Muri i jashtëm i Ambasadës së Italisë në Tiranë veshet me veprën “Flamuri prej Çelikue” të artistit Helidon Xhixha

Muri i jashtëm i Ambasadës së Italisë në Tiranë është veshur me tringjyrëshin e flamurit kombëtar të shtetit fqinj, por në formën më të lartë të një arti kontemporan, sjellë nga artisti pamor dhe skulptori i mirënjohur shqiptar, Helidon Xhixha.

Vepra prej stili unik e artistit të diplomuar në Akademinë e Arteve të Milanos dhe specializuar në Londër, e quajtur “Flamuri prej Çeliku”, ka qenë një dhuratë për ambasadën italiane, por edhe për qytetarët e Tiranës, të cilët tashmë kanë një instalacion të ri në një prej kryqëzimeve më të bukura të qytetit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë ceremonisë së inaugurimit të veprës së piktorit dhe skulptorit Helidon Xhixha në rezidencën e Ambasadës Italiane, u shpreh se kjo vepër i jep një tjetër pamje gjithë zonës. “Mjafton të shikojmë si ka ndryshuar ky kryqëzim – që lidh Liceun me shkollën “Kosova” – dhe çfarë pamjeje i jep ky rikompozim i murit të Ambasadës me një vepër fantastike të Helidon Xhixhos”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi në mënyrë të veçantë simbolin e një gjesti të tillë, që ngre lart më së pari vlerat e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Jemi shumë me fat që kemi Italinë fqinje, Italinë e kulturës, Italinë e gjuhës, Italinë e shkencës, Italinë e estetikës, Italinë e këngës, Italinë e poezisë, Italinë e ushqimit! Edhe sikur të kishim zgjedhur, ne do të kishim mundur të zgjidhnim komshinj më të mirë sesa italianët. Ndaj, mezi pres që gjatë vitit 2022, bashkë me ju, ta maksimizojmë Tiranën si Kryeqytet i Rinisë”, tha Veliaj.

Edhe ambasadori italian, Fabrizio Bucci vlerësoi faktin që mes dy vendeve tona nuk ekzistojnë kufijtë dhe barrierat. “Për fat të keq, ambasadat shpesh shihen paksa si kala me mure të larta dhe nuk arrin kurrë të shohësh atë që është brenda. Por sot kemi hapur dyert për të zbuluar këtë vepër, të cilën kemi menduar ta vendosim në ambientet e jashtme, një vepër e bukur që ka një karakter të fortë italian, por është gjithashtu një vepër që Helidoni ka dashur t’ia dhurojë mbi të gjitha qytetit”, u shpreh ambasadori Bucci.

Artisti i mirënjohur Helidon Xhixha falënderoi ambasadorin italian.

“Falenderoj Fabrizion që e ka transformuar këtë vend në një lidhje perfekte midis Italisë dhe Shqipërisë. Këtu festojnë dy popuj që bashkohen dhe jemi prej shumë kohësh të bashkuar nga historia dhe gjithçka tjetër. Ne falënderojmë Italinë, të cilës do i jemi gjithmonë mirënjohës për atë që jemi,” tha ndër të tjera Xhixha, i cili njihet veçanërisht për faktin se aplikon një stil të veçantë në punimet artistike, duke përthyer dritën kryesisht në metal.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti reagoi për këtë vepër, duke thënë se, “”Bandiera d’acciaio” nuk është thjesht një flamur tringjyrësh, por është lidhja e fortë, e hekurt mes Shqipërisë dhe Italisë. Një miqësi shekullore, që kohërat moderne vetëm po e forcojnë. Përuruam sot në Rezidencën Italiane, këtë vepër simbolike të artistit Helidon Xhixha, historia jetësore e të cilit na përfaqëson nga pak të gjithëve, duke u përpjekur të tejkalojmë kufijtë, por gjithnjë lidhur fort pas rrënjëve”. / KultPlus.com

Ambasada e Italisë shpall fituesit e Çmimit “Musine Kokalari”

Në një ceremoni të thjeshtë, Ambasada e Italisë, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë Italiane në Shqipëri ka vlerësuar këtë të mërkurë me Çmimin “Musine Kokalari”, nxënësit më të mirë maturantë të tre seksioneve dygjyhëshe: “Ismail Qemali” në Tiranë, “28 Nëntori” në Shkodër dhe “Themistokli Gërmenji” në Korçë.

Ceremonia e dhënies së çmimit u zhvillua në datën 27 qershor në Rezidencën e Ambasadorit të Italisë, në prani të Institucioneve, të trupës së mësuesve të Shkollave, të Universiteteve shqiptare, të përfaqësuesve të kulturës dhe të shoqërisë civile shqiptare. Tre nxënësit fitues janë Stela Peraj nga Shkodra, Dea Qallimi nga Tirana dhe Kostandina Sidheri nga Korça.

Çmimi mban emrin e Musine Kokalarit sepse ajo ishte e para intelektuale, shkrimtare dhe poete shqiptare e ‘900-s, e ndjeshme ndaj çështjeve të gruas. U u diplomua në Romë, në vitet 1938 – 41, pranë Universitetit La Sapienza. Pasi kthehet në Atdhe dhe angazhohet në ndërtimin e një Shqipërie të re, persekutohet nga regjimi komunist dhe privohet nga liritë themelore deri në largimin e saj nga jeta në vitin 1983.

“Me një vështrim te mprehte mbi realitetin shoqëror dhe politik, si dhe mbi gjendjen e gruas, edhe fale formimit ne Universitetin La Sapienza ne Rome, Musine Kokalari është një grua qe luftoi për drejtësi dhe lirinë ne Shqipëri, duke sakrifikuar edhe jetën e saj. Prandaj do te donim te përfaqësonte per ne dhe per te rinjte nje model kuraje dhe angazhimi civil”, tha Ambasadori Alberto Cutillo gjate aktivitetit.
Në edicionin e dytë të këtij çmimi , shpërblimi do të jetë një udhëtim studimor dhe argëtues në Como, si dy ditë formimi intensiv mbi komunikimin institucional dhe integrimin europian të organizuara nga Universiteti E-campus, i cili do të ofrojë dhe qëndrimin pranë campus-it të Novedrate-s si dhe një vizitë kulturore në qytetin e Milano-s.
Dhënia e Çmimit u realizua falë pjesëmarrjes së Universitetit E-campus, Eco Tirana sha, Etea Group srl dhe Cotonella/Shqipëria Trikot shpk, të cilat ndihmuan në sponsorizimin e aktivitetit.
Tre nxënësit fitues: Stela Peraj, Dea Qallimi dhe Kostandina Sidheri, u përzgjodhën në bazë të notës në provimin e gjuhës italiane (9/10 dhe 10/10) dhe të vlerësimit nga ana e mësuesve, të cilët morën parasysh jo vetëm ambiciet e nxënësve për të ndjekur studimet e gjuhës italiane, por edhe sjelljen e tyre përgjatë gjithë vitit.
Në bazë të kësaj përzgjedhjeje, fituesit u shpallen nga një Komision i përbërë nga Koordinatori i veprimtarive kulturore të Ambasadës së Italisë, Carlotta D’Amico, nga Sekretari i Përgjithshëm Dhomës së Tregtisë Italiane në Shqipëri dhe nga mësuesja e gjuhës italianë në shkollën Ismail Qemali, Pisana Grossi.

Nxënësit fitues, të shoqëruar nga një mësuesi shqiptar, do të nisen për një periudhë të shkurtër studimore dhe argëtuese e cila parashikon një vizitë në Como, dy ditë formimi intensiv mbi komunikimin institucional dhe integrimin europian të organizuara nga Universiteti E-campus, i cili do të ofrojë dhe qëndrimin pranë campus-it të Novedrate-s si dhe një vizitë kulturore në qytetin e Milano-s. Nxënësit e përzgjedhur si ndër më të mirët, por që nuk u shpallen fitues, u pajisen me një çertifikate merite dhe me një libër për shkrimtaren./ KultPlus.com