Vejsiu: Italia më dha atë që më takonte, duhen penalitete ndaj bullizmit dhe shpifjes në rrjetet sociale

Prezantuesja dhe sipërmarrësja Alketa Vejsiu në studion e Ilva Now në Euronews Albania rrëfeu eksperiencën e jashtëzakonshme gjatë prezantimit të Sanremos, teksa iu përgjigj edhe kritikave që vërshuan në rrjetet sociale në Shqipëri për prezantimin e saj.

Teksa iu referua titujve pozitivë në mediat italiane, prezantuesja tha se Italia i kishte dhënë atë që i takonte, gjithçka kishte ndodhur në mënyrë të natyrshme pa asnjë lloj menaxhimi nga pas.

“Tituj aq të ndryshëm dhe dashamirës janë vetëm rezultat i përjetimeve personale të gazetarëve italianë. Unë njoh vetëm mekanizimin e meritës dhe imponohen në një treg duke se unë vlej me krenarinë e një shqiptareje të barabartë me të gjithëve jo me stepjen e një shqiptareje që kujton gjithmonë se para 20 vitesh bashkëkombësit tanë iknin me gomone. Do ta them në çdo intervistë në Itali; Shqipëria jonë nuk është më ajo e gomoneve”, tha ajo.

Teksa iu referua vetëvrasjes së prezantuese së njohur britanike, Caroline Flack pas valës së kritikave dhe bullizmit në mediat sociale dhe tabloidë, Vejsiu bëri një paralele me Shqipërinë duke shprehur bindjen se aty ku tejkalohen kufijtë moralë dhe ka bullizëm, duhet patjetër të ketë penalitete të forta ndaj kujtdo.

“Liria jonë mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Sidomos kur je person publik. E kam thënë tek monologu i Jocker në festival. Jocker u vra nga sistemi, por edhe nga media. Të gjithë këta njerëz të papërgjegjshëm që iu është dhënë mundësia e fjalës, por nuk dinë ta përdorin siç duhet, gati-gati bëjnë një veprim kriminal.

Nuk është vetëm e turpshme, por është kriminale. Duhen sanksione, duhet të ketë ligje. Është kauza e Ciara Ferragni që njerëzit pas Instagram dhe Facebook duhet të kenë karta identitet, nuk mund të vazhdojë ajo lufta e profileve ‘fake’ që duan të intimidojnë njerëz që nuk ju kanë asnjë borxh dhe asnjë faj. Deri atje ku është kritikë dhe argument është e durueshme, është OK, patjetër që po.

Janë të mirëpritura argumentet. Por aty ku tejkalohen kufijtë moralë dhe ka bullizëm, duhet patjetër të ketë penalitete. Kjo është kostoja më e madhe kohës sonë. Do të kisha dëshirë ta nisja unë një betejë të tillë në Shqipëri. Kam një betejë shumë të madhe me ‘fake news’, është e rëndë, janë fjalë urgjente”, tha prezantuesja. /KultPlus.com

Alketa Vejsiu përshëndet edhe shqip në Sanremo

Prezantuesja simpatike shqiptare, e mirënjohura Alketa Vejsiu është ngjitur mbrëmë në skenën e madhe të festivalit të muzikës italiane, “Sanremo”.

Alketa Vejsiu shënon kështu një moment historik, pasi është e para shqiptare që u bë pjesë e prezantimit të këtij kompeticioni mjaft të rëndësishëm italian.

Prezantuesja shqiptare ka hyrë në skenë me një veshje elegante. Por veç veshjes ajo që ra në sy ishte komunikimi i lirshëm në italisht dhe aftësitë si prezantuese, gjë që u vlerësua me duartrokitje nga publiku italian, të cilët nuk ndalonin së duartrokituri.

Prezantuesja e njohur nuk e fshehu emocionin teksa zbriste shkallët e teatrit të famshëm “Ariston”. Ajo tha se pjesëmarrja në këtë festival ishte një triumf për karrierën e saj profesionale, ndërsa zgjodhi një moment të veçantë gjatë prezantimit për të përshëndetur në shqip të gjithë bashkëkombasit e saj.

Alketa Vejsiu kapërceu kufijtë dhe u bë epiqendra e natës së tretë të Festivalit italian Sanremo. Alketës iu besua një monolog, tema e së cilës ishte emigrimi. “Vij nga një vend i vogël si Shqipëria dhe doja të ndaja me ju një histori”, u shpreh në fillim prezantuesja e mirënjohur që dhuroi spektakël më vete në Sanremo.

”Njëherë e një kohë, ishte një vend ku dëgjimi i [Claudio] Baglionit dhe [Adriano] Celentanos ishte i ndaluar, bëheshe armik i popullit, mund të të kushtonte lirinë. Mund të përfundoje në burg. Njëherë e një kohë ishte një vend ku dyshonin nëse ishe bjonde, sepse bjonde ishte Raffaella Carrà. Njëherë e një kohë, ishte një vend ku italishtja mësohej nga transmetimet e RAI-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta dëgjonim fshehtas, pasi mbyllnim mirë dyert dhe dritaret”.

Ajo falënderoi Italinë, që mbajti gjallë ëndrrat e shqiptarëve. ”Faleminderit Italisë që mbajti gjallë ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse nuk na braktiset kurrë. Nuk na braktisët kur morëm anijet për të mbërritur në bregun përtej detit për një mundësi më të mirë për të jetuar. Faleminderit Itali, sepse na keni dhënë shumë, na keni ndriçuar rrugën me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tuaj”.

Mes fjalëve që emocionuan publikun në sallë dhe bënë krenarë miliona shqiptarë që po shihnin festivalin, Alketa foli edhe për tragjedinë e kanalit të Otrantos, në të cilën “u mbyt shpresa për të gjetur ‘Tokën e Premtuar’ në bregdetin përballë”. Teksa këndonte “Una lacrima sul viso”, në skenë u shfaq artisti italian 74-vjeçar, Bobby Solo.

Aftësia e Alketës për të folur shpejt dhe prezantuar saktë në italisht është veçuar dhe nga faqja zyrtare e Sanremos. Ndërsa komentet në rrjetet sociale të miliona italianëve që ndjekin spektaklin më të madh të këngës janë të jashtëzakonshm, Alketa vlerësohet për veshje, elegancën dhe komunikimin brilant. /KultPlus.com

Sonte për herë të parë një moderatore shqiptare në “Sanremo”

Mbrëmjen e sotme do të transmetohet nata e tretë e festivalit të famshëm italian “Sanremo”, ku do të prezantojë për herë të parë një moderatore shqiptare.

Alketa Vejsiu do të ngjitet në skenën e famshme krah emrave të njohur dhe do të ketë krah saj në moderim partneren e Ronaldo-s, Georgina Rodriguez.

Moderatorja po bën përgatitjet e fundit për këtë natë të madhe, ndërsa ka dhënë edhe një intervistë për Opinion.al, duke zbuluar programin e saj për sonte.

E pyetur se ç’do të bëjë sonte në skenë, Alketa rrëfeu:

“Sonte kemi një monolog shumë të rëndësishëm i cili flet për eksodin e shqiptarëve dhe mënyrën sesi ky popull i veçantë dhe zemërgjerë e ka mirëpritur Shqipërinë…”

Gjithashtu ajo shtoi:

“Do këndoj…Do të këndoj italisht më kanë propozuar autorët pas koncertit tim recital në Shqipëri, ata menduan që duhet të këndoj edhe në “Sanremo” dhe do të vij një këngëtar italian…”

Moderatorja ka thënë së kjo është një ëndërr e bërë realitet. / KultPlus.com

Alketa Vejsiu, prezantuese e “Sanremo 2020”

Pak më parë Alketa Vejsiu ka ndarë me ndjekësit e saj lajmin më të rëndësishëm të karrierës.

Ajo ka treguar se do të jetë prezantuese e festivalit ‘Sanremo 2020” krah figurave më të rëndësishme në Itali.

Ajo është bashkë me shumë figura të njohura si Monica Belluci, Antonella Clerici, Sabrina Salerno dhe shumë të tjera.

“Po qaj me lot gëzimi! Është dita më e lumtur e karrierës time! Faleminderit Shqipëria. Faleminderit Italia. Çfarë nderi. Nuk mund ta besoj”, shkruan Alketa mjaft e entuziasmuar në Instagram.

/KultPlus.com