Ambasada e Shqipërisë në Kosovë sonte me 7 maj organizoi një mbrëmje solemne me rastin e shënimit të ditëlindjes së yllit shqiptar Nexhmije Pagarushës, ngjarje që u mbajtë në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në këtë mbrëmje ishin mbledhur shumë artistë, këngëtarë, miq e adhurues të shumtë për të nderuar mbretëreshën e muzikës shqiptare. Mbrëmja filloi me përformancën e Korit të Shkollës së Muzikës në Prishtinë.

Më pas përformuan këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare përfshirë Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ndër këngëtarët të cilët erdhen në Kosovë që me tingujt e muzikës së tyre të festojnë ditëlindjen e bilbilit Nexhmije Pagarusha, ishin: Shpresa Gashi, Eva Rusi, Rona Nishliu, Shkurte Fejza, Selami Kolonja, Bujar Qamili e shumë të tjerë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, zotëri Qemal Minxhozi, tha që është privilegjë pjesëmarrja në ditëlindjen e saj dhe duke e konsideruar organizimin përkatës si një dhuratë modeste për figurën e saj të çmueshme.
“Është ditëlindja e Nexhmije Pagarushës e cila na ka frymëzuar për të bërë këtë dhuratë modeste për të, ajo është diva e muzikës shqiptare është privilegjë për secilin për të marrë pjesë në ditëlindjen e saj. Për Nexhmien uroj ti bën edhe 100 vjet të tjera, të ketë shëndet dhe sa më shumë lumturi” tha Minxhozi për KultPlus.

Në këtë mbrëmje u recitua edhe një poezi nga artistja Safete Rugova, e po ashtu u kënduan edhe këngë kushtuar Nexhmijes.
Kënga kushtruar Nexhmijes u dha premier në ketë mbrëmje, e kompozuar nga Pranvera Badivuku dhe u interpretua nga Selami Kolonja për herë të parë në ditëlindjen e 86-të të Bilbilit të Kosovës.
Kompozitorja Pranvera Badivuku, tha që inspirim për të kompozuar këtë këngë kushtuar Nexhmijes, i kishte ardhur nga teksti i cili ishte shkruar më herët nga tekstshkruesi shkodran Ramazan Qeka.
“Unë i kam kushtuar 2 këngë më herët kengëtarës tonë të madhe që është zë i artë i këngës shqipe, e për këtë rast më ka inspiruar tekstshkruesi Ramazan Qeka nga Shkodra i cili e ka postuar një tekst para vitit të ri, unë e gjeta atë e që titullohet “Lauresha Kosovare”, kjo ka qenë inspirimi i tekstit që unë vendosa ta bëjë kengë. Po më vije mirë që kënga u realizua para ditëlindjes së saj dhe është një dhuratë për të” u shpreh Badivuku për KultPlus.
Ndërsa edhe këngëtari Selami Kolonja u shpreh mjaft sentimental në lidhje me këngën që e këndoi me shumë dashuri dhe sipas tij kishte një ndjenjë të veçantë.
“Para vitit të ri më thirri kompozitorja dhe më tha që e kam shkruar një këngë për Nexhmije Pagarushen, ishte një ndjenjë e shumë e mirë që unë u përzgjodha për ta kënduar këtë këngë. Ishte një këngë që e kam sjellur dhe e kam kënduar me shumë dashuri”.
Edhe pse e lodhur nga mosha, entuziazmi i Nexhmije Pagarushës nuk mungoi në ngjarjën e rëndësishme kushtuar ditëlindjës së saj, madje u shpreh e mahnitur me ketë organizim meqë ishte hera e parë që bëhëj diçka kaq e madhe për të.
“Nuk kemi pasur rast të kemi një koncert të tillë kurrë në Kosovë, i falënderohem ambasadorit shumë, nuk kam fjalë edhe besoj se të gjithë janë duke e ndjerë vetën të lumtur. Janë mbledhur të gjithë artistët sonte këtu edhe ata janë të lumtur edhe publiku është i lumtur e sidomos une, ju falënderoj shumë” – tha ajo.

Nexhmije Pagarusha është një këngëtare dhe aktore shqiptare, e cila njihet si mbretëresha e muzikës shqiptare. Me një karrierë të ndritur Pagarusha është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe atë klasike./KultPlus.com
Gëzim Mujaj