kufomave
As në ëndërr nuk mund e shoh
Do t’u vemë dryrin e harresës
Lumi të gjitha do t’i kemi
Të gjitha
Ha ha ha
Ende më beson a
marroçi im i vogël
Unë rrej bre më shumë se Dreni se Iliri
Rrej më shumë se krejt Ulpiana Dardania
Vetëm ti do jetosh njëmijë vjet
Zotynë
Ha ha ha
Ha ha
Ha
Malum o Lumi
Paris, 1981, Ulpianë, 2001 / KultPlus.com

Unë, biri yt Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura, 
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, 
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet, 
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji, 
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta, 
e të shpërthejë do si vullkan, 
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë, 
Unë, biri yt. / KultPlus.com