Me premierë të kompozitorit Dvorak, Altin Tafilaj sjellë harmoni tingujsh në koncertin ‘Viola d’amore’

Vjollca  Duraku

Me tingujt e bukur të këngës shqipe “Dashnor t’u bana” të interpretuar mjeshtërisht nga violisti Altin Tafilaj ka filluar koncerti “Viola d’amore”, i pesti me radhë, në festivalin ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”, shkruan KultPlus.

Afërsia që solisti Tafilaj e ndiente me publikun bashkëkombës të tij e shtyu që të ndryshonte programin dhe të nderonte të gjithë pjesëmarrësit në Kishën “Shën Ndou” me këtë këngë të bukur shqipe, të sjellë në një mënyrë mjaftë të veçantë përmes instrumentit të Violës.

“Pasacaglia” e Hande- Halvorsen ishte vepra e radhës interpretuese e koncertit, e cila u dha në bashkëpunim me violinisten e njohur shqiptare Sihana Badivuku. Ritmi i ndryshueshëm i tingujve aq bukur të emetuar në sallën e ftohtë, e të mermertë, ngrohte nga brenda zemrat e publikut.

Pas pak, skenës iu bashkua edhe violinisti tjetër Rron Bakalli me veprën e A. Dvorak, “Terzetto” (Introduzione. Allegroma non troppo, Larghetto, Scherzo.Presto) e cila u soll si premierë në KamerFest dhe në Prishtinë. Ndryshimi drastik i tingujve të shpejtë në të ngadaltë ishte veçantia e kësaj vepre. Kurse interpretimi me gishtërinj, i kombinuar me radhë mes tre artistëve të skenës, ndryshonte ritmin dhe tërhiqte si magnet vëmendjen e audiencës.

Një valle e veçantë e tingujve që ndiqeshin nga njëri-tjetri u dha nga KamerFest String Orchestra dhe violinisti Altin Tafilaj me veprën e kompozitorit F. Schubert me Sonata “Arpeggione” a -minor, D.821 (Allegro moderato, Adagio, Allegretto). Orkestra harkore me 12-të instrumentistë  përmes këtij interpretimi shënoi edhe përmbylljen e koncertit “Viola d’amore”.

Krejt në fund të koncertit, violisti Altin Tafilaj, në një prononcim për KultPlus ka thënë interpretimi në këtë mbrëmje i ka dhënë emocion të veçantë.

“Ishte një emocion i veçantë sepse jam në atdheun tim, me publikun që flet shqip dhe që më kupton. Publiku është shumë artdashës. E ndjeva veten të mirëpritur edhe nga kolegët, orkestra dhe nga organizimi në përgjithësi. Ishte një ndjenjë shumë e mirë, shumë e veçantë”, ka thënë solisti Tafilaj.

Ndërsa, për violinisten Sihana Badivuku, interpretimi përkrah solistit Tafilaj dhe ish-studentit të saj Rron Bakalli ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme.

“Ishte kënaqësi posaçërisht për studentët që të bashkëpunojnë me një violist të këtij kalibri, një artist aq spontan që posedon energji të posaçme unike. Për ne ishte me të vërtetë një dhuratë që Altini pranoi të  vinte në këtë edicion të festivalit. Bashkëpunimi me Altin Tafilaj dhe ish-studentin tim Rronin që tashmë koncerton në skena të ndryshme si në Kosovë, ashtu edhe jashtë, ishte kënaqësi për mua që të performoj me ta veprën premierë “Terzetto’ nga A. Dvorak”, ka thënë violinistja Badivuku.

Ajo më tej falënderoi edhe orkestrën harkore për pjesëmarrje në këtë koncert, duke uruar në të ardhmen e afërt të krijohej një orkestër harkore permanente e kryeqytetit.

“Për një orkestër stabile nevojiten më shumë prova dhe shpresoj që këto lloj orkestrash në të ardhmen e afërt do të institucionalizohen dhe që të kemi një orkestër pemanente harkore të qytetit të Prishtinës ose të festivaleve. Është vullneti i studentëve që me prova minimale të arrijnë të dalin në koncert, dhe kjo është për t’u përshëndetur”, ka thënë violinistja Badivuku.

Ndërsa violistja, Entela Qarkagjija, ka falënderuar mediumin KultPlus për përkrahje të artistëve duke ndjekur nga afër çdo ngjarje kulturore.

“Është shumë kënaqësi të marrësh pjesë në festivalin KamerFest sepse është njëri prej festivaleve më të veçanta dhe një prej festivaleve të para në Kosovë, i cili ka vazhduar të mbajë në mënyrë të përsosur nivelin artistik dhe profesional të muzicientëve. Është shumë kënaqësi të bashkëpunosh me muzicient nga Evropa, dhe njëkohësisht të marrësh dije dhe inspirim nga ta dhe nga puna e tyre”, ka përfunduar anëtarja e orkestrës harkore “String Orchestra”, Entela Qarkagjija./ KultPlus.com

Pronari i një restoranti nuk i foli shqip, revoltohet Altin Prenga: Paraqituni si shqiptarë dhe bëjeni punën me dinjitet

Ndërmarrësi i njohur dhe pronari i “Mrrizi i Zanave”, Altin Prenga, sot është shprehur i revoltuar ndaj gastronomëve shqiptarë që shërbejnë nëpër botë, kjo pasi pronari shqiptar i një restoranti në Berlin ka refuzuar t’i flasë në gjuhën shqipe, me arsyetimin se do t’i “prishej” biznesi.

Me këtë rast, ndërmarrësi Prenga ka apeluar gastronomët dhe kuzhinierët kudo nëpër botë që punën e tyre ta bëjnë me dinjitet, pa u ardhur ‘turp’ që janë shqiptarë.

Prenga po ashtu ka thënë se nëse gastronomët shqiptarë nëpër botë do t’i përdornin vetëm 20% të produkteve të trojeve shqiptare, Kosova dhe Shqipëria do të kishin dyfishin e ekonomisë aktuale.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Altin Prengës në rrjetin social “Facebook”:

Sot në restorantin e një shqiptari në Berlin, pronari nguroj t’na fliste shqip sepse banorët e zonës duhet të mendonin se ai ishte italian ndryshe i prishej biznesi.

Janë mbi 20 000 gastronomi shqiptarësh nëpër botë me guzhinë italiane, greke, turke, spanjolle, franceze, meksikane etj, por jo shqiptare.

Sikur këto restorante të konsumonin vetëm 20% të produktit të trojeve tona dhe të shiteshin si shqiptar, Shqiperia dhe Kosova do ishin vende me dyfishin e ekonomise aktuale per mendimin tim.

Sot dhe neser po zhvillohet Global Albanian Gastronomi ne Berlin, nje ide e mikut tim te arte @astritp per te filluar nje epoke te re ne kete drejtim. Nuk jam kundra kuzhinave tjera te mrekullueshme por bejeni me dinjitet punen tuaj pa ju ardhe marre se jeni Shqiptar. Ndryshe kot ankohemi duke ja lane tjereve fajin e braktisjes se trojeve tona dhe mungeses punesimit dhe ekonomise ne atdhe. Ju lus ta ndani kete status qe tju shkoje ne vesh atyre qe kane marre se jane Shqiptar. Dhe ju ftoj tna bashkoheni neser ne Berlin./ KultPlus.com

Altin Prenga i ‘Mrrizit të Zanave’ në mesin e kuzhinierëve më të mirë botërorë

Ndërmarrësi dhe shefi i restorantit unik “Mrrizi i Zanave”, Altin Prenga, është vendosur në mesin e kuzhinierëve më të mirë botërorë nga instituti i shkencave gastronomike në Pollenzo të Italisë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Prenga ka bërë të ditur se instituti i shkencave gastronomike në Pollenzo tashmë e ka vendosur portretin e tij pranë figurave më të njohura të kuzhinës në botë, këtu duke përfshirë edhe Ferran Adria, Michell Bras dhe Carlo Cracco.

“Privilegj te jem aty mes gjiganteve te guzhines boterore sikur Ferran Adria, Michell Bras, Carlo Cracco etj tek instituti i shkencave gastronomike ne Pollenzo It🙏”, ka shkruar Prenga në facebook/KultPlus.com

Altin Hoxha, skulptori nga Mallakastra që kthen gurët në vepra arti

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndau sot historinë e suksesit të skulptorit Altin Hoxha, i cili nga Mallakastra, pas disa vitesh në emigrim, është kthyer në vendlindje dhe merret me gdhendjen e gurëve, duke i kthyer ato në vepra arti.

Altini shprehet mjaft i kënaqur që artin e tij tashmë e ushtron në vendlindje dhe ndjehet shumë i vlerësuar.

Ai thekson se merret me punime guri. Dhe e ka nisur si profesion ën vitin 2001-2002 dhe e ka mësuar nga babai i tij.

“Si profesion e kam nisur në vitin 2001-2002. Pikënisja e këtij profesioni ka qenë që kur kam pasur babanë punonjës në një monument kulture, në Bazilikën e Ballshit”, thekson ai./atsh/KultPlus.com