Zbulohet një skulpturë antike në Amantia

Gjatë inspektimeve në Parkun Arkeologjik të Amantias, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë identifikuan praninë e një skulpture antike në akropolin antik, e cila ishte e ekspozuar pjesërisht në sipërfaqe.

Në zbatim të Vendimit të Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, u krye gërmimi arkeologjik për zbulimin e skulpturës, si dhe transporti i saj pranë ambienteve të DRTK Vlorë, për të siguruar mbrojtjen e skulpturës e cila ishte e ekspozuar ndaj faktorëve natyrorë si dhe dëmtimeve të mundshme nga aktet vandale.

Edhe pse skulptura antike nuk ruhej e plotë, nga ajo ruheshin një pjesë e konsiderueshme e elementeve.

Specialistët e DRTK Vlorë, realizuan ndërhyrjet e para për pastrimin e saj me teknika profesionale. Tashmë po përgatitet kartela e objektit për regjistrimin pranë Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore./atsh/KultPlus.com

Gërmimet arkeologjike në Amantia zbulojnë të tjera varre monumentale

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë njoftoi se tashmë turistët mund të vizitojnë një grup varresh monumentale në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias. Varret monumentale kanë një arkitekturë të veçantë dhe histori mijëra vjeçare, të dala në dritë nga gërmimet e fundit të kryera në këtë zonë.

Përgjatë muajit qershor, një ekip arkeologësh dhe restauratorësh të DRTK Vlorë, u angazhuan në gërmime arkeologjike, si dhe zbulimin e një varri tjetër monumental në hyrje të territorit të Parkut Arkeologjik të Amantias, varr i cili ndodhet në buzë të rrugës që lidh fshatrat Ploçë dhe Amonicë (Bashkia Selenicë).

Ekzistenca e këtij varri është pretenduar gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit të realizuara në vitin 2020, kur u zbulua varri i parë monumental në atë territor.

Duke qenë se, monumenti kishte nevojë për ndërhyrje restauruese, hapje të plotë të sipërfaqes për të mundësuar drenazhimin e ujrave që po e dëmtonin, si dhe studimin dhe dokumentimin e tij, me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, u miratuan dhe realizuan, ndërhyrjet e domosdoshme të sipërpërmendura.

Nga rezultatet paraprake, DRTK Vlorë thotë se, varri i zbuluar është përdorur për varrime nga shek. I deri në shek. II m.Kr.

Brenda hapsirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Nga elementet e tjerë të zbuluar, tërheq vëmendjen suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit. Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë.

Përreth varrit monumental, u gjetën dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë. Krahas masave paraprake të konservimit, specialistët e DRTK Vlorë po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin./atsh/KultPlus.com

Amantia, ndër thesaret arkeologjike më interesante të Shqipërisë

 Parku arkeologjik i Amantias, vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike për qarkun e Vlorës. E ndërtuar në shekullin V para Krishtit, Amantia është një ndër thesaret dhe rrënojat më interesante të Shqipërisë, e pozicionuar në një kodër, në një natyrë fantastike dhe e rrethuar nga gjelbërimi.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ndau së fundmi në rrjetet sociale disa detaje nga ky monument kulture. Nga kërkimet arkeologjike, në murin fortifikues të qytetit antik të Amantias, janë identifikuar rreth 6 hyrje.

Një pjesë e tyre, kanë qenë pajisura me korridore të mbuluara me qemer. E tillë ka qenë edhe hyrja juglindore, apo hyrja nr. 6, siç njihet në literaturë.

Njëri nga harqet e kësaj hyrje, u restaurua në vitin 1990, nga restauratori Lazër Papajani, si dhe arkeologu Burhan Dautaj. Restaurimi i dha vertikalitetin e dikurshëm hyrjes, duke e bërë të perceptueshëm monumentalitetin e saj, për vizitorët e sotshëm të parkut arkeologjik të Amantias.

Nga pikëpamja vizive, ajo është kthyer në simbol të parkut arkeologjik dhe tashmë është një nga atraksionet kryesore në itinerarin e vizitave.

Arkitektura e hyrjes e inkuadruar në një peizazh të egër malor, është një kartolinë e bukur, që fton për të vizituar parkun arkeologjik të Amantias./ atsh/KultPlus.com

Gërmime arkeologjike në Amantia, zbulohet struktura arkitektonike e varrit monumental

Në parkun arkeologjik të Amantias, në Vlorë kanë përfunduar gërmimet arkeologjike të shpëtimit të varrit monumental në varrezën antike.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë bëri të ditur sot se “si rezultat i gërmimit arkeologjik të kryer në harkun kohor të dy muajve, u zbulua e gjithë struktura arkitektonike e monumentit antik”.

“Varri, i cili i përket tipit të mbuluar me qemer është një ndër ekzemplarët e rrallë të këtij tipi, që i ruan pothuajse të gjithë elementët arkitektonik. Përmasat e mëdha, veçoritë në elementët e ndërtimit, si dhe veçoritë në elementët e mbulimit i japin monumentit vlera unikale”, thekson DRTK.

Sipas DRTK, falë kësaj ndërhyrje, monumenteve të shumta dhe unikale të parkut arkeologjik të Amantias i shtohet tashmë edhe një tjetër pikë e vizitueshme në itinerarin turistik.Rezultatet e procesit të gërmimit dhe dokumentimit janë ende në fazë studimi nga specialistët përkatës, kështu që për kronologjinë e ndërtimit të varrit monumental mund të propozohet vetëm një datim paraprak, i cili mendohet që daton rreth shek. III p.Kr.

Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin III para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.

Ndër mundësitë interesante dhe atraktive, që parku arkeologjik i Amantias ofron janë edhe monumentet e saj unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristiane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor etj./atsh/ KultPlus.com

Zbulohen dy varre antike në parkun e Amantias në Vlorë

Përgjatë gërmimeve të shpëtimit në qytetin ilir, në Amantia të Vlorës janë gjetur dy varre.

Gjatë punës për një varr monumental që ndodhet brenda parkut, janë zbuluar dy varre, për të cilat kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Orges Feimi tha se vlerësohet se varri i parë është me muraturë tulle dhe i përket shek. III-II para lindjes së Krishtit, ndërsa brenda tij janë gjetur edhe disa objekte.

Ndërsa varri i dytë i zbuluar mbi portën me hark në qytetin ilir të Amantias vlerësohet se i përket periudhës otomane.

“Këto zbulime konfirmojnë një datim të parkut arkeologjik të Amantias. Do të veçoja dhe zbulimin në gërmimin e shpëtimit që u krye në varrin tjetër, pjesë e akropolit i cili ndodhej mbi portën me hark të qytetit ilir të Amantias ku nga vlerësimet paraprake ne mendojmë se ky varr i përket periudhës otomane pasi përveç enëve qeramike të gjetura, u gjendën edhe disa monedha të ndryshme brenda varreve antike. Ne kemi evidentuar 4 apo 5 pika të tjera brenda këtij parku, të cilat ne presim të nisim gërmimet që ti shtohen edhe disa monumente të tjera pjesë e këtij parku për t’u shtuar. Objektet e gjetura do të ruhen, ndodhet në zyrat e Drejtorisë Rajonale, do të studiohen restaurohen dhe më pas do të gjendet vendi ku do të ekspozohen”, tha Feimi.

Këto varre janë një vlerë e shtuar për parkun arkeologjik dhe sipas drejtorit Feimi, ato do të ndryshojnë të ardhmen e kësaj zone historike. Krahas pasurimit të parkut arkeologjik me monumente të reja për t’u vizituar dhe të dhëna me rëndësi për historinë e qendrës antike, nga gërmimet e këtij viti u rikuperuan objekte të një rëndësie të veçantë që do të pasurojnë stendat e muzeve lokalë dhe kombëtarë. /zhurnal/ KultPlus.com

Në Amantia, mes gjurmëve antike dhe bukurive natyrore në jug të vendit

Qyteti ilir i Amantias, në Vlorë, me parkun e tij arkeologjik, dëshmi e historisë së vjetër dhe gatimet tradicionale të zonës, ku spikatin prodhimet e bylmetit, është shndërruar në një atraksion të përhershëm turistik për vizitorët vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.

Kalaja e qyteti antik të Amantias është e para që duket kur arrin në fshatin Vajzë. Mes kodrave të luginës së Shushicës dallon maja ku janë rrënojat e qytetit.

Stadiumi arkeologjik në parkun Amantia është në formë patkoi dhe ndërtimi i banesave dhe fortesave i jep Amantias një pamje ndryshe nga qytetet e tjera Ilire.

Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantias, filluan në shekullin e XIX. Tempulli i Afërditës dhe bazilika palokristiane janë elementë të veçantë që spikasin në këtë zonë.

Gjatë komunizmit në kala kanë jetuar rreth 40 familje. Përveç rrënojave të kalasë, në qytetin e Amantias gjenden edhe tre shpella dikur të banuara.

Gjurmët historike të kësaj zone ndërthuren me peizazhet e natyrës fantastike. Ndërsa gatimet tradicionale të fshatit Vajzë, ku spikatin produktet e bylmetit me shijen e veçantë janë pika më e “fortë” që tërheq vizitorët dhe turistët në çdo kohë. / KultPlus.com