Së shpejti publikohet albumi “Mount Angeles” nga grupi zvicerian me solistin e njohur shqiptar

Këngëtari shqiptar Altin Asllani, bashkë me grupin e tij zvicerian “Pablo Infernal” do të publikojnë albumin e tyre më të ri muzikor.

Projekti titullohet “Mount Angeles” dhe pritet të lançohet më 17 shtator 2021. Pjesëmarrëse në këtë realizim, ka qenë edhe artistja shqiptare e grafikës Arbnore Toska, e cila jeton dhe ushtron profesionin e saj në Zvicër.

“Një album i ri po vjen “Mount Angeles” do të dalë më 17 shtator dhe ne do ta festojmë atë në përputhje me rrethanat, prandaj sigurohuni që t’i ruani këto data tani: 17.09.2021, lançimi i albumit dhe 05.11.2021 koncert në Zyrih. Faleminderit  Arbnore Toska për punën e mahnitshme”, shkruan grupi në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Bendi i rokerit shqiptar nominohet për këngën më të mirë në historinë e rokut zviceran

Altin Asllani është frontmen i bendit “Pablo Infernal. Është nominuar kënga “House of Gypsies”, në mesin e 40 këngëve të krijuara prej 50 vitesh.

Një këngë e bendit të rokut nga Cyrihu, “Pablo Infernal” i cili për frontmen ka shqiptarin Altin Asllani, është nominuar për këngën më të mirë rok të të gjitha kohërave në Zvicër. Fjala është për këngën “House of Gypsies” të edituar në vitin 2016 ndërsa atë e ka nominuar për këtë garë, redaksia e SRF3, (të transmetuesit publik të Zvicrës).

Të nominuara janë 40 këngë nga 40 grupe, bende zvicerane roku qe kanë krijuar ose vazhdojnë të krijojnë prej 50 vitesh e këndej. Vetë përzgjedhje e këngës së një grupi kaq të ri, në listën e grupeve që kanë bërë historinë e rokut zviceran për 50 vite, është një dëshmi për cilësinë e “Pablo Infernal”, pavarësisht prej rezultatit që në fund do ta korrë, shkruan albinfo.ch. Sigurisht që Zvicra nuk është ndonjë “superfuqi” botërore e rokut, por, të kujtojmë: gjatë këtij gjysmë shekulli, në këtë vend kanë krijuar edhe bende me njohje ndërkombëtare si “Gotthard”, “Krokus”, “Eluveitie ” etj., prandaj të jesh në një konkurrencë me to, është vetvetiu një vlerësim i lartë për bendin e njëzetvjeçarëve, në krye të të cilit është Altini, djaloshi me prejardhje nga Presheva.

Sidoqoftë, ngritja e “Pablo Infernal” në këtë nivel sa të promovohet për këngën më të mirë në historinë e rokut të Zvicrës nuk është edhe e rastësishme. Një vit më parë albumi “Lightning Love” i bendit qe zgjedhur më i miri për vitin 2016 nga SRF3.

Atëbotë albinfo.ch pati shkruar:

“Çunat e rinj nga Cyrihu përmendin emra të mëdhenj si “Deep purple”, “Led Zeppelin“ ose “Wolfmother” si burimet kryesore të ndikimit në muzikën e tyre. Por, ata nuk lejojnë të asimilohen nga ky ndikim prandaj muzika e tyre tingëllon gjithmonë e mëvetësishme dhe asnjëherë si një kopje. Të zhurmshëm, të egër por megjithatë melodiozë dhe të fortë. Prandaj vula që kanë marrë si “SRF 3 Best Talent” në muajin nëntor është diçka që kuptohet vetvetiu”, thuhet në përkushtimin e redaksisë me rastin e ndarjes së çmimit. Ndërsa Altini, në murin e tij të faceboolkut shkruante: *SRF 3 e ka shpallur albumin tonë debutues “Lightning Love” si albumin zviceran më të mirë të vitit në kategorinë e rokut. Njerëz, po ndjehemi të nderuar!”.

Dhe, sigurisht që duhet të ndjehet i nderuar dikush të cilit i bëhet një vlerësim sikur ky në vijim: “Qëkur kam njohur `Pablo Infernal” unë nuk mërzitem më për rininë e sotme. Ata janë rreth të 20-tave, flasin dhe citojnë Deep Purple, Frank Zappa, Beatles, Led Zeppelin me një siguri absolute stili dhe kanë potencial siç nuk ka pasur asnjë rok bend zviceran prej kohësh”, kishte shkruar redaktori i SFR3 Dominic Dillier, transmeton albinfo.ch. Pablo Infernal nuk i pëlqejnë gjërat “e hekurosura në mënyrë perfekte” por synojnë drejt një “papastërtie” të caktuar. Ata e gjejnë burimin e tyre në vitet `70 kur muzika, sipas mendimit të tyre ishte ende e pasofistikuar (e virgjër) dhe jetonte nga emocionet. Në fakt ata ia kanë dalë që këtë vepër arti ta transportojnë saktësisht në të tashmen”.

Ata që duan të votojnë për këngën më të mirë të rokut zviceran të të gjitha kohëve, këtë mjund gta bëjnë në këtë link:
https://www.srf.ch/radio-srf-3/musik/wir-suchen-den-besten-schweizer-rocksong-aller-zeiten