Ejona Veselaj
Kur flasim për kapërcimin e maleve në Kosovë dhe Shqipëri, është një alpinist i veçantë që ka përqafuar këtë sfidë, duke i ecur të gjitha vështirësitë dhe bukuritë që toka jonë ofron. Të gjitha këto përvoja, alpinisti kosovar Gani Halili i ka dokumentuar edhe përmes librit të tij “Në 100 majat më të larta në Kosovë dhe Shqipëri” duke e përmbledhur gjithë udhëtimin e tij magjik në botën e natyrës, shkruan KultPlus.
Halili, i cili me profesion është dizajner grafik, dikur i punësuar në një gazetë të përditshme, ka rrëfyer në mënyrën më të bukur dhe të thellë pasionin e tij për malin që prej vitit 2018, kur ka filluar seriozisht aventurën e tij. Por rrëfimi fillon më herët, kur në vitin 2013, duke përballuar një periudhë të vështirë si i papunë, ai gjeti ngushëllim në majat e Rugovës dhe Gërmisë.
Në një intervistë të realizuar në hapësirën e KultPlus Gallery, ai ka treguar për ecjen e tij të parë në Valbonë, ku sytë e tij përjetuan pamjen e parë të majave dhe ndjeu thirrjen për të shkuar më tej.
Që nga ajo kohë, Halili thotë se synim e ka pasur t’i ngjisë të gjitha majat më të larta në Kosovë dhe Shqipëri, duke shtuar se është shqiptari i parë që i ka shkelur të gjitha, 2 lugina e 122 maja me këmbë dhe i ka përmbledhur në një libër me përvojat personale dhe me fotografi të rralla të pasurisë natyrore shqiptare, të cilat i ka realizuar të gjitha me telefonin e tij.
Kjo nuk është vetëm një listë e përmbledhur e arritjeve të tij, por një dëshmi e vërtetë e guximit dhe vullnetit njerëzor. Halili, me krenari, nuk heshti të ndajë me ne përvojat e tij të ngjitjeve, ku çdo maje është një histori e përsosur, e shkruar me zemër në një libër të pasur me fotografi të mahnitshme.
Në rrëfimin e tij, Halili ka treguar se të gjitha ngjitjet i ka bërë ose vetëm ose me 2 apo 3 shokë të tij. Sepse, siç thotë ai me modesti, në këto aventura, siguria është gjithmonë parësore, dhe një mik pranë është si një shpirt mbrojtës në këto rreziqe të natyrës.
“Me një shok të Gjilanit i kemi ngjit rreth 60 maja. Për 5 vite i kom përfunduar të gjitha se nuk kam punuar asgjë tjetër, i kam zgjedhur ditët kur ka qenë koha e duhur”, është shprehur Halili për KultPlus.
Duke folur me pasion dhe dashuri për natyrën e sidomos për bjeshkët, Halili ka thënë se majat e fundit i ka ngjitur vitin e kaluar, në Grembajë në Alpet Shqiptare, që është pjesa e Gusisë që lidhet me Malin e Zi.
Pse vetëm bjeshkët e Kosovës dhe Shqipërisë?
Alpinisti Halili thotë se ka zgjedhur të ngjisë vetëm majat e Kosovës dhe Shqipërisë sepse janë të paeksploruara dhe janë më pak të kushtueshme se ato të botës.
“Kam zgjedhur veç bjeshkët shqiptare sepse kjo më ka veçuar, nuk është lajm të shkosh në Everest sepse mjafton vetëm me pas para, lajm është të shkosh në bjeshkët tona se janë të pa eksploruara. Janë edhe të rrezikshme dhe mund t’i krahasosh me shumë male të botës”, është shprehur ai.
Se a ka pasur sfida gjatë udhëtimeve të tij, Halili thotë se ka pasur fat në këtë drejtim. Ai shprehet se ka udhëtuar për 10 e 15 orë dhe ka mjaftuar një hap i gabuar që mund të kushtojë me jetë.
“Kam pas fatin mos të kem vështirësi, për shembull për 12 orë ecje ti ndoshta i bën 10 mijë hapa, ka mjaftuar një hap të hidhet gabim e me të shku jeta, plus më kanë gjyku shumë se të gjitha ngjitjet i kam bërë pa litar”, është shprehur tutje Halili.
Ai ka treguar se maja më e vështirë për t’u ngjitur ka qenë ajo e Zastanit, duke shtuar se herën e parë që është nisur, nuk ka mundur ta ngjisë sepse nuk e ka gjetur shtegun.
“Maja më e vështirë e që e kam bërë vitin e kaluar, është Maja e Zastanit, që nuk është e përfshirë në libër. Kam shkuar një vit përpara me tre shok por nuk e arritëm sepse nuk e dinim shtegun dhe u kthyem. Kam shkuar përreth kodrave ku i kam dalë përballë asaj maje që ta analizoj për herën tjetër, e kam marrë një foto dhe e kam vizatuar një shteg që ma ka marrë mendja. Herën tjetër kur kam shkuar ka qenë ai shtegu ku kemi kalu. Është një ndër sfidat kryesore të krejt majave”, është shprehur Halili.
Për KultPlus, Halili thotë se gjithmonë ka dashur që librin ta bëjë për t’ua lënë fëmijëve, mirëpo më pas ka vendosur ta publikojë, duke qenë se nuk ka libra të tillë.
Baba i dy fëmijëve, një vajze dhe një djali, Halili ka treguar se në rrugëtimin e tij për pesë vite, e ka pasur gjithmonë mbështetjen e familjes, edhe pse shumë herë janë frikësuar. Ai ka treguar se në disa prej ngjitjeve, e ka pasur me vete edhe djalin e tij, një prej të cilave e veçon vetë ai, është në majën e Arapit në Theth të Shqipërisë.
Siç dihet, shumë orë ecje duhen për të arritur në maje të larta, dhe ndër rrugëtimet më të gjata që i ka bërë, Halili thotë se ka zgjatur 17 orë, ku ka ecur 50 kilometra nga maja e Restelicës tek ajo e Korabit, që njihet si më e larta në shqiptari.
Sa i përket vështirësive, Halili ka treguar se me më shumë sfida kanë qenë ato në Shqipëri, duke qenë se në Kosovë janë bjeshkët shumë të përshtatshme për stinën e dimrit, sepse siç thotë ai, nuk janë të thikatura.
Në mes maleve të Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë bisedës, Halili u shpreh se Shqipëria është një mrekulli dhe lirshëm mund të konkurrojë me alpet zvicerane. / KultPlus.com