Presidentja Osmani takohet me përfaqësues nga Google dhe Amazon: Synimi është përfshirja e Kosovës në platformat më të mëdha digjitale

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është takuar me lidershipin e American Chamber of Commerce, si dhe me përfaqësuesit nga Google dhe Amazon, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunim ekonomik, investimet strategjike dhe zhvillimin digjital.

Këtë njoftim e ka bërë Presidentja Osmani përmes një shkrimi në facebook.

“Diskutuam për perspektivën ekonomike të vendit tonë dhe rëndësinë strategjike të bashkëpunimit të vazhdueshëm. Synimi ynë është përfshirja e plotë dhe e saktë Kosovës në platformat më të mëdha digjitale globale, për të fuqizuar sektorin privat në vend, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve digjitale për qytetarët dhe për të avancuar më tej marrëdhëniet tona bilaterale”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Italia gjobit me mbi 120 milionë euro “Amazon”

Italia ka vendosur një gjobë të përkohshme prej 121 milionë eurosh (131 milionë dollarë) ndaj gjigantit amerikan të shitjes me pakicë “Amazon” i dyshuar për evazion fiskal.

Autoriteti përgjegjës policor në Milano e justifikoi vendimin duke u bazuar në rezultatet e hetimeve të prokurorisë publike – te cila treguan se “Amazon” devijon shuma të mëdha nga taksat duke caktuar urdhra transporti përmes një sistemi të ndërlikuar për nënkontraktorët.

“Kjo thuhet se lidhet me shfrytëzimin sistematik të punonjësve”, tha autoriteti.

Sipas autoriteteve, shuma është sekuestruar me të ashtuquajturën urdhëresë emergjente.

“Amazon” dyshohet për “mashtrim fiskal” – duke përdorur një mekanizëm faturimi të paligjshëm për transaksione ligjërisht inekzistente kundrejt marrëveshjes së kontratave fiktive të prokurimit për sigurimin e punës.

Shuma e gjobës nuk ka gjasa të bëjë shumë ndryshim për kompaninë amerikane: vetëm në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, gjigandi i shitjes me pakicë realizoi një fitim prej më shumë se 10 miliardë euro./KultPlus.con

Amazon është shpallur si brendi më i madh në botë për vitin 2023, kush tjetër është në top listë

Amazon u kurorëzua si marka më e fuqishme në botë, e cila ka një vlerë prej 299.28 miliardë dollarësh.

Në studimin e botuar të martën, Agjencia e Analizës Financiare “TradingPedia”, gjiganti i tregtisë online u ngjit në renditje duke lënë pas vetes liderin e deritanishëm, Apple-n, i cili humbi 16 për qind të vlerës së saj dhe “ra” në 297.51 miliardë dollarë.

Google e gjeti veten në vendin e tretë pasi rriti vlerën e saj për gati 18 miliardë dollarë nga viti i kaluar dhe arriti në 231.38 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë vendi me më shumti kompani që renditen në TOP-20 markat më të suksesshme.

Kompania më e madhe që nuk është nga shteti amerikan është ai teknologjik i Koresë së Jugut, Samsung, i cili është në vendin e gjashtë me 99.66 miliardë dollarë, përcjell Telegrafi.

Vetëm dy kompani evropiane gjenden në 20 vendet e para, në të dy rastet falë Gjermanisë. Vlera prej 62.93 miliardë dollarësh e “Deutsche Telekom” e vendos atë në vendin e 11-të, ndërsa automjeti luksoz Mercedez-Benz është në vendin e 16-të me një vlerë prej 58.8 miliardë dollarësh.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë udhëheqës të qartë në skenën botërore në listën e 500 markave më të mira. Shtetet e Bashkuara kanë 202 marka në këtë listë ndërsa Kina 79 sosh.

Gjermania ka shtatë marka në mesin e 100 më të mirave, e ndjekur nga Japonia me gjashtë, Koreja e Jugut me katër dhe tre i ka Mbretëria e Bashkuar. / KultPlus.com

Amazoni ofron trajnime falas për përdorimin e inteligjencës artificiale

Gjiganti teknologjik amerikan, Amazon, njoftoi të hënën se do ta nisë një program falas për trajnimin e njerëzve se si ta përdorin inteligjencës artificiale (AI).

Amazon.com njoftoi për lëshimin e programit “AI Ready”, apo “Gati për AI”, i cili do të ofrojë trajnim për zhvillimin e aftësive dhe arsimim për dy milionë njerëz në gjithë botën deri në vitin 2025.

Kompania amerikane tha se synimi i saj është ta bëjë inteligjencën artificiale të qasshme për këdo që dëshiron të mësojë.

“Inteligjenca artificiale është teknologjia më transformuese e gjeneratës sonë. Nëse duam ta zhbllokojmë potencialin e plotë të inteligjencës artificiale për t’i luftuar telashet më sfiduese të botës, atëherë ne duhet ta bëjmë edukimin për AI të qasshëm për të gjithë që duan të mësojnë”, tha Swami Sivasubramanian, zëvendëspresident për të dhëna dhe AI në Amazon.

“Synimi i [programit] ‘Gati për AI’ është të ndihmojë për ta bërë edukimin për AI të barabartë për të gjithë, me mbështetjen e nismave të reja që po i bëjmë sot”, theksoi ai.

Ai shtoi se Amazoni do t’i rrisë programet dhe kurset e tanishme falas për trajnim për AI “në mënyrë që ta largojmë koston si barrierë e qasjes në këto aftësi kritike”./REL/ KultPlus.com

Amazon-i po mbushet me librat e shkruar me inteligjencë artificiale

Qershorin e kaluar, autorja australiane e romancave Catherine Bilson, publikoi në X, ish-Twitter, një pamje të një titulli të përfshirë nga Amazon-i në 100 librat elektronikë më të shitur në kategorinë “Romane bashkëkohore romantike për adoleshentë dhe të rinj”.

Libri me titullin Wait You Love Me kishte një kopertinë të çuditshme – një foto bardhezi të një pulëbardhe – dhe ishte nënshkruar nga i panjohuri Quynh Ti. Edhe përshkrimi i veprës ishte i pazakontë, si dhe i vështirë për t’u kuptuar: sipas Bilsonit, ky libër është vetëm një nga librat e shumtë të gjeneruar nga inteligjenca artificiale që kanë pushtuar Amazon-in në muajt e fundit.

Tashmë në fillim të vitit, agjencia e lajmeve Reuters kishte raportuar përhapjen e librave të krijuar nga softueri i inteligjencës artificiale, të cilat ishin ngarkuar në platformën Amazon brenda disa javësh. Një nga personat e intervistuar tha se kishte krijuar një libër me ilustrime për fëmijë “në pak orë” dhe më pas e kishte nxjerrë menjëherë në shitje në faqe duke përdorur shërbimin vetë-publikues të Amazon-it Kindle Direct Publishing (KDP).

Platforma ua lejon autorëve të publikojnë vetë veprat e tyre drejtpërdrejt në Amazon, duke synuar veçanërisht përdoruesit e Kindle-it – lexuesin e librave elektronikë në pronësi të vetë kompanisë – por, edhe t’i nxjerrin ato në shitje në format letre, duke qenë se vetë Amazon-i ofron një shërbim printimi sipas kërkesës.

Përhapja e këtij lloji të përmbajtjes është pasojë e drejtpërdrejtë e teknologjive të tilla si ChatGPT, të softuerit të inteligjencës artificiale të OpenAI-së, i cili ka spikatur më së shumti për aftësinë e tij për të gjeneruar tekste të llojeve të ndryshme duke imituar ato të shkruara nga qeniet njerëzore.

Vetë ChatGPT renditet si autor ose bashkautor i qindra librave, si The Chatbot RevolutionChatGPT: An In-Depth Exploration, një udhëzues për “revolucionin e çetbotit” është shkruar në fakt në bashkëpunim me një çetbotin. Sipas Amazon-it, libri është shkruar nga Marco Bardo (i treguar si autor), por është redaktuar nga ChatGPT OpenAI. Ai ka gjithsej tri vota dhe dy komente me tone mjaft të polarizuara: i pari, pesë yje, e përkufizon atë si “interesant, të shkruar mirë”, ndërsa i dyti pretendon se “ndoshta është shkruar me ChatGPT, por me të vërtetë keq”. Autori i recensionit thotë se ai është “me të vërtetë i befasuar negativisht” nga blerja.

Ndër librat e treguar nga Amazon-i si të redaktuar nga ChatGPT-ja, ka kryesisht ese që flasin për inteligjencën artificiale, por edhe tekste teologjie mbi Apokalipsin dhe libra për fëmijë me vetëm dy faqe.

Megjithatë, kontributi i dhënë nga inteligjenca artificiale nuk deklarohet gjithmonë në mënyrë eksplicite. Javët e fundit, disa gazeta kanë raportuar për përhapjen e librave të paraqitur si të shkruar nga qeniet njerëzore, pavarësisht se janë krijuar nga ChatGPT ose shërbime të ngjashme. Gushtin e kaluar, New York Times zbuloi se një guidë udhëtimesh i krijuar nga AI-ja – France Travel Guide i Mike Stevesit ishte ndër rezultatet kryesore të kërkimit për terma si “udhëtim”, “guidë turistike” dhe “Francë”. Gjithashtu, për shkak të komenteve të tij të shkëlqyera, me më shumë se njëqind që i kanë dhënë librit pesë yje nga pesë, shumë njerëz kanë blerë France Travel Guide, duke zbuluar se është një seri përshkrimesh të paqarta që duken të kopjuara dhe ngjitura nga blogjet dhe Wikipedia.

Në disa raste, në fakt, libra të ngjashëm shoqërohen me komente pozitive, të lëna nga botët e programuar për të publikuar komente të tilla. Fenomeni i kohëve të fundit i librave të krijuar me inteligjencë artificiale ka përfunduar, si rrjedhim, duke takuar fenomenin e njohur prej kohësh të komenteve të rreme në Amazon, duke krijuar një rreth vicioz. Një libër mund të krijohet me ChatGPT, të shitet duke e kaluar si veprën e parë të një autori në një përshkrim të krijuar me ChatGPT dhe të promovohet me komente pozitive, përsëri duke përdorur ChatGPT.

Por, e sigurt është se kur këto libra blihen, reagimi i blerësve nuk duket pozitiv.

Në disa raste, këta libra u atribuohen autorëve ekzistues, pa dijeninë e tyre. Gushtin e kaluar, shkrimtarja Jane Friedman denoncoi praninë e “librave të padëshiruar” që e tregonin atë si autore, si në Amazon ashtu edhe në Goodreads – një rrjet social i dedikuar për librat dhe leximin (në pronësi të vetë Amazon-it që nga viti 2013).

Në shumë raste këta ishin udhërrëfyes që mësonin se si të promovoheshin veprat e dikujt në Amazon, duke konfirmuar interesin ekonomik që disa kanë për të prodhuar libra me një çmim shumë të ulët dhe më pas për t’i promovuar ato në faqe. Pas publikimit të postimit të autorit, librat u hoqën nga Amazon-i dhe Goodreads.

Përhapja e këtij lloji të librit mund të ketë edhe pasoja të rrezikshme, siç tregohet nga ankesa e një shoqate në Nju-Jork, e cila raportoi praninë e udhëzuesve për mbledhjen e kërpudhave të krijuara nga inteligjenca artificiale, të cilat përmbajnë informacione të pakuptimta dhe potencialisht vdekjeprurëse.

Faqja 404 Media u përpoq të verifikonte origjinën e këtyre manualeve, duke përdorur një shërbim të quajtur ZeroGPT, i cili mund të zbulojë nëse një tekst është krijuar nga inteligjenca artificiale. Sipas testeve të tyre, udhëzuesi kushtuar kërpudhave halucinogjene do të kishte një probabilitet prej 94 për qind për t’u krijuar artificialisht; të tjerat arrinin 100  për qind probabilitet.

Javët e fundit, Amazon-i ka paraqitur rregulla të reja për të adresuar këtë problem, duke vendosur një kufi të veprave që një autor mund të publikojë brenda një dite (maksimumi është tre në ditë, por kompania rezervon të drejtën ta ndryshojë atë “nëse është e nevojshme”). Në fillim të shtatorit, kompania vendosi gjithashtu detyrimin për autorët për të raportuar nëse një libër ishte krijuar nga softueri, duke krijuar dy kategori të reja përmbajtjesh: ato “të gjeneruara nga AI-ja” dhe ato “të ndihmuara nga AI-ja”.

Kjo e fundit përfshin të gjitha ato vepra në të cilat sistemet e inteligjencës artificiale janë përdorur për të “redaktuar, rafinuar, kontrolluar gramatikën ose ndryshe përmirësimin” e tekstit të shkruar nga një qenie njerëzore. Këto rregulla të reja nuk kanë vlerë prapavepruese dhe kanë të bëjnë vetëm me librat e botuar me KDP, pas përditësimit rregullator: prandaj, ato nuk vlejnë për të gjithë ata të botuar para shtatorit të kaluar.

Përgjigja e Amazon-it nuk i ka bindur shoqatat e shkrimtarëve dhe botuesve, të cilët argumentojnë se kompania mund të bëjë më shumë për të zhdukur fenomenin. Siç shpjegoi Wired, në fakt, shërbimet si ZeroGPT kanë bashkëpunuar prej kohësh me kompani për të identifikuar përmbajtjen – të shkruar, por edhe vizuale – të krijuara nga inteligjenca artificiale. Prandaj, ata që punojnë në këtë fushë argumentojnë se Amazon-i nuk dëshiron të aplikojë teknologji të ngjashme, të cilat do të ishin në gjendje ta zgjidhin problemin në rrënjë.

Megjithatë, zbulimi dhe identifikimi i përmbajtjes sintetike është ende në hapat e parë: në shumë raste, këto sisteme etiketojnë edhe tekstet e shkruara nga njerëzit si të krijuara nga softueri. Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Merilendit, “këta detektorë nuk do të ishin të besueshëm në skenarë praktikë”, siç tregohet edhe nga hulumtimi i Stanfordit, i cili zbuloi çështje të ngjashme kritike (të cilat priren të vënë në disavantazh autorët që nuk janë folës amtarë të anglishtes, për shembull).

Vetë OpenAI-së, në korrik i është dashur të pranonte se softueri që kishte krijuar për të njohur përmbajtjen e shkruar nga ChatGPT dhe çetbotët e ngjashëm kishte një “nivel të ulët saktësie” dhe më pas e tërhoqi atë. /Gazeta “Si”/ KultPlus.com

Thatësira në Amazonë mund të prekë negativisht mijëra njerëz


Për shkak të rrezikut të thatësirës që po përjetohet në pyjet e shiut të Amazonës në Brazil, njoftohet se nga kjo situatë mund të preken 500 mijë njerëz.

Në një deklaratë nga autoritetet, thuhet se për shkak të temperaturave mesatare mbi normat sezonale ka pasur ulje historike në nivelet e lumenjve dhe se 500 mijë njerëz mund të përjetojnë probleme për qasje në ushqimet bazë deri në fund të vitit.

Thatësira është bërë problem serioz kryesisht për njerëzit që e sigurojnë jetesën nga peshkimi, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se dy javë më parë u shpall situatë e emergjencës mjedisore.

Në kuadër të situatës së emergjencës, institucioni shtetëror i mbrojtjes civile do të ofrojë ndihmë me ujë dhe për higjienën. Pyjet e shiut të cilat përballen me thatësirën me burim nga moti El Nino, thuhet se po përjetojnë mungesë serioze të reshjeve.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva i cili në çdo rast bën deklarata lidhur me thatësirën në Amazonë, ndryshimin e klimës dhe problemet mjedisore, njoftoi se do të sigurojë rreth 20 milionë dollarë për rajonin./ atsh / KultPlus.com

Firmat teknologjike në krizë, Amazon do të pushojë nga puna 18 mijë njerëz

Amazon planifikon të shkurtojë më shumë se 18,000 vende pune, numri më i madh në historinë e firmës, pasi lufton për të kursyer kostot e shumta, transmeton KultPlus.

Gjigandi online i cili punëson 1.5 milionë njerëz në mbarë botën, nuk tha se cilat vende do të preknin shkurtimet e vendeve të punës, por tha se ato do të përfshinin Evropën.

Shumica e humbjeve të vendeve të punës do të vijnë nga biznesi i saj i shitjes me pakicë dhe ndarja e burimeve njerëzore, shkruan BBC.

“Ne nuk i marrim lehtë këto vendime ose nuk i nënvlerësojmë se sa ato mund të ndikojnë në jetën e atyre që janë prekur,” tha shefi Andy Jassy.

Ai tha se njoftimi ishte sjellë për shkak të një prej punonjësve të firmës që kishte nxjerrë shkurtimet nga jashtë.

“Kompanitë që zgjasin një kohë të gjatë kalojnë nëpër faza të ndryshme. Ato nuk janë në modalitetin e zgjerimit të njerëzve çdo vit,” shtoi ai.

Amazon ka parë shitje të ngadalta pasi biznesi lulëzoi gjatë pandemisë kur klientët e mërzitur në shtëpi shpenzonin shumë në internet.

Një kombinim i fuqishëm i një rënieje të të ardhurave nga reklamat për shkak të bizneseve që kërkojnë të kursejnë para, së bashku me konsumatorët që shpenzojnë më pak ndërsa kostoja e jetesës kafshon kriza, po godet fort firmat e teknologjisë.

Firma të tjera të mëdha të teknologjisë, duke përfshirë Meta – e cila zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp – dhe firma e softuerit të biznesit me bazë në cloud Salesforce, gjithashtu kanë njoftuar së fundmi shkurtime të mëdha.

Amazon ka njoftuar tashmë se po redukton projektet si Echo (i njohur më mirë si Alexa) dhe robotët e dorëzimit – të cilët ishin të këndshëm për t’u pasur, por në fakt nuk fitonin para.

Në mënyrë anekdotike, ka një tendencë në Silicon Valley që firmat të punësojnë dhe mbajnë punëtorë të talentuar me paga tërheqëse, edhe nëse nuk nevojiten menjëherë, kryesisht për t’i ndaluar ata të punojnë për rivalët. Kjo kulturë është një luks që teknologjia e madhe nuk mund ta përballojë më ta ruajë.

Punonjësit e Amazon të prekur nga shkurtimet pritet të njoftohen deri më 18 janar. /KultPlus.com

Imer Kutllovci me rol kryesor në serialin që po shfaqet në Amazon, në fokus mafia shqiptare

Jeta Zymberi

Pa shumë zhurmë, por me shumë punë e rezultate, aktori shqiptar Imer Kutllovci shkallët e suksesit po i ngjet me hapa të sigurt. Pas suksesit si aktor teatri në Paris, ai u bë edhe pjesë e disa filmave gjithmonë duke marrë vëmendje e duke dhënë rezultate të shkëlqyera, shkruan KultPlus.

Por kësaj radhe do të flasim për një tjetër sukses të jashtëzakonshëm të Imerit.

Është seriali “Darknet-sur-mer” që u shfaq në Amazon Prime Video më 7 tetor dhe Imer Kutllovci bart një ndër rolet kryesore dhe ne lirshëm mund të themi që kjo është hera e parë që një aktor shqiptar bart një rol kryesor në një serial që shfaqet në Amazon.

“Darknet-sur-Mer”, shkruar dhe drejtuar nga Rémy Four dhe Julien War, është në dispozicion në Amazon Prime Video nga 7 tetori dhe po konsiderohet si një komedi-thriller e destinuar për sukses.

Ky serial me gjashtë episode tregon historinë e dy miqve geeks që gjenden përballë dy anëtarëve të mafias shqiptare pas një mashtrimi në Darknet – një faqe interneti misterioze që ofron shërbime nga vrasës me pagesë e që rezulton të jetë një mashtrim. Ndërmarrja e Ben dhe Flo së shpejti i fut në telashe me Alkanin, i cili po kërkon një vrasës me pagesë për të vrarë shefin e një bande.

Për “20 minuta”, pesë aktorët kryesorë diskutojnë rolin e tyre dhe flasin për të dy çiftet dhe kiminë me partnerin e tyre në film.

Aktori shqiptar, Imer Kutllovci, përbën dyshen mafioze, Aklan (Artus) dhe Veran (Imer Kutllovci) të cilët kanë folur për 20 minute duke u shprehur se janë përputhur shpejt.

“Përputhej shumë shpejt, nuk kishte luftë ego siç mund të ketë ndonjëherë, kështu që shpejt u afruam shumë dhe ishte super e këndshme”, thotë Artus, partneri i Imerit në film. Përtej këtij aspekti, ata patën kënaqësi duke kompozuar këtë tandem mafioz të përbërë, të paktën në pamje, nga një i butë dhe një i fortë.

“Është pak si Asterix dhe Obelix”, bën shaka Imer Kutlovci. Të dy vlerësuan ambivalencën e karakterit të tyre. Artus, i cili luante një agjent të DGSE në The Legends Office, këtë herë shkon në anën tjetër: “Të luash një djalë të keq është gjithmonë mirë. Por atje është një horr që luan horr, por që nuk është në të vërtetë”, shpjegon ai.

Ndërsa, Imer Kutlovci, gëzohet që për një herë i ofrohet një rol i mafiozit, por me një dimension tjetër: “Verani ka dy anë. Me të tjerët është shumë i ashpër, shumë i vendosur, por me Alkanin është shumë i butë dhe shumë njerëzor. Kjo është ajo që krijon një komedi në vetvete”, shprehet Kutllovci.

Tanimë mbetet për t’u parë nëse banorët e Poney-sur-Mer, vendi imagjinar ku zhvillohet ngjarja, do të gjejnë një vend në zemrat e abonentëve të Amazon Prime Video. Nëse do të ishte kështu, nuk do të habiteshim të shihnim serialin me një sezon të dytë. / KultPlus.com

Autoriteti Italian i Konkurrencës gjobit Amazon me 1.1 miliardë euro

Autoriteti Italian i Konkurrencës (AGCM) ka gjobitur sot “Amazon” me mbi një miliardë euro nën akuzën e abuzimit me pozicionin e saj dominues në treg, në Itali dhe shkeljes së ligjit të BE-së.

Duke vendosur gjobën prej më shumë se 1.1 miliardë euro (1.3 miliardë dollarë) ndaj gjigantit të teknologjisë, AGCM tha se, “Amazon” kishte abuzuar me pozicionin e saj si ndërmjetës për shërbimet logjistike në platformën e vet, duke dëmtuar kështu ofruesit dhe furnizuesit e tjerë të shërbimeve.

Sipas deklaratës së AGCM, çështja specifike në lojë ishte shërbimi ‘Fulfillment’ nga “Amazon” (FBA), ku kompania ofron të marrë përsipër logjistikën e transportit për shitësit.

Sipas AGCM, përdorimi i shërbimit u dha shitësve avantazhe diku tjetër në platformën e shitjeve, duke përfshirë shikueshmëri më të mirë të klientit dhe mundësinë e etiketimit të produkteve të tyre si pjesë e ‘Amazon Prime’, diçka që shihet si vendimtare për nxitjen e shitjeve në faqen italiane të ‘Amazon’.

Sipas autoritetit të konkurrencës, ‘Amazon’ aplikoi gjithashtu kontrolle të rrepta të cilësisë për shitësit që nuk përdornin shërbimin FBA, gjë që në disa raste çoi në bllokimin e llogarive.

‘Amazon’ kishte dëmtuar kompanitë konkurruese të logjistikës duke i detyruar në mënyrë efektive të përdornin shërbimin e tyre”, shtoi autoriteti.

Në të njëjtën kohë, platformat e tjera të shitjeve paten një ndikim negative kur shitësit u detyruan efektivisht të përdornin ‘Amazon’ për të siguruar shitjet. / KultPlus.com

Me librin e tij debutues në SHBA, Gezim Gashi zë vendin e parë në ‘Amazon’

Gezim Gashi i cili tash e sa kohë ka korrur sukses të madh nëpër botë, ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetin social Facebook se libri i tij i titulluar ”Unlocked: the power of you”, ka zënë vendin e parë në kompaninë ‘Amazon’ në ShBA, përcjell KultPlus.

Librin i tij debutues u publikua më 29 nëntor të këtij viti, me ç’rast libri i titulluar ”Unlocked: the power of you”, u bë i disponueshëm në Amazon në mbarë botën si dhe në libraritë në ShBA, përfshirë këtu edhe bibliotekën prestigjioze ‘New York Library’.

”Unlocked: the power of you” është një libër që përfshihet në kategorinë ‘self-help books’ dhe ka të bëjë me mënyrën se si të plotësoni 12 hapa për gjetjen e çelësit për veten tuaj të vërtetë dhe se si të nxjerrim potencialin e juaj më të madh.

Libri ende nuk ka një datë të planifikuar për botim në Kosovë, por është menduar se do të botohet gjatë vitit 2022. Po ashtu, Gezimi pritet të zhvillojë një turne nëpër botë, e njëra ndër ndalesat e tij patjetër që do të jetë Prishtina.

Teksa autori ndante historinë e tij të jashtëzakonshme duke filluar nga ikja e gjenocidit në Kosovë e deri tek të folurit në Universitetin e Harvardit si shqiptari-suedez i parë që krijoi një institut arti dhe argëtimi në Los Anxhelos, e po ashtu si një mentor global i muzikës dhe këshilltar i menaxhimit, Gezim Gashi harton rrugën drejt suksesit dhe përmbushjes personale.

Historia e Gezimit dëshmon se zhbllokimi i vetes sonë autentike nxjerr potencialin tonë më të madh në një botë pa kufij, e sidomos tani pas pandemisë. / KultPlus.com

Amazon nuk do të shesë librat që paraqesin orientimin seksual si sëmundje mendore


Amazoni ka thënë se nuk do të shesë libra që e paraqesin identitetin gjinor apo orientimin seksual si sëmundje mendore.

“Ne rezervojmë të drejtën të mos shesim përmbajtje të caktuara”, tha kompania në një letër për Kongresin e SHBA-së, transmeton KultPlus.

Gjiganti i shitjes është përgjigjur ndaja senatorëve republikanë të cilët kishin pyetur pse kishte hequr një libër nga të gjitha platformat e saj të një autori konservativ.

Muajin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve ka kaluar ligjin që ndalon diskriminimin ndaj komunitetit LGBT, shkruan BBC.

Amazoni ka hequr librin “When Harry Became Sally” të Ryan Anderson i publikuar më 2018, nga dyqanet e saja në internet, e-book dhe platformat e librave audio, muajin e kaluar. / KultPlus.com

Ish-gruaja e bosit të Amazonit dhuron 1.7 miliard dollarë për bamirësi

MacKenzie Scott, dikur MacKenzie Bezos, tashmë ka dhuruar afro 1.7 miliardë dollarë të pasurisë së saj për një sërë organizatash bamirëse, pasi u zotua vitin e kaluar për të dhënë pjesën më të madhe të pasurisë gjatë jetës së saj.

Scott njoftoi të martën se ajo ka ndryshuar mbiemrin e saj në emrin e mesëm me të cilin u rrit, pas divorcit të saj nga drejtori i përgjithshëm i “Amazonit”, Jeff Bezos, vitin e kaluar.

Scott mori një të katërtën e aksioneve në “Amazon” të Bezos në marrëveshjen e divorcit të çiftit vitin e kaluar, duke i dhënë asaj një pjesë të aksioneve prej katër për qind që ishte me vlerë më shumë se 35 miliardë dollarë në atë kohë.

Vlera e saj neto aktualisht konsiderohet të jetë rreth 60 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Bloomberg Billionaire’s. / KultPlus.com

Shefit të “Amazonit”, Bezos, iu shtua pasuria për 22 miliardë euro

Themeluesi dhe shefi i “Amazonit”, ka regjistruar rritje të pasurisë për 22 miliardë euro (24 miliardë dollarë). E gjithë kjo falë shitjeve online, për çka ngriti aksionet e firmës në një nivel tjetër, shkruan të mërkurën BBC.

Jeff Bezos tash ka pasuri prej 126 miliardë eurosh (138 miliardë dollarë), sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloombergut, duke u pozicionuar si njeriu më i pasur në botë.

“Amazoni” ka përfituar nga rritja e blerjeve nga njerëz të izoluar në mbarë botën, të cilët po qëndrojnë në shtëpi si pasojë e pandemisë Covid-19.

“Amazoni” ka rekrutuar mijëra punëtorë për të përballuar kërkesat e shumta për blerje.

Bezos posedon 11% të aksioneve në “Amazon” dhe të martën ato shënuan rritje deri në 5.3%.

Sipas Bloomberg, 500 njerëzit më të pasur në botë kanë humbur 506 miliardë euro (553 miliardë dollarë) deri më tash si pasojë e pandemisë.

Investitorët në industrinë globale të naftës dhe gazit kanë pësuar humbjet më të mëdha.

Pandemia shton blerjet online, Amazon hap edhe 75,000 vende pune

Pas punësimit të 100,000 punëtorëve muajin e kaluar, gjiganti i shitjeve online Amazon është në kërkim edhe të 75,000 punëtorëve të tjerë. Amazon tha se i duhet më shumë personel për të përballuar rritjen e kërkesave.

Shumë vende në botë janë izoluar për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe qytetarët e tyre i kanë shtuar blerjet online.

“Ne mirëpresim cilindo që është pa punë për t’u bashkuar me ne në Amazon, derisa gjërat të kthehen në normalitet”, tha kompania me seli në Shtetet e Bashkuara.

Mbi 17 milionë amerikanë kanë humbur vendet e punës në SHBA gjatë tri javëve të kaluara, për shkak të izolimit nga koronavirusi.

Muajin e kaluar, Amazon ka punësuar personel shtesë në SHBA, prej rreth 100,000 vetash, për të përmbushur porositë online për ushqim dhe barna të klientëve ekzistues.

Por, kompania tha se ka edhe një listë pritjeje me klientë të rinj. / KultPlus.com

Çitaku: Do të angazhohem që të sjell Amazon në Kosovë

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, është takuar me presidentin e teknologjisë amerikane Amazon, Jeffrey Preston Bezos.

Çitaku është shprehur e lumtur që ka takuar sërish Bezos pas tri vitesh atëherë kur edhe ndodhi takimi i tyre i parë në një darkë dhe ka premtuar që do të angazhohet që ta sjellë atë dhe fondacionin e tij në Kosovë.

“Kënaqësi e veçantë ta takoj sërish Jeff Bezos. Amerika është e veçantë, jo vetëm pse është fuqia më e madhe ushtarake në botë, por edhe sepse në të, njerëz me potencial inovativ si Bezos mund të fillojnë nga zero, pa asgjë. Pa hile. Dhe të ndërtojnë të ardhmen. Amazonin e dua, sepse librat i ka bërë cool sërish.

U ndjeva mirë që Bezos e mbante mend Kosovën dhe dollinë time për vendin tim, të bërë para 3 vitesh kur rastisëm të ishim në të njëjtën darkë. Do të angazhohem që zotin Bezos dhe fondacionin e tij ta sjellë në Kosovë.
Mbi të gjitha, pak ditë më parë, Bezos dha një shembull fantastik, duke denoncuar publikisht shantazuesit e tij. Shembull që duhet ndjekur. 
Amerika është e madhe!”, ka shkruar Çitaku në Facebook. / KultPlus.com