Kori ‘Okarina’ dhe Kori & Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ bashkojnë forcat në koncert festiv për edukimin e një publiku artdashës

Vjollca Duraku

Sonte, në Katedralen “Nënë Tereza” është mbajtur koncerti festiv “Eja festo me ne” nga Kori i fëmijëve “Okarina” në bashkëpunim me Korin & Orkestrën e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus”, nën organizimin e “Rame Lahaj International Opera Festival” , shkruan KultPlus.

Përveç muzikës, gëzimit dhe atmosferës festive sonte në qendër të vëmendjes ishin edhe fëmijët e mrekullueshëm të koreve dhe orkestrës që përveç emocioneve të shumta që dhuruan në sallë, me vete morën edhe një përvojë jashtëzakonisht të bukur, që padyshim do t’u shërbejë për karrierën e tyre artistike.

Ky koncert në të cilin u interpretuan vepra të autorëve të njohur botërorë dhe vendorë është organizuar me qëllim të edukimit të brezave të rinj, dhe për të kontribuar në krijimin e një publiku artdashës, pasi edukimi përmes artit konsiderohet themel i zhvillimit të tyre.

Një iniciativë e tillë kishte zgjuar interesimin e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër, të vendosur cep më cep të sallës, të cilët e shijonin thuajse çdo notë të emetuar nga talentët e vegjël. Ishte vepra “Radetzky March” nga J. Strauss ajo që publikut i zgjoi pafund emocione. Duartrokitjet e tyre me ritëm herë më të shpeshtë e herë më të ngadalshëm përshtateshin mrekullisht me tingujt e orkestrantëve.

Kurse, interpretimi i përbashkët i të dyja koreve dhe orkestrës me veprën “Silent Night” nga F. X. Gruber dha kulminacionin e mbrëmjes. Veprat të cilat u interpretuan në koncert janë: “La sui monti dell’est nga opera Turandot”- G. Puccini, “Valsi- Pjesa korale nga baleti arrëthyesi”- P.I tchaikovsky, “Shchedryck”-M. Leontovyč, “Revolting Children- nga musical Matilda”- T. Minchin, “Eja me mua”- A. Hila, “Love Theme nga Romeo and Juliet”- N. Rota, “Gramophone Waltz”- E. Doga, “Radetzky March”- J. Strauss, “And the WaltzGoes On”- A. Hopkins, “All i want for Christmas”- M. Carey & W. Afanasieff, “Malësorja”- L. Antoni.

Pas koncertit të mrekullueshëm, i cili u organizua në prag të festave të fundvitit, pasuan edhe befasitë e mbrëmjes, ku sponzorët e koncertit u kujdesën që të gjithë fëmijëve në sallë t’u jepeshin dhurata dhe të bënin fotografi me Babadimrin. Një nur që iu shëndrriste fëmijëve ishte trofeu i festave të fundvitit për të gjithë prindërit në sallën e katedrales “Nëna Terezë”.

Krejt në fund të ngjarjes, në një prononcim për KultPlus, drejtoresha e shkollës “Amadeus”, Hana Petrovci ka thënë se është jashtëzakonisht e kënaqur me performancën e nxënësve dhe me mbarëvajtjen e koncertit.

“Orkestra dhe Kori nuk janë mësuar të koncertojnë në një ambient siç është ky i Katedrales, megjithtë sot ka qenë një koncert mrekullisht i bukur sepse gjithçka pati hijeshinë e vet, edhe ambienti por edhe instrumentet që u akorduan shumë mirë. Edhe kori intonoi shumë bukur. Ka qenë një koncert me të vërtetë i mrekullueshëm, si për nga ambienti po ashtu edhe nga veprat që nxënësit i interpretuan, jemi jashtëzakonisht të kënaqur”, ka thënë ajo.

Petrovci më tej ka thënë se shkolla “Amadeus” me kënaqësi e ka pritur ftesën për të mbështetur qëllimin fisnik të fondacionit “Rame Lahaj”.

“Ne u ftuam nga zoti Ramë Lahaj dhe fondacioni i tij për të përmbyllur vitin 2024 me një koncert dhe me program të cilin veçse e kemi pasur gati, e për të cilin kemi punuar që nga shtatori. Ideja ka qenë të bashkëpunojnë dy koret në mes veti për të shfaqur art dhe kulturës përmes fëmijëve, sepse fondacioni Rame Lahaj e ka mision edukimin e brezave të rinj për të rritur një publik artdashës”, ka thënë gjithashtu Petrovci.

Ndërkaq, dirigjenti Vehbi Shosholli ka thënë se ndihej jashtëzakonisht i lumtur që ky koncert në të cilin u interpretuan me vepra të përzgjedhura vendore dhe botërore përfundoi ashtu siç është planifikuar.

“Ka qenë një ftesë e spikatur nga Rame Lahaj International Opera Festival, ku ne Kori dhe Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” në bashkëpunim me korin “Okarina” kemi organizuar këtë koncert. Mendoj që koncerti ka shkuar shumë mirë, publiku janë kënaqur, veprat kanë qenë të përzgjedhura, një program me kolorit përmbajtjesh. Besoj që kemi dhuruar një koncert të mirë”, ka përfunduar Shosholli./ KultPlus.com

Orkestra e Fëmijëve ‘Amadeus’ mban koncertin përmbyllës në Prizren, organizatorët: Emocion i fortë të përmbyllim sezonën me kaq shumë vlerësim

Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” ka mbajtur koncertin përmbyllës të vitit 2023-2024 në qytetin e bukur të Prizrenit.

Këtë vit Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” ka organizuar gjithsej 7 koncerte në vende të ndryshme, duke filluar me paraqitjen në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, Gala Koncerti në dhjetor 2023, Koncerti në Shkup, Tiranë, Durrës dhe koncertin përmbyllës i cili u mbajt në qytetin e Prizrenit.

“Publiku i qytetit të Prizrenit, ishte i mrekullueshëm. Ashtu si vet qyteti, plot kulturë e njerëz dashamirë të artit, ku publiku dhuroi duartrokitje të gjata dhe të forta për korin dhe orkestrën. Emocion i fortë dhe shumë i vecantë të përmbyllim sezonën 2023/2024 me kaq shumë vlerësim”, thuhet në njoftim.

Organizatorët po ashtu paralajmëruan edhe shumë projekte të tjera, të cilat do të shpalosen në vitin e ardhëm akademik.

“Viti i ardhshëm na pret me shumë punë, koncerte të mrekullueshme, bashkëpunimë të reja, dhe pse jo, udhëtime e paraqitje në Europë.  Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e korit dhe orkestrës së parë të fëmijëve në vend!  Shihemi në shtator”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’, koncert në Tiranë

Kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës kanë mbajtur koncert në Tiranë, në sallën e liceut artistik “Jordan Misja”.

Fëmijët e kryeqytetit të Prishtinës, në dirigjimin e Vehbi Shoshollit, luajtën vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe atyre shqiptarë.

Me mbështetje të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit të Kosovës, kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ janë paraqitur me një koncert para publikut të Tiranës.

Drejtoresha e korit dhe orkestrës, Hana Petrovci, falënderoi Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe MAShTI-n për mbështetjen derisa theksoi se orkestra e fëmijëve të Prishtinës tashmë ka filluar të ofrojë shfaqje edhe jashtë kufijve të Kosovës duke e përfaqësuar vendin në shtete të ndryshme.

I pranishëm në këtë koncert ishte edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi.

Orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ është krijuar në shtator të vitit 2022 dhe përbëhet nga nxënës të shkollave të mesme të ulëta të muzikës në Prishtinë, duke përfshirë fëmijë të shkollës publike të muzikës ‘Prenk Jakova’ dhe shkollave të tjera private./rtk/KultPlus.com

Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” me paraqitje edhe në Durrës

Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeues” do të paraqitet me një koncert në Durrës, përkatësisht në Liceun Artistik “Jan Kukuzeli”, shkruan KultPlus.

Kjo orkestër është duke u prezantuar mjaftë suksesshëm brenda dhe jashtë Kosovës, dhe paraqitja e radhës pritet të jetë një emocion për audiencën e Durrësit.

Më poshtë po ju sjellim njoftimin e plotë nga kjo orkestër.

Paraqitjeve jashtë Kosovës po i shtohet edhe koncerti në qytetin e bukur të Durrësit 🌟🌟🌟

Të mërkurën më 8 Maj, në Liceun Artistik “Jan Kukuzeli”, kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës vijnë me koncert dhe program të bukur artistik.

Emocion dhe nder i veçantë të prezentojmë punën e mrekullueshme të muzicientëve të ardhshëm të Kosovës.

Suksese e mbarësi!/ KultPlus.com

Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” do të paraqiten me koncert në Shkup

Në datën 30 Mars, salla e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut do të shndërrohet në një fushë të magjisë muzikore, pasi në atë skenë do të ngjitet Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” për të dhuruar një koncert të mrekullueshëm, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje paraqet një moment të veçantë për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike dhe për ata që janë të interesuar të eksplorojnë talentin e rinisë në muzikë.

Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, ky koncert po vjen pas një pune të mrekullueshme dhe një viti të filluar mbarë me nxënës të talentuar nga shkollat e ulëta të muzikës në Prishtinë “Prenk Jakova” & “Amadeus” & Tony Drum Studio të cilët janë gati të ndajnë pasionin e tyre për muzikën me publikun.

Kjo është një mundësi e rallë për të kuptuar dhe për të vlerësuar punën e palodhshme dhe talentin e këtyre fëmijëve që, përkundër moshës së tyre të re, kanë arritur të bëhen pjesë e një koncerti të tillë të nivelit të lartë.

Koncerti do të mbahet më datë 30 Mars, në ora 19:30, në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup. / KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Amadeus” solli koncert dedikuar fëmijëve të komuniteteve pakicë

Shkolla e Muzikës “Amadeus”, në kuadër të projektit “Identifikimi i talentëve nga radhët e komuniteteve pakicë”, organizon koncert dedikuar fëmijëve nga këto komunitete, shkruan KultPlus.

Ky projekt ka filluar rreth dy muaj më parë dhe ka për qëllim identifikimin e talenteve të muzikës nga radhët e fëmijëve nga komunitetet pakicë, thuhet në një njoftim të shkollës së Muzikës “Amadeus”.

Projekti “Identifikimi i talentëve nga radhët e komuniteteve pakicë” është projekt i cili është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, ku fëmijët dhe të rinjët e këtyre komuniteteve do të përfitojnë duke mbajtur mësime të muzikës, teori dhe njohuri të instrumenteve muzikore, si dhe mësime të baletit.

Gjjatë realizimit të projektit, fëmijët dhe prindërit e tyre kane qenë shumë entuziastë. Mësimdhënësit gjithashtu janë shprehur shumë të kënaqur më fëmijët dhe me mënyrën e realizimit të projektit nga ana e shoqatës.

Në kuadër të këtij projektit i cili është duke u realizuar tash e dy muaj, e me rastin e festës së flamurit, sot me datë 24.11.2018 duke filluar nga ora 11:00 Shoqata e Artisteve të vegjël dhe të rinj “Amadeus”, në bashkëpunim me Shkollën e Muzikës Amadeus organizoi koncert dedikuar këtyre fëmijëve”.

“Në këtë mënyrë fëmijët do të shofin prej së afërmi moshatarët e tyre të cilët tashmë ndjekin mësimet për instrumente muzikore. Kjo gjithashtu do të ju ndihmojë fëmijëve të shprehin preferencat e tyre për ndonjë instrument në veçanti. Shoqata e artistëve të vegjël dhe të rinj, planifikon gjithashtu që fëmijët e komunitetit pakicë, ti inkorporojë në të ardhmen si pjesëmarrës/performues në koncertet e radhës”, shkruhet në njoftim. / KultPlus.com