‘Ja çfarë shikoj nga dritaret e ambasadës amerikane në Tiranë’- rrëfimi i hollësishëm i ambasadorit Herman Bernstein

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Tetor 2024

“The American Foreign Service Journal” ka botuar, në mars të 1932, në faqet n°3-6, rrëfimin e hollësishëm të ambasadorit Herman Bernstein mbi atë çka ai vështronte asokohe rreth e rrotull ambasadës amerikane në Tiranë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria  Vendi i Popullit të Shqiponjës

(Pamje nga dritaret e Legatës Amerikane në Tiranë)

Nga Herman BERNSTEIN, Ministër amerikan në Shqipëri

Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Nga dritaret e Legatës së re Amerikane në Tiranë mund të shihen shumë pamje të çuditshme dhe magjepsëse, të cilat ofrojnë një pamje të jetës shqiptare në të gjitha ngjyrat dhe nuancat e saj të larmishme.

Nga dritaret e përparme mund të shoh kopshtin tonë me lule të kujdesur nga një kopshtar shqiptar që pretendon se ka punuar në pallatin e vjetër të Sulltanit në Kostandinopojë dhe nga një ish-oficer rus që kishte ikur nga bolshevikët dhe kishte shërbyer në forcat Wrangell dhe më pas kishte ardhur në Shqipëri me ushtrinë e vogël të drejtuar nga Ahmet Zogu kur u kthye në pushtet pas mërgimit të tij në Beograd. Më tutje, te porta e Legatës, qëndron shtëpiza e dy kavasëve të Legatës, Sulejmanit dhe Rasimit, shqiptarë që kanë kaluar (jetuar) disa vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulejmani konsiderohet nga shqiptarët si me fat të veçantë jo vetëm për faktin se ai punon në Legatën Amerikane, por edhe sepse është babai krenar i pesë djemve. Vajzat kërkojnë pajë kur martohen në Shqipëri, ndërsa djemtë u sjellin prikë prindërve.

Përpara portës së Legatës ndodhet rruga e re që të çon nga Durrësi në Elbasan dhe Korçë. Durrësi, në Adriatik, është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Qyteti, tani i vogël, me një popullsi prej rreth 10.000 banorësh, dikur ishte një qendër e madhe tregtare, që lidhte Perëndimin me Lindjen. I ndërtuar rreth 700 vjet para epokës së krishterë, Durrësi, i njohur në të kaluarën si Dyrrachium (Dyrrahu), dëshmoi skena lavdie, betejash të përgjakshme, të konfliktit midis ushtrive të Cezarit dhe Pompeut dhe të kryqtarëve në rrugën e tyre për në Tokën e Shenjtë. Besohet se edhe atje, në brigjet e Adriatikut, Shën Pali ka predikuar krishtërimin.

Rruga e re e Elbasanit, tashmë në përfundim, të çon në Korçë, e cila është një nga qytetet më përparimtare dhe moderne të Shqipërisë, kryesisht për shkak të ndikimit të shqiptarëve të emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe që u kthyen në Korçë pasi kishin përvetësuar pasuri të konsiderueshme materiale dhe mënyrat e zakonet e Amerikës. Disa u kthyen për vizita në tokën e tyre të lindjes dhe sollën me vete konceptet e biznesit dhe metodave të bujqësisë amerikane dhe një standard më të lartë jetese, i cili u prezantua gradualisht në rrethin e Korçës. Për vite me radhë Korça ka marrë gjithashtu shuma të konsiderueshme të dërguara nga shqiptarët amerikanë për të afërmit e tyre në vendlindjen e tyre. Për këtë arsye Amerika është e njohur në Shqipëri. Shqipëria i është gjithashtu mirënjohëse Amerikës për ndihmën e Presidentit të ndjerë Wilson dhënë për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë në një periudhë shumë kritike gjatë Konferencës së Paqes. Arsyet e tjera për vlerësimin e Amerikës nga Shqipëria janë shkollat amerikane në Tiranë dhe Kavajë, të drejtuara nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Fondacioni i Lindjes së Afërt, si dhe puna kundër malaries e Fondacionit Rockefeller.

Përtej rrugës së re të Elbasanit mund të shoh nga dritaret tona të përparme një fushë të madhe, kazerma, ushtarë që bëjnë ushtrime; kuajt, lopët, delet duke kullotur — skena të stërvitjes ushtarake të përziera me idilet baritore të paqes. Ndonjëherë dëgjoj zhurmën e mitralozëve që jehojnë në male. Dhe menjëherë pas kësaj dëgjoj barinjtë që luajnë melodi të këndshme në fyellin e tyre, ose fshatarë që këndojnë këngë orientale ndërsa kalojnë mbi kuajt e tyre të vegjël ose gomerët e vegjël. Aty-këtu shoh shtëpi të reja të shpërndara nëpunësish e fisnikësh shqiptarë. Përballë Legatës Amerikane do të ngrihen edhe disa prej legatave të huaja. Në një distancë të shkurtër, shihni kodrën në të cilën po ndërtohet pallati i ri i nënës mbretëreshë.

Teksa kthehem nga dritaret në të djathtë, përballë qytetit të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, që mban emrin e Teheranit rreth 300 vjet më parë, shoh kope delesh bardh e zi, buaj, lopë, selvi madhështore, xhami, minare të holla të bardha. Më pas pallati modest i nënës mbretëreshë dhe pesë princeshave, motrat e mbretit Zog, burgu i ri, ndërtesat e reja ministrore mjaft imponuese dhe Bashkia në qendër të Tiranës; pallati i vjetër i Mbretit Zog, i vetmi mbret në Evropë që ka ardhur në pushtet si bir i një prijësi të shquar malësor, trim, i cili luftoi për vendin e tij në rini, i cili më pas mbajti postet e Ministrit të Brendshëm, Kryeministrit dhe Presidentit, dhe i cili në vitin 1928 u shpall Mbret nga Asambleja Kushtetuese. Udhëheqësi i Popullit të Shqiponjës, siç njihen shqiptarët, është një i ri 36-vjeçar shtatlartë, i hollë, inteligjent, i cili sillet me një dinjitet dhe ekuilibër të thjeshtë por mbresëlënës.

Natën dritat e Tiranës shkëlqejnë me gëzim dhe e bëjnë kryeqytetin të duket shumë më i madh se sa është. Në festat kombëtare rrugët, kulla e sahatit dhe minaret janë zbukuruar me flamujt e Shqipërisë Kuq e Zi dhe me ndriçim elektrik shumëngjyrësh.

Tiranë, Shqipëri — Panorama e qytetit siç shihet nga Legata e re Amerikane, 1931 (Foto nga H. Bernstein) — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Tiranë, Shqipëri — Panorama e qytetit siç shihet nga Legata e re Amerikane, 1931 (Foto nga H. Bernstein) — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Nga xhamat e pasmë dalloj Alpet e purpurta shqiptare në perëndimin e diellit, me malin e Dajtit të mbuluar me borë në qendër. Shoh shpesh aeroplanë që fluturojnë sipër, shqiponja që fluturojnë, borë në majë të malit, gjeth të gjelbër në rrëzë të malit dhe në kopshtin tonë, jo shumë larg, trëndafila të lulëzuar në dhjetor. Unë shoh disa banesa të ulëta, tipike shqiptare me çati të kuqe prej tullash balte; mullarë të artë të rregulluar në dizajn fantastik; hijet e reve që bien përtej malit; dhe herë pas here ylberë të dyfishtë të shndritshëm shqiptarë në sfondin e malit të Dajtit. Përtej këtyre Alpeve është Kruja, shtëpia e Skënderbeut, Gjergj Kastriotit, Uashingtonit shqiptar që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe për disa vite qëndroi fitimtar kundër turqve. Skënderbeu, lavdërimi i të cilit u këndua nga Longfellow në “Tales of a Wayside Inn”, ishte jo vetëm një ushtar dhe çlirimtar i madh, por, duke gjykuar nga testamenti i fundit për të birin, edhe një burrë shteti i mençur dhe largpamës.

Nga dritaret në të majtë shoh rrugën dredha-dredha për në EIbasan, rrugën e famshme romake Via Egnatia, e cila në ditët e para të epokës së krishterë të çonte nga Durrësi në Selanik. Unë shoh kodra të ulëta, në njërën prej të cilave qëndron një vend i shenjtë i braktisur bektashian i rrethuar me pemë. Më poshtë është një kasolle e vogël, e përdorur tani si kafene, ku ciganët kërcejnë dhe luajnë muzikën e tyre me zë të lartë, të çuditshëm, shpesh rrëqethës gjatë gjithë natës, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës. Shumë nga burrat dhe gratë që kalojnë përgjatë rrugës së Elbasanit janë të rreckosur, zbathur. Ndonjëherë veshin kostume të qëndisura artistikisht me dizajne të pasura dhe të bukura. Herë pas here një me beben e saj. Shpesh një grua e mbuluar, hipur mbi një gomar, duke mbajtur fëmijën e saj në njërin krah dhe duke mbajtur një ombrellë të hapur në dorën tjetër — jo për ta mbrojtur atë nga shiu apo nga rrezet e diellit të shndritshëm, por më tepër si një shenjë dallimi midis myslimanëve shqiptarë.

Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Shoh një kortezh të gjatë gomerësh, kuajsh, mushkash, buajsh, qesh, sidomos të enjteve, kur fermerët e fshatrave fqinjë dalin në treg në Tiranë. Kafshët janë të vogla dhe të holla; burrat dhe gratë janë të dobët, të drejtë, me pamje të trishtuar, rrallë të buzëqeshur, shpesh duke kënduar me ankth, zërat e tyre kumbojnë qartë si kambana argjendi. Tani shoh një hoxhë, të gjatë, të veshur me një çallmë jeshile, të hipur mbi një gomar të vogël, me këmbët që lëkunden në mënyrë ritmike, gati duke prekur tokën. Populli, edhe pse ende supersticioz, nuk njeh konflikte apo grindje fetare në Shqipëri. Udhëheqësit fetarë të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve jetojnë në harmoni dhe besimtarët e tyre ndonjëherë vizitojnë vendet e lutjes së njëri-tjetrit. Ndërsa shikoj nga dritaret e Legatës, shoh Tiranën në rritje, kryeqytetin e Popullit të Shqiponjës, duke marrë formën moderne, njerëzit që përvetësojnë nga jashtë rrugët përparimtare të Perëndimit, por ende të kapur pas disa prej traditave të tyre të shkëlqyera të lashta të cilat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim me shekuj; ndërtimi i një shteti të pavarur, më i vogli nga shtetet ballkanike, i cili mban një pozicion kaq të rëndësishëm në Adriatik. Në Shqipëri, Orienti dhe Perëndimi gërvishten si në pak vende të tjera. Femrat shqiptare vlerësohen shumë nga burrat. Një grua që udhëton vetëm është e sigurt kudo në Shqipëri. Dhe asnjë burrë nuk duhet të ketë frikë nga hakmarrja stërgjyshore e një armiku nëse shoqërohet nga një nga gratë e tij. Mikpritja proverbiale dhe ndjenja e nderit e shqiptarëve nuk janë ndryshuar gjatë marshimit të shpejtë të vendit drejt modernizimit.

Një ditë, turistët në kërkim të peizazheve të çuditshme dhe të bukura, zakoneve dhe kostumeve të veçanta do të zbulojnë këtë vend nga më piktoreskët në Evropë. Nëse vonojnë vizitën e tyre në Shqipëri, do të jetë tepër vonë. Pjesa më e madhe e sharmit magjepsës të Shqipërisë po zhduket, duke i lënë vendin kostumeve perëndimore dhe ritmit të vrullshëm të jetës moderne./ KultPlus.com

Ambasadori gjerman dhe ai britanik shijojnë bukuritë e Malit të Sharrit

Ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, dhe ai britanik Jonathan Hargreaves janë ngjitur në majën malore në malet e Sharrit të quajtur Kobilica, e cila është e lartë 2 mijë e 528 metra.

Rohde ka ndarë fotot në X (ish-Twitter), përcjell Klankosova.tv.

“Një tjetër postim në Twitter nga maja e malit të shkallëzuar Kobilica, në lartësinë 2.528 m, me një grup të madh njerëzish! Falë klubit lokal të hiking, të gjithë alpinistëve dhe veçanërisht mikut dhe kolegut tim Jonathan Hargreaves”, shkroi ai.

Ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, dhe ai britanik Jonathan Hargreaves, bashkë me një grup njerëzish janë ngjitur në majën malore në malet e Sharrit të quajtur Kobilica.

Ambasadori Rohde: Kosova e mbështeti Ukrainën edhe pse se ka njohur si shtet

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgëzuar Kosovën për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës.

Në organizimin për Ditën e Ukrainës nga shtetet e QUINT-it, ai theksoi se Kosova është në mesin e shteteve ndërkombëtare që e mbështeti  Ukrainën.

“Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për sa kohë që duhet kjo nuk është vetëm një premtim, por edhe një zotim që shumë shtete e kanë bërë, jam krenar të them që Kosova ka qenë pjesë e kësaj mbështetje nga fillimi”.

“Ky solidaritet veçanërisht i jashtëzakonshëm pasi që Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet sovran, ende kosovarët bashkëndjejnë dhimbjen e ukrainasve që nga ditët e fillimit të luftës”, tha Rohde. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Ambasadori Hovenier uron Laura Fazliun për medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, e ka uruar Laura Fazliun për medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

“Urime Laura” , ka shkruajtur Hovenier në një postim në platformën X, derisa e ka shpërndarë një shkrim të Komitetit Olimpik të Kosovës në të cilin i urohet medalja e fituar Laurës.

Mitrovicasja bëhet xhudistja e dytë kosovare në Paris që arrin të kurorëzohet me medalje. Para saj, Distria Krasniqi, e rrëmbeu të argjendtën.

Fitorja e “Lakit” erdhi në Golden Score, pasi kundërshtares së saj iu dhanë tri “Shido”, për pasivitet në luftë. Kjo është hera e parë që 23-vjeçarja kosovare merr pjesë në Lojëra Olimpike.

Ambasadori Hovenier nderon Kadarenë: Ishte gjigand letrar që la gjurmë të jashtëzakonshme në botë

Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka quajtur gjigand letrar shkrimtarin Ismail Kadare, me rastin e nënshkrimit të tij në librin e ngushëllieve në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Kosovë.

Ambasadori Hovenier me këtë rast ka thënë se kontributet e tij të jashtëzakonshme në letërsinë e gjuhës shqipe kanë lënë gjurmë të jashtëzakonshme në botë.

“Sot, kur Kosova shënon një ditë zie kombëtare, isha i nderuar të nënshkruaj librin e ngushëllimeve në Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë duke kujtuar gjigantin letrar Ismail Kadare. Kontributet e tij të jashtëzakonshme në letërsinë e gjuhës shqipe kanë lënë gjurmë të jashtëzakonshme në botë. Ngushëllimet e mia më të thella për familjen, miqtë dhe admiruesit e tij”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës sot mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë, Mosharraf Hossain Bhuiyan.

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme e me interes dypalësh ishin temat kryesore të takimit. Theks iu dha fushës së ekonomisë dhe kulturës.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Bhuiyan në vizitën e tij të tretë në vend. Ai e falënderoi për mbështetjen e Bangladeshit ndaj Kosovës dhe për bashkëpunimin në rritje, teksa e njohu me zhvillimet e fundit në vend dhe rezultatet e qeverisjes. Mirënjohës për mikpritjen dhe raportet, ambasadori i përcolli kryeministrit Kurti ftesën nga kryeministri i Bangladeshit për vizitë atje. 

Folën për mundësitë dhe potencialin e përmirësimit të shkëmbimeve tregtare në vitet në vijim. Këtu u veçua rëndësia për të dy vendet e largimit të tatimit të dyfishtë. Mbi 70 kompani me kapital nga Bangladeshi janë të regjistruara në Kosovë.

Në takim u fol edhe rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë.

Bashkë me kryeministrin Kurti në këtë takimi ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Ambasadori Hovenier: Le të frymëzohemi të gjithë nga vizioni i Martin Luther King

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka cituar një shprehje të Martin Luther King Jr, në prag të ditëlindjes së tij, duke  bërë thirrje që të gjithë të frymëzohen nga vizioni i tij.

“Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; është prania e drejtësisë.” — Martin Luther King Jr., Stride Toward Freedom, 1958. Le të frymëzohemi të gjithë nga vizioni i Dr. King për përfshirjen, jodhunën dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të çdo qenieje njerëzore. #MLKDay”, ka shkruar ambasadori Hovenier në X.

Dita e Martin Luther King Jr është një festë federale në Shtetet e Bashkuara që shënon ditëlindjen e Martin Luther King Jr. Kjo festë shënohet të hënën e tretë të janarit të çdo viti. Këtë vit ditëlindja e tij shënohet më 15 janar.

Më poshtë gjeni postimin origjinal të ambasadorit Hovenier:

Ambasadori Hovenier e quan lokacion të klasit botëror Parkun Arkeologjik të Ulpianës

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, sot ka vizituar Parkun Arkeologjik të Ulpianës, shkruan KultPlus.

Ambasadori Hovenier, përmes një postimi në Twitter ka thënë për Ulpianën se në këtë lokacion të klasit botëror, po punon një super ekip për të dokumentuar trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Kisha privilegjin të vizitoja Parkun Arkeologjik të Ulpianës sot, ku një ekip mahnitës po shton faktet dhe po dokumenton trashëgiminë kulturore të Kosovës në këtë lokacion të klasit botëror”, shkroi Hovenier në rrjetin social Twitter./KultPlus.com

Image

Ambasadori gjerman dhe 25 pjesëtarë të UNESCO-s e vizitojnë Manastirin e Deçanit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me 25 pjesëtarë të UNESCO-s, sot kanë vizituar Manastirin e Deçanit, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori Rohde në Twitter.

“Sot shijuam një tjetër vizitë të këndshme në Manastirin e Deçanit, së bashku me 25 kolegë nga UNESCO”.

“Në emër të kolegëve të mi dhe meje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për igumenin Sava Janjiq për mikpritjen e tij”, ka shkruar Rohde në Twitter./KultPlus.com

Ambasadori i Kosovës në Akademinë e Studimeve Albanologjike

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita priti në një takim pune Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, në prani të zv/rektorit të ASA-s, prof. dr. Valter Memisha.

Rektori Përzhita e informoi në detaje ambasadorin për përmbajtjen e marrëveshjes së fundit që u nënshkrua më 13 prill, mes ASA-s dhe Universitetit të Prishtinës, për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor dhe për të krijuar një strategji mbi transmetimin e dijes tek brezat e rinj, në fushat e albanologjisë, me qëllim përditësimin dhe pasurimin me teza të reja të dijes albanologjike.

“Jemi në një situatë krejt të re”, tha rektori Përzhita.

“Gjetëm mbështetje te drejtuesit e rinj të Universitetit të Prishtinës, personalisht te rektori, prof. dr. Qerim Qerimi dhe ramë dakord që në bazë të marrëveshjes, hapi i parë të jetë ngritja e një grupi të përbashkët pune për hartimin e projekteve strategjike në fushën e albanologjisë.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e përshëndeti këtë marrëveshje, e cila i hap rrugën më pas ndërtimit të programeve të përbashkëta në studimet Master dhe Doktoraturë në fushën e albanologjisë – arkeologji, antropologji social-kulturore, histori e gjuhësi.

Me hapjen e programeve të reja të edukimit, krijohen mundësi të shkëlqyera edhe për studentët nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tetovës që të plotësojnë gjithë boshllëqet e krijuara në dekada nga mungesa e edukimit në këto fusha.

Aktualisht ka shumë pak profesorë nga Prishtina që japin mësim në Tiranë.

“Ne do donim që Akademia e Studimeve Albanologjike, në një periudhë afatshkurtër dhe nën një perspektivë afatgjatë, të ishte shtëpia jonë e përbashkët e albanologjisë”, u shpreh rektori Përzhita./atsh/ KultPlus.com

Jeff Hovenier do të marrë sot detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, do të marrë sot detyrën e tij të re, përcjell KultPlus.

Presidenti Joe Biden ka emëruar Hovenier në këtë post gjatë muajit korrik të vitit të kaluar, derisa vendimi u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.

Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Hovenier luajti një rol të rëndësishëm në negociatat që dërguan përfundimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Derisa, kjo do të jetë hera e parë që ai shërben si ambasador i SHBA-së. /KultPlus.com

Senate Confirms Jeffrey Hovenier as US Ambassador to Kosovo - Exit -  Explaining Albania

Austria përkrahë MKRS-në për realizimin e politikave

Ministri Kujtim Gashi takoi ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin diskutoi për raportet dhe bashkëpunimin që ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Ambasadën e Austrisë.

Ministri e falënderoi ambasadorin Pfandler për vizitën dhe u shpreh se e vlerëson marrëdhënien e Kosovës me një shtet mik siç është Austria dhe me këtë rast e falënderoi ambasadorin për tërë përkrahjen që ka dhënë shteti austriak në përkrahje të shtetësisë së Kosovës.

Ministri Gashi tha se është i gatshëm për thellim të bashkëpunimit me Austrinë në ato projekte të cilat Ambasada i sheh për të dy palët. Kësisoj do të intensifikohej edhe angazhimi i përbashkët në avancimin e fushave që ka në përgjegjësi MKRS-ja, por edhe do të hapej mundësia për shkëmbim të përvojave e profesionistëve të dy vendeve.

Ndër të tjera, ministri e ka njoftuar ambasadorin edhe për planet dhe politikat që ka për synim që t’i realizojë ministria në të ardhmen dhe në këtë drejtim ministri u shpreh se shpreson edhe në përkrahjen e Ambasadës së Austrisë, sidomos në promovimin e diplomacisë dhe diversitetit kulturor.

Ndërkaq, ambasadori austriak Pfendler e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe e përgëzoi për e detyrën e ministrit duke i dëshiruar suksese dhe përmbushje të qëllimeve.

Ambasadori austriak theksoi se ambasada do ta mbështesë ministrinë në sferat në të cilat do të vlerësohen të interesit të përbashkët, por edhe në prezantimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare./ KultPlus.com