“Mrizi i Zanave” tash e sa vjet e ka vendosë Shqipërinë në hartë të botës, dhe kjo gjithnjë për përkushtimin e madh që ka themeluesi i saj Altin Prenga, shkruan KultPlus.
Prenga sot ka datëlindjen, dhe si gjithnjë që vjen me ide konkrete, edhe datëlindjen e tij e ka shndërruar në një moment për plotësimin e ëndrrave të banorëve të Fishtës.
Më poshtë po ju sjellim të plotë kërkesën-dhuratë të Altin Prengës.
Jam Altin Prenga. Sot kam ditelindjen dhe kerkoj nga ju te gjithë si dhurate nga një ndihmë te vogël.
Dua të më ndihmoni ti plotësojmë ëndrren Francesk Gostinit.
Francesku është 21 vjeç dhe banon ne Fishtë. Ai është operuar në zemër dhe nuk ka shumë forcë fizike por ka shumë vullnet dhe pasion për punen. Ëndrra e tij është të ketë një stallë me dhi dhe një zetor te vogël.
Për ti ndryshuar jetën Franceskut na duhen 25,000€.
Personalisht, cdo here kam qënë i idesë që njerëzve nuk ju duhet lëmoshe për ushqime apo shtëpi dhurate por ju duhet punë që të mbajnë familjet e tyre./ KultPlus.com
Shkrimtarja e njohur shqiptare Lea Ypi që tashmë është shndërruar në një shkrimtare bestseller në shumë gjuhë të huaja ka vizituar Agroturizmin “Mrizi i Zanave” në Fishtë të Shqipërisë, e cila nëpërmjet rrjeteve sociale ka shkruar se është mrekulluar me ekipin e Mrizit të Zanave, dhe sipas saj, po ky vend e bëri që të zbuloj një pjesë të Shqipërisë, që sipas saj nuk e dinte se ekzistonte.
KultPlus ju sjell të plotë postimin e saj origjinal.
“Mrizi i Zanave”, një prej restoranteve më mahnitëse shqiptare i cili gjendet në Fishtë të Lezhës, vazhdon të mrekullojë vizitorët me gatimet e tyre origjinale dhe mikpritjen e ngrohtë, por mbi të gjithë me organizimet dhe shembullin që japin në çdo aspekt, shkruan KultPlus.
Tek “Mrizi i Zanave”, i cili ka marrë emrin e veprës poetike të Gjergj Fishtës, ju mund të shijoni kuzhinën tradicionale me produkte ekskluzivisht të zonës.
Receta e domateve të thata është më e reja që i është shtuar menysë dhe për të përgatitur këtë recetë speciale është punësuar Ervisi, një djalë shumë punëtor me aftësi të veçanta.
“Receta e domateve të thata nga @ervisi.prenga, megjithëse me aftësi të ndryshe është një bashkëpunëtor shumë i vyer tek ne. Faleminderit Ervis”, ka shkruar Altin Prenga, pronar i Mrizit të Zanave.
Për të ju njohur më mirë me këtë recetë, është publikuar edhe një video ku Ervisi tregon se si i përgatit domatet e thata. / KultPlus.com
Përderisa institucionet shtetërore të Shqipërisë e Kosovës po rikthejnë hapësirat e burgjeve, qoftë për ndonjë projekt të caktuar, kujtesë kolektive apo si hapësirë arti, “Mrizi i Zanave” një gjë të tillë po e bën me vetiniciativë.
Një hapësirë që ishte përdorë për të burgosurit, tash e sa vite është shndërruar në kantinë te “Mrizi i Zanave”, ku brenda kësaj hapësire ka fuqi të mëdha të verërave, por që të në njëjtën kohë bëhet edhe degustimi i verërave që prodhohen nga Altin Prenga.
Dhe, përderisa kjo hapësirë vizitohet nga turistë vendorë e të huaj, në pasditen e së shtunës erdhi edhe me një ‘gjamë’.
“Gjama” ekspozita e Nagip Tashit po u uronte mirëseardhje artdashësve të pranishëm, ku si fillim ishte vendosë portreti-mozaik në dru i Gjergj Fishtës, portet që edhe i printe kësaj ekspozite që përfshinë figura të rëndësishme të historisë e kulturës shqiptare, e që nuk janë më në mesin tonë si: Gjergj Kastrioti, Gjergj Fishta, Ibrahim Rugova, Ibrahim Kodra, Bekim Fehmiu e shumë figura të tjera të rëndësishme të kombit shqiptar, por e veçanta e kësaj ekspozite që ka bashkuar Shqipërinë, Kosovën e Luginën e Preshevës, ishte se në mesin e portreteve ishte i vetmi portret i një figure të gjallë, e që është portreti i Fahrije Hotit, gruas së guximshme nga Krusha, e cila dhimbjen e ka shndërruar në guxim e forcë, për të krijuar biznes, për tu shndërruar në inspirim për regjisorë, e tash së fundi inspirim edhe për Nagip Tashin nga Tërrnoci, i cili edhe ishte shkak i bashkëpunimit mes KultPlus dhe Mrizit të Zanave.
Altin Prenga në cilësinë e nikoqirit të kësaj ekspozite ka falënderuar fillimisht të pranishmit nga Kosova e Lugina e Preshevës, i cili ka vlerësuar punën dhe angazhimin e Tashit për këtë projekt artistik, por që i njëjti ka falënderuar edhe kryeredaktoren e KultPlus, Ardianë Pajaziti, i cili ka thënë se Pajaziti asnjëherë nuk e ulë nivelin, dhe gjithnjë sjell vlera artistike, sikurse është ekspozita “Gjamë” e Nagip Tashit.
Ndërkohë, Ardianë Pajaziti ka potencuar në hapjen e kësaj ekspozite, se ekspozita e Nagip Tashit pas prezantimit në Prishtinë, në KultPlus Caffe Gallery, tashmë po numëron ekspozitën e dytë të radhës te Mrizi i Zanave në Shqipëri.
“Unë dhe Altin Prenga që një kohë kemi qenë në kërkim të një projekti të përbashkët që mund të organizohet nga të dy palët, dhe ekspozita e Nagip Tashit është gjetja më e mirë e këtij bashkëpunimi, duke pas parasysh veçantinë e punës së Tashit me këto mozaikë, por edhe përzgjedhjen e figurave të rëndësishme kombëtare e kulturore. Nuk do të kishte një projekt më të denjë që do të mund të niste këtë bashkëpunim mes KultPlus dhe Mrizit të Zanave”, ka thënë Pajaziti.
Kurse Fahrije Hoti është shprehë të jetë e privilegjuar që portreti i saj të gjendet në mesin e këtyre figurave kaq të rëndësishme shqiptare, por që në të njëjtën kohë është shprehë falënderuese që këtë sukses dhe këtë vlerësim po e përjeton duke qenë në mesin e të gjallëve, pasi që, sipas saj, është një fenomen i pranishëm, që në të shumtën e rasteve puna të vlerësohet pas vdekjes.
Kurse për fund, autori i ekspozitës duke falënderuar partneritetin e KultPlus dhe Mrizit të Zanave që edhe kanë iniciuar këtë ekspozitë, ai ka treguar se ndihet shumë mirë që në këtë ekspozitë është e pranishme edhe Fahrije Hoti.
“Unë kësaj radhe kam bërë një përjashtim, duke përfshirë një portret që është në mesin e të gjallëve. Kam pas dëshirë të inspirohem nga një person që e kemi në mesin tonë, dhe këtë inspirim e kam marr nga figura e Fahrije Hotit”, ka thënë Tashi.
Ekspozita “Gjamë” e Nagip Tashit do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë dhe përfshinë 17 portrete në mozaik, të cilat janë punuar me mbetje të drurit./ KultPlus.com
Copëza të drurit që formojnë mozaikë, e që brenda këtyre mozaikëve paraqiten figurat më të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare shpërfaqin krijimtarinë e Nagip Tashit, i cili më 25 qershor do të prezantohet me ekspozitë personale te “Mrizi i Zanave” në Lezhë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Të realizuara në një punëtori modeste në Tërrnoc të Bujanocit, portretet e Tashit që përfshijnë figura si të: Gjergj Kastriotit, Gjergj Fishta, Bekim Fehmiu, Ibrahim Kodra, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Abdurrahman Shala, Leze Qena, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Fahrije Hoti e figura të tjera do të ekspozohen te Mrizi i Zanave, por që kësaj radhe me vëmendje të theksuar te figura e Gjergj Fishtës.
Nagip Tashi ka thënë për KultPlus se ndihet të jetë i nderuar që po vlerësohet puna e tij që ka filluar shumë vite më parë, po që viteve të fundit ka dalë në pah edhe me ekspozita.
Ekspozitën e parë personale, Tashi e ka prezantuar në KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, për të lëvizë tash në një pjesë tjetër të territorit shqiptar, në Lezhë të Shqipërisë.
Ekspozita “Gjama” e Nagip Tashit është duke u realizuar si bashkëpunim mes “KultPlus” dhe “Mrizi i Zanave”, ceremonia e së cilës do të fillojë në ora 16:00, me 25 qershor. / KultPlus.com
Altin Prenga, i njohur më shumë si personi që riktheu buzëqeshjen në Fishtë të Shqipërisë, duke hapë tash e shumë vite “Mrizi i Zanave”, me të cilin ka punësuar shumë banorë të këtij fshati, shumë shpesh ka spikatë rëndësinë e fshatrave, për zhvillimin e këtyre zonave dhe për të rikthyer jetën.
Së fundi, Prenga ka shkruar për këtë term dhe të qenit katundar, që në pjesën shqiptare më shumë është fyerje se sa mburrje, e sipas Prengës, pikërisht kjo qasje ka ngulfate shqiptarët dhe kanë tentuar që të ikin nga ky epitet, duke u fshehë në profesione të ndryshme, për të ikur nga termi katundar. Më poashtë po ju sjellim të plotë reagimin e Prengës.
Kandidat për katundar!
Shpesh dëgjojmë fjalën katundar gjasmë me tone përçmuese.
Fatkeqësisht ne Shqiptarët nuk e patëm fatin tjemi katundar kurrë dhe na duhet vite që të bëhemi të tillë.
Na privuan nga toka dhe ndjenja fisnike e të qënit katundar një herë turku, luftërat, diktatura dhe tranzicioni që i ndau nga aspak tokë gjithkujt.
Ju dha toka atij që tokën nuk e donte shpesh herë.
Kush është katundar?
Mund të jetë Spanjolli, Francezi, Italiani etj por ne jo akoma se na duhet punë të fitojmë respektin dhe profesionalizmin e të qënit katundar.
Pra katundarët qëndrojnë në ata vende ku bëhet gastronomi, design, modë, kulturë.
Edhe qytetet dhe qytetrimet nuk linden dot pa u bërë katundar, pastaj katundari u bë fisnik, pastaj linden qytetrimet dhe qytetet.
Ju uroj një ditë të mbarë nga një djalë që ëndërron një ditë të bëhet katundar i mirë!/ KultPlus.com
Fshati Fishtë të ofron një pamje të rrafshët e me shumë gjelbërim, përderisa përshkon rrugën dhe të sjell magjinë e fshatrave të dikurshëm, si ato të përrallave.
Shtëpitë e vogla, rrethojat prej drurit, kafshë e shpezë të paktë nëpër oborret e shtëpive e plotësojnë panoramën e këtij fshati, përderisa je në kërkim të një mrekullie që ke lexuar shumë shpesh nëpër gazeta. Me shumë kureshtje pret se kur do të puqesh me shtëpinë e të gjithë shqiptarëve “Mrizi i Zanave”.
Shenjëzimet në rrugë, sinjalizonin se jemi afër, përderisa në makinë futet era e plehrave të kafshëve, dhe ishte shenja e fundit se je mu në zemër të Mrizit.
Disa lopë, dele, patat e shumta, një qen, një mace po formonin erën e fshatit që po hapnin mushkëritë e topitura prej betoni, dhe krejt kjo pamje të bën të hapësh mushkëritë, si me atë përshtypjen se je tu marr frymën e fundit.
Po kërkoja Altin Prengën. Një vajzë me një përparëse me moto “Think Globaly, Eat Locally”, më bën me gisht rreth Altinit.
Ai kishte marr pamjen e punëtorit më të shkallmuar prej krejt punëtorëve që ishin në turin e darkës, pasi që, një dyqan në hyrje të agroturizmit, një verandë e mbuluar me rrush, dy salla të ngrënies brenda restaurantit, një pjesë tjetër e shtrirë nën hijen e pemëve, bujtina që fshihet brenda Kullës së Arrnume, hektarët me vreshta, kantinat e verës, pjesa ku përgatiten djathërat, lëngu i shegës dhe shumë copëza të tjera që rrumbullakojnë “Mrizi i Zanave” marrin nga pak energji nga Prenga, që tashmë i ka vu vulën e një vendi të rrallë për turizmin shqiptar.
Afrohet i buzëqeshur me një gotë lëng shege, lëng mirëseardhje për klientët e këtij vendi, e që shijon shumë në atë buzëmbrëmje, që po fshihte rrezet e diellit ngadalë.
“Ushqimi më i mirë vjen nga katuni, nuk vjen ndryshe, vetëm katuni e bjen”, thotë Prenga, përderisa na sjell gotën e verës, që e kultivon me shumë dashuri, dhe për asnjë moment nuk i largon sytë, duke u siguruar se shija e verës njëmend është ajo që e ka ëndërruar.
“Kur e kam hapë restaurantin tem, pronarët e restauranteve tjera krenoheshin që nuk kanë birrë e venë shqiptare. E unë e kam thy këtë tabu, kam marr modelin italian e spanjoll, model që e kam përkthy në shqip, kam bo bashqen, kam bo vneshtat e kam bo kantinën. Tash, shumë restaurante mundohen me u furnizu nga ne”, thotë Prenga, i cili shton se në kohën kur e ka hapë restaurantin, lakrori është blerë vetëm në burektore, e Prenga është ai që e ka futë në mes të restaurantit.
“Ne jemi të lumtur, jemi krenarë për atë çka jem, pa na ardhë marre se kush jemi, pa të ardhë marre se je rritë me lakror, dhe këtë lakror e kam futë në menu para dhjetë vjete, atëherë nuk ishte normale që lakrori të ofrohej në restaurant”, thotë Prenga, i cili kujton vitet e 90-ta të Shqipërisë, atëherë kur kishte hyrë Coca Cola, Fanta e Jeans në Shqipëri, e pikërisht Prenga riktheu popullin në perimet, pemët, verën, djathin e shumë produkte tjera që i bëjnë katundarët e Fishtës e që rriten po në tokën e Fishtës, e edhe atë të Pukës.
Përderisa bëjmë shëtitje në vreshtë, në kantinë e në çdo cep të Mrizit të Zanave, mysafirët e tjerë po shijonin darkat e tyre, që sipas Prengës, në ato tryeza, vetëm kripa e sheqeri janë produkte që blihen, por jo edhe ushqimet e tjera që përgatiten me shumë përkushtim nga shumë punëtorë të fshatit.
“Kemi rrjet të bashkëpunimit me 400 familje të katunit, ku mbjellim perime që nuk janë normale për zonën tonë, kemi shtrirje të rrjetit, varësisht prej produktit deri në zonën e Pukës, dhe mbjellin ato perime që na mungojnë”, tregon Prenga, që prej këtyre shtëpive merr qumësht e perime, që të ofrojë aromën e kuzhinës shqiptare.
Prenga tregon se ka vetëm gjashtë lopë, e ai ka nevojë për mbi një mijë litra qumësht në ditë, dhe sjellja e qumështit tek Mrizi i Zanave është një melodi në vete, sepse, Prenga rrëfen se shumë prej fshatarëve kur sjellin qumështin, kthehen tek dyqani i vogël në hyrje të restaurantit dhe blejnë djathin e preferuar, djathi që është përgatitë pikërisht nga qumështi i lopëve të atyre fshatarëve.
Duke parë hapësira të ngjashme në Spanjë, Francë e Itali, e ku në këtë të fundit edhe ka marrë përvojën e mjeshtrit të kuzhinës, Prengës i shkëlqejnë sytë kur tregon për fillet e kësaj ëndrre të madhe, se si e imagjinonte Fishtën e tij në një tempull të kuzhinës shqiptare, në një tempull ku mund të bënte djathin tradicional, lëngun e sezonës, mishin që merret po nga zona, dhe krejt ky mund i katundarëve, më në fund të shpërblehej. Prenga shpjegon poashtu se qysh herët ka luftuar që të kultivojë kulturën se, rakia, vera e djathi duhet të blihet në lagje, e jo produkte industriale.
Dhe “Mrizi i Zanave” është “Mrizi i Zanave”, pikërisht për këto veçanti, që të hash drekën ose darkën në këtë vend, e prek jetën dhe mundin e fshatarëve me dorë, dhe se për një mund të tillë duhet të prenotosh shumë më herët. Dhe në këtë fshat, tashmë kanë zbritur shumë amerikanë, rus, francezë e italianë, por edhe në këtë pikë, Prenga mbetet Prengë. “Në radhë të parë jam krenarë kur shoh katunarët e mi duke hangër drekë ose darkë, janë katunarët e zonës tem, prapa tyre vijnë amerikanët, italianët e francezët”, thot Prenga, i cili shpjegon se nëse nuk do të ngritej ky tempull, kjo zonë do të ishte drejt braktisjes. “Nga ana patriotike, mendoj se kem sjell optimizëm, katunarët e kësaj zonë, janë heronjtë e fundit të këtij vendi”, thotë Prenga.
Dhe “Mrizi i Zanave”, nuk do të ishte ky që është, nëse nuk do të kishte traditën e familjes. I rritur në një familje të varfër, por ruajtëse të madhe të traditave, duke përfshirë edhe stërgjyshen e Prengës, si një ruajtëse e madhe e recetave shqiptare, pastaj babain e tij si kuzhinier në kohën e diktaturës, e që Prenga e mban mend edhe kohën se si futej në kuzhinën e babait dhe i jepte pilaf me kos.
38 vjeçari, që pikë të dobët ka kultivimin e verës, punë për të cilën u shpërblye edhe në nivel evropian, tregon se është i lumtur që i ka funksionuar mundi, dhe ishte i bindur me arrogancë se toka dhe dielli i Fishtës do ti sillte një shije të mirë verës që kultivohet tek “Mrizi i Zanave”, e që i ka vënë edhe emër shqip si: “kuVen”, “GeG” dhe “ara e Dardhës”.
Një fshatar që zgjohet me të gdhirë e që nuk e di asnjëherë se sa orë pune i bëhen brenda 24 orëve, tregon se krejt këto produkte kanë zinxhir familjen Prenga, që ndryshe, sipas tij, nuk do të bëheshin dot.
Dhe lidhja me tokën, diellin dhe rrënjët e Fishtës, për Prengën do të thotë shumë. Ai aktin më patriotik e quan ngulitjen e thellë të rrënjëve me tokën.
Dhe krejt këtë kulturë, këtë traditë me e sjell në kohë pa komplekse. Dhe përderisa afroheshim te Kulla e Arrnume, që është edhe e tipit të bujtinës për turistë, duket se pikërisht aty është mrizi, mrizaja e Fishtës.
Përderisa e shikon atë kullë të arrnume, që kishte gurë kushedi sa e sa vjet, Prenga tregon se është kullë e të parëve, që në të vërtetë ishte shtëpi e barinjve.
“Është “Kulla e Arrnume” ku jam rritë, në këtë kullë kam jetu për 15 vjet, deri në kohën kur edhe kam ikë për Itali. Ishte shpi çobanësh, shpi e një familje që kanë majtë bagëti” rrëfen Prenga, që sikurse kullën e fëmijërisë, edhe ushqimin, duke e ndërlidhë mes periudhave të ndryshme, bëri magjinë që ti sjell në kohë. “Pa komplekse se kush jemi, e qepëm traditën, me e harrnu me modernen, dhe e sollëm në kohë”, thot Prenga, i cili duket se nuk ka të sosur me ëndrra, sepse ëndrra e radhës është që të bëjë bashkë traditën e kuzhinës nga të gjitha viset shqiptare, duke bërë një ekspeditë në zonat e thella. Tashmë dy receta të arbëreshëve të Italisë i ka në menu, atë të makaronave, e ne përpjekje që të gjej edhe receta të tjera që aroma u vjen shqip.
Prenga që është sa në kuzhinë e sa në vreshtë, sa në kantinë e sa te përpunimi i djathit, arnimin mes traditës dhe modernes e ka bërë edhe me rrjetet sociale. Faqen e “Mrizi i Zanave” thotë se menaxhon vet, sepse, sipas tij ai ka një filozofi edhe për këtë çështje. “Edhe mjeshtëri më i madh i rrjeteve sociale nuk do të mund ta bënte punën e tij, sepse, askush nuk beson në punën time sikurse që besoj unë”, thot Prenga, i cili krejt në fund na ofron drejt tavolinës ku edhe na ishte servuar darka.
Me aromë shege, me aromë vere, me aromë të perimeve, e nën tingujt e pianos, po shijonim darkën e 400 familjeve të Fishtës.
At Gjergj Fishta në heshtje është kumbarë i këtij tempulli, që ka marr emrin nga vepra e tij “Mrizi i Zanave”, që tashmë nuk është mrizajë vetëm për fshatarët, por mrizajë e shumë shqiptarëve, dhe jo vetëm shqiptarëve./ KultPlus.com
Ambasada e Italisë në Tiranë, i ka dhuruar sot medaljen ‘Cavagliere della Stella D’Italia’, shefit të kuzhinës dhe sipërmarrësit Altin Prenga, shkruan KultPlus.
Në postimin e Ambasadës Italiane në Shqipëri theksohet se Prenga është një ndër shembujt më emblematik të marrëdhënies që lidh Italinë dhe Shqipërinë.
“Shefi i kuzhinës dhe sipërmarrësi Altin Prenga është një shembull emblematik i marrëdhënies së veçantë që lidh Italinë dhe Shqipërinë, shkruhet ndër tjera në njoftimin e ambasadës.
🇦🇱| Shefi i kuzhinës dhe sipërmarrësi Altin Prenga është një shembull emblematik i marrëdhënies së veçantë që lidh…
Ndërkaq për Altin Prengën një nderim i tillë që i është bërë atij nga ambasada italiane është privilegj, mbi të gjitha për faktin se ai nuk ka nënshtetësi italiane.
“I privilegjuar për medaljen dhe titullin më të lartë që mund ti jepet një shtetasi jo Italian nga Presidenti i Republikës Italiane, Cavagliere della Stella D’Italia”, ka shkruar Prenga në një postim të bërë në faqen zyrtare të Mrizit të Zanave.
Tutje ai këtë çmim ja kushtoi, por dhe e ndau së bashku me vëllaun e tij, Anton Prenga dhe të gjithë familjen e Mrizit të Zanave.
“Kjo medaglie nuk është e imja por është e Antonit vëllait tim, është familjes time të mrekullueshme, është bashkëpuntorëve, fermerëve dhe miqve klientë por është sidomos e gjithë miqve Italian që kam pasur fatin ti njoh kur isha në Itali”, shtoi ai.
Shpesh në shkollë më quanin hutaq sepse humbja me mendimet dhe ëndrrat e mija, fatkeqësisht nuk arrita ta mbaroj as…
Prenga njëkohësisht ka kujtuar edhe kohën kur si fëmijë e kanë quajtur hutaq pikërisht për faktin se humbiste në ëndrrat dhe mendimet e tija. Ai ka theksuar edhe faktinqë nuk arriti të mbaronte shkollën e mesme ngase si 15 vjeçar kishte shkuar për në Itali. Por, sipas tij, pavarësisht të gjitha këtyre ja vlen të jesh ëndërrimtar./ KultPlus.com