Amantia Rrokaj, artistja që sfidon sëmundjen e Parkinsonit me art

Amantia Rrokaj u bë e njohur me krijimet e saj me materiale të ndryshme të riciklueshme.

Në një lidhje me Skype në “Abc-ja e mëngjesit”, Amantia tregoi se pas diagnostikimit me sëmundjen e Parkinsonit u përball me një sërë vështirësish. Megjithatë, ajo tregoi se vendosi t’i bëjë ballë kësaj sëmundjeje me forcën e shpirtit të saj artistik, që e mbante të fshehur për vite me radhë, transmeton KultPlus.

“Më pas u regjistrova në kërcim dhe u dhashë shumë pas kërcimeve të ndryshme. Kjo zgjati katër vjet kur unë vendosa të merresha përfundimisht me tango, të cilën doja të arrija të merrja diplomën si mësuese përsëri duke e ditur që nuk do të jepja asnjëherë mësim.

Derisa dhimbjet e bënë të pamundur vazhdimin e kësaj gjëje dhe erdhi momenti që ngela në shtëpi. Ndërkohë isha e regjistruar në grupin e valles të shoqatës “Jeta” në Athinë, kur shkoj për një moment për të zbukuruar ambientin e zyrave. Kur shkoj në shtëpi gjeta një kuti dhe brenda doja të formoja fjalën jeta. E formova me bizhu dhe nga ai çast e tutje unë fillova të krijoja, merrja dërrasa dhe fillova t’i ngjisja dhe kam arritur deri këtu.”, u shpreh ajo. / KultPlus.com

Amantia Rrokaj, vajza që krijon art me materiale të riciklueshme

Amantia Rrokaj, është një vajzë shqiptare e cila që në moshë shumë të re u vendos në Athinë, Greqi. Amantia nis të realizojë me fantazinë e saj portrete dhe peisazhe duke përdorur materiale të ndryshme të riciklueshme.

Ajo ka realizuar krijime të cilat janë ekspozuar në aktivitete të ndryshme në Athinë e jo vetëm. Në Shtatorin e vitit të shkuar, punime të saj u bënë pjesë e ekspozitës “Tradita dhe roli i gruas në Diasporë”.

Amantia, në 4 Janar vjen me një event online ku do të ekspozohen punimet e saj artistike.

Amantia Rrokaj, u lind në Tiranë. Në moshë shumë të re, 18 vjeçare, u vendos në Athinë, Greqi. Aty jeton dhe sot me familjen e saj, bashkëshortin dhe tre fëmijët.

Pas një periudhe përballjesh e sakrificash si emigrante, bashkëshorte, nënë, u duk mishërimi i thënies “sfidat janë për njerëzit e fortë”. Amantia diagnostikohet me një sëmundje auto-imune nga e cila nuk ka kthim mbrapa.

E pamundur të matet me fatin, ajo vendos ta “përqeshë” atë me forcën e shpirtit të saj artistik të cilin për kaq vite e mbante të fshehur brenda saj, duke u bërë kështu shembulli më i mirë për familjarët dhe shoqërinë e saj duke u dhënë edhe kurajo njëkohësisht.

Kështu nis të realizojë me fantazinë e saj portrete, peisazhe, duke përdorur materiale të ndryshme të riciklueshme (dru, tantellë, rruaza, temina) duke rigjeneruar edhe shpirtin e saj.

“Krijoj ditë, natë dhe kjo më bën të ndihem e qetë, edhe kur trupi im s’është “ thotë ajo, duke na falur punime të mrekullueshme dhe duke i ekspozuar në aktivitete të ndryshme në Athinë e jo vetëm.

Portreti kryesor që vëmë re në punimet e saj është Frida Kahlo, të cilën ajo e ka si shembullin e këmbënguljes, durimit, forcës dhe talentit.

Në Shtatorin e vitit të shkuar, punime të saj u bënë pjesë e ekspozitës “Tradita dhe roli i gruas në Diasporë” realizuar nga Së iss Albania Event (Zvicër). Në këtë ekspozitë punimet e saj tërhoqën vëmendjen e auditorit dhe disa prej tyre kanë zënë vend në ambjentet e “Abi Agency” në Lozanë dhe në restaurantin “La Croisee” në Renens.

Motoja e Amantias është një thënie e Hellen Keller “Nëse po kalon vështirë dhe ndjen dhimbje, kujto se bota është e mbushur me vuajtje, por dhe me mundësi për t’i kapërcyer ato”

Ajo nuk ushqen vetëm shpirtin e saj me artin e vetë, ajo na ushqen të gjithëve duke na dhënë shembullin më të mirë se arti është ai që shpëton mikrobotën e secilit dhe shëron çdo plagë sado e thellë qoftë ajo./ KultPlus.com