Nga Alma Nikolli
Për fat të mirë, dikur kam qenë fëmijë. Asnjë lodër nuk më priste, kur zgjohesha në mëngjes, por kisha të gjithë botën që më vetëofrohej dhe unë duhet të krijoja. Në ato ditët kur “geni shpikës” vijonte ende gjumin nën cicërimat e zogjve, sajohesha me lojërat dembele në oborr.Një tel plot me rroba të varura. Aq shikoja dhe më mjaftonte. Ngjyrën dhe renditjen, s’i vija re fare. Futesha mes tyre, bëja figura, ndiqja hijen e gishtave të mij apo mahnitesha se si buburrecët në tokë arrinin t’u iknin pikave të ujit që kullonin nga çarçafët.
Nuk e di sa kohë mund të kalonte ashtu. Një zë i vajzave të lagjes më shkëpuste nga ajo botë dembele drejt “betejave” të vërteta. Ne luanim shpesh një lojë që quhej “topa ngjyrash”. Rregulli ishte ky: ndërsa të ndiqnin me topin në dorë, ti duhet të vrapoje për të prekur ngjyrën që ishte thënë. Ishte pikërisht ai, momenti kur pendohesha që kisha anashkaluar ngjyrën e rrobave…, por sot pendohem më shumë.
Pse?
Po ja, do të isha më sistematike në varjen e rrobave në tel. Se, mirë do të ishte sikur të mund të vetëvareshin…, por ja që nuk e bëjnë. Nuk do të fitoja një lojë, por një betejë me mamin dhe sytë e fqinjëve. Mirë që bëhesh “vajzë e mirë” (thënë në terma të tjera “bën detyrën”), por duhet edhe të jesh një farë ariktekteje apo dizenjuese e teshave në tel.
Të bardhat bashkë, të renditura sipas madhësisë. Eh, dikur fëmijë… të bardhat i nxija sa ishin në tel.
Ato me ngjyra nga më e errëta te e çelëta, apo e kundërta. Një art më vete. Një art dhe lojë prej të rriturish.
Në ditët e “zemëruara”, në vend që të mendosh për “shpullat” që të japin çarçafët, teksa i var në tel, duhet të bësh art edhe në rreshtimin e rrobave sipas kategorisë dhe ngjyrës, ashtu siç të ka mësuar mami, se ja i panë komshinjtë ashtu rrëmujshëm dhe u bë nami.
Me ato pak shoqe që e bashkëndaj këtë hall mund të komentoj vetëm: Më thuaj si i nder rrobat në tel, të them ç’vajzë je. / KultPlus.com