Sot vdiq piktorja Alije Vokshi. E lindur më 1945, Vokshi ishte piktorja e parë shqiptare e diplomuar në universitet.
Kur flitet për artin dhe pikturën në raport me gratë kosovare, padyshim që duhet ndalur në një pikë, se historia e pikturimit me gruan shqiptare në Kosovë fillon pikërisht me emrin e Alije Vokshit.
Piktorja Alije Vokshi është gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë. Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.
Njerëzit rreth saj herët kishin filluar të nuhasnin shenjat e para të talentit të saj. Në çdo copë letre të zbrazët, ajo dikur vizatonte akte dhe portrete, madje edhe xhamat e djersitur e të avulluar ishin bërë objekt i gjurmëve të para të talentit të saj për vizatimin e pikturën.
Alije Vokshi, ishte piktore që inspirimin e kërkonte përtej dhomës së saj. Jo rrallë herë, ajo pëlhurave të bardha të kornizuara, u jepte imazhin e fshatarëve e peizazheve të anës së Dukagjinit. Ajo shpesh nisej rreth Deçanit, atje prej nga edhe i ka rrënjët. E tërhiqte fort veshja, dukja dhe zakonet e fshatrave.
Qëndrimi dhe pozicioni i tyre karshi jetës reflektohet dukshëm në çdo detaj të portreteve që u prezantuan në ekspozitën në Galerinë e Ministrisë, për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në ekspozitën e saj vërehej që subjekti i pikturave të saj ishin pikërisht gratë dhe burrat e vendit prej nga vinte.
Por ajo ka lënë gjurmë më një ndër pikturat ikonë, me portretin e plakës me të zeza, që ishte vjehrra e saj Ina. / KultPlus.com