Drejtuesit e rinj të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën amerikane në Tiranë, Chad Twitty dhe Amanda Roberson vizituan këtë javë Kalanë e Prezës, për të parë nga afër ecurinë e punimeve restauruese të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, të mbështetura nga programi Fondi Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore (AFCP).
Shoqëruar nga arkitektët e Trashëgimisë Kulturore pa Kufi (Shqipëri), ata ndaluan në çdo sektor të kalasë, për të mësuar mbi punën e jashtëzakonshme që është bërë deri tani, teknikat dhe materialet e përdorura, dhe përpjekjet për t’u siguruar që ky fortifikim i lashtë të vazhdojë të qëndrojë i paprekur.
AFCP po mbështet punimet restauruese edhe në fortifikimet e Krujës dhe Durrësit.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe ne presim t’i shohim këto kala të ngrihen sërish për të vazhduar së treguari historinë e Shqipërisë”, thuhet në një njoftim për shtyp të ambasadës së SHBA-së në Tiranë. / KultPlus.com