Qasje librit më të ri të Mal Berishës ‘Ambasador i pushtetit të butë’, botuar vitin e kaluar

Ibrahim Kadriu

Mal Berisha, diplomat me karrierë, i cili misionin e diplomatit e kreu  në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, në Irlandën e Veriut dhe në Republikën e Irlandës, duke e arritur një përvojë të jashtëzakonshme të përfaqësimit të shtetit shqiptar, por në një mënyrë edhe të realitetit të Kosovës, vitin e kaluar e botoi librin reprezentativ “Ambasador i pushtetit të butë”, që në fakt iu bashkohet librave të tjerë të tij, siç janë: “Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir”, studim i plotë i artikujve të  botuar në revistë n National Geographic Magazine, të fokusuar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në një hark kohor prej më se 100 vjet (2007); “Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj”. (2008); “Amerikani Charles Telford Erickson, një jetë kushtuar Shqipërisë” tre volume, (2012).”Herman Bernstein, Ambasadori U.S në Shqipëri, 1930-1933″ (dhjetor 2014), “Realitetet Shqiptaro – Britanike” është libri i radhës i Berishës, botuar në vitin 2015. Gjithashtu ka përkthyer librat: “Naltësimi i Iskanderit, shkruar nga Benjamin Disraeli, 1833, botuar nga Shtëpia Botuese “KOHA”, Prishtinë, 2018, “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në Marrëdhëniet Ndërkombëtare Evropiane, 1912-1923” shkruar nga Edith Pierpont Stickney e Universitetit Stanford të Kalifornisë dhe “Shpëtim në Shqipëri”, shkruar nga Harvey Sarner, ku del në pah virtyti shqiptar i “besës” dhe tregon historinë e hebrenjve të mbrojtur në Shqipëri. Pos angazhimit në diplomaci (ishte edhe Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll) një kohë iu bashkua Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) si dhe në Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”, ndërkaq në vitin 2000 iu bashkua Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë dhe pas kryerjes së këtij mandati, në Shqipëri u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Rajonale dhe Iniciativave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, prej nga, pastaj, me dinjitet kryen detyrën e ambasadorit në Londër.

Libri “Ambasador i pushtetit të butë”, me përgatitje solide (me 540 faqe të formatit të madh) vjen si një dhuratë e shkëlqyer për çdo kategori lexuesish, e posaçërisht për kuadrot diplomatike të cilët do të njihen më afër për mundësitë e arritjeve të suksesshme në planin e njohjes të shtetit dhe njerëzve me merita kulturore dhe historike të popullit shqiptar pavarësisht ambienteve gjeografike ku jetojnë. Njohuritë e Mal Berishës, të shtruar në këtë botim të vlefshëm, kanë gjerësi dhe thellësi; vijnë si referenca të njohësit me përpikëri të rrethanave kulturore dhe historike të shqiptarëve kudo qofshin ata, vijnë si mesazhe për të kuptuar esencën e realitetit historik të marrëdhënieve të shqiptarëve me botën dhe, anasjelltas, të botëkuptimeve të botës për shqiptarët. Duke qenë i orientuar në ballafaqimin me botën, Mal Berisha shpalon kujtesën historike, sidomos të autorëve të huaj, dhe i ofron si përmbajtje ekskluzive me të cilat, përkundër intrigave të fqinjëve, shqiptarëve iu jepet mandati i njerëzve me virtyte të jashtëzakonshme. Sipas këtij libri duket se autori i ka dhënë vetit detyrë të qëndrojë gatitu para çdo vlere kombëtare të cilat, me gjuhë të zgjedhur, i ka mbushur faqet e këtij libri të rrallë.

Duke përshkruar rolin e diplomatit në përfaqësimin e shtetit dhe të popullit që i takon, Mal Berisha ka gjetur kohë të mjaftueshme t’i qaset edhe problemeve jetike të Kosovës, sikur duke pasur detyrë primare në punën e tij. Kjo vërehet që nga gjallërimi i përfaqësisë së Kosovës në Turqi, përkatësisht në Stamboll, gjithnjë duke i ndenjur pranë përfaqësuesit të Kosovës Enver Talit, e deri te marrja e drejtpërdrejtë me çështje të Kosovës përmes Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane me Diogardin në krye, në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” , në Misionin e Kombeve të Bashkuara e deri te individët nga Kosova që kanë bërë emër në botë, siç është aktori Bekim Fehmiu, këngëtarja Rita Ora, e tj. Me gjitha këto angazhime, të cilat i mbushin faqet e këtij libri, shpesh me përballje të peripecive të papritura, Mal Berisha ofrohet si portret i njeriut që me mendje e shpirt i përkushtohet kombëtares, shpesh si vetëmohues, siç janë rastet e ngritjes së përmendoreve të Skënderbeut në Londër dhe në fshatin arbëresh Munxhufuni të rajonit Muize të Italisë. Me pak fjalë mund të thuhet se ky libër është një abetare e shkëlqyeshme jo veç për diplomatët, por edhe për të tjerët të cilët brenda faqeve të këtij libri do të gjejnë diapazonin e gjerë të njohurive të autorit mbi çdo gjë shqiptare. /KultPlus.com