Me rastin e 20 vjetorit të Festës së Çlirimit, Ambasada e Republikës së Kosovës organizoi koncertin me muzikë klasike me pianisten e njohur nga Kosova Alberta Troni dhe sopranon shqiptare që jeton në Romë, Ana Lushi. Koncerti u organizua në teatrin prestigjioz Torlonia në Romë dhe u ndoq nga pjesëtarë të trupit diplomatik në Romë, njerëz të politikës, medias, kulturës dhe miq e dashamirës të Kosovës, të ftuar nga ambasada.
Në këtë koncert u interpretuan vepra të kompozitorëve të shquar si Bach, Mozart e Verdi si dhe pjesë muzikore nga kompozitorë të njohur shqiptarë.
Në fjalën e saj përshëndetëse në fillim të koncertit, ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama tha se 12 qershori është një ditë e madhe në historinë e Kosovës pasi shqiptarët për herë të parë shijuan ajrin e lirisë. Më tej ajo tha se Ambasada në Romë, gjatë mandatit të saj është munduar të promovojë gratë artiste, siç janë dy zonjat e shkëlqyera muzikante, pianistja nga Prishtina Alberta Troni, dhe sopranoja me origjinë nga Shqipëria Ana Lushi.
Publiku duartrokiti gjatë ekzekutimit në piano të pjesëve muzikore të pianistes nga Prishtina Troni, dhe interpretimin lirik të pjesëzave muzikore nga sopranoja Ana Lushi, veçanërisht ato shqiptare si “Dielli ka perendue” të Prenk jakovës, Suite Ilire e kompozitorit Kaçinari si dhe këngët shkodrane tradicionale “Kenke nuri i bukurisё dhe Un’ o ty moj tё kam dashtё”.
Koncerti me muzike klasike u organizua nga Ambasada, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës./KultPlus.com