Alter Habitus organizon edicionin e parë të ‘Letërsia Lëvizëse’ – seri ngjarjesh letrare nëpër qytete në Kosovë. Ky edicion do të përkujtojë dhe festojë jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve: Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda dhe Mirko Gashi. Letërsia e tyre do të lexohet në oborret e shtëpive të tyre, sheshet e qyteteve apo lagjeve.
Sonte, në Ferizaj do të lexohet dhe flitet për letërsinë dhe punën profesionale të Shpresa Vinca Tudës, në sheshin “Ismail Kadare”. Shkrimtarët mysafirë të mbrëmjes janë: Agim Vinca, Qibrije Demiri Frangu, Kaltrina Lohaj dhe Mirlinda Koxha. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me Komunën e Ferizajit dhe Klubin Letrar ‘De Rada’.
Ngjarja mbahet në ora 17:00 në Sheshin Ismail Kadare në Ferizaj.
Në Prishtinë, në anën tjetër, me datë 17 shtator, do të lexohet e flitet për letërsinë e Mirko Gashit, mbi Kurriz në Dardani. Shkrimtarët mysafirë: Ardiana Shala Prishtina, Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Avni Zogiani dhe Donika Dabishevci. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me zinën ‘Lirindja’. / KultPlus.com
Të privuar nga media dhe informimi secila familje shqiptare kishte blerë një antenë satelitore, duke e kthyer qytetin në një “kopsht të këpurdhave të bardha”. Ju mund të shënonit saktësisht në peizazhin e qytetit se cilat ishin banesat shqiptare. Satelitët “mundësuan për herë të parë të shohim një botë përtej 3 kanaleve televizive serbe”. Njëkohësisht shqiptarët kishin mundësi edhe në programin dy-orësh që Radio-televizionit Shqiptar e siguroi si hapësirë informuese vetëm për ta. “Një herë në javë, kasetat me lajme dhe incizime nga terreni në Kosovë dërgoheshin për Shqipëri për programin 2-orësh”, thekson Dragaj.
Sateliti u ofroi mundësinë shqiptarëve të Kosovës për të parë dhe për tu parë dhe përtej MTV, VIVA, Euronews BBC,e të tjera, ishte videokaseta që u bë zëvendësim për mungesën e programeve kulturore në gjuhën shqipe. Në anën tjetër përtej muzikës rock me të cilën shquhej gjenerata e kohës – rryma të tjera muzikore vinin në shprehje me shumë tema të angazhuara duke adresuar brengën për rrethanat e kohës kur rezistenca paqësore tashmë ishte zbehur dhe në sfond dëgjoheshin zëra për krijimin e UÇK-së. Kujtojmë “Don’t fuck with Albanians” të grupit Jericho Walls, duke u cilësuar si një grup “në këngët e së cilit kulmon mllefi dhe shpërthen njëfarë çlirimi. Këngët e këtij bendi përbëjnë një kronikë fantastike të kohës, një perceptim dhe konceptim të ndryshëm të kontekstit tonë jetësor në të cilin sprovohen të gjitha vlerat e proklamuara politike shqiptare” të atij dhjetëvjetëshi. Për herë të parë një gjeneratë në Kosovë heq dorë nga durimi asketik për ta shpalosur rebelimin e vet”, e rreshtuar drejt ardhmërisë.
A mund ta quajmë rebelim edhe imazhin e çliruar të Adelina Ismailit në të ’90-tat si “një demonstrim i sovranitetit të trupit të zgjuar dhe njëkohësisht një sprovë dhe një provokim shqetësues për ideologjinë dominuese të “moralitetit shqiptar”. Dua të ndalem të kënga e saj “Ushtrinë time do ta bëj – me Ibrahim Rugovën” për simbolikën e fjalëve dhe të imazhit që ajo përçoi. Kujtoj festivalin “Show Fest” në një kohë kur Rugova ndoshta për arsye politike nuk po gjente forcën të pranonte publikisht se UÇK-ja ekzistonte, del një zë gruaje që përçon një mesazh sa të lirshëm aq të koduar, sa rebel e sa të sofistikuar, fundja nëse asgjë tjetër si një nevojë dhe kërkesë e një gjenerate që tashmë durimin dhe pritjen e kishte të harxhuar.
Kënga u përcoll fillimisht me imazh – veshje ushtrie duke simbolizuar rreshtimin dhe përbashkimin drejt lirisë, por përfundoj me zhveshjen e saj nga ato rroba në një imazh çlirimtar e fitimtar të vetës, trupit të saj dhe lirisë individuale e kolektive, jo vetëm si refleks I mesazhit të këngës por edhe më shumë si shpërfaqje e një çlirimi ndërshqiptar që tashmë pavetëdijshëm kishte ndodhur në raporte gjinore, moshore dhe shoqërore në përgjithësi në procesin e lëvizjeve socio-kulturore për pavarësi. Në këto rrethana të ndrydhjeve dhe përplasjeve të mëdha lindi hip-hopi në Kosovë, një skenë që edhe sot e asaj dite është dominante. “Një ditë do të jetë më mirë” kënga e grupit “Ritmi i Rrugës” ishte për shumëkë një këngë optimizmi në ditët gri. Sidoqoftë “për dikë që në atë kohë ishte tinejxher në Prishtinë, kujtimet e viteve të ’90-ta zgjojnë ndjenja të përziera. Dëshpërimi I jetës nën sistemin e aparteidit kundërpeshohet me nostalgjinë për ekspanzimin në kulturën urbane, e cila mbolli farën për atë që sot njihet si skena alternative mjaftë e gjallë dhe produktive e Prishtinës” thotë Maliqi.
Në anën tjetër paralelisht me këto aktivitete shumë djem të rinj ndërprenë studimet e tyre dhe shkuan jashtë Kosovës duke qenë të përndjekur nga Ushtria Jugosllave me idenë se duhet të përfundonin shërbimin ushtarak… sa ironike!!! Disa, filluan ti bashkohen UCK-së nëpër male. Dukej qartë se rezistencës paqësore po I vinte fundi dhe kjo do të shënjohej me demonstratat e studentëve me 1 Tetor ’97. “ Sot për sot” ishte slogani I jetës për shqiptarët, pasi e nesërmja ishte e pasigurt për të gjithë dhe lufta tashmë ishte në derë. “ Në ditët e numëruara dhe me pak domethënie të mesit të Marsit ’99 një kampanjë e një grupi të të rinjve përqafoj qytetin. Slogani i njohur i këpucëve sportive “NIKE” që promovonte shpejtësinë, u mishërua me trupat e NATO-s si thirrje për intervenim më të shpejt. “JUST DO IT” për të mbyllur këtë kapitull të errët të historisë së shqiptarëve të Kosovës përgjatë të ’90-tave.
Eliza HOXHA
Copëz nga punimi “Qyteti Satelit” – mbijetesa shoqërore dhe kulturore e shqiptarëve të Kosovës përgjatë viteve të ’90-ta, prezantuar në kuadër të konferencës “ Lëvizjet shoqerore gjatë socializmit dhe të ’90-tave në Kosovë”, organizuar nga Alter Habitus në Prishtinë . / KultPlus.com