Ambasada e Shqipërisë uron pavarësinë

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë e ka uruar ditën e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntorin.

“Ambasada e Shqipërisë në Kosovë e ka uruar sot festën e 28 nëntorit.“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ju uron Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e shenjtë te flamurit!”, thotë urimi i ambasadës në X.

Ambasada amerikane publikon letrën e njohjes së Kosovës para 16 vjetësh

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka publikuar letrën kur e njohën zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran 16 vjet më parë.

Në deklaratën e Sekretares së atëhershme të Shtetit Condoleezza Rice thuhej se presidenti Bush iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, njofton Klankosova.tv.

“16 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Në deklaratën e Sekretares së atëhershme të Shtetit Condoleezza Rice thuhej se presidenti Bush iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Vendosja e këtyre marrëdhënieve do të riafirmojë lidhjet e veçanta të miqësisë që kanë lidhur së bashku njerëzit e Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Luvri mbetet muzeu më i vizituar në botë

Ambasada e Francës në Kosovë, ka njoftuar se Muzeu i Luvrit vazhdon të jetë muzeu më i vizituar në botë, me 8.9 milionë vizitorë në vitin 2023.

Përmes një njoftimi në Facebook, Ambasada e Francës thotë se shpreson se muzetë e Francës këtë vit do të vizitohen nga një numër edhe më i madh i vizitorëve.

“Luvri mbetet muzeu më i vizituar në botë!  Me 8.9 milionë vizitorë në vitin 2023, +14% më shumë krahasuar me vitin 2022. Muzetë tjerë francezë nuk janë lënë anash, pasiqë Musée d’Orsay theu një rekord historik me 5.1 milionë vizitorë më 2023. Shpresojmë të shohim një numër më të madh vizitorësh në muzetë e Francës këtë vit!”, njofton Ambasada e Francës në Kosovë./KultPlus.com

Ambasada e Izraelit falënderon në shqip Kosovën për dënimin e sulmit

Ambasadorja e Izraelit, Tammy Ziv, ka falënderuar në shqip Kryeministrin Albin Kurti për dënimin e sulmit nga Hamasi.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti që në emër të institucioneve ka dënuar sulmin e sotëm që ndodhi nga grupi terrorist Hamas.

“Ju faleminderit shumë, Shkëlqesia Juaj z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës!”, ka shkruar në shqip, ambasadorja Ziv.

Kryeministri Kurti ka dënuar sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, prej të cilit u vranë 70 izraelitë dhe u plagosën rreth 778 të tjerë.

“Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me të prekurit”, kishte shkruar Kurti./KultPlus.com

Ambasadori Minxhozi vizitoi sot Muzeun e Kosovës

Sot, Muzeun e Kosovës, e vizitojë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili u prit nga drejtori i Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të festave të Nëntorit, respektivisht për të parë për së afërmi ekspozitën “Dhimitër Vangjeli një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar”, organizuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe Bashkinë Kolonjë.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 30 nëntor ndërsa ekspozita në fjalë është në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, si dhe referuar kalendarit të përbashkët Shqipëri-Kosovë 2017./ KultPlus.com

“Home” dhe “Shpat Deda Band” mahnitën mbrëmë Parisin (FOTO)

Mbrëmë në Paris, në kuadër të Organizimeve Kulturore “Parantezë kosovare”, u shfaq filmi “Home” dhe u mbajt koncerti “Shpat Deda Band”, shkruan KultPlus.

Ky organizim erdhi nga Ambasada e Kosovës në Francë në bashkëpunim me Bashkinë e Parisit 4, me mbështetjen dhe nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkisë, Christophe Girard.

“Krenar me arritjet e fundit të kinematografisë kosovare dhe të artit kosovar në përgjithësi. Filmi « Home » është ko-produksion anglez dhe kosovar, dhe fitues i çmimit BAFTA 2017 për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Qëndrim Gashi ambasadori i Kosovës në Francë.

Në koncertin pas filmit, Shpat Deda me anëtarët e grupit Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari dhe Art Lokaj interpretoi këngë origjinale nga dy albumet e tij, “Molla e Parë” (2010) et “Shkëndijë” (2014)./ KultPlus.com

Statuja e Skënderbeut në SHBA, fotografia e ditës nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Ambasada Amerikane në Shqipëri, përmes profilit të saj zyrtar në Facebook, ka shpërndarë fotografinë e statujës së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, statujë kjo e vendosur në kodrat Rochester, Miçigan, SHBA.

Këtë fotografi, Ambasada e ka cilësuar si “Foto të Ditës”.

“Foto e Ditës | Statuja e parë e Skënderbeut në Shtetet e Bashkuara, në kodrat Rochester në Miçigan. Statuja qëndron pranë kishës katolike shqiptare të Shën Palit, e cila u themelua në 1981 nga emigrantë shqiptarë, shumë prej të cilëve ishin vendosur në kontenë Okland gjatë viteve ’70”, ka shkruar Ambasada në postimin e saj në Facebook.

Fotografia ndërkaq është shpërndarë fillimisht nga profili “Team Albanians” në Twitter./ KultPlus.com

Sot inaugurohet shkolla franceze EFIP, në Prishtinë

Sot më 28 shtator me fillim nga ora 17:30, do të bëhet inaugurimi i shkollës franceze EFIP në Prishtinë, shkruan KultPlus.

“Nëpërmjet projektit të saj, Shkolla Franceze ndërkombëtare e Prishtinës, do të propozojë rrugëtim drejt ekselencës, në mënyrë që nxënësit e saj t’i bëjnë ballë sfidave të botës sonë të globalizuar. Ajo do t’i japë kështu një vend të rëndësishëm rrugëtimit kulturor, shkencor, qytetar dhe gjuhësor të çdo nxënësi, duke i ofruar kështu që në kopsht një mësimdhënie të pasur dhe të hapur ndaj Evropës dhe botës”, thuhet në njoftim.

SCOLAE MUNDI, punon së bashku me agjencionin publik (AEFE ) në forcimin dhe zhvillimin e rrjetit të shkollave franceze jashtë vendit. Pas shkollave në Sarajevë, Odesa, Shkup dhe Tiranë, sot SCOLAE MUNDI së bashku me agjencionin publik (AEFE ), e bashkë me Ambasadën e Francës në Kosovë, bëjnë inaugurimin e shkollës së pestë në Prishtinë, rruga Arben Xheladini./ KultPlus.com

Ambasada kineze dhuron libra për bibliotekën ndërkombëtare të Tiranës

Ambasada e Kinës në Shqipëri i dhuroi mbi 100 libra bibliotekës ndërkombëtare të Tiranës. Ambasadorja Jiang Yu i dorëzoi librat gjatë takimit me dy zyrtarë të bashkisë së Tiranës, drejtoren e Promovimit Juliana Dhame dhe drejtorin Kulturës, Besim Petrela.

Pala shqiptare e falënderoi ambasadën kineze për dhurimin e librave dhe u shpreh se Bashkia e Tiranës po përgatit ndërtimin e “bibliotekës ndërkombëtare”. Zyrtarët shqiptarë theksuan se në tregun e librit në vend, literatura mbi Kinën është e paktë dhe kjo dhuratë e çmuar do ta pasurojë më tej bibliotekën.

Ambasadorja Jiang u shpreh se projekti i “bibliotekës ndërkombëtare” është projekt i rëndësishëm kulturor i Tiranës, si një qytet ndërkombëtar. Ajo tha se Shqipëria është një vend me atmosferë të mirë kulturore, ndërsa beson se ky projekt i bashkisë do të ndihmojë në pasurimin e librave që lexohen nga qytetarët e Tiranës.

Këtë herë, Ambasada e Kinës përzgjodhi mbi 100 libra mbi historinë, kulturën, filozofinë, arkitekturën, artin, letërsinë, etj., me shpresën se këta libra do të shtojnë njohjen për Kinën nga qytetarët shqiptarë.

Ambasada kineze në Shqipëri është e gatshme të përkrahë aktivisht ndërtimin e institucioneve kulturore të qytetit të Tiranës dhe zhvillimin e bashkëpunimit e të shkëmbimeve në njerëzore, duke forcuar miqësinë reciproke mes dy popujve.

Ditët e fundit, Ambasada e Kinës në Tiranë u dhuroi libra 5 shkollave të Tiranës për mësimin e gjuhës kineze. /KultPlus.com