Në Ditën e Tokës, vullnetarët e Ekipit të Gjelbër të Ambasadës pastruan zonat përreth ambasadës

Vullnetarët e Ekipit të Gjelbër të Ambasadës në Kosovë për të shënuar Ditën e Tokës kanë pastruar zonën afër objektit të ambasadës.

Me një mesazh se është shumë e thjeshtë të ruhet ambienti duke bërë riciklimin e mbeturinave, ambasada amerikane tha se është forma për t’i ruajtur bukuritë e Kosovës.

“Për të shënuar Ditën e Tokës, vullnetarët e Ekipit të Gjelbër të Ambasadës pastruan zonat përreth ambasadës. Duke mbledhur mbeturinat dhe të riciklohen në mënyrën e duhur është gjëja më e thjeshtë që ne mund të bëjmë për të ruajtur bukuritë natyrale të Kosovës”.

Në postimin e ambasadës është bashkëngjitur edhe një artikull ku ka rekomandime se si mund të ndihmohet ruajtja e natyrës, përfshirë ngrënë më shumë gjelbër, duke shmangur përdorimin e plastikës, përdorimi i energjive alternative, ecja në këmbë apo me biçikletë e të tjera. / KultPlus.com

Ambasada Amerikane në Prishtinë: ShBA-të dhe Kosova qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën

Nga Ambasada e Amerikës në Prishtinë kanë thënë se qëndrojnë krah Ukrainës pas fillimit të agresionit të Rusisë ndaj këtij shteti, përcjell KultPlus.

“Edhe në ditët më të errëta, dritat tona shkëlqejnë si një”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në rrjetin social Twitter.

Po ashtu më tutje në postim thuhet se ShBA-të dhe Kosova qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën.

“Populli ukrainas ka njohur 30 vjet pavarësi dhe ka treguar vazhdimisht se nuk do të tolerojë askënd që përpiqet ta kthejë vendin e tyre prapa. Shtetet e Bashkuara dhe Kosova qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën”, thuhet në postim. / KultPlus.com

Ambasada amerikane u bën thirrje sërish qytetarëve për t’u vaksinuar

Ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë thirrje sërish për t’u vaksinuar.

Ata kanë theksuar se vaksinat janë mbrojtja e vetme kundër COVID-19.

“Vaksinat janë mbrojtja e vetme e provuar kundër COVID-19. Reduktimi i vdekjeve, shtrimeve në spital dhe simptomave të rënda”, thuhet në postimin e amabasadës në rrjetin social Twitter. / KultPlus.com

Reagon Ambasada e SHBA-së: Kosova dhe Serbia t’i ulin tensionet menjëherë, pa vonesë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të përmbahen dhe t’i ulin tensionet menjëherë.

Në një reagim në Twitter, Ambasada amerikane deklaroi se i bashkohet thirrjes që Bashkimi Evropian ia bëri Kosovës dhe Serbisë, pas tollovisë së krijuar në pikat kufitare si pasojë e vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targa.

“Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian në thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i ulin tensionet –menjëherë, pa vonesë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Më herët, zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se tensionet duhet t’i ndalin të dyja palët dhe se dialogu duhet shfrytëzuar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla.

“Jemi duke e vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj se liria e lëvizjës është kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe t’i ulin tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, ka deklaruar Stano.

Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.

Shumë automjete janë ndalur në pikët kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ndërsa Policia e Kosovës nuk e ka lejuar asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.

Vendimi për këtë është nënshkruar sot, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq një pjesë e veturave që po hyjnë nga Serbia në Kosovë nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.

Mëngjesin e sotëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosvës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje. Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës kanë shkuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës. /KultPlus.com

Ambasada Amerikane uron Krasniqin: Një shembull inspirues për të gjithë kosovarët

Ambasada Amerikane në Prishtinë i ka uruar Distria Krasniqit medaljen e artë në Lojrat Olimpike që po mbahen në Japoni, përcjellë KultPlus.

Përmes një statusi në rrjetin social Twitter, nga kjo ambasadë kanë thënë se Distria ka dhënë një shembull frymëzues për të gjithë kosovarët.

“Urime kampionit të Judos dhe medalistes së artë, Distria Krasniqi – ajo jep një shembull frymëzues për të gjithë kosovarët”, ka shkruar ambasada.

Kujtojmë që Distria Krasniqi ia ka siguruar sot medaljen e dytë të artë Kosovës në Lojërat Olimpike që po mbahen në Japoni. / KultPlus.com

Ambasada amerikane: Kosova është lider në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dje ka bërë të ditur se 11 shtetas të Kosovës janë kthyer nga zonat e konfliktit në Siri.

Lidhur me këtë ka reaguar Ambasada amerikane në Kosovë duke thënë se Kosova është lider në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

Në reagimin e ambasadës thuhet se këto kthime demonstrojnë gatishmërinë e Kosovës për të marrë përgjegjësi për qytetarët e saj duke dhënë një shembull për të tjerët.

“ShBA përgëzon riatdhesimin e djeshëm të qytetarëve kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri. Këto kthime demonstrojnë gatishmërinë e Kosovës për të marrë përgjegjësi për qytetarët e saj duke dhënë një shembull për të tjerët. Kosova është lider në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Ambasadës Britanike në Kosovë

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministri Çeku priti Ambasadorin Britanik në Kosovë, Nicholas Abbott. Gjatë këtij takimi u nënshkrua memorandum bashkëpunimi në fushën e prokurimit publik, përcjell KultPlus.

“Artistët, sportistët dhe të rinjtë e Kosovës do të kenë më të lehtë suksesin brenda dhe jashtë vendit kur mbështeten në mënyrë profesionale dhe u garantohen shërbime publike cilësore. Prokurimi publik transparent dhe konkurrues është thelbësor për ta garantuar këtë”, thuhet ndër të tjera në postimin e bërë nga ministra në Facebook.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është një nga tri Ministritë që do të mbështeten nga projekti i financuar nga #CSSF “Forcimi i prokurimit publik në Kosovë”, së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit./ KultPlus.com

Ambasada Amerikane vë në fokus sukseset e Lipës, Bashollit e Morinës, porosi për kosovarët: Mbrojeni autorësinë

Ambasada Amerikane në Kosovë ka bërë thirrje për mbrojtjen e autorësisë intelektuale të prodhimeve kreative në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ambasada Amerikane një kërkesë të tillë e ka bërë duke vënë në pah krijimtarinë e gjerë të artistëve kosovarë, duke filluar që nga suksesi i Blerta Bashollit, Dua Lipës, e nominimin e Visar Morinës në Globin e Artë.

“Kosovarët janë të njohur për krijimtarinë e tyre. Vetëm këtë vit, Blerta Basholli fitoi 3 çmime Sundance për “Hive”, Dua Lipa fitoi një Grammy, dhe “Exile” i Visar Morinës u bë i nominuari i parë i Globit të Artë në Kosovë. Kjo krijimtari duhet të mbrohet, jo të shfrytëzohet. Kjo është ajo që kanë të bëjnë me të drejtat e pronësisë intelektuale. Çfarë do të bëni për të mbrojtur prodhimet kreative të Kosovës?”, shkruhet në postimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë./ KultPlus.com

Ambasadori amerikan Kosnett: Neve na pëlqen jeta në Kosovë, e duam popullin e Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, është sqaruar lidhur me kabllogramin e ambasadës amerikane në Prishtinë, pjesë nga e cila janë publikuar detaje nga mediet.

Kosnett në invervistën për ‘Pressing’ në T7, ka thënë se ndonëse nuk është fshehtësi se cilësia e ajrit në Prishtinë nuk është e mirë, kjo nuk bëhet në formë ankese, por përmirësimi të shëndetit publik.

Tutje, ai ka thënë se stafit të ambasadës i pëlqen jeta në Kosovë, teksa është shprehur i lumtur që është rikthyer në vend për të shërbyer.

“Kur i raportojmë Uashingtonit p.sh. për cilësinë e ajrit – nuk është fshehtësi që cilësia e ajrit në Prishtinë nuk është e mirë. Nuk e bëjmë këtë vetëm për tu ankuar, e bëjmë sepse përpiqemi që të promovojmë infrastrukturë energjetike në Kosovë që do të trajtojë shqetësimet e shëndetit publik, si dhe ato ekonomike. Kur flasim për sfidat ndaj sistemit shëndetësor, nuk është befasi. Mjekët, profesionistët mjekësorë në Kosovë janë heronj, por infrastruktura mjekësore ka nevojë për përmirësim dhe SHBA-ja dëshiron të ndihmojë për këtë. Pra, mendoj se sfidat me të cilat përballemi këtu, nuk ka të bëjë me punonjësit amerikanë që ankohen se jeta jonë këtu është kaq e vështirë. Neve na pëlqen jeta në Kosovë. E duam popullin e Kosovës – sërish, kjo është hera ime e dytë në Kosovë dhe isha shumë i lumtur që u ktheva”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu ka folur edhe lidhur me vaksinat, teksa ka thënë se do dëshironte të dinte se kur do të vaksinohen i mbarë populli i Kosovës.

“Ky është qëllimi i mekanizmit Covax. Që të gjejë mënyra që vendet të bashkëpunojnë ndërkombëtarisht, që vendet që iu nevojitet më së shumti të marrin vaksinën. Pra, absolutisht Kosova do të jetë në radhë. Do të dëshiroja të di kur do të vaksinohen të gjithë; nuk e di ende. Në këtë artikullin që e përmendët kishte edhe diçka tjetër. Njerëzit mendojnë se amerikanët po ankohen që Kosova nuk e merr virusin seriozisht”, deklaroi tutje diplomati amerikan në Kosovë. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Ambasada amerikane: Kosova sillet sikur s’ka virus, është vend i vështirë për të shërbyer

Një komunikim i Ambasadës amerikane në Kosovë drejtuar Washingtonit ka përfunduar në duart e gazetarëve të portalit amerikan Politico.

Në të, ambasadori amerikan, Philip Kosnett flet për menaxhimin joefikas të COVID-19 nga Qeveria e Kosovës dhe faktin që mes tjerash, stafi i ambasadës rrezikohet edhe nga qentë agresivë endacakë.

“Në letrën e nënshkruar nga ambasadori amerikan, Philip Kosnett, thuhet se ambasda në Prishtinë është “afër prekjes së fundit”. Edhe para COVID-19, Kosova është vend i vështirë për të shërbyer, me ndotje të lartë të ajrit, pak hapësira të gjelbërta, pak mundësi për aktivitete në natyrë dhe me infrastrukturë të keqe. Prishtina madje ka “tufa të kudondodhura të qenve endacakë”, që mund “të jenë agresivë kur janë në kërkim të ushqimit”. Për këtë dhe arsye të tjera, stafi i Ambasadës në masë të madhe janë mbyllur brenda gjatë krizës së COVID-19”, thuhet në telegram.

Më tutje thuhet se stafi i Ambasadës është reduktuar, dhe ata që punojnë kanë orar më të zgjatur që ka ndikuar edhe në “sulme të ankthit, dhimbje gjoksi, humbje të gjumit” për disa, siç e ka përshkruar një punëtor. “Konfliktet ndër-njerëzore brenda ambasadës janë shtuar”, thuhet në letër.

Aty kritikohet qasja e qeverisë dhe popullit të Kosovës ndaj pandemisë. “Rreth 20% e stafit të ambasadës janë infektuar me COVID-19, dhe shumica dërmuese janë staf lokal, që është indikacion për kontrollin joefektiv të sëmundjes në Kosovë. Kosova sillet sikur një vend që nuk ka raste me COVID-19…Por, Kosova është një shtet i shkatërruar nga pandemia…Në SHBA, nëse nuk vini maskën në publik mund të përfundoni në video virale, por në Kosovë keni gjasa të jeni trend në media sociale nëse e vendosni maskën”, përfundon telegram i ambasadorit Kosnnet. /Insajderi.org/ KultPlus.com

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë uron Krasniqin për medaljen e artë në Katar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e ka uruar Distria Krasniqin për fitimin e medaljes së artë në Mastersin e xhudos në Doha të Katarit të hënën.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në Mastersin e Dohas, pasi e mposhti Funa Tonakin në finale të hënën, duke e nisur vitin 2021 në mënyrë mbresëlënëse dhe duke mbetur në binar për ta siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Tokio 2020, transmeton KultPlus.

Një ditë më pas, Ambasada amerikane në Prishtinë e zgjodhi rrjetin social Twitter për ta uruar kosovaren për triumfin e saj madhështor.

“Urime Distria Krasniqit të Kosovës, e cila e fitoi me meritë medaljen e artë në Mastersin e xhudos në Doha, Katar”, ka shkruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

https://twitter.com/USEmbPristina/status/1348917639179997185

Xhudistja kosovare dhe numri një i botës Krasniqi e fitoi medaljes së artë në kategorinë deri në 48 kilogramë në Mastersin e Dohas.

Krasniqi bëri paraqitje mahnitëse kundër ish-kampiones së botës dhe njërës prej favoriteve për medaljen e artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat do të mbahen këtë verë.

Kosovarja i shënoi dy pikë wazzari, të cilat i mjaftuan për ta fituar luftën me japonezen dhe rrjedhimisht edhe medaljen e artë.

Numri një i botës në kategorinë deri në 48 kilogramë e pati një ditë të mrekullueshme në Katar, duke i fituar pa telashe të gjitha katër luftërat.

Pasi e kaloi rrethin e parë pa luftë, Krasniqi e mundi sllovenen Marusa Stanger me ippon në rrethin e dytë, ndërsa në çerekfinale fitoi ndaj portugezes Catarina Costa.

Në gjysmëfinale, ajo fitoi ndaj francezen Melanie Clement.

Krasniqi i fitoi edhe 1800 pikë olimpike me triumfin e saj në Doha, të cilat janë të nevojshme për ta siguruar pjesëmarrjen ne Lojërat Olimpike Tokio 2020. / KultPlus.com

Të rinjtë për punëtorinë e fotografisë me Hazir Rekën: Kemi pas fat të takohemi dhe punojmë me fotografin Reka

Medina Pasoma
Fotografitë: Nok Selmani

Evolucioni i aparateve që nga antiket e deri te digjitalet e sotme, fotografitë të cilat kishin kapur momente të mrekullueshme ndër vite, filma të ndryshëm dhe plotë gjësende që i rezistonin kohës e mbushnin katërmurëshin e atelies së Hazir Rekës në Nerodime të Ferizajt.

Në përmbylljen e punëtorisë së fotografisë të organizuar nga ProPlus, pjesëmarrësit nuk patën rastin të shohin vetëm shkrepje fotografish të Rekës, mirëpo në atelien e tij rronte kujtesa kolektive, rezistenca shqiptare, dhimbja e refugjatëve, portrete plotë energji dhe historia e një populli ndër epoka të ndryshme, shkruan KultPlus.

Të rinjtë me entuziazëm për fotografinë i bashkoi organizata ProPlus me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, në punëtorinë e fotografisë në krye me mjeshtrin Hazir Rekën në kuadër të projektit “Pen for Culture”. Në ditën përmbyllëse të kësaj punëtorie, fotografi i njohur hapi dyert e atelies së vet, pas trajnimit të këtyre të rinjve në KultPlus Caffe Gallery, për t’i frymëzuar tejet shumë nismëtarët e rrugëtimit fotografik.

Punëtoria fotografike e cila përmbylli ciklin e organizimeve në kuadër të projektit “Pen for Culture”, ishte një përvojë tre ditore për të rinjtë, e fokusuar në fotografimin e natyrës, pamjeve urbanistike dhe portreteve, teknikë kjo e zgjedhur nga profesionisti Reka, në mënyrë që shumëllojshmëria t’i garantoj të rinjve gjetje të vetes.

Drejtoresha e ProPlus, Ardianë Pajaziti për punëtorinë e tretë me radhë, pas asaj të esesë dhe pikturës në kuadër të projektit “Pen for Culture”, vlerëson lartë kontributin e profesionistëve në këtë rrugëtim të zbulimit të talenteve, duke përmendur Zake Prelvukajn, Vjosa Hamitin dhe Hazir Rekën.

“Kjo eskperiencë do të jetë një ndër eksperiencat më të paharruara, sepse nëpërmjet këtij projekti kemi zgjuar talentin te shumë të rinj, si në pikturë, ese dhe fotografi”, shprehet Pajaziti.

Tutje ajo thekson se do të ndjehet  shumë e lumtur nëse ndonjëri prej këtyre të rinjve që kanë marë pjesë në këto tre punëtori, këtë përvojë do të përdorë edhe si rrugëtim jetësor.

Në atelien për krijimin e së cilës Reka kishte dhënë 12 vite mund, çdo qosh kumbonte një histori. Aparatet e shumta që syri nuk mund t’i numëronte dhe fotografitë që përqonin emocione të mëdha, dëshmonin përpjekjen shumëvjeçare dhe profesionalizmin e mjeshtrit, i cili fotografinë e kishte kthyer në mision, ndërkaq jetën e kishte rrezikuar disa herë rresht, vetëm e vetëm që ta mundësonte dokumentimin real dhe historik. 

Të rinjtë në atelie ndërronin role, sa bëheshin fotografisti e sa protagonisti, të cilëve iu bëheshin foto-portrete. Këtë cikël procesesh i bënin që të kenë mendim të qartë për pozicionin e duhur, dritën, këndin nga i cili duhej të fotografohej, hijen prapa personit dhe shumë detaje të tjera, të cilat me ndihmën e Rekës merrnin formën më të bukur.

“Unë me qëllim insistova në fillim që ata t’i bëjnë portrete njëri tjetrit dhe mandej ua prezantova portretet që unë i kam realizuar më herët mirëpo, portretet e mia nuk kanë qenë të realizuara në studio por, kanë qenë të luftës”, shprehet Reka i cili me aparatin e tij fotografik ka ndalur kohën.

Në atelien e tij merrnin frymë edhe aparatet e tij të cilat i kishte përdorë 35 vite më parë, atëherë kur fotografia ishte më shumë dokumentim sesa një pamje e thjeshtë.

“Unë kryesisht jam marrë me fotografi dokumentare, protesta, demonstrata, lufta, refugjatë. Gjithmonë kanë qenë punë të rrezikshme ndërkaq, kur kam realizuar fotografi peizazhi e kam gjetë pak kohë për të pushuar prej dokumentares”, tha profesionisti Reka.

Gjithë rrëfimin kohor më së miri e shprehnin fotografitë. Dhimbjen e lënies së atdheut nën dorën e okupatorit dhe shpresën për mbijetesë, Reka e kishte zënë nga këndet e vogla të dritares së trenit të nisur për në Bllacë të Maqedonisë. Duar të vendosura në xham, sy të trishtuar, lot që rrokulliseshin në mollëzat e fëmijëve, lodhje mbarëpopullore dhe pafajësia e civilëve flisnin përtej fjalëve, nëpërmjet portreteve që objektivi i Hazirit i kishte kapur.

Duke qenë jetues i epokave të ndryshme, ai nuk u kursye të ndaj me pjesëmarrësit e punëtorisë dy reportazhe fotografike krejtësisht të kundërta nga përmbajtja dhe mesazhi, të cilat kishin një largësi të gjatë kohore.  Ai shpalosi rezistencën popullore gjatë vitit 1990, atëherë kur zhvillohej takimi mes Alternativës kosovare dhe senatorëve e kongresmenëve amerikanë në sheshin e Prishtinës. Hoteli Grand kishte qenë vendndodhja e protestuesve shqiptarë, të cilët i priste policia e atëhershme. Fatmirësisht Haziri kishte dëgjuar një epror t’i thoshte një polici se për 2 minuta do të intervenojnë te popullata civile, andaj ai shpejt e shpejt kishte ndërruar objektivin e tij dhe kishte kapur fotografinë e një burri i cili ulet në tokë dhe ia kap tjetrit pantallonat, në mënyrë që policia mos të ketë se si t’i largoj nga aty duke qenë në tokë.

Por, aparati i Hazirit nuk ishte përballur vetëm me skena të luftës, ai kishte vazhduar hovin e tij të punës edhe në kohë paqeje, duke sjell pamje të ndryshme të kulturës sonë.

Për fotografët e rinj ai shpalosi reportazhin e realizuar një javë më parë, i cili kishte qenë prezent te një familje pejane përgjatë kohës sa ishin duke e përgatitur hajvarin. Ndërkaq, mesazhi që ai përçonte te të rinjtë nëpërmjet këtij rrëfimi qëndronte në faktin se fotografi duhej të kishte durim, njësoj siç ai kishte pasur që të jetë me atë familje që nga blerja e specave, bluarja, përzierja e deri te shtruarja e tavolinës për ta ngrënë, pas 6 orëve punë.

Rrëfimet dhe pamjet që sillte Reka përbrenda atelies së tij padyshim që i pëlqyen shumë pjesëmarrësve. Bora Thacin e ka bërë për vete çdo detaj aty brenda dhe sa më shumë që i shikonte, aq më shumë i rritej kureshtja për këtë drejtim.

“Gjithmonë ka ekzistuar nevoja që dikush ta kap aparatin dhe të bëj fotografimin e diçkaje, madje aparatet, fotografitë dhe gjithçka tjetër që kam parë sot në atelie më kanë treguar se fotografia gjithmonë do të jetojë”, vlerësoi Thaci.

Ajo thekson se pas kësaj punëtorie interesimi iu është rritur dhe është përcaktuar në fotografimin e njerëzve.

“Nga kjo punëtori kam fituar shumë dituri ndaj fotografisë, aparateve dhe përdorimit të tyre, ndriçimin, mënyrat se si kapet më mirë një fotografi, dhe kur kemi të bëj me portrete kam mësuar se duhet t’i kushtoj rendësi vijave të fytyrës së personit”, tha Bora Thaci.

E mësime për fotografinë, përvojat e Rekës dhe durimin si element kyç për këtë rrugëtim i ka marrë edhe Diar Besaj. Ai theksoj se ndjehet i privilegjuar që ishte pjesëmarrës në këtë punëtori, teksa shton se tanimë fotografinë ka filluar ta shoh më ndryshe se më parë.

“Këndvështrimi im ka filluar të ndërrohet për nga vlera që tanimë e shoh në fotografi, sepse më parë e kam parë si diçka që e shpreh një ngjarje por, tash kam arritur ta shoh më thellë dhe ta përjetoj atë”, tha Diar Besaj.

Nga atelia e Rekës ai mbeti i fascinuar për origjinalitetin që pa, ndërkaq nga gjithë opusi fotografik, ai vlerësoi më së shumëti ato që janë realizuar në kohëra të rrezikshme.

“Fotografitë të cilat i ka bërë gjatë, mendoj që kanë qenë më me vlerë, të cilat portretizojnë dhimbje, ndjenjën e lënies së atdheut jo prej dëshirës”, shtoj Besaj.

Vlerësime për fotografitë e shumëta të Hazir Rekës dha edhe pjesëmarrësja, Erleta Gashi. Nëpërmjet kësaj punëtorie dhe shansit të dhuruar për takim me veprimtarinë e Rekës, asaj iu është shtuar interesimi për hulumtim të fotografisë më tutje.

“Të gjithë ne që kemi marrë pjesë mendoj se kemi pasur fat të takohemi dhe punojmë me fotografistin Hazir Reka”, tha Erleta.

Gashi shtoi se në momentin që kishte parë aparatet e vjetra, asaj iu dha ndjesia sikur Reka kishte përshkruar një jetë të tërë nëpërmjet tyre.

Përmbyllja e kësaj punëtorie të fotografisë do të jetë një nismë rrugëtimi për gjithsecilin që e ka pasion fotografinë dhe do të mbetet një kujtim i paharrueshëm falë profesionalizmit dhe ekipit bashkëpunues. Ndërkaq këndvështrimet e ndryshme që kishin këta pjesëmarrës do të kurorëzohen nëpërmjet ekspozitës së fotografive në KultPlus Caffe Gallery./KultPlus.com

Ambasada e ShBA-së në Kosovë: Të drejtat e LGBTI-së të përfshihen në Kodin Civil

Ambasada e ShBA-së në Kosovë, ka deklaruar se në hartimin e Kodit Civil të Kosovës duhet të përfshihen edhe të drejtat e komuniteve të margjinalizuara siç janë komuniteti LGBTI.

Kosova është duke hartuar Kodin Civil për herë të parë? Si duhet të duket? Ne besojmë se duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe duhet të ketë ligje që mbrojnë interest e të gjithë qytetarëve, përfshirë të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara dhe lidhjet e gjinisë së njëjtë që janë të garantuara nga Kushtetuta”, thuhet në reagimin e Ambasadës. / KultPlus.com

Jahjaga renditet në mesin e njerëzve që ndryshuan botën, krahas saj edhe Elanor Roosevelt

Ambasada Amerikane në Kosovë e renditë ish presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën në mesin e atyre që ndryshuan botën për të mirë, duke e bërë bashkë në listë edhe me drejtuese tjera shtetërore si Elanor Roosevelt, përcjellë KultPlus.

Jahjaga e ka konsideruar nder dhe privilegj renditjen që i është bërë nga Ambasada Amerikane e Kosovës. Ajo është shprehur se është privilegj të renditesh në mesin e atyre që ndryshuan botën për të mirë dhe hapën rrugën që njerëzit të gëzojnë të drejta të barabarta.

“Çfarë nderi dhe privilegji që të renditesh në mesin e drejtuesve të tjerë si Eleanor Roosevlet nga #USEmbassyPristina si një nga ato që e ndryshuan botën për më mirë dhe hapën rrugën që njerëzit të gëzojnë të drejta të barabarta. #RightstoFreedom #USëithKosovo”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Ndërkaq nga Ambasada Amerikane në Kosovë u tha se Jahjaga është gruaja e parë Presidente e Kosovës e cila foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave dhe sfidoi mentalitetin patriarkal në politikë si dhe ndjeki kauzën e saj për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. / KultPlus.com

Ambasada amerikane në Prishtinë me një porosi për të rinjtë kosovarë: Covidi-19 është i vërtetë

Ambasada amerikane ka dalë me një porosi për të rinjtë kosovarë gjatë kësaj kohës kur është rritur përhapja e virusit Covid 19.

Ambasada amerikane, iu ka drejtuar të rinjve me fjalët se e kupton rëndësinë që ka shoqëria për ta, por se takimet me ta t’i bëjnë në mënyrë të mençur, duke vendosur maskat, ruajtur distancën sociale dhe të kujtojnë se kjo bëhet për të mbrojtur të tjerët aq sa edhe veten.

“Covidi-19 është i vërtetë: Rini, ne e dimë se është e rëndësishme të kaloni kohë me shoqërinë tuaj. Por, bëjeni këtë në mënyrrë të mençur! Mbajini maskat, ruajeni distancën sociale dhe kujtojeni se këtë po e bëni për të mbrojtur shoqërinë tuaj aq sa edhe veten. Dhe mos harroni, i pastroni telefonat tuaj mobilë aq shpesh sa edhe i pastroni duart. Ndalonjeni shpërndarjen”, shkruan ambasada amerikane. / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës themelon programin zyrtar kombëtar të arsimimit bibliotekar

Për herë të parë në historinë e zhvillimit bibliotekar në Republikën e Kosovës, falë ndihmesës dhe përkrahjes që Ambasada Amerikane në Kosovë i ka dhënë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të implementohet projekti “Biblioteka në shërbim të komunitetit: Themelimi i një programi kombëtar në fushën e arsimimit bibliotekar dhe kulturor”.

Ekspertë amerikanë të fushës së bibliotekarisë dhe shkencave të informacionit do të punojnë gjatë një viti për të ndihmuar bibliotekarët dhe specialistët e informacionit në Kosovë për të themeluar një program kombëtar në fushën e arsimimit bibliotekar dhe kulturor, si një komponent i rëndësishëm i programit mësimor profesional për biblioteka.

Ky program, që duhet të lidhet me seminare dhe kurse trajnimi në nivel kombëtar, do të ndihmojë bibliotekarët dhe specialistët e informacionit në dijet teorike dhe praktike, për të ruajtur kompetencat dhe për të mbajtur në dijeni për çështjet e zhvillimit dhe avancimit të dijeve bibliotekare dhe shkencave të informacionit.

Nisma për hartimin e një programi kombëtar të aftësimit bibliotekar ka filluar në vitin 2018, në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë – me temën: “Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar”, në të cilën veprimtari ishte i angazhuar edhe dr. Robert Montoya, profesor i Shkencës së Bibliotekarisë dhe Informacionit, i cili, më pas, nëpërmjet programit Fulbright ka punuar edhe për zhvillim të plan-programit për arsimim bibliotekar që do t’i shërbente themelimit të programit studimor të studimeve bachelor në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Arritjet e këtij projekti do të jenë hartimi dhe vënia në zbatim e programit të trajnimit bibliotekar që del nga struktura administrative e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Pra, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, pas realizimit të këtij projekti, përkatësisht themelimit të këtij programi, merr zotimin për përgjegjësitë që i përkasin edhe me Ligjin për bibliotekat, për akreditimin dhe më pas implementimin e programit kombëtar të trajnimit dhe aftësimit profesional të vazhdueshëm, duke organizuar edhe provimin profesional për punëtorët bibliotekarë.

Kjo do të mundësojë që Biblioteka Kombëtare e Kosovës të jetë, gjithashtu, qendër metodike për zbatimin e standardeve dhe të rekomandimeve të institucioneve dhe asociacioneve përkatëse ndërkombëtare në veprimtarinë bibliotekare dhe të informacionit bibliotekar.

Në Kosovë deri më tash nuk ka ekzistuar një infrastrukturë e duhur arsimore dhe trajnuese për të mbështetur shërbimet kryesore të ofruara nga bibliotekat. Si përgjigje ndaj këtij problemi, bibliotekat e Kosovës, të cilat mbështesin komunitetin e përdoruesve e të hulumtuesve të tyre, do të kenë mundësinë të përgatisin një kuadër profesional nëpërmjet një modeli të zbatueshëm dhe të qëndrueshëm të trajnimit bibliotekar që mund të zhvillojë dhe përmirësojë, sipas standardeve të njohura bibliotekare, shërbimet e bibliotekave për qytetarët e Kosovës.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës synon që ky projekt të ketë ndikim afatgjatë në arritjen arsimore dhe aftësimin e bibliotekarëve të Kosovës.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, përmes këtij projekti, synon krijimin e bazës së përhershme për një program trajnimi të përvitshëm, të qëndrueshëm, të destinuar t’u ofrojë bibliotekarëve të Kosovës aftësi profesionale në përputhje me standardet ndërkombëtare të të nxënit dhe të arritjeve, siç artikulohen nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave (IFLA) dhe Shoqata e Bibliotekave Amerikane (ALA), të cilat përmbajnë udhëzimet kryesore për edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm për profesionistët e bibliotekave.

Vlera e këtij projekti, i cili financohet nga Ambasada Amerikanë në Kosovë, është mbi 40 mijë euro.

Projekti do të realizohet me ekspertët amerikanë: Dr. Robert Montoya, Dr. Sean Pessin dhe Dr. Gregory Leazer – profesorë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles, ShBA. / KultPlus.com

Ambasada amerikane falënderon të gjithë ata që nuk po ndalen duke punuar në këto ditë pandemie

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i ka dedikuar një falënderim të veçantë të gjithë atyre që nuk po ndalen duke punuar dhe ofruar shërbimet e tyre edhe në këto ditë të pandemisë.

“Shumë prej nesh po arrijmë akoma që të studiojmë dhe punojmë nga shtëpitë këto ditë dhe javët e fundit, falë lidhjeve të qëndrueshme me Wiereles. Prandaj, duam të falënderojmë ofruesit e internetit të Kosovës që na kanë mundësuar që të jemi të lidhur me më të dashurit tanë! Ju lumtë”.

Tutje Ambasada e SHBA-ve po ashtu shprehu mirënjohje edhe për ata që janë në vijë të parë të kryerjes së obligimeve ndaj qytetarët.

“Duke përfshirë këtu punëtorët në supermarkete, furra, farmaci, banka, media, shërbimet, fermerët, pastruesit, prodhuesit e ushqimit, fabrikat, stafin e dorëzimeve dhe shumë e shumë të tjerë që akoma shkojnë të punojnë si zakonisht gjatë kësaj kohe. Përgëzime për ju”.

Ambasada amerikane: Liderët e Kosovës t’i lënë dallimet, është koha për t’i shëruar të sëmurët

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga liderët politikë që të lënë anash dallimet dhe të përqëndrohen te shërimi i të prekurve nga virusi covid-19.

Duke cituar deklaratën e Presidentit amerikan, Donald Trump, në lidhje me shpërthimin e koronavirusit në gjithë botën, Ambasada amerkane bën thirrje për unitet në vend, transmeton KultPlus.

“Virusët nuk njohin kufi. Tani nuk është koha për të lejuar që dallimet politike vendore dhe rajonale të mos lejojnë që t’i ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë kohë të nevojës kolektive. Siç edhe ka thënë Presidenti Trump rishtazi: “Të gjithë ne jemi në këtë së bashku. Ne duhet ta lëmë politikën mënjanë, ta ndërprejmë mendje-ngushtësinë, dhe të bashkohemi gjithë së bashku si një komb dhe një familje. E ardhmja jonë mbetet më e ndritshme sesa mund të imagjinohet. Duke vepruar me dhembshuri dhe dashuri, ne do të shërojmë të sëmurët, do të kujdesemi për ata në nevojë, do t’i ndihmojmë bashkëqytetarët tanë dhe do të dalim nga kjo sfidë më të fortë dhe më të unifikuar se kurrë më parë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Aty shkruan se vetëm duke vepruar të bashkuar dhe në ndihmë të njëri-tjetrit, do të mund t’i jepet përgjigjja virusit, që ka prekur gjithë botën. / KultPlus.com

Ambasada Amerikane për 8 Mars: Në Kosovë ka gra që do të bëjnë ndryshime

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për festën e 8 marsit ka vendosur të shpërndajë një fotografi të grave kosovare të cilat janë pjesë e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ato po punojnë për të bërë ndryshime.

Gjithashtu në këtë festë ndërkombëtare ata vendosën të shpërndajnë një thënie të Nënës Tereza “Unë vetëm nuk mundem ta ndryshojë botën, por unë mund të hedhi një gur nëpër ujëra për të krijuar gurgullimë”. Klan Kosova / KultPlus.com

“Nganjëherë duhet t’i japim një gjëje fund, për të nisur diçka të re”

Ese nga Arlinda Hajdaraj

Po t’drejtona ty pa e ditë kush je!
Çka nëse ti çdoherë nis ditën si i dehun, pa i ndalë britmat asnjëherë, tregohesh egoist me gruan tënde, e tërheq zvarrë nëpër dhomë, dhe vetëm godet atë.
Ajo do të vazhdojë me hesht se s’ka guxim me përballu ma shumë vujtje.
Ka me u mbyll n’dhomë e me qajt n’za.
Me facoletë ka me i fshi lotë, ama dhimbjen jo.
A ke mendu se çdo goditje n’trupin e saj, është një thikë n’zemrën e fëmiëjve tu.
Ata nuk mund të jenë të lumtur, e aq më pak kur shohin nënën e tyre n’atë gjendje.
Ata s’kanë me pas andrra, se andrrat jau ke shu ti.
Ty “babë” t’ka mbetë vetëm emri, se një baba nuk ua bën fëmijëve t’vetë këtë gja.
Se fëmijët duhet me t’i bëjnë vet me t’dashtë, e jo të bëjnë gjëra që ata me urrejt ekzistencën tënde.
E ti “femër” e dashur, mos lejo që tjerët me t’sundu, e fytyrës tënde t’ambël me i rrjedh lot.
Ti duhesh me qenë e fortë, se je femër.
Me u bë zonja e vetvetes, e prona e askujt.
Nuk t’kisha thënë me duru, ata që t’bëjnë m’u ndi keq.
Nuk është fund i jetës nëse ti i jep fund një martese.
Nganjëherë duhet t’i japim një gjëje fund, për të nisur diçka të re.
Çdo gjë që ka ndodhur, mirë apo keq, ishte thjesht një mësim për ty.
Nuk ka më humbje kohe, për njerëz që s’dinë ç’është vlera e femrës.
Mos e harro vetveten, e ëndrrat tua.
Mos harro se ti je mrekulli, e mrekullitë asnjëherë nuk shuhen.
Dhuna nuk nxit dashuri, por shkakton veç urrejtje.
Përdorimi i dhunës për çfardo problemi, është një zgjidhje e varfër që e përdorin fëmijët e vegjël dhe kombet e mëdha. (David Friedman) /KultPlus.com

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com

“Kam nevojë që në klasë mos t’më lirohet banka e fundit por të jem aty në mesin tuaj”

Ese nga Albina Osmani

Në këtë jetë të gjithë vijnë si fletë e bardhë! Ndoshta jeta nuk do ketë gjithmonë ngjyrat tona të preferuara… Nganjëherë do jetë vetëm bardh e zi sikur ekrani televiziv që dukej para 20 viteve. Pavarësisht si do reflektojnë ngjyrat në jetën tonë, unë besoj që askush nuk kemi ardhur gabim në këtë jetë, Zoti na krijoi për një arsye, e ç ‘është më e veçanta se të gjithë kemi ardhur në këtë jetë nga krijesa më e bukur që quhet grua.

Ti që më gjykon mua, zhveshe egoizmin nga vetja edhe nëse të ndjek nga mbrapa, injoroje. Në qoftë se për ty nuk jam më shumë se një ollog, atëherë je gabim! Unë mund të bëj aq sa bënë ti… pse jo edhe më shumë, por prapë mos më trajto keq! Nëse jam femër jeta ime dua të jetë më shumë se vetëm 15 vite, jam ende fëmijë që kam nevojë për kraharorin e nënës, jo për kraharorin e një bashkëshorti, kam nevojë që në klasë mos t’më lirohet banka e fundit por të jem aty në mesin tuaj! Të njëjtën gjuhë flasim, të njëjtin ajër thithim, atëherë pse të mos bëhemi solidar. Të gjithë jemi njerëz me kokë, a mjafton kjo për të pirë njësojë gllënjka uji. A mjafton kjo që të më shikosh me një sy më pozitiv, të mos më shikosh ngjyrën e lëkurës, por ngjyrën e shpirtit! E di pse? Sepse askush nuk ka mundur ta kuptoj përmbajtjen e librit duke shikuar vetëm kopërtinat e tij.

Sa shpesh them më vete se mos Zoti më dënojë në mënyrën më ç ‘njerëzore kur më solli në këtë planet të quajtur “Tokë” e sidomos në një vend të quajtur “Kosovë” ku mezi i lanë vend në hartën e botës, aty ku të jesh njeri do të thotë të kesh dy këmbë e dy duar pa ditur mirë rëndësinë e fjalës. Gjëja e vetme që në këtë botë kemi të përbashkët është shpresa! Më fal këtë nuk mund ta ndryshoj… Por prapë se prapë ndihuni të lirë nga kjo sepse shpresa ime dallon nga ajo juaja! Shpresa ime po bëhet ëndërr, ëndërr që të dal rrugëve e lirë pa dëgjuar njeri të më ofendoj e të më shikoj me neveri, të kapem dorë për dore më të gjithë fëmijët e tjerë e të largojë këtë mllef që po më ngulfat, të rri e qetë pa pritur ditën kur për pak para do largohem nga shtëpia… unë nuk jam objekt për t’u blerë as për t’u bërë lodra juaj, e as skllav i juaji. Në qoftë se ti si prind më sheh sikur një çamçakëz para syve tu, për të tjerët nuk do jem as mikrob, do jem një hiç! Nuk dua të jem e tillë, zemrën dhe mendjen vendosë në dyluftim se do ia dalë mbanë, por jo.

Diskriminimi ndaj meje është bërë përditshmëri e imja, nganjëherë vetmin bëjë miken time më të mirë, e bëjë mbretërinë time… më dëgjon në heshtje pa bërë zhurmë, më pëlqen ajo, është e vetmja që më kujton se do vij dita kur dheu do na mbuloj trupin, si timin të zi edhe tëndin të bardh! Përfundimi i të gjithëve do jetë njësoj… do bëhemi engjëj por atëherë do jemi engjëj pa ngjyrë!

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com

Mes emocioneve, u përmbyll nata finale me leximin e dhjetë eseve në ‘Pen for Culture’

Aktivitetet e mirëfillta me gjeneratat e reja konsiderohen të pakta në vendin tonë, por organizata joqeveritare “ProPlus”, me mbështetje të Ambasadës Amerikanë në Kosovë, kanë bërë një hap të rëndësishëm në këtë aspekt. Punëtoria “Pen For Culture” që për qëllim kishte fuqizimin, paqen, socializimin dhe punën ekipore nëpërmjet artit, po del të jetë një projekt me ndikim të madhe tek të rinjtë. Përveç kreativitetit të tyre, përmes kësaj punëtorie ata kanë arritur të nxisin mendimin kritik gjë që do të ju shpërbejë në shumë dimensione të jetës në të ardhmen, shkruan KultPlus.

Në këtë fazë të dytë të projektit, “Pen For Culture” mblodhi dhjetë të rinj të moshës nga 13 deri në 18 vjeç të cilët kishin talent në të shkruar, ese.

Punëtoria u mbajt për tre ditë radhazi në Resortin “Ujëvara e Drinit” në Radac, në një ambient të mrekullueshëm ku të rinjtë e kishin në ‘’ndihmë’’ edhe natyrën për të nxjerrë më të mirën nga vetja.

Nën mbikëqyrjen e profesoreshën universitare, Vjosa Sadriu – Hamiti, secili kishte përzgjedhur një temë që duhej trajtuar me patjetër e këto tema ata erdhën mbrëmë t’i shpalosin para familjarëve e publikut që po i priste në KultPlus Caffe Gallery.

Ndonëse ende të rinj, emocionet padyshim që ishin prezente te ta. Por shpejt ato i mbyten për të marrë guximin që të dalin para publikut e të shprehin përmes fjalës së shkruar: emocionet, shqetësimit e kërkesat e tyre që nuk janë të pakta në këtë moshë komplekse për njeriun.

Nën moderimin e Arbër Selmanit, nisi kjo mbrëmje e cila shpalosi shumë emocione. Selmani që në hapje dha një pasqyrë rreth këtij projekti e tutje ftoi organizatoren e këtij projekti, Ardianë Pajazitin për një fjalë rasti.

Pajaziti, përshëndeti të gjithë të pranishmit, me theks të veçantë të rinjtë sfidues, që sipas saj janë me fat që janë trajnuar në këtë zhanër nga një doktor shkence, siç është Vjosa Sadriu – Hamiti.

“Në gjithë këtë trajnim padyshim një rol të madh ka pasur edhe profesoresha Vjosa Sadriu – Hamiti, e cila ka mësuar të rinjtë për formën e të shkruarit një ese, qasjen kritike, si dhe transmetimin e emocioneve nga të rinjtë”.

Ndërsa profesoresha Vjosa Sadriu Hamiti tha se është shumë e lumtur që ka pasur rastin të mësojë nxënës kaq të talentuar të cilët vijnë nga komuna të ndryshme si dhe falënderoi KultPlus-in për mundësinë dhe respektin. Ajo gjithashtu u shpreh se këta nxënës tashmë e kanë një bazë se si duhet t’i qasen një eseu.

Teksa fjalë nga më të mirat u thanë për këta të rijnë, aty vetëm sa po rritej doza e përgjegjësisë dhe emocionet e daljes para publikut. Këtë emocion, e para e theu pjesëmarrësja Lume Selmani e cila fillimisht para të pranishmëve u shpreh jashtëzakonisht falënderuese për këtë mundësi që i është dhënë, duke potencuar që kjo ka qenë një punëtori ku përveç që kanë marrë mësime, kanë krijuar shoqëri e tani po provojnë të shpalosin emocionet, kërkesat e shqetësimet e tyre edhe para publikut.

Nën tingujt e kitarës së Endrit Rexhepit, esetë e pjesëmarrësve: Lumnije Selmani, Rigona Sefa, Lorik Spahiu, Getoar Gashi, Edit Cena, Zyhrije Salihu, Dritë Shala, Albina Osmani, Arlinda Hajdaraj dhe Flora Halimit, derdhën plot emocion.

Adoleshenca, familja, varfëria, pabarazia gjinore, ngrohja globale, pozita e gruas në shoqëri e minoritetet, ishin vetëm disa nga temat që u shpalosën në këtë mbrëmje.

E të rinjtë mbetën me shpresë që kanë arritur të shpalosin shqetësimet e moshës së tyre kritike, ndërsa prindërit e pranishëm u njoftuan me një botë tjetër të fëmijëve e ndoshta edhe mësuan shumëçka nga ta.

Pas leximit të të gjitha eseve, moderatori Selmani falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen, të rinjve suksese dhe njoftoi se KultPlus nuk do të ndalet me angazhime të tjera në të mirë dhe për kulturën e artin.

Në fund, nën tingujt e muzikës së artistit Endrit Rexhepi, të rinjtë u argëtuan me muzikë e vallëzim, duke u shoqëruar me pije e ushqim. /KultPlus.com

Pjesëmarrësit e punëtorisë “Pen For Culture” e konsiderojnë atë si përvojë të rëndësishme

Bujar Meholli

Puna intensive me gjeneratat e reja nëpër vendet perëndimore është prioritet, sepse duke zhvilluar aftësitë mendore dhe duke i nxitur të rinjtë që t’i shohin gjërat nga prizmi kritik, ata i kontribuojnë komunitetit dhe shtetit, shkruan KultPlus.

Në shoqërinë kosovare puna me të rinjtë, gjegjësisht aktivitetet e ndryshme të tyre jashtë sistemit shkollor sikur kanë stagnuar, andaj organizata të ndryshme po bëjnë përpjekje ta ndryshojnë këtë gjendje duke mbajtur punëtori e aktivitete tjera për t’i stimuluar të rinjtë që të jenë vendimmarrës dhe të kenë ndikim në shoqëri.

Një hap të tillë e bëri edhe organizata joqeveritare “ProPlus”, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane duke organizuar punëtorinë treditore “Pen For Culture” në kuadër të së cilës morën pjesë dhjetë të rinj të moshës nga 13 deri në 18 vjeç duke shkruar ese.

Profesoresha universitare Vjosa Sadriu-Hamiti e cila ishte mbikëqyrëse e kësaj punëtorie tha për KultPlus se fokusi i shtetit dhe i institucioneve duhet të jetë tek mosha e re, për t’i fuqizuar dhe socializuar ata në punën ekipore.

“Ky projekt është shumë i qëlluar, sidomos që janë përzgjedhur të rinjtë e kësaj moshe sepse në shkollat tona mendimi kritik dhe hulumtimi nuk jepen si bazë në sistemin tonë arsimor dhe do të ishte mirë që inciativa tjera të ketë më shumë”, tha fillimisht ajo.

“Rinia jonë është fenomenale. Në momentin kur jua jep hapësirën befasohesh për të mirë me interesimin e tyre. Edhe këto ese që i kanë shkruar këta të rinj më kanë dhënë mesazh të qartë se brezi i ri mund të ndryshoj shumë gjëra për të mirë”.

“Të gjitha njësitë akadamike vijnë në përfundim se studentët nuk dinë të shkruajë për shkak se mungon mendimi kritik, prandaj atyre duhet t’ju ofrohen projekte të tilla qysh në ciklin e ultë dhe të mesëm shkollor në mënyrë që të përgatiten për universitet”, potencoi Sadriu-Hamiti.

Organizatorja e kësaj punëtorie Ardianë Pajaziti, tha se është e lumtur me jetësimin e këtij projekti. Pajaziti kërkon që institucionet të bëjnë më shumë për organizime të tilla për të rinjtë, derisa ju bën thirrje medieve që të krijojnë hapësirë më shumë për ta.

“Ne si organizatorë kemi vlerësuar që të rinjtë nuk jemi duke i parë aq sa duhet në vendet adekuate dhe talentin e tyre në forma të ndryshme nuk po kanë ku ta shprehin, andaj kemi menduar që vetëm arti mund t’i bashkojë komunitetet, ky ka qenë qëllimi”, u shpreh ajo.

“Këta të rinj kanë paraqitur një vullnet që nuk po mund ta shfaqin në institucionet shtetërore, pra, në shkolla. Për të rinjtë është interesant me u paraqit në aktivitete të tilla, në grupe të ndryshme dhe në medie, sepse mund ta nisin nga një projekt e t’ju bëhet profesion i së ardhmes, nga takime të tilla dikujt mund t’i lind shkëndija për t’u profesionalizuar edhe në fusha të ndryshme të artit, qoftë në pikturë, qoftë ese”, potencoi Pajaziti.

Tutje ajo tha se “KultPlus” në bashkëpunim me organizata tjera do të mbajëedhe aktivitete tjera të kësaj natyre në të ardhmen.

“Kishim me i falenderu ambasadën amerikane që e ka parë si projekt të rëndësishëm, e gjithashtu edhe të rinjtë që kanë pasur vullnet dhe i kanë dërguar këto ese të cilat i kemi përzgjedh për këtë punëtori”, përfundoi Pajaziti.

Leksionet për esenë dhe nxitja për ta kuptuar dhe përvetësuar atë si dhe organizimi në përgjithësi, i kanë lënë mbresa të paharruara pjesëmarrëses Lume Selmani, e cila thotë se ka mësuar gjëra të reja të cilat do t’i ndihmojnë tutje. Ajo bën thirrje që organizime të tilla për të rinjtë të ketë sa më shumë.

“Kam qenë e entuziazmuar kur e kam parë konkursin, më pëlqen shumë eseu dhe kam dashur t’i thelloj njohuritë e mia, më ka pëlqyer organizimi dhe profesoresha e cila na ka bërë të ndihemi shumë mirë, na është dukur si një shoqe. I kam mësuar disa gjëra që nuk i kam ditur më parë, metodat për ta bërë një ese e gjëra tjera të ngjashme, e poashtu kam krijuar edhe një shoqëri të re për çka jam shumë e lumtur”, shprehet ajo.

Edhe Lorik Spahiu, pjesëmarrës në këtë punëtori u shpreh i entuziazmuar për mundësinë. Ai thotë se kjo është eksperienca e tij më interesante, gjatë së cilës përveç leksioneve për esenë, letërsinë dhe zhvillimin e mendimit kritik, ka fituar edhe një shoqëri të re.

“Si pjesëmarrës në këtë trajnim kam mësuar shumë, ka qenë socializmi që më ka bërë përshtypje si dhe takimi me pedagogen Vjosa e cila në mësoi se si duhet ta formojmë karakterin tonë si dhe na shpjegoi për esenë dhe ndërtimin e saj. Ajo u përpoq vazhdimisht të na nxis që ta zhvillojmë mendimin kritik dhe të jemi të vendosur në veprimet që do t’i marrim në të ardhmen”.

Përmbyllja e kësaj punëtorie do të bëhet nesër me leximin e eseve nga pjesëmarrësit si dhe me një mbrëmje muzikore në ambientet e “KultPlus Caffe Gallery”.

Të gjitha esetë do të publikohen në vijim. /KultPlus.com

Ambasada amerikane promovon bukuritë natyrore të Kosovës

Me anë të një postimi i profilin e Facebook-ut Ambasada amerikanë ka tregar disa nga bukuritë natyrore të Kosovës, shkruan KultPlus.

“Ka kaq shumë bukuri natyrore për të eksploruar në Kosovë. Disa nga pjesëtarët e ambasadës tonë kanë pasur fatin ta vizitojnë Shpellën e Radakut në Pejë, që është jë heritpjesa ku buron lumi Dri” shkruhet në postim.

Me hashtagun ##BeautifulKosovo Ambasada amerikane e ka vazhduar traditën për t’I promovuar vendet më të bukura nga Kosova./KultPlus.com