Alpet shqiptare të mbuluara nga dëbora ofrojnë një peizazh mbresëlënës për të pasonuarit pas ngjitjeve në mal.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga Alpet, duke ftuar vizitorët t’i frekuentojnë ato në këto ditë dimri.
Kumbaro tha se “Alpet, deri pak vite më parë ishin të izoluara gjithë dimrin e gjatë, kurse sot frekuentohen nga turistë e të pasionuar pas sporteve natyrore e të aventurës”.
Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.
Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m.
Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat.
Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një shkrim të “National Geographic Travel” që rekomandon Alpet Shqiptare si destinacion për t’u vizituar në 2024-ën.
Në artikullin e botuar nga “National Geographic Travel” theksohet se, “udhëtarët, që kërkojnë diçka më ndryshe nga aventurat e tyre të mëparshme evropiane po shikojnë gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë. Vendi ballkanik po tërheq një numër në rritje vizitorësh falë brigjeve të tij në Adriatik dhe Jon, të kaluarës intriguese osmane dhe komuniste dhe skenës relativisht të sapolindur të turizmit”.
“Të zhytura në brendësi të veriut, Alpet Shqiptare janë një e pjesë e rëndësishme e turizmit shqiptar. Bjeshkët e Nemuna, kjo mbretëri e majave të thepisura karstike është një ëndërr për alpinistët, ku rrëqebujt enden nëpër pyjet e bredhit dhe lulet e egra mbulojnë sipërfaqen e luginës. Ata që kërkojnë të eksplorojnë shtigjet sfiduese të rajonit mund të bëhen pjese e një turneu tetëditor, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër shtigjet malore, shtëpitë tradicionale dhe një vizitë në fshatin e Thethit, duke përfshirë edhe ecje në Majat e Ballkanit. Shqipëria është gjithashtu më e aksesueshme se kurrë falë një sërë linjash të reja ajrore”, thuhet në artikull./atsh/KultPlus.com
Bëhet e ditur se në shpatet e malit në një fshat të Zvicrës, artisti Saype ka realizuar këto piktura gjigante.
Pikturat, të cilat janë realizuar në shpatet e Malevemund, do të zgjasin disa ditë, në varësi të kushteve të motit, transmeton albinfo.ch.
“Këta janë dy fëmijë, të cilët secili po vizatojnë atë që shohin nga këndvështrimi i tyre. Interesante është se fëmijët janë në lartësi të ndryshme, kështu që ata po vizatojnë gjëra të ndryshme. Megjithëse janë në lartësi të ndryshme, dy botët që po vizatojnë plotësojnë njëra-tjetrën”.
Artisti shpjegon se pikturat e tij, të cilat shtrihen në rreth 3,000 metra katrorë, mund të shihen nga maja e malit dhe kullotat aty pranë simbolizojnë nevojën për të refuzuar uniformitetin dhe për të përqafuar perspektiva të ndryshme. Saype është i njohur për realizimin e pikturave gjigante në disa vende të botës, përfshirë Berlinin, Parisin, Stambollin dhe Cape Town. / KultPlus.com
Manteli i bardhë i Alpeve është bërë gjithnjë e më shumë kalimtar.
Në shekullin e kaluar qëndrueshmëria e borës është ulur me më shumë se një muaj duke arritur rekordin negativ që nga koha e Kristofor Kolombit dhe Leonardo da Vinçit.
Kjo zbulohet nga unazat e rritjes së bimëve të zakonshme të dëllinjës të rritura në lartësi të mëdha, të analizuara për një studim të paprecedentë nga studiues nga Universiteti i Padovës dhe Këshilli Kombëtar i Kërkimeve (CNR).
Rezultatet, të publikuara në revistën ”Nature Climate Change”, tregojnë pasojat alarmante të ngrohjes globale, e cila sipas NASA-s dhe Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) i ka bërë vitet e dekadës së fundit (përfshirë vitin 2022) ndër më të nxehtat ndonjëherë të regjistruara.
Drejtuar nga Marco Carrer, Raffaella Dibona dhe Angela Luisa Prenden, nga Universiteti i Padovës, dhe nga Michele Brunetti, i Institutit të Shkencave Atmosferike dhe Klimatike të Këshillit Kombëtar të Kërkimeve (Isac – Cnr), studimi analizoi numrin e ditëve në të cilat bimët ndaluan rritjen e tyre për shkak të mbulesës së borës./KultPlus.com
Treni Bernina Express kalon nëpër Alpet me borë në Zvicër dhe pamja që shihni është unike. Më konkretisht, në festën e bardhë të Alpeve, një vijë e kuqe shton një prekje tjetër ngjyrash. Nuk janë askush tjetër veç vagonëve të trenit Bernina Express që “thyejnë” uniformitetin e ngjyrave të peizazhit verbues alpin të Zvicrës.
Treni është fotografuar në urën që kalon mbi lumin Landwasser, në lagjen Filisur.
Treni Bernina Express: Lidh Zvicrën lindore me Italinë veriore
Bernina Express, që lidh rajonin Chur në Zvicrën lindore me Tiranon në Italinë veriore dhe konsiderohet linja hekurudhore më e lartë në Alpe.
Pika më e lartë e saj është në stacionin Ospizio Bernina, në një lartësi prej më shumë se 2 kilometra mbi nivelin e detit.
Fotografët italianë Marco Bottigelli dhe Francesco Vaninetti udhëtuan në Bernina Express dhe fotografuan të njëjtën pamje dhe pamje të mahnitshme.
Treni Bernina Express: Udhëtimi i tij është spektakolar
“Nuk kam parë kurrë më parë një pamje të tillë nga ky tren, udhëtimi i tij është spektakolar”, raporton Marco, duke shtuar se vendi i tyre i preferuar ishte ky kalim mbi lumin Landwasser. “Treni del nga tuneli dhe kalon direkt në një urë me hark në lartësinë 65 metra. Ngjyra e kuqe e ndezur e trenit spikat mes borës së bardhë të pastër dhe qiellit blu.”
Treni Bernina Express: Kalon nëpër 55 tunele dhe kalon 196 ura
Marco dhe Francesco kaluan një ditë duke udhëtuar në këtë tren që kalon nëpër 55 tunele dhe kalon 196 ura.
Një ditë më parë kishte rënë shumë borë, ishte një peizazh i mrekullueshëm dimëror, sikur të ishim në një përrallë.
Linja Bernina u ndërtua midis viteve 1908 dhe 1910 dhe funksionoi në mënyrë të pavarur deri në vitet 1940, kur u ble nga hekurudha zvicerane Rhaetian.
“Ne ishim shumë me fat që mundëm të fotografonim atë ditë në sfondin e peizazhit me dëborë pasi kjo po bëhet gjithnjë e më e rrallë çdo vit. Vendasit besojnë se kjo është për shkak të ngrohjes globale. Shpresoj që këto foto të zgjohen dhe të ndërmerren veprime për të mbrojtur bukurinë e planetit tonë”, përfundoi ai. /abcnews.al/ KultPlus.com
Parku Kombëtar Alpet që përfshin lumin e Gashit, Luginën e Valbonës, Thethin, Vermoshin e Bogën është ndër destinacionet më të vizituara gjatë këtij viti në vendin tonë.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër bën të ditur për ATSH-në se “gjatë këtij vitit ka pasur një fluks të lartë vizitorësh në Alpe, ku nga 1 janari deri në 30 shtator u vizitua nga 213 344 turistë, ku numrin më të lartë e zënë të huajt”.
“Konkretisht në këtë periudhë 93 095 ishin turistë vendas dhe 120 249 të huaj si gjermanë, francezë, sllovenë, etj”, tha AdzM Shkodër.
Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruar natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë, madje edhe në botë.
Alpet shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe.
Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat./ atsh / KultPlus.com
Ministri Hajrulla Çeku priti në takim disa nga alpinistet që u ngjitën në njërën ndër majat më të larta të Alpeve, majën Mont Blanc në Francë.
Arbenita Pajaziti, Elvira Ibrahimi-Hoti dhe Shpresa Ismaili, tri vajza që kanë pasion hiking ishin pjesë e ekspeditës pesë ditore që u organizua nga klubi Alpin “Prishtina”.
Në takim diskutuan për eksperiencën e tyre në këtë ekspeditë, për rëndësinë e promovimit dhe vetëdijësimit të njerëzve për benefitet e aktivitetit fizik dhe sportiv.
Ministri Çeku i përgëzoi për suksesin e tyre ndërsa i njoftoi edhe me programet e ministrisë për masivizimin e sportit në vend.
Në ekspeditën për ngjitjen në majen e dytë më të lartë në Evropë ishin pjesëmarrës 28 persona, ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ishte një prej mbështetësve të këtij aktiviteti. / KultPlus.com
Zvicra është e vendosur në sistemin e vargmaleve të larta të Alpeve. Shpesh në literaturën gjeografike përmendet si shtet alpin, transmeton KultPlus.
Simboli i këtij shteti pa dyshim se janë lopët. Për çdo vit bëhet parada e lopës alpine. Në vjeshtën e vonë lopët kthehen në fermat e tyre, për të kaluar dimrin brenda rrethojave në fermat zvicerane.
Shumë fermerë zviceranë në vjeshtë janë të zënë me kthimin e kafshëve të tyre nga kullotat malore. Pasi të kalojnë verën duke kullotur në livadhe me barishte të freskëta, gjedhet do të kalojnë dimrat e tyre në hambar.
Por, në stinën e pranverës, kur edhe jemi tani, bëhet parada e tyre, ato ngjiten drejt kullotave në Alpe dhe qëndrojnë deri në vjeshtë në ambiente të jashtme./albinfo/ KultPlus.com